2010–2019
Ati dhe Biri
Prill 2013


Ati dhe Biri

Në zemër të ungjillit të Jezu Krishtit dhe të fuqisë së tij për të shpëtuar, është një kuptim i saktë i Atit dhe i Birit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës t’ju drejtohem juve këtë pasdite në mjedisin e kësaj konference të përgjithshme frymëzuese!

Duke trajtuar një temë që në mendjen time është shumë e shenjtë, së pari, dëshiroj të pranoj me mirënjohje përkushtimin e kaq shumë të krishterëve gjatë gjithë historisë, përfshirë të parët e mi protestantë francezë dhe katolikë irlandezë. Për shkak të besimit të tyre dhe të adhurimit të Perëndisë, shumë prej tyre sakrifikuan poste, zotërime, madje dhe jetën në mbrojtje të Perëndisë së tyre dhe të besimit të tyre.1

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe si të krishterë, edhe ne kemi një besim të fortë dhe të thellë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Përkushtimi ndaj Perëndisë mbetet gjithmonë një çështje e shenjtë dhe vetjake midis secilit prej nesh dhe Krijuesit tonë.

Kërkimi ynë për jetë të përjetshme nuk është asgjë tjetër përveç një kërkimi për të kuptuar se kush është Perëndia dhe për t’u kthyer që të jetojmë me Të. Shpëtimtari iu lut Atit të Tij: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”2.

Madje edhe në dritën e kësaj deklarate nga Vetë Shpëtimtari ynë, pikëpamja mbizotëruese për natyrën e Atit dhe të Birit përgjatë shumë shekujve dhe midis shumicës së njerëzimit, është qartësisht kontradiktore me mësimet e shkrimeve të shenjta.

Me respekt ne parashtrojmë se, në zemër të ungjillit të Jezu Krishtit dhe të fuqisë së tij për të shpëtuar, është një kuptim i saktë i Atit dhe i Birit.3

Rëndësia e këtij parimi shumë themelor të ungjillit të Jezu Krishtit vërtetohet nga Vegimi i Parë i Profetit Jozef Smith, në 1820–ën. Profeti shkroi: “Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!4

Kjo përvojë e djaloshit Jozef, e pasuar nga shumë vegime dhe zbulesa të tjera, tregon se Perëndia në të vërtetë ekziston; se Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë dy qenie të ndara dhe të ndryshme; se njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; se Ati ynë Qiellor është vërtet Ati i Jezu Krishtit; se Perëndia vazhdon t’ia zbulojë Veten njeriut; se Perëndia është gjithmonë afër dhe i interesuar për ne; dhe se Ai u përgjigjet lutjeve tona.

Megjithëse shfaqje të ngjashme të Atit dhe të Birit në shkrimin e shenjtë janë relativisht të rralla, e vërteta e mrekullueshme e Vegimit të Parë është se përputhet kaq mirë me ngjarje të tjera të shënuara në shkrimet e shenjta.

Në Dhiatën e Re, për shembull, ne lexojmë për dëshminë përfundimtare të Stefanit gjatë martirizimit të tij. Ai tha: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë”5.

Ndërsa ishte në vegimin e fuqishëm në ishullin e Patmosit, Apostulli Gjon sheh “Zoti[n] Perëndi, [të] Plotfuqishmi[n]”6 si edhe Qengjin e Perëndisë, i cili “me gjakun [e Tij] na ble[u]”7.

Në Librin e Mormonit, doktrina e Atit dhe e Birit qëndron në dëshmi madhështore përkrah Biblës së Shenjtë. Libri i Mormonit shënon vizitën e Shpëtimtarit tonë te nefitët, në të cilën zëri i Atit, në praninë e rreth 2.500 nefitëve, prezanton Krishtin e ringjallur: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim – dëgjojeni atë”8.

Në të katër Ungjijtë, Vetë Krishti i drejtohet Atit të Tij në Qiell 160 herë, ndërsa gjatë shërbesës së Tij të shkurtër treditore midis nefitëve, siç shënohet në Librin e Mormonit, Ai e përmend Atin e Tij 122 herë.

Për shembull, te Mateu, Jezusi thotë: “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”9.

Te Gjoni, Ai dëshmon: “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati10.

Dhe te Lluka, Ai thërret: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim”11!

Çdo herë që Zoti ynë i drejtohet Atit të Tij Qiellor, Ai e bën këtë me nderimin dhe nënshtrimin më të madh.

Duke thënë këtë, shpresoj se nuk do të ketë keqkuptim. Jezu Krishti është Jehova i madhërishëm, Perëndia i Izraelit, Mesia i premtuar dhe, për shkak të Shlyerjes së Tij të pafundme, Ai është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi i botës. Për Të, Apostulli Pal shpalli: “Pastaj do të vijë fundi, kur [Krishti] t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi [Krishti] të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi”12.

Në prag të Shlyerjes së Shpëtimtarit, Ai i ofroi Atit Lutjen e Tij të madhe Ndërmjetësuese. Ai u lut:

“Tani unë nuk lutem vetëm për ta [me fjalë të tjera, Apostujt e Tij], por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,

që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.

Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.”13

Ati dhe Biri janë qenie qartësisht të ndara, por Ata janë përsosmërisht të bashkuar dhe një në fuqi e qëllim. Uniteti i tyre nuk është ruajtur vetëm për Ta; përkundrazi, Ata dëshirojnë po këtë unitet tek të gjithë ata që, me përkushtim, do t’i ndjekin dhe do t’u binden urdhërimeve të Tyre.

Si mundet të njihet me Atin dhe Birin kërkuesi i zellshëm i Perëndisë? Shpëtimtari ynë premtoi: “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, … do t’ju mësojë çdo gjë”14.

Në Librin e Mormonit, Nefi, kur po fliste për doktrinën e Krishtit, deklaroi se Fryma e Shenjtë “dëshmon për Atin dhe Birin”15.

Është e vërtetë që fuqia apo ndikimi i Frymës së Shenjtë mund të ndihet me raste nga çdo njeri, sipas vullnetit të Zotit, pavarësisht bindjes fetare të atij njeriu. Por masa e plotë, ose dhurata, e Frymës së Shenjtë vjen vetëm pasi një njeri ka marrë, me “një zemër të thyer dhe shpirt të penduar”16, ordinancat e pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë17 me anë të vënies së duarve. Këto dhe ordinanca të tjera të shenjta mund të kryhen vetëm nën drejtimin dhe fuqinë e priftërisë së Perëndisë. Në lidhje me këtë, na është mësuar:

“Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.

Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.”18

E parë në dritën e saj të vërtetë, doktrina e Atit dhe e Birit është doktrina e familjes së përjetshme. Çdo qenie njerëzore ka ekzistuar më parë si një fëmijë shpirtëror me prindër qiellorë19, me Krishtin duke qenë i Parëlinduri i Atit në këtë familje qiellore.20

Kështu është me të gjithë ne. Ne jemi fëmijë të Atit tonë Qiellor.

Presidenti Ezra Taft Benson me mprehtësi profetike tha: “Asgjë nuk do të na befasojë më tepër kur të kalojmë përmes velit në anën tjetër, sesa të kuptojmë se sa mirë e njohim Atin tonë [në Qiell] dhe se sa familjare është fytyra e tij për ne”21.

Kam mësuar se nuk është e mundur të përçohen në gjuhën e njeriut ato gjëra që janë bërë të njohura vetëm nga Fryma e Shenjtë dhe fuqia e Perëndisë. Është në këtë frymë që unë jap dëshminë time solemne për realitetin, afërsinë dhe mirësinë e Atit tonë të Përjetshëm dhe të Birit të Tij të shenjtë, Jezu Krishtit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.