2010–2019
Mënyra e Zotit
Prill 2013


Mënyra e Zotit

Mënyra e Zotit është që t’u vëmë veshin mësimeve të udhëheqësve tanë, të kuptojmë parimet e drejta dhe të qeverisim veten.

I Shtatëdhjetë

Unë shërbej si I Shtatëdhjetë. Të Shtatëdhjetët thirren për të qenë lajmëtarë – për ta shpërndarë fjalën e Zotit siç e marrim nga apostujt dhe profetët e nga Shpirti, dhe për të qenë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit, në predikimin e ungjillit në të gjithë botën, në ngritjen e Kishës dhe në rregullimin e punëve të saj (shih DeB 107:25, 34).

Djalë Ferme

U rrita në një fermë afër Bërlit në Ajdaho – një “djalë [i vërtetë] ferme nga Ajdaho!” Si i tillë, mësova:

  1. Të punoj – nëse nuk mbjell, nuk korr.

  2. Të punoj me mençuri – nëse ujit dhe plehëron, korr më shumë.

  3. Rëndësinë e kohës – nëse nuk mbjell në kohën e duhur, një ngricë e hershme mund ta shkatërrojë të korrën.

  4. Të bëj atë që nevojitet ose duhet të bëhet, pavarësisht se çfarë është e kënaqshme, e pëlqyeshme apo e rehatshme – ti e mjel lopën kur ka nevojë të milet, jo kur do ti.

  5. Të jem i drejtpërdrejtë – i përfshirë me bagëtinë dhe makineritë, nuk ke kohë t’i “biesh rreth e qark” apo të shqetësohesh për të qenë politikisht i saktë. (Në lidhje me këtë, ndërsa kam shërbyer gjithandej në Kishë, shpesh kam pyetur: “Dëshironi që t’ju flas drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë?” Në përgjithësi, shenjtorët kanë preferuar [të jem] “i drejtpërdrejtë”! Sot do të jem i drejtpërdrejtë.)

  6. Së fundmi, si një djalë ferme nga Ajdaho, mësova të përqendrohem te parimet themelore.

Asgjë nuk është më themelore për të gjithë ne dhe për doktrinën tonë, sesa të vërtetat e nenit të parë të besimit: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë” (Nenet e Besimit 1:1).

Përveç kësaj, Ai është Ati ynë Qiellor, i cili na njeh, na do dhe dëshiron të kthehemi tek Ai. Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, i cili nëpërmjet Shlyerjes garantoi se ne do ta mposhtim vdekjen dhe do të jetojmë sërish, dhe bëri të mundur që ne të ekzaltohemi dhe të kemi jetë të përjetshme. Fryma e Shenjtë është ngushëlluesi, zbuluesi, mësuesi, dëshmuesi dhe udhërrëfyesi ynë.

Mendoni për këtë, vëllezër e motra – ne nuk jemi jetimë shpirtërorë! Ne nuk jemi vetëm.

Cilat janë përparësitë e të pasurit prindër – e të mos qenit jetim? Ne mund të mësojmë prej tyre, të përfitojmë nga përvoja e tyre, të shmangim kurthet për të cilat na paralajmërojnë dhe të kuptojmë më mirë për shkak të këndvështrimit të tyre. Ne nuk kemi pse të jemi të humbur, të pështjelluar, të mashtruar apo më pak të dobishëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Atit tonë Qiellor, i cili na ka mësuar dhe treguar jo thjesht një mënyrë por të vetmen mënyrë.

Perëndia e ka Mënyrën

Në fakt, Perëndia e ka mënyrën si të jetojmë1, si të duam2, si të ndihmojmë3, si të lutemi4, si të bisedojmë5, si të ndërveprojmë me njëri–tjetrin6, si të udhëheqim7, si të martohemi8, si t’i rrisim fëmijët9, si të mësojmë10, si të njohim të vërtetën11, si të ndajmë ungjillin12, si të zgjedhim me urtësi atë që hamë13, etj.

Së bashku me shkrimet e shenjta, disa burime të mrekullueshme për të gjetur mënyrën e Zotit janë Të Vërtetë ndaj Besimit, Për Forcën e Rinisë dhe te mësime të tjera të apostujve e profetëve të gjallë.

  1. Për shembull, Zoti na ka dhënë mësim në shkrimet e shenjta:

    “‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti.

    ‘Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja’” (Isaia 55:8–9).

  2. Një nga të këqijat e këtyre ditëve të fundit është që “çdokush ecën në udhën e vet” (DeB 1:16). Te Fjalët e Urta paralajmërohemi që të “mos e mbaj[më] veten të ditur në sytë [tanë]” dhe të “mos mbështet[emi] në gjykimin [tonë]” (shih Fjalët e Urta 3:5–7).

  3. Neve na është mësuar se, nëse i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Zotit, Ai lidhet të na bekojë dhe ne kemi të drejtë të kërkojmë premtimet e Tij; dhe nëse nuk veprojmë sipas mënyrës së Tij, ne nuk kemi premtim (shih DeB 82:10).

  4. Zoti e krahasoi mënyrën e Tij me mënyrën tonë kur Ai përgatiti profetin Samuel, i cili qe dërguar për të gjetur një mbret të ri: “Por Zoti i tha Samuelit: ‘Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën’” (1 Samuelit 16:7).

  5. Edhe me dëshirën e pranuar në mënyrë universale për të ndihmuar të varfërit dhe nevojtarët, Zoti pajtohet në qëllimin tonë por paralajmëron: “Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime” (DeB 104:16). Përndryshe, gjatë përpjekjeve tona për t’i ndihmuar, në të vërtetë ne mund t’i dëmtojmë ata. Zoti na ka mësuar mbi nevojën për të nxitur mbështetjen te vetja. Edhe sikur të jemi në gjendje për të ndihmuar, ne nuk duhet të japim apo të sigurojmë atë që ata mund dhe duhet ta bëjnë vetë. Është provuar kudo, bota merr mësim nga të këqijat e lëmoshës. Perëndia me të vërtetë e di më mirë.

Le të marrim parasysh disa shembuj të tjerë. Zoti ka mënyrën për të bërë punën misionare. Kjo është shpjeguar në shkrimet e shenjta dhe në manualin Predikoni Ungjillin Tim dhe zbatohet sipas drejtimit të Shpirtit.

Zoti ka mënyrën e Tij për të dashur, që është mënyra e drejtë. Njerëzit e botës thonë se ajo që ka vërtet rëndësi është që dy njerëz ta duan njëri–tjetrin. Ati ynë në Qiell na mëson se kjo është e rëndësishme, por Ai na mëson më shumë: se ka një mënyrë dhe kohë të autorizuar për ta shprehur atë dashuri.

Të Qeverisim Veten

Jozef Smithit iu mësuan që në rini mënyrat e Zotit. Kur u pyet se si e drejtonte Kishën, ai shpjegoi se jepte mësim parime të drejta dhe anëtarët qeverisnin veten.14 Vëllezër e motra, apostujt dhe profetët tanë të gjallë ende janë duke dhënë mësim parime të drejta. Pyetja është: “A jemi duke i përdorur këto parime për të qeverisur veten?”

Një gjë që na është dhënë mësim shpesh, është të lulëzojmë aty ku jemi mbjellë. Ende ndonjëherë ne tundohemi të shpërngulemi në ndonjë zonë të re, duke menduar se fëmijët tanë do të kenë më shumë miq dhe si rrjedhojë programe më të mira për rininë.

Vëllezër e motra, a mendojmë vërtet se faktori themelor për shpëtimin e fëmijëve tanë është lagjja ku ne jetojmë? Apostujt dhe profetët shpesh kanë dhënë mësim se, ajo që ndodh brenda shtëpisë, është shumë më tepër e rëndësishme sesa ajo çfarë fëmijët tanë ndeshin jashtë. Mënyra si i rrisim fëmijët tanë është më e rëndësishme sesa vendi ku i rrisim ata.

Natyrisht, ka faktorë të tjerë që përfshihen në vendimin se ku të jetojmë dhe, fatmirësisht, Zoti do të na udhëheqë nëse kërkojmë miratimin e Tij.

Një tjetër pyetje është: “Ku nevojitemi?” Për 16 vjet unë shërbeva në presidencën e Kunjit Verior të Hjustonit në Teksas. Shumë njerëz u shpërngulën në zonën tonë gjatë atyre viteve. Shpesh do të merrnim një telefonatë që lajmëronte se dikush po shpërngulej dhe pyeste se cila ishte lagjja më e mirë. Vetëm një herë në 16 vjet mora një telefonatë që pyeste: “Cila lagje ka nevojë për një familje të mirë? Ku mund të ndihmojmë?”

Në vitet e para të Kishës, Presidenti Brigam Jang dhe të tjerë, u bënin thirrje anëtarëve që të shkonin në një vend të caktuar për të ngritur Kishën atje. Është ironike që edhe tani ne kemi kudo anëtarë besnikë të Kishës, që do të shkonin kudo që profeti do t’u kërkonte të shkonin. A presim me të vërtetë që Presidenti Monson t’i thotë secilit në mënyrë individuale se ku nevojitet familja jonë, [kur jemi] më shumë se 14 milionë prej nesh? Mënyra e Zotit është që t’u vëmë veshin mësimeve të udhëheqësve tanë, të kuptojmë parimet e drejta dhe të qeverisim veten.

Veçanërisht e Rëndësishme

Me gjithçka që po ndodh në Kishë sot, dhe ndërsa Zoti po e përshpejton punën e Tij në çdo drejtim, është akoma edhe më me rëndësi kritike që ne ta bëjmë gjithçka që bëjmë sipas mënyrës së Tij!

Sidomos në punën e shpëtimit, ne mësojmë se “në dhuratën e Birit të tij, Zoti përgatiti një udhë më të shkëlqyer” (Ethëri 12:11). Doktrina e Krishtit “është udha; dhe s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 31:21).

Përfundim

Kur shohim kaq shumë njerëz në botë sot që jetojnë në pështjellim apo, më keq, duke u endur në shtigje të ndaluara dhe duke vuajtur në mënyrë të panevojshme pasojat e zgjedhjeve të këqija, më bën të dëshiroj që të thërras ashtu siç bëri Alma:

“O sikur të isha një engjëll dhe të mund të plotësoja dëshirën e zemrës sime, që të mund të shkoja dhe të njoftoja me borinë e Perëndisë, me një zë që tund tokën dhe të thërrisja pendim në çdo popull!

Po, unë do t’i shpallja çdo shpirti … planin e shëlbimit, që ata duhet të pendohen dhe të vijnë te Perëndia ynë [dhe mënyrat e Tij], kështu që të mos ketë më pikëllim mbi të gjithë faqen e dheut” (Alma 29:1–2).

Përsëri, unë dëshmoj se Zoti e ka mënyrën! Ati ynë Qiellor na njeh, na do dhe dëshiron të ndihmojë. Ai e di më mirë si të ndihmojë. Ne nuk jemi jetimë shpirtërorë!

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6; shih edhe Alma 38:9). Mënyra e Tij bazohet mbi të vërtetën e përjetshme dhe na çon drejt “paqe[s] në këtë botë dhe jetë[s] [së] përjetshme në botën që vjen” (DeB 59:23). Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.