2010–2019
Kur Shpëtoni një Vajzë, Ju Shpëtoni Breza
Prill 2013


Kur Shpëtoni një Vajzë, Ju Shpëtoni Breza

Jeta juaj e virtytshme do të bekojë paraardhësit tuaj, familjet tuaja tani dhe pjesëtarët e familjeve që ende do të vijnë.

Është një nder për mua t’u drejtohem të rejave të guximshme të Kishës. Ne ju shohim të përparoni në shtegun e atyre që i nderojnë besëlidhjet e tyre, dhe e dimë se jeta juaj e virtytshme do të bekojë paraardhësit tuaj, familjet tuaja tani dhe pjesëtarët e familjeve që ende do të vijnë, sepse siç deklaroi Presidenti Gordon B. Hinkli: “Kur shpëtoni një vajzë, ju shpëtoni breza”1.

Shtegu juaj i besëlidhjes filloi në kohën kur u pagëzuat dhe morët dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ai vazhdon çdo javë në mbledhjen e sakramentit, një vend i shenjtë ku ju ripërtërini besëlidhjen tuaj të pagëzimit. Tani është koha që ju të përgatiteni për të bërë besëlidhjet e tempullit. “Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që [ne] të kthehe[mi] në praninë e Perëndisë dhe që familjet [tona] të bashkohen përjetësisht.”2

Qëndroni në vende të shenjta për paraardhësit tuaj. “Çdo qenie njerëzore që vjen në këtë tokë është produkt i brezave të prindërve. Ne kemi një mall të natyrshëm që të lidhemi me paraardhësit tanë.”3 Ndërsa merrni pjesë në historinë familjare dhe punën në tempull, ju e gërshetoni jetën tuaj me atë të paraardhësve tuaj, duke siguruar ordinancat shpëtuese për ta.

Qëndroni në vende të shenjta për vete dhe për familjarët tuaj më të afërt. Shembulli juaj i drejtë do të jetë një burim gëzimi i madh, pavarësisht rrethanave tuaja familjare. Zgjedhjet tuaja të drejta do t’ju kualifikojnë të bëni dhe të mbani besëlidhjet e shenjta, që do ta lidhin përjetësisht së bashku familjen tuaj.

Qëndroni në vende të shenjta për familjen tuaj të ardhshme. Zotohuni të vuloseni në tempull me bashkëshortin tuaj nëpërmjet priftërisë së shenjtë ndërsa krijoni një njësi të përjetshme familjare. Fëmijët tuaj do të bekohen me të vërtetën, ndërsa bëni që shembulli juaj i virtytshëm dhe dëshmia juaj e patundur të bëhen pjesë e jetës së tyre dhe u tregoni udhën drejt shtegut të besëlidhjes.

I pashë këto parime të përjetshme të shfaqen në Konkursin e fundit Ndërkombëtar të Artit për Të Rinjtë. Megan Uorner Tejlori kompozoi në mënyrë dixhitale një vepër me fotografi, duke përdorur një qasje bashkëkohore ndaj shëmbëlltyrës së Krishtit me dhjetë virgjëreshat.4 E takova Meganin, dhe ajo shpjegoi simbolikën e virgjëreshës së dhjetë, të cilën e përshkroi si një të re të virtytshme dhe besnike, të përgatitur për të bërë dhe për të mbajtur besëlidhjet e shenjta të tempullit. Sikurse me të gjitha virgjëreshat e mençura, përgatitja e saj vetjake ndodhi ndërsa i shtoi vaj llambës së saj, pikë pas pike, nëpërmjet të jetuarit të vazhdueshëm me drejtësi. Vura re gërshetin e bukur në flokët e saj. Megani shpjegoi se gërsheti përfaqësonte gërshetimin e jetës së kësaj të reje të virtytshme me [një mori] brezash të panumërt. Njëra tufë e flokut përfaqësonte gërshetimin e dashurisë dhe respektit të saj për paraardhësit e vet, e dyta gërshetimin e ndikimit të saj të drejtë te familja e saj e tanishme, dhe tufa e tretë, gërshetimin e jetës së saj të përgatitur në jetën e brezave që do të vijnë.

Takova një të re tjetër, përgatitja e hershme shpirtërore e së cilës kishte gërshetuar në shumë breza një jetë të drejtë.

Në një pasdite të bukur shtatori, unë dhe bashkëshorti im ishim në tempull duke pritur mundësinë për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit. Krisi, një mik i yni, hyri në dhomë. Ishte e mrekullueshme ta shihje këtë të ri, i cili ishte kthyer së fundmi nga një mision në Rusi.

Ndërkohë që sesioni qe gati të fillonte, një e re e hijshme u ul pranë meje. Ajo ishte rrezatuese, e qeshur dhe plot me dritë. Doja ta njihja, ndaj qetë u prezantova. Ajo pëshpëriti emrin e saj, Keiti, dhe e njoha mbiemrin e saj meqenëse si familje kishin jetuar në Miçigan, ku familja ime jetoi dikur. Keiti qe vajza e tyre e rritur, e cila pesë javë më parë ishte kthyer nga misioni i saj në Gjermani.

Gjatë sesionit, mendimi “Prezantoje Keitin me Krisin”, vazhdonte të vinte në mendjen time. E lashë mënjanë këtë nxitje, duke menduar: “Kur, ku dhe si?” Kur po bëheshim gati për t’u larguar, Krisi erdhi për të na thënë mirupafshim dhe unë e shfrytëzova mundësinë. E tërhoqa Keitin përpara dhe pëshpërita: “Ju jeni dy të rinj të virtytshëm që duhet ta njihni njëri–tjetrin”. U largova nga tempulli e kënaqur që kisha vepruar sipas nxitjes.

Gjatë rrugës për në shtëpi, unë dhe bashkëshorti im diskutuam mbi kujtimet tona të sfidave që kishte kaluar familja e Keitit. Që atëherë fillova ta njihja Keitin më mirë, dhe ajo më ka ndihmuar të kuptoj arsyet për pamjen e gëzuar që vura re atë ditë në tempull.

Keiti gjithmonë është përpjekur të qëndrojë në shtegun e saj të besëlidhjes duke kërkuar vende të shenjta. Ajo u rrit në një shtëpi ku mbajtja e mbrëmjeve familjare, lutjet bashkërisht dhe studimi i shkrimeve të shenjta e bënë shtëpinë e saj një vend të shenjtë. Kur ishte fëmijë, ajo mësoi rreth tempullit, dhe kënga “I Love to See the Temple” [“Shum’ Tempullin Dua t’Shoh”] qe e preferuara e saj për mbrëmjen familjare.5 Kur ishte vajzë e vogël, ajo pa prindërit e saj tek jepnin një shembull të kërkimit të një vendi të shenjtë ndërsa shkonin në tempull në një mbrëmje fundjave në vend që të shkonin në kinema ose të dilnin për darkë.

Ajo e donte shumë të atin, dhe ai e përdori autoritetin e tij të priftërisë për ta ndihmuar të bënte besëlidhjen e saj të parë të pagëzimit. Pastaj asaj iu vunë duart mbi kokë dhe mori Frymën e Shenjtë. Keiti tha: “Isha e emocionuar të merrja Frymën e Shenjtë, dhe e dija se do të më ndihmonte të qëndroja në shtegun drejt jetës së përjetshme”.

Për Keitin jeta vazhdoi në një mënyrë shumë të bekuar e të lumtur. Kur ishte 14 vjeçe, ajo filloi shkollën e mesme dhe e donte seminarin, një tjetër vend i shenjtë për të mësuar rreth ungjillit. Një ditë mësuesja e saj filloi të fliste rreth sprovave dhe siguroi se të gjithë ne do të përballeshim me to. Ajo i tha vetes: “Nuk i dua sprovat; nuk dua ta dëgjoj këtë”.

Ishte pikërisht pak javë më vonë që i ati i saj u zgjua të dielën e Pashkës shumë i sëmurë. Keiti tha: “Babai im ishte një person shumë i shëndetshëm; ishte një vrapues maratone. Mamaja ime ishte kaq e alarmuar që ishte aq i sëmurë saqë e çoi në spital. Brenda 36 orëve ai pati një infarkt të gjerë që ia paralizoi pjesën më të madhe të trupit. Ai mund t’i hapte e mbyllte sytë, por pjesa tjetër e trupit nuk po punonte. Më kujtohet tek e shihja dhe mendoja: ‘O jo, po ndodh! Mësuesja ime e seminarit kishte të drejtë. Unë po kaloj një sprovë.’” Brenda pak ditëve babai i Keitit ndërroi jetë.

Duke vazhduar Keiti, tha: “Ishte kaq e vështirë. Askush nuk dëshiron asnjëherë ta humbasë heroin e jetës së vet. E dija se mund ta lija këtë gjë të bëhej një pedanë kërcimi për rritje ose ta lejoja të bëhej një pengesë [për mua]. Nuk doja ta lejoja të më rrënonte jetën sepse isha vetëm 14 vjeçe. U përpoqa të isha sa më afër me Zotin që qe e mundur. I lexova shumë shkrimet e mia të shenjta. Alma kapitulli 40 më siguroi se ringjallja është e vërtetë dhe përmes Shlyerjes së Krishtit unë mund të isha sërish me tim atë. U luta shumë. Shkrova në ditarin tim aq shpesh sa mundesha. E mbajta të gjallë dëshminë time duke e hedhur në letër. Shkova në kishë dhe te klasa e Të Rejave çdo javë. E rrethova veten me miq të mirë. Qëndrova pranë të afërmve dashamirës dhe sidomos pranë mamasë sime, e cila qe spiranca në familje. Kërkova bekime të priftërisë nga gjyshi dhe mbajtës të tjerë të priftërisë.”

Këto zgjedhje të qëndrueshme, sikurse ato të virgjëreshës së mençur, i shtuan vaj llambës së Keitit. Ajo u nxit nga dëshira e saj për të qenë përsëri me të atin. Keiti e dinte se i ati ishte në dijeni të zgjedhjeve të saj dhe nuk dëshironte ta zhgënjente. Ajo dëshironte një marrëdhënie të përjetshme me të, dhe e kuptoi se të qëndruarit në shtegun e saj të besëlidhjes do ta mbante jetën e saj të gërshetuar ngushtë me të tijën.

Megjithatë, sprovat nuk mbaruan. Kur Keiti qe 21 vjeçe dhe po dërgonte letrat e saj të misionit, e ëma u diagnostikua me kancer. Keiti duhet të merrte një vendim të rëndësishëm në jetën e saj. A duhet të qëndronte në shtëpi dhe të mbështeste të ëmën apo të shkonte në mision? Të ëmës iu dha një bekim priftërie që i premtoi se do t’i mbijetonte sëmundjes. E siguruar nga ky bekim, Keiti shkoi përpara me besim dhe vazhdoi me planet e saj për të shërbyer një mision.

Keiti tha: “Po ndërmerrja një hap në errësirë, por ndërsa isha në mision, drita përfundimisht erdhi dhe mora lajmin se bekimi i nënës sime u përmbush. Isha kaq e lumtur që nuk e shtyva shërbimin ndaj Zotit. Kur vijnë gjëra të vështira, mendoj se është e lehtë të bëhesh i amullt dhe të mos dëshirosh vërtet të ecësh përpara, por nëse e vendos Zotin të parin, fatkeqësitë mund të çojnë në bekime të bukura. Mund ta ndiesh dorën e Tij dhe të dëshmosh mrekulli.” Keiti provoi realitetin e fjalëve të Presidentit Tomas S. Monson: “Mundësitë tona më domethënëse do të gjenden në kohët e vështirësive më të mëdha”6.

Keiti e pati këtë lloj besimi sepse e kuptoi planin e shpëtimit. Ajo e dinte se jetuam më parë, se toka është një kohë prove dhe se do të jetojmë sërish. Ajo pati besim se e ëma do të bekohej, por nga përvoja me të atin, ajo e dinte se nëse e ëma do të largohej nga kjo jetë, çdo gjë do të ishte në rregull. Ajo tha: “Nuk i mbijetova thjesht vdekjes së babait; ajo u bë pjesë e identitetit tim për mirë, dhe sikur mamaja të largohej nga kjo jetë, vdekja do të kishte bërë të njëjtën gjë. Do të kishte gërshetuar një dëshmi më të madhe në jetën time.”7

Keiti po kërkonte një vend të shenjtë mbrëmjen që e takova në tempull. Duke dëshiruar të gërshetonte ngushtë marrëdhëniet e përjetshme që vijnë përmes shërbimit në tempull, ajo ndoqi modelin e vendosur nga prindërit e saj për pjesëmarrjen e rregullt në tempull.

Mbrëmjen që e prezantova Keitin me Krisin nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe, por duke kërkuar një vend tjetër të shenjtë të dielën pasuese, Keiti e pa Krisin në mes të qindra të rinjve në moshë madhore beqarë në një takim shpirtëror të institutit. Atje ata zbuluan më shumë për njëri–tjetrin. Pak javë më vonë, Krisi e ftoi atë të shihnin konferencën e përgjithshme bashkë. Ata vazhduan të kërkonin vende që ftonin Shpirtin gjatë gjithë periudhës së tyre të njohjes, dhe përfundimisht u vulosën në tempull, vendin e shenjtë ku u njohën. Të dy tani janë duke përmbushur përgjegjësinë e shenjtë të të qenit prindër, duke gërshetuar dëshmitë e tyre për planin e shpëtimit në jetën e tre djemve të vegjël, duke u treguar atyre udhën drejt shtegut të besëlidhjes.

“Kur shpëtoni një vajzë, ju shpëtoni breza.” Vendimi i Keitit si një 14–vjeçare për të qëndruar në shteg, për t’i shtuar vazhdimisht vaj llambës së saj dhe për të qëndruar në vende të shenjta ka shpëtuar dhe do të shpëtojë breza. Kërkimi për paraardhësit e saj dhe shërbimi në tempull kanë gërshetuar zemrën e saj me të tyren. Pjesëmarrja në historinë familjare dhe punën në tempull gjithashtu do të gërshetojnë zemrat tuaja së bashku dhe do t’ju ofrojnë paraardhësve tuaj mundësinë e jetës së përjetshme.

Të jetuarit e ungjillit në shtëpinë tuaj gjithashtu do t’i shtojë vaj llambës suaj dhe do të gërshetojë forcë shpirtërore në shtëpinë tuaj tani dhe do të bekojë familjen tuaj të ardhshme në mënyra të pafundme. Dhe veç këtyre, sikurse ka thënë Plaku Robert D. Hejls: “Nëse shembulli që kemi marrë nga prindërit tanë nuk ka qenë i mirë, është përgjegjësia jonë ta thyejmë atë cikël … dhe të japim mësim tradita të drejta për brezat që pasojnë”8.

Vendosni tani që të bëni gjithçka mundeni për të mbushur llambat tuaja, që dëshmia dhe shembulli juaj i fortë të mund të gërshetohen në jetën e shumë brezave – të kaluar, të tanishëm dhe të ardhshëm. Dëshmoj se jeta juaj e virtytshme jo vetëm që do të shpëtojë breza, por gjithashtu do të shpëtojë jetën tuaj të përjetshme, sepse është e vetmja mënyrë për t’u kthyer tek Ati ynë në Qiell dhe për të gjetur gëzim të vërtetë tani dhe gjatë gjithë përjetësisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “Standing Strong and Immovable”, Mbledhje e Trajnimit Mbarëbotëror të Udhëheqjes, 10 janar 2004, f. 20; shih edhe Gordon B. Hinckley, “Our Responsibility to Our Young Women”, Ensign, shtator 1988, f. 10.

  2. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  3. Rasëll M. Nelson, “Breza të Lidhur me Dashuri”, Liahona, maj 2010, f. 92.

  4. Shih Mateu 25:1–13.

  5. Shih “I Love to See the Temple”, Children’s Songbook, f. 95.

  6. Thomas S. Monson, “Meeting Your Goliath”, New Era, qershor 2008, f. 7.

  7. Intervistë personale me autoren, 2013.

  8. Robert D. Hales, “How Will Our Children Remember Us?”, Ensign, nëntor 1993, f. 10.