2010–2019
Shtëpia: Shkolla e Jetës
Prill 2013


Shtëpia: Shkolla e Jetës

Mësimet mësohen në shtëpi – vendi që mund të bëhet një copë qiell këtu në tokë.

Disa prindër shfajësohen për gabimet që kanë bërë në shtëpi, duke pohuar se arsyeja e kësaj është se nuk ka një shkollë prindërimi.

Në të vërtetë, një shkollë e tillë vërtet që ekziston dhe mund të jetë më e mira nga të gjitha. Kjo shkollë quhet shtëpi.

Ndërsa shkoj pas në krahët e kujtesës sime, kujtoj çaste të dashura që kam përjetuar me bashkëshorten time. Ndërsa i ndaj këto kujtime me ju, ju mund të kujtoni përvojat tuaja – si të lumtura edhe të trishtuara; ne mësojmë nga të gjitha ato.

1. Tempulli Është Vendi

Kur u ktheva nga misioni im, takova një të re të bukur, me flokë të zinj e të gjatë, që i zbrisnin deri në mes. Ajo kishte sy të mëdhenj e të bukur ngjyrë mjalti dhe një buzëqeshje ngjitëse. Ajo më robëroi që nga çasti i parë që e pashë.

Bashkëshortja ime kishte vënë synimin që të martohej në tempull edhe pse, në atë kohë, tempulli më i afërt kërkonte një udhëtim prej më shumë se 6.400 km.

Ceremonia e martesës sonë civile ishte edhe e lumtur edhe e trishtuar, sepse u martuam me një datë skadence. Punonjësi shqiptoi fjalët: “Dhe tani ju deklaroj burrë e grua”, por menjëherë pas kësaj, ai tha: “derisa vdekja t’ju ndajë”.

Kështu që, me sakrificë, kursyem sa për të blerë një biletë vetëm vajtjeje deri në Tempullin e Mesës në Arizonë.

Në tempull, ndërsa ishim të gjunjëzuar tek altari, një shërbestar i autorizuar shqiptoi fjalët që doja shumë të dëgjoja, të cilat na shpallën burrë e grua për këtë kohë dhe për të gjithë përjetësinë.

Një mik na çoi te Shkolla e së Dielës. Gjatë mbledhjes ai u ngrit në këmbë dhe na paraqiti tek të pranishmit. Kur mbledhja mbaroi, një vëlla m’u afrua dhe më toku dorën, duke më lënë një kartmonedhë 20–dollarëshe. Menjëherë pas kësaj, edhe një tjetër vëlla m’u afrua dhe, për habinë time, edhe ai më la në dorë një kartmonedhë. Menjëherë kërkova me sy bashkëshorten time, që ishte nga ana tjetër e dhomës, dhe i thirra: “Blanki, toki duart me të gjithë!”

Shpejt ne mblodhëm mjaftueshëm para sa të ktheheshim në Guatemalë.

“Në lavdinë çelestiale ka tre qiej ose shkallë;

Dhe me qëllim që të fitojë më të lartën, një njeri duhet të hyjë në këtë rend të priftërisë.”1

2. Që të Grindesh, të Duhen Dy Njerëz

Një nga motot e bashkëshortes sime ka qenë: “Me qëllim që të grindesh, të duhen dy njerëz dhe unë nuk do të jem kurrë njëri prej tyre”.

Zoti i ka përshkruar qartë veçoritë që duhet të na udhëheqin në marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë. Këto janë bindja, durimi, mirësjellja, zemërbutësia dhe dashuria e pashtirur.2

Abuzimi fizik në familje është një praktikë që po ndodh më rrallë në disa shoqëri, dhe ne gëzohemi për këtë. Megjithatë, jemi shumë larg nga përjashtimi i abuzimit emocional. Dëmi i shkaktuar nga kjo formë abuzimi na mbetet në kujtesë, na lëndon personalitetin, na mbjell urrejtje në zemra, na zvogëlon vlerësimin për veten dhe na mbush me frikë.

Pjesëmarrja në ceremoninë e martesës çelestiale nuk mjafton. Ne gjithashtu duhet të jetojmë një jetë çelestiale.

3. Një Fëmijë që Këndon, Është një Fëmijë i Lumtur

Kjo është një moto tjetër që bashkëshortja ime e përmend shpesh.

Shpëtimtari e kuptonte rëndësinë e muzikës së shenjtë. Pasi mbajti Pashkën me dishepujt e Tij, shkrimet e shenjta tregojnë: “Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve”3.

Dhe duke folur me anë të Profetit Jozef, Ai tha: “Sepse shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre”4.

Sa prekëse është të dëgjosh këngën e një vogëlushi, të cilit prindërit i kanë mësuar të këndojë: “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”5.

4. Unë Kam Nevojë të më Përqafosh

Fjalët “Të dua”, “Faleminderit shumë” dhe “Më fal” janë si një balsam për shpirtin. Ato i shndërrojnë lotët në lumturi. Ato i sjellin ngushëllim shpirtit të shqetësuar dhe i vërtetojnë ndjenjat e dashura të zemrës sonë. Ashtu si bimët vyshken nga mungesa e ujit të çmuar, dashuria jonë dobësohet dhe vdes kur ne nuk përdorim fjalë dhe veprime dashurie.

Më kujtohen kohët kur e kishim zakon të dërgonim letra dashurie me anë të postës së zakonshme ose se si mblidhnim pak monedha për të marrë në telefon njerëzit tanë të dashur nga një kabinë telefonike, apo se si do të skiconim e shkruanim vjersha dashurie në letër të zakonshme.

Sot të gjitha këto duken si objekte muzeu!

Teknologjia në këtë kohë dhe epokë na lejon të bëjmë çudira. Sa e lehtë është të dërgojmë me celular një mesazh dashurie dhe mirënjohjeje! Rinia e bën këtë gjatë gjithë kohës. Vras mendjen nëse kjo dhe praktika të tjera të bukura vazhdojnë pasi ngremë shtëpinë. Një nga mesazhet e fundit me celular që mora nga bashkëshortja ime, është ky: “Një përqafim sa qielli, një puthje si dielli dhe një mbrëmje si hëna. Ditë të lumtur, unë të dua.”

Nuk mund të mos ndihem si të jem në qiell kur marr një mesazh si ky.

Ati ynë në Qiell është një shembull i përkryer për shprehjen e dashurisë. Kur paraqiti Birin e Tij, Ai përdori fjalët: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”6.

5. Unë e Dua Librin e Mormonit dhe Shpëtimtarin Tim, Jezu Krishtin

Mbushem me emocion kur e shoh bashkëshorten time të lexojë Librin e Mormonit çdo ditë. Kur ajo e bën këtë, mund ta ndiej dëshminë e saj, thjesht duke parë gëzimin në pamjen e saj kur ajo lexon pjesët që dëshmojnë për misionin e Shpëtimtarit.

Sa të mençura janë fjalët e Shpëtimtarit tonë: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua”7.

Frymëzuar nga kjo, i kërkova mbesës sime, Rakelës, që ka mësuar të lexojë së fundmi: “Çfarë do të thoshje po të vëmë si synim që të lexojmë Librin e Mormonit?”

Përgjigjja e saj qe: “Por, Gjyshi, është kaq e vështirë. Është një libër i madh.”

Pastaj i kërkova të më lexonte një faqe. Mora një kronometër dhe mata kohën. I thashë: “T’u deshën vetëm tri minuta dhe varianti spanjisht i Librit të Mormonit ka 642 faqe, kështu që ty të duhen 1.926 minuta”.

Kjo do të mund ta kishte frikësuar atë edhe më shumë, kështu që e pjesëtova atë numër me 60–minutësha dhe i thashë se do t’i duheshin vetëm 32 orë për ta lexuar atë – më pak se një ditë e gjysmë!

Atëherë ajo më tha: “Kjo është kaq e lehtë, Gjyshi”.

Më në fund Rakela, vëllai i saj, Estebani, dhe nipërit e mbesat tanë të tjerë shpenzuan më shumë kohë se kaq, sepse ai është një libër që duhet të lexohet me një shpirt lutjeje dhe meditimi.

Me kalimin e kohës, ndërsa mësojmë të kënaqemi pa masë në shkrimet e shenjta, do të thërrasim si Psalmisti: “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time!8

6. Nuk Mjafton t’i Dimë Shkrimet e Shenjta; Ne Duhet t’i Jetojmë Ato

Më kujtohet kur isha misionar i kthyer dhe, pasi i kisha hetuar shkrimet e shenjta me zell, mendoja se i dija të gjitha. Gjatë periudhës sonë të njohjes, Blanki dhe unë do t’i studionim shkrimet e shenjta së bashku. Përdora shumë prej shënimeve dhe referencave të mia për të ndarë me të njohurinë time të ungjillit. Pasi u martuam arrita në një kuptim të rëndësishëm ndërsa mësova një mësim të madh prej saj: Unë mund të isha përpjekur t’ia mësoja asaj ungjillin, por ajo më mësoi se si ta jetoj atë.

Kur Shpëtimtari mbaroi Predikimin në Mal, Ai dha këtë këshillë të mençur: “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb”9.

Ata që jetojnë parimet çelestiale, të cilat gjenden në shkrimet e shenjta, u japin ngushëllim atyre që vuajnë. Ata u sjellin gëzim atyre që janë të brengosur, drejtim atyre që kanë humbur, paqe atyre që janë të shqetësuar, dhe një drejtim të sigurt atyre që kërkojnë të vërtetën.

Përmbledhtas:

  1. Tempulli është vendi.

  2. Që të grindesh, të duhen dy njerëz dhe unë nuk do të jem kurrë njëri prej tyre.

  3. Një fëmijë që këndon, është një fëmijë i lumtur.

  4. Unë kam nevojë të më përqafosh.

  5. Unë e dua Librin e Mormonit dhe Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin.

  6. Nuk mjafton t’i dimë shkrimet e shenjta; ne duhet t’i jetojmë ato.

Këto dhe shumë mësime të tjera, mësohen në shtëpi – vendi që mund të bëhet një copë qiell këtu në tokë.10 Unë dëshmoj se ungjilli i Jezu Krishtit dhe plani i Atit tonë Qiellor japin një drejtim të sigurt në këtë jetë dhe premtimin e jetës së përjetshme, në emrin e Jezu Krishtit, amen.