2010–2019
Udhëtimi Juaj i Mrekullueshëm për në Shtëpi
Prill 2013


Udhëtimi Juaj i Mrekullueshëm për në Shtëpi

Ndërsa e përdorni me gëzim hartën që Ati juaj i dashur ju ka dhënë për udhëtimin tuaj, ajo do t’ju çojë në vende të shenjta dhe ju do të ngriheni tek aftësia juaj hyjnore.

Jemi të nderuar këtë mbrëmje me praninë e Presidentit Tomas S. Monson, profetit tonë të dashur. President, ne gjithmonë lutemi për ju.

Motra të dashura, faleminderit për muzikën dhe fjalët e folura. Gjithçka ishte kaq frymëzuese dhe kaq e përshtatshme për Pashkën, stinën e shenjtë që festojmë këtë javë.

Është gëzim të jesh me ju motra të reja, të çmuara, bashkë me nënat tuaja dhe me udhëheqëset tuaja të mrekullueshme. Ju keni shpirtra rrezatues dhe buzëqeshje që i bëjnë të tjerët të buzëqeshin. Sigurisht Zoti tregon kujdes për ju dhe hedh vështrimin nga qielli me dashuri mbi ju.

Unë u rrita në Cvikau, në ish–Gjermaninë Lindore. Kur isha rreth 11 vjeç, babai im iu nënshtrua gjithnjë e më shumë hetimit si kundërshtar politik dhe prindërit e mi ndien se e vetmja zgjidhje e sigurt për familjen tonë do të ishte të arratiseshim në Gjermaninë Perëndimore. U vendos që plani më i sigurt do të ishte të largoheshim në kohë të ndryshme dhe të ndiqnim udhë të ndryshme drejt Perëndimit, duke lënë pas të gjitha gjërat tona personale.

Ngaqë babai im ishte në rrezik më të madh, ai mori udhën më të shpejtë, përmes Berlinit. Vëllezërit e mi më të mëdhenj u nisën drej veriut dhe secili e gjeti mënyrën e vet drejt perëndimit. Motra ime – që do të kishte qenë në moshën e shumë prej jush sot këtu – së bashku me Helga Fasman, mësuesen e saj në Të Rejat, dhe disa të tjerë shkuan me një tren që kalonte për një kohë të shkurtër përmes Gjermanisë Perëndimore. Ato paguan një portier për të hapur një nga dyert për to dhe pasi treni kapërceu kufirin e Gjermanisë Perëndimore, u hodhën drejt lirisë nga treni në lëvizje. Sa e admirova motrën time për guximin e saj.

Unë isha fëmija më i vogël dhe nëna vendosi që ajo dhe unë do të ecnim përmes një vargmali që i ndante të dy vendet. Më kujtohet që ajo paketoi drekën, sikur të shkonim për një ngjitje dhe një piknik në male.

Morëm një tren sa më larg që mundëm dhe më pas ecëm për shumë orë, duke iu afruar më pranë kufirit të Gjermanisë Perëndimore. Kufijtë kontrolloheshin imtësisht, por ne kishim një hartë dhe dinim një kohë dhe një vend ku mund të ishte pa rrezik të kalonim. Mund ta ndieja shqetësimin e nënës sime. Ajo e vëzhgoi zonën me kujdes për të parë nëse po na ndiqnin. Me çdo hap, këmbët dhe gjunjët e saj dukej se po dobësoheshin. E ndihmova të mbante çantën e saj të rëndë, të mbushur me ushqime, dokumente jetike dhe fotografi të familjes, ndërsa i ngjiteshim një kodre të fundit, të gjatë. Sigurisht, mendoi ajo, ne tashmë e kishim kaluar kufirin. Kur ajo më së fundi u ndie jashtë rrezikut, ne u ulëm dhe filluam të hanim drekën tonë të piknikut. Për herë të parë atë ditë, jam i sigurt, ajo mori frymë më me lehtësi.

Ishte vetëm atëherë që vumë re shenjën e kufirit. Ishte ende shumë përpara nesh! Po e bënim piknikun tonë në anën e gabuar të kufirit. Ishim ende në Gjermaninë Lindore!

Rojet e kufirit mund të shfaqeshin në çdo çast!

Nëna ime furishëm mblodhi drekën tonë dhe iu ngjitëm kodrës aq shpejt sa mundeshim. Këtë herë nuk guxuam të ndalonim derisa e dinim me siguri se kishim arritur në anën tjetër të kufirit.

Edhe pse secili anëtar i familjes sonë pati marrë rrugë tepër të ndryshme dhe përjetoi vështirësi shumë të ndryshme përgjatë udhës, më së fundi ne të gjithë arritëm të sigurt. Më së fundi u ribashkuam si një familje. Ç’ditë e lavdishme ishte ajo!

Tregime Udhëtimesh

Ajo që sapo ju kam treguar, është një përvojë që është për mua një udhëtim shumë i çmuar. Tani mund ta hedh vështrimin pas tek jeta ime dhe të dalloj një numër “udhëtimesh” të tilla, që i kam ndërmarrë me kalimin e kohës. Jo të gjitha ato përfshinë kalimin e vargmaleve apo kufijve politikë; disa patën më shumë të bënin me kapërcimin e sprovave ose rritjen në shpirtmëri. Por ato ishin të gjitha udhëtime. Besoj se çdo jetë është një koleksion i “tregimeve të udhëtimeve” individuale.

Jam i sigurt që ju e dini se çdo traditë kulturore është plot me tregime udhëtimesh. Për shembull, ju mund ta njihni udhëtimin e Doroteas dhe qenit të saj, Toto, në librin Magjistari i Ozit. Dorotea dhe Toto përfshihen në një tufan dhe zhvendosen në Tokën e Ozit. Atje, Dorotea gjen një rrugë të dallueshme, me tulla të verdha, që shënon shtegun për një udhëtim që më së fundi e udhëheq drejt shtëpisë së saj.

Pastaj është Ebenizer Skruxh i Çarls Dikensit, udhëtimi i të cilit nuk e çon atë nga një vend në tjetrin, por nga një kohë në tjetrën. Është një udhëtim brenda vetë zemrës së tij, që e ndihmoi të kuptonte përse ai u bë siç ishte dhe të shihte se çfarë do t’i ndodhte, në qoftë se vazhdonte në shtegun e tij të egoizmit dhe mosmirënjohjes.1

Një nga novelat e mëdha klasike të letërsisë kineze është Udhëtimi drejt Perëndimit. E shkruar në shekullin e 16–të, ajo tregon këndshëm ngjarjen e aventurës dhe pelegrinazhin e një murgu, i cili, me ndihmën e katër personazheve miqësorë, udhëton drejt ndriçimit shpirtëror të mendjes.

Dhe sigurisht është Bilbo Bagins, hobiti i vogël, i thjeshtë, i cili do të kishte dashur shumë të qëndronte në shtëpi dhe të hante supën e tij. Por pas një trokitje në derë, ai dëgjon thirrjen e të panjohurës së madhërishme dhe hedh një hap jashtë në botë, së bashku me një magjistar dhe një grup xhuxhash, për të përmbushur një mision të rrezikshëm, por jashtëzakonisht të rëndësishëm.2

Një Tregim Universal

A s’na pëlqejnë këto tregime udhëtimi, sepse mund të shohim vetveten tek udhëtarët? Sukseset dhe dështimet e tyre mund të na ndihmojnë për ta gjetur vetë udhën tonë përgjatë jetës. Videoja që pamë pak minuta më parë gjithashtu tregon për një histori të bukur udhëtimi. Ndoshta këto histori edhe na kujtojnë për një udhëtim që ne të gjithë duhet ta njohim – një tregim udhëtimi në të cilin secili prej nesh luan një rol të rëndësishëm.

Ky tregim fillon shumë kohë më parë, shumë më parë se toka të fillonte të rrotullohej në orbitën e saj, shumë më parë se dielli i pandryshueshëm të fillonte t’i shtrinte krahët e tij të zjarrtë për të rrethuar të ftohtin e hapësirës, shumë më parë se krijesat e mëdha dhe të vogla ta kishin populluar planetin tonë. Në fillimin e këtij tregimi, ju jetuat në një vend shumë të largët, të bukur.

Ne nuk dimë shumë hollësi rreth jetës në atë ekzistencë para lindjes, por vërtet e dimë diçka. Ati ynë Qiellor na ka zbuluar se kush është Ai, kush jemi ne dhe kush mund të bëhemi.

Atje në atë gjendje të parë, ju e dinit me siguri të padyshimtë që Perëndia ekzistonte, sepse e patë dhe e dëgjuat Atë. Ju e njihnit Jezu Krishtin, i cili do të bëhej Qengji i Perëndisë. Ju kishit besim tek Ai. Dhe e dinit se fati juaj nuk ishte në sigurinë e shtëpisë suaj para lindjes. Edhe pse e donit shumë atë ekzistencë të përjetshme, ju e dinit se dëshironit dhe kishit nevojë të niseshit për një udhëtim. Do të largoheshit nga prania e Atit tuaj, do të kalonit përmes një veli të harresës, do të merrnit një trup të vdekshëm dhe do të mësonit e përjetonit gjëra që, me shpresë, do t’ju ndihmonin të rriteshit për t’u bërë më shumë si Ati në Qiell dhe do të ktheheshit në praninë e Tij.

Në atë vend të shenjtë, të rrethuar nga ata që i njihnit dhe i donit, pyetja e madhërishme në buzët tuaja dhe në zemrën tuaj duhet të ketë qenë: “A do të kthehem vërtet pa rrezik në shtëpinë time qiellore?”

Pati kaq shumë gjëra që do të ishin jashtë kontrollit tuaj. Jeta e vdekshme do të ishte e vështirë herë pas here, e mbushur me kthesa të papritura në rrugë: sëmundje, dhembje, aksidente, mosmarrëveshje.

Pa një kujtesë për ekzistencën tuaj të mëparshme – pa kujtuar se dikur jetuat me Atin tuaj në Qiell – a do ta njihnit ende zërin e Tij mes gjithë zhurmës dhe hutimeve të jetës së vdekshme?

Udhëtimi përpara dukej kaq i gjatë dhe i pasigurt – kaq i mbushur me rrezik.

Nuk do të ishte e lehtë, por ju e dinit se do t’ia vlente çdo përpjekje.

Kështu, atje qëndruat në buzë të përjetësisë, duke vështruar përpara me emocion dhe shpresë të papërshkrueshme – dhe, e përfytyroj, edhe me një farë shqetësimi dhe frike.

Në fund, ju e dinit se Perëndia do të ishte i drejtë – se mirësia e Tij do të triumfonte. Ju kishit marrë pjesë në këshillat e madhërishëm qiellorë dhe e dinit se Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj, Jezu Krishti, do të siguronte një mënyrë për ju që të pastroheshit nga mëkati dhe të shpëtoheshit nga vdekja fizike. Patët besim se, në fund, do të gëzoheshit dhe do ta bashkonit zërin tuaj me një kor qiellor, duke i kënduar përlëvdime emrit të Tij të shenjtë.

Dhe kështu, ju morët frymë thellë …

Dhe një hap të madh përpara …

Dhe ja ku jeni!

Ju, secila prej jush, keni filluar udhëtimin tuaj të mrekullueshëm për t’u kthyer te shtëpia juaj qiellore!

Harta Juaj

Tani që jeni këtu në tokë, mund të jetë me vend ta pyesni veten se si po shkon udhëtimi juaj. A jeni në rrugën e duhur? A po bëheni njeriu që u caktuat të ishit dhe që dëshironit të bëheshit? A po bëni zgjedhje që do t’ju ndihmojnë të ktheheni tek Ati juaj në Qiell?

Ai nuk ju dërgoi në këtë udhëtim thjesht që të endeshit pa qëllim dhe në vetmi. Ai dëshiron që ju të ktheheni në shtëpi tek Ai. Ai ju ka dhënë prindër të dashur dhe udhëheqës besnikë të Kishës, së bashku me një hartë që përshkruan terrenin dhe përcakton rreziqet; harta ju tregon se ku mund të gjendet paqe e lumturi dhe do t’ju ndihmojë ta planifikoni udhën tuaj për t’u kthyer në shtëpi.

Tani, ku do ta gjeni këtë hartë?

  • Në shkrimet e shenjta.

  • Në fjalët e profetëve dhe të apostujve.

  • Dhe nëpërmjet zbulesës personale nga Fryma e Shenjtë.

Kjo hartë është ungjilli i Jezu Krishtit, lajmi i mirë, dhe udha plot gëzim e një dishepulli të Krishtit. Ajo është urdhërimet dhe shembulli i dhënë nga Mbrojtësi dhe Këshilltari ynë, i cili e njeh udhën, pasi Ai është udha.3

Sigurisht, thjesht të pasurit e një harte nuk ju sjell ndonjë dobi aspak, në qoftë se nuk e studioni atë – në qoftë se nuk e përdorni për t’ju udhëzuar gjatë jetës. Ju ftoj ta bëni një përparësi të rëndësishme studimin dhe zbatimin e fjalës së Perëndisë. Hapeni zemrën tuaj ndaj Frymës së Shenjtë, që Ai të mund t’ju drejtojë përgjatë udhëtimit tuaj përmes jetës.

Harta juaj është plot me mesazhe nxitëse dhe udhëzuese nga Ati juaj Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Sot do të doja të ndaja me ju tri nga këto mesazhe, të cilat do t’ju ndihmojnë të keni një udhëtim të suksesshëm për t’u kthyer te shtëpia juaj qiellore.

Mesazhi i parë: “Mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju”4.

Ju nuk jeni të vetme në këtë udhëtim. Ati juaj Qiellor ju njeh. Edhe kur askush tjetër nuk ju dëgjon, Ai ju dëgjon. Kur gëzoheni në drejtësi, Ai gëzohet me ju. Kur rrethoheni nga sprova, Ai brengoset me ju.

Interesimi i Atit Qiellor për ju nuk varet nga sa të pasura, apo të bukura, apo të shëndetshme, apo të zgjuara jeni. Ai nuk ju sheh sikurse ju sheh bota; Ai sheh se kush jeni me të vërtetë. Ai shikon zemrën tuaj.5 Dhe ju do6, sepse ju jeni fëmija e Tij.

Motra të dashura, kërkojeni Atë me dëshirë dhe do ta gjeni.7

Ju premtoj, ju nuk jeni vetëm.

Tani, gjeni një çast pikërisht tani dhe shihni njerëzit që ndodhen përreth jush. Disa mund të jenë udhëheqëset, shoqet ose anëtare të familjeve tuaja. Të tjera ndoshta nuk i keni takuar kurrë më parë. Megjithatë, secila që shihni rreth jush – në këtë mbledhje ose në këdo vend tjetër, sot ose në çfarëdo kohe tjetër – ishte guximtare në botën para lindjes. Ai person i përulur dhe i zakonshëm në dukje, që është ulur pranë jush, mund të ketë qenë një nga figurat e madhërishme që deshët dhe admiruat në sferën e shpirtrave. Ju mund të keni qenë vetë një shembull i tillë për t’u ndjekur!

Për një gjë mund të jeni të sigurta: çdo njeri që shihni – pavarësisht nga raca, feja, bindjet politike, forma e trupit apo pamja e jashtme – është familje. E reja të cilën shihni, ka të njëjtin Atë Qiellor sikurse ju dhe ajo u largua nga prania e Tij e dashur sikurse bëtë ju, plot dëshirë për të ardhur në këtë tokë dhe për të jetuar, me qëllim që një ditë të mund të rikthehej tek Ai.

Megjithatë, ajo mund të ndihet vetëm, sikurse nganjëherë ndiheni edhe ju. Ka raste kur ajo madje mund ta harrojë qëllimin e udhëtimit të saj. Ju lutem ia kujtoni, me anë të fjalëve tuaja dhe veprimeve tuaja, se ajo nuk është vetëm. Ne jemi këtu për të ndihmuar njëri–tjetrin.

Jeta mund të jetë e vështirë dhe mund t’i ngurtësojë zemrat deri në pikën ku disa njerëz duken të paarritshëm. Disa mund të mbushen me zemërim. Të tjerë mund t’i tallin dhe përqeshin ata që besojnë në një Perëndi të dashur. Por merrni këtë parasysh: edhe pse nuk e mbajnë mend, ata po ashtu mezi prisnin dikur të ktheheshin tek Ati i tyre në Qiell.

Nuk është përgjegjësia juaj të ktheni dikë në besim. Ajo është puna e Frymës së Shenjtë. Detyra juaj është të flisni për gjërat që besoni dhe të mos kini frikë. Jini një mike me të gjithë, por kurrë mos i rrezikoni standardet tuaja. Qëndroni të vërteta ndaj bindjeve dhe besimit tuaj. Jini krenare, sepse ju jeni bijë e Perëndisë dhe Ai qëndron me ju!

Mesazhi i dytë: “Ta doni njëri–tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve”8.

A e keni vrarë mendjen ndonjëherë se çfarë gjuhe folëm ne të gjithë kur jetuam në praninë e Perëndisë? Kam dyshime të forta që ishte gjermanishtja, edhe pse mendoj se askush nuk e di me siguri. Por e di se në jetën tonë para lindjes, ne mësuam drejtpërsëdrejti, nga Ati i shpirtrave tanë, një gjuhë universale – një që ka fuqinë për të kapërcyer pengesat emocionale, fizike dhe shpirtërore.

Ajo gjuhë është dashuria e pastër e Jezu Krishtit.

Është gjuha më e fuqishme në botë.

Dashuria e Krishtit nuk është dashuri e shtirur. Nuk është dashuri si nëpër kartolina. Nuk është lloji i dashurisë që lavdërohet në muzikën dhe filmat e preferuar nga njerëzit.

Kjo dashuri shkakton ndryshim të vërtetë të karakterit. Mund ta mposhtë urrejtjen dhe ta largojë zilinë. Mund ta shërojë fyerjen dhe t’i shuajë zjarret e zemërimit. Mund të bëjë mrekullira.

Ne i morëm “mësimet [tona të] para”9 në këtë gjuhë të dashurisë si shpirtra në praninë e Perëndisë dhe këtu në tokë kemi mundësi për ta praktikuar dhe për ta folur rrjedhshëm. Ju mund ta dini nëse po e mësoni këtë gjuhë të dashurisë, duke vlerësuar atë që i nxit mendimet dhe veprimet tuaja.

Kur mendimet tuaja kryesore përqendrohen në mënyrën se si gjërat do t’ju sillnin përfitim juve, qëllimet tuaja mund të jenë egoiste dhe të përcipta. Kjo nuk është gjuha që dëshironi të mësoni.

Por kur mendimet dhe sjelljet tuaja kryesore përqendrohen në shërbimin ndaj Perëndisë dhe të tjerëve – kur vërtet dëshironi t’i bekoni dhe t’i lartësoni njerëzit përreth jush – atëherë fuqia e dashurisë së pastër të Krishtit mund të veprojë në zemrën dhe jetën tuaj. Kjo është gjuha që dëshironi të mësoni.

Ndërsa e flisni rrjedhshëm këtë gjuhë dhe e përdorni atë në bashkëveprimet tuaja me të tjerët, ata do të dallojnë diçka te ju, që mund të zgjojë tek ata një ndjenjë të fshehur për shumë kohë, për të kërkuar udhën e duhur në udhëtimin për t’u kthyer në shtëpinë e tyre qiellore. Në fund të fundit, gjuha e dashurisë është edhe gjuha e tyre e vërtetë amtare.

Ky ndikim i thellë dhe i qëndrueshëm është një gjuhë që arrin deri te thellësia e shpirtit. Është një gjuhë mirëkuptimi, një gjuhë shërbimi, një gjuhë lartësimi dhe gëzimi e ngushëllimi.

Mësoni ta përdorni gjuhën universale të dashurisë së Krishtit.

Dhe mesazhi i tretë: “Merrni zemër”10.

Nganjëherë bëhemi të padurueshëm kur jemi në udhëtimin tonë, apo jo? Nëse jeni 12 vjeç, mund të donit të ishit 14. Kur jeni 14, mund të donit të ishit 18. Dhe nëse jeni 18, me raste mund të donit madje të ishit 12 përsëri dhe ta fillonit nga fillimi.

Do të ketë gjithmonë gjëra për të cilat ankoheni – gjëra që duket se nuk shkojnë dhe aq mirë. Mund t’i kaloni ditët tuaja duke u ndier të trishtuara, të vetmuara, të keqkuptuara ose të padëshiruara. Por ai nuk është udhëtimi për të cilin kishit shpresuar dhe nuk është udhëtimi që Ati Qiellor ju dërgoi të ndërmerrnit. Mbani mend, ju jeni me të vërtetë bijë e Perëndisë!

Duke e njohur këtë, ju ftoj të ecni me besim dhe gëzim. Po, udha ka pengesa e devijime dhe madje disa rreziqe. Por mos u përqendroni tek ato. Kërkoni lumturinë që Ati juaj në Qiell ka përgatitur për ju në çdo hap të udhëtimit tuaj. Lumturia është vendmbërritja, por është edhe shtegu. “Paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” është ajo që Ai premton.11 Kjo është arsyeja pse Ai na urdhëron të “[marrim] zemër”.

Ndërsa e përdorni me gëzim hartën që Ati juaj i dashur ju ka dhënë për udhëtimin tuaj, ajo do t’ju çojë në vende të shenjta dhe ju do të ngriheni tek aftësia juaj hyjnore. Ju do të rriteni për t’u bërë bija e Perëndisë që shpresuat se do të bëheshit.

Të dashura motra, të dashura të reja të Kishës, të dashura mikesha të reja, si një Apostull i Zotit unë ju lë një bekim, se ju do ta gjeni udhën tuaj në këtë udhëtim drejt shtëpisë dhe se ju do të jeni frymëzim për bashkudhëtaret tuaja. Është gjithashtu premtimi dhe lutja ime që, ndërsa nderoni dhe jetoni të vërteta ndaj besëlidhjeve, parimeve dhe vlerave të ungjillit të Jezu Krishtit, në fund të udhëtimit tuaj Ati Qiellor do të jetë atje. Ai do t’ju përqafojë dhe ju do ta dini njëherë e përgjithmonë se jeni kthyer të sigurta në shtëpi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.