2010–2019
Vendet Tuaja të Shenjta
Prill 2013


Vendet Tuaja të Shenjta

Pavarësisht nëse [vendet tuaja të shenjta] janë vende gjeografike apo çaste në kohë, ato janë po aq të shenjta dhe kanë fuqi forcuese të papërshkrueshme.

Tema jonë e Aktiviteteve të Përbashkëta për vitin 2013 vjen nga seksioni 87 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Ky udhëzim gjendet në tri seksione të veçanta në Doktrina e Besëlidhje; në mënyrë të qartë këshilla është e rëndësishme. Ajo shpjegon se si mund të marrim mbrojtje, forcë dhe paqe në kohë të trazuara. Udhëzimi i frymëzuar është të “qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni”1.

Ndërsa kam medituar për këtë temë, shtyhem të vras mendjen: “Cilat janë ‘vendet e shenjta’ të cilave iu drejtohet Ati Qiellor?” Presidenti Ezra Taft Benson këshilloi: “Vendet e shenjta përfshijnë tempujt tanë, kishat tona, shtëpitë tona dhe kunjet e Sionit, të cilat janë, … ‘për mbrojtje e për strehim’”2. Përveç këtyre, besoj se secila prej nesh mund të gjejë shumë më tepër vende. Ne, së pari, mund ta mendojmë fjalën vend si mjedis fizik ose vendndodhje gjeografike.Megjithatë, një vend mund të jetë “një rrethanë, kusht apo gjendje e caktuar e mendjes”3. Kjo do të thotë që vendet e shenjta mund të përfshijnë edhe çaste në kohë – çaste kur Fryma e Shenjtë na dëshmon, çaste kur ndiejmë dashurinë e Atit Qiellor ose çaste kur marrim një përgjigje për lutjet tona.Për më tepër, besoj se çdo herë që keni kurajë të mbroni atë që është e drejtë, veçanërisht në rrethana ku askush tjetër nuk është i gatshëm të veprojë kështu, ju po krijoni një vend të shenjtë.

Gjatë gjithë jetës së shkurtër, por të madhërishme të Jozef Smithit, ai me të vërtetë “[qëndroi] në vende të shenjta” dhe nuk lëvizi. Kur ishte i ri, u shqetësua nga trazira fetare në komunitetin e tij dhe dëshironte të dinte se cila nga të gjitha kishat ishte e vërtetë. Zona me drurë pranë shtëpisë së tij u bë një vend i shenjtë, kur ai u ul në gjunjë mes drurëve dhe ofroi lutjen e tij të parë me zë. Lutja e tij mori përgjigje dhe sot shenjtorët e ditëve të mëvonshme iu drejtohen këtyre drurëve si Korija e Shenjtë.

Të reja kudo nëpër botë kanë qëndruar gjithashtu në vende të shenjta në natyrë në kampin e Të Rejave. Një udhëheqëse më tregoi historinë e përvojës së një të reje. Kjo vajzë ishte më pak aktive dhe ishte paksa mosbesuese rreth të pasurit të një përvoje shpirtërore në pyll. Pas ditës së parë, ajo e njoftoi udhëheqësen: “Po ia kaloj shumë mirë, por, të lutem, a mund t’i japim fund tërë të folurës rreth Shpirtit? Jam këtu për kampim, të kënaqem me natyrën, të jem me shoqet dhe të bëj qejf!” Megjithatë, në mbrëmjen përfundimtare të dëshmive, e njëjta vajzë me lot në sy pohoi: “Nuk dua të shkoj në shtëpi. Si mund ta kem atë që po ndiej tamam tani, këtë Shpirt, me vete gjatë gjithë kohës?” Ajo kishte zbuluar një vend të shenjtë.

Një tjetër vend i shenjtë në jetën e Jozef Smithit ishte vetë dhoma e tij e gjumit. Kjo mund të jetë e vështirë të besohet, sepse si shumë prej jush, ai e ndau dhomën e tij të gjumit me vëllezër e motra. Ajo u bë një vend i shenjtë kur ai u lut me besim, përulësi dhe nevojshmëri të madhe. Ai shpjegoi: “Pasi isha shtrirë në shtrat për të fjetur, unë u përfshiva në lutje dhe përgjërim ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm për falje të të gjitha mëkateve dhe marrëzive të mia”4. Tre vitet që kishin kaluar që nga koha kur Jozefi pati vegimin në Korijen e Shenjtë, nuk kishin qenë të lehta. Jozefi shtatëmbëdhjetëvjeçar kishte duruar tallje, përqeshje dhe keqtrajtim të pafundëm. Por atë natë, në dhomën e gjumit të Jozefit, engjëlli Moroni u shfaq në përgjigje të përgjërimeve të tij. Jozefi mori dituri dhe ngushëllim. Atë natë, dhoma e tij e gjumit u bënë një vend i shenjtë.

Ndërsa shihja një Mesazh Mormon për Rininë, dëshmova një tjetër dhomë gjumi që ishte bërë një vend i shenjtë. Videoja tregon Ingrid Delgadon, një e re nga Salvadori, duke treguar rreth ndjenjave të saj për tempullin. Ajo thotë: “Është mirë të dimë që kemi një vend ku mund të largohemi nga gjërat e botës dhe të marrim ordinanca të shenjta dhe të ndihmojmë ata që nuk mundën t’i merrnin ato në këtë jetë”. Ndërsa ajo flet, videoja e tregon Ingridin duke lexuar shkrimet e saj të shenjta, e rrethuar nga Reklama Mormone, citime, një libër të Përparimit Personal, fotografi të familjes së saj e të tempullit dhe po, lodrat e saj të preferuara të kafshëve me push.5 Ndoshta edhe pa e kuptuar, ajo ka krijuar vendin e saj të shenjtë, larg nga gjërat e botës. Vras mendjen se sa herë i ka lexuar Ingridi shkrimet e saj të shenjta, ka ndier Shpirtin dhe ka marrë përgjigje për lutjet e saj në vendin e saj të shenjtë.

Por një vend tjetër i shenjtë, i paparashikuar, në jetën e Jozef Smithit ishte burgu i Libertisë. Plaku Xhefri R. Holland tha: “Nuk pati kohë më të mundimshme në jetën e Jozefit sesa ky burgim mizor, i paligjshëm dhe i paarsyeshëm”. Plaku Holland vazhdoi duke shpjeguar se burgu i Libertisë është quajtur si një “burg tempull” për shkak të përvojave të shenjta që Profeti Jozef Smith pati atje.6

Disa nga ju të reja mund të jeni duke përjetuar vetë burgun tuaj të Libertisë, një vend ku përballeni me poshtërim, një vend ku nuk ndieni dashuri të përzemërt, një vend ku talleni, keqtrajtoheni ose edhe dëmtoheni fizikisht. Juve, të rejave, ju ofroj fjalët e Plakut Holland: “Ju mund të keni përvoja të shenjta, zbuluese, thellësisht udhëzuese me Zotin gjatë përvojave më të mjerueshme të jetës suaj … ndërsa duroni padrejtësitë më të dhimbshme, kur ndeshni vështirësitë dhe kundërshtimin më të pakapërcyeshëm që keni hasur ndonjëherë”7. Me fjalë të tjera, po ashtu si Profeti Jozef Smith, ju mund të krijoni dhe të qëndroni në vende të shenjta, edhe në kohët më të vështira që keni përjetuar ndonjëherë.

Një e re në moshë madhore, Kirsten, më tregoi përvojën e saj të dhimbshme. Shkolla e mesme kishte qenë burgu i saj i Libertisë. Për fat të mirë, dhoma e bandës muzikore siguroi lehtësim. Ajo tha: “Kur hyra në këtë dhomë, ishte sikur të hyja në një vend të sigurt. Nuk kishte vërejtje zhvlerësuese apo nënvleftësuese, as gjuhë përdhosëse. Përkundrazi, ne dëgjuam fjalë nxitjeje dhe dashurie. Ne ushtruam mirësi. Ishte një vend i lumtur. Dhoma e bandës muzikore mbushej me Shpirtin, ndërsa praktikonim dhe luanim pjesë muzikore. Dhoma ishte e tillë kryesisht për shkak të ndikimit të drejtuesit të bandës. Ai ishte një burrë i mirë, i krishterë. Më kujtohet që shkolla e mesme ishte një vend përpunimi. Ishte e vështirë, por unë mësova qëndrueshmërinë. Do të jem përherë mirënjohëse për vendstrehimin tim, vendin tim të shenjtë, dhomën e bandës muzikore.”8

Sonte, a keni menduar për vendet tuaja të shenjta? U kam kërkuar qindra të rejave që të më tregojnë për vendet e tyre të shenjta. Pavarësisht nëse ato janë vende gjeografike apo çaste në kohë, ato janë po aq të shenjta dhe kanë fuqi forcuese të papërshkrueshme. Ja nëntë nga përgjigjet e tyre të ndjeshme:

  • Një: “Isha në spital, duke mbajtur vëllanë tim të sapolindur”.

  • Dy: “Çdo herë që lexoj bekimin tim patriarkal, e ndiej se Ati im Qiellor më njeh dhe më do”.

  • Tre: “Ditën që mbusha 12 vjeç, vajzat e reja në lagjen time ma zbukuruan derën me zemra letre.9 U ndjeva e dashur, e pranuar dhe e lumtur!”

  • Katër: “Një ditë, ndërsa po lexoja shkrimet e mia të shenjta, një frazë më ‘kërceu befas’. Unë kisha gjetur përgjigje për lutjet e mia.”

  • Pesë: “Hyra në një mbrëmje argëtimi ku njerëzit po pinin alkool dhe merrnin pjesë në veprimtari të tjera të papranueshme. Shpirti më tha të kthehesha dhe të shkoja në shtëpi. E bëra atë dhe po, pati pasoja shoqërore. Megjithatë, ai çast më dha vetëbesimin që më nevojitej për të ditur se unë mund ta jetoja ungjillin.”

  • Gjashtë: “Një të diel gjatë sakramentit, po mendoja për Shlyerjen. E kuptova se kisha nevojë të falja dikë me të cilin isha e zemëruar. Zgjedhja ime për të falur ishte një veprim i duhur që do ta sillte Shlyerjen në jetën time të përditshme.”

  • Shtatë: “Pasi ndoqa Fillimet e Reja me nënën time, ajo më puthi në faqe dhe me zë më tha se më donte. Kjo ishte hera e parë për aq sa më kujtohet.”

  • Tetë: “Me sigurimin e dhënë nga peshkopi im, e dija se premtimi në shkrimet e shenjta ishte i vërtetë: ‘Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora’.10 Ndjeva shpresë dhe e dija se mund ta filloja procesin tim të gjatë të pendimit.”

  • Së fundi: “Një mbrëmje, mora guximin t’i ndaja ndjenjat e mia për ungjillin me shoqen time më të mirë dhe t’i jepja një Libër të Mormonit. Më vonë, ishte privilegj të merrja pjesë në pagëzimin e saj. Tani ne shkojmë në Kishë së bashku.”

A mund t’ju tregoj për një nga vendet e mia të shenjta? Dikur, unë ndihesha e tronditur, e frikësuar dhe tërësisht e vetmuar. Në heshtje, u luta: “Ati Qiellor, nuk e di se si ta bëj këtë. Të lutem, të lutem më ndihmo!” Shpejt, papritur dikush m’u afrua, e vuri dorën mbi supin tim dhe më foli në mënyrë të sinqertë, inkurajuese. Në atë çast, ndjeva paqe. U ndjeva e pranuar. Gjithçka kishte ndryshuar. Fjalët e Presidentit Spenser W. Kimball më erdhën në mendje: “Perëndia na vë re dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që Ai i plotëson nevojat tona.”11 Për mua, ai çast, ai vend ishte bërë i shenjtë.

Të dashura të reja, ka vende të tjera të shenjta, të panumërueshme, do të uroja, për të cilat mund t’i tregonim njëra–tjetrës. Kur të ktheheni në shtëpi sonte, ju nxis t’i shkruani në ditarin tuaj ato vende që po i dalloni dhe po i kujtoni. Është e qartë për mua që mijëra prej jush po qëndrojnë në vende të shenjta. Këto vende po ju sigurojnë mbrojtje, forcë dhe paqe në kohë të trazuara. Dëshmitë tuaja po bëhen më të forta, sepse ju po mbroni të vërtetën dhe drejtësinë në mënyra të lavdishme.

Ju, rinia fisnike e Kishës, jeni heronjtë e mi. Unë ju dua. Unë e ndiej dashurinë e papërshkrueshme të Atit Qiellor për ju dhe ju jap dëshminë time se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë. Ai po pret, gati për t’ju mbështetur kur ju “qëndroni … në vende të shenjta dhe nuk lëvizni”. Unë e dua dhe e mbështes Presidentin Tomas S. Monson, profetin tonë të vërtetë dhe inkurajues. I them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 87:8; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 45:32; 101:22.

  2. Ezra Taft Benson, “Prepare Yourself for the Great Day of the Lord”, New Era, maj 1982, f. 50; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 115:6.

  3. Merriam–Webster Online, “place [vend]”, merriam-webster.com/dictionary/place.

  4. Joseph Smith – Historia 1:29.

  5. Shih “Practice, Celebration, Dedication: Temple Blessings in El Salvador”, lds.org/youth/video.

  6. Jeffrey R. Holland, “Lessons from Liberty Jail”, Ensign, shtator 2009, f. 26, 28.

  7. Jeffrey R. Holland, “Lessons from Liberty Jail”, f. 28.

  8. Bashkëbisedim personal me autoren.

  9. Nganjëherë e quajtur në Shtetet e Bashkuara si “sulm me zemra”.

  10. Isaia 1:18.

  11. Spencer W. Kimball, “The Abundant Life”, Ensign, korrik 1978, f. 4; Tambuli, qershor 1979, f. 3.