2010–2019
Fuqia Vetjake nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit
Tetor 2013


Fuqia Vetjake nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit

Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, secili prej nesh mund të bëhet i pastër dhe barra e rebelimit tonë do të hiqet.

Kohët e fundit, unë isha i bekuar të takoja një grup shumë mbresëlënës të rinjsh nga Ajdaho. Një e re e virtytshme më pyeti se çfarë ndieja se është gjëja më e rëndësishme që ata duhet të bënin në jetën e tyre pikërisht tani. Unë sugjerova se duhet të mësonin të njihnin fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën e tyre. Sot unë po shpjegoj një aspekt të asaj fuqie, që është forca vetjake që mund të marrim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Në Librin e Mormonit ne lexojmë për Amonin dhe vëllezërit e tij që u mësonin ungjillin e Jezu Krishtit një populli që ishte “popull [i] egër, [i] ngurtësuar dhe gjakatar”1. Shumë nga njerëzit u kthyen në besim dhe zgjodhën ta lënë prapa sjelljen e tyre mëkatare. Aq i plotë ishte kthimi i tyre në besim saqë ata i groposën armët e tyre dhe bënë besëlidhje me Zotin që nuk do t’i përdornin kurrë më.2

Më vonë, shumë nga vëllezërit e tyre të pakthyer në besim u sulën mbi ta dhe filluan t’i vrisnin. Populli, besnik tashmë, zgjodhi të dorëzohej përpara shpatës në vend që të rrezikonte jetën e vet shpirtërore duke marrë armët. Shembulli i tyre i drejtë ndihmoi edhe më shumë njerëz që të ktheheshin në besim dhe të linin mënjanë armët e rebelimit.3

Nëpërmjet Amonit, Zoti i drejtoi të strehoheshin mes nefitëve dhe ata u bënë të njohur si populli i Amonit.4 Nefitët i mbrojtën për shumë vite, por më në fund ushtria nefite filloi të dobësohej dhe përforcimet qenë tepër të nevojshme.5

Populli i Amonit qe në një çast kritik të jetës së vet shpirtërore. Ata kishin qenë të vërtetë në besëlidhjen e tyre për të mos i marrë armët kurrë më. Por ata e kuptonin se etërit janë përgjegjës që të sigurojnë mbrojtje për familjet e tyre.6 Ajo nevojë dukej aq e madhe sa të meritonte shqyrtim shkelja e besëlidhjes së tyre.7

Udhëheqësi i tyre i mençur i priftërisë, Helamani, e dinte se thyerja e një besëlidhjeje me Zotin kurrë nuk justifikohet. Ai ofroi një alternativë të frymëzuar. Ai u kujtoi se bijtë e tyre nuk kishin qenë kurrë fajtorë për të njëjtat mëkate dhe prandaj nuk kishin nevojë të bënin të njëjtën besëlidhje.8 Edhe pse bijtë ishin shumë të rinj, ata ishin të fortë fizikisht dhe, më e rëndësishmja, ata ishin të virtytshëm dhe të dëlirë. Bijtë ishin përforcuar nga besimi i nënave të tyre.9 Nën drejtimin e udhëheqësit të tyre profet, këta të rinj zunë vendin e etërve të tyre në mbrojtje të familjeve dhe të shtëpive të tyre.10

Ngjarjet që lidheshin me këtë vendim jetik, demonstrojnë se si Shlyerja e Jezu Krishtit sjell forcë vetjake në jetën e fëmijëve të Perëndisë. Përfytyroni ndjenjat e dhembshura të atyre etërve. Si duhet të jenë ndier ata kur kanë mësuar se veprimet rebele të së kaluarës së tyre u ndalonin të mbronin bashkëshortet dhe fëmijët e tyre në atë çast nevoje? Duke i njohur personalisht mizoritë me të cilat do të përballeshin tani bijtë e tyre, ata fshehurazi duhet të kenë qarë. Etërit, jo fëmijët, pritet të mbrojnë familjet e tyre!11 Hidhërimi i tyre duhet të ketë qenë i thellë.

Përse udhëheqësi i tyre i frymëzuar i priftërisë i trembej shqyrtimit prej tyre të rimarrjes së armëve, “se po ta bënin …, ata do të humbnin shpirtrat e tyre?”12 Zoti ka shpallur: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”13. Këta etër besnikë ishin penduar prej kohësh për mëkatet e tyre dhe ishin bërë të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, pra, përse qenë këshilluar të mos i mbronin familjet e tyre?

Është një e vërtetë themelore që nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit ne mund të pastrohemi. Ne mund të bëhemi të virtytshëm dhe të dëlirë. Sidoqoftë, ndonjëherë zgjedhjet tona të dobëta na lënë me pasoja afatgjata. Një nga hapat jetikë për të plotësuar pendimin është të durojmë pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të mëkateve tona të kaluara. Zgjedhjet e tyre të kaluara i patën ekspozuar këta etër amonitë ndaj një dëshire trupore e cila mund të bëhej sërish një pikë cenueshmërie që Satani do të përpiqej ta shfrytëzonte.

Satani do të përpiqet ta përdorë kujtesën tonë për çfarëdo faji të mëparshëm që të na rikthejë nën ndikimin e tij. Ne duhet të jemi gjithmonë syçelët për t’i shmangur ndjelljet e tij. Kështu ishe rasti i etërve besnikë amonitë. Edhe pas vitesh jetese besnike, ishte e domosdoshme për ta që ta mbronin shpirtërisht veten nga çfarëdo tërheqje nga kujtesa e mëkateve të kaluara.

Në intervalet midis shumë betejave, Kapiteni Moroni drejtoi fortifikimin e qyteteve më të dobëta. “Ai bëri që të ndërtonin një parapet prej trarësh në bregun e brendshëm të hendekut; dhe hodhën dhè nga hendeku kundër parapetit prej trarësh … derisa ata e rrethuan qytetin … me një mur të fortë trarësh dhe dheu … me një lartësi mjaft të madhe.”14 Kapiteni Moroni e kuptoi rëndësinë e fortifikimit të zonave të dobëta për të krijuar forcë.15

Këta etër amonitë qenë thuajse në të njëjtën gjendje. Ata kishin nevojë për fortifikime më të larta dhe më të gjera midis jetës së tyre besnike dhe sjelljes së padrejtë të së kaluarës së tyre. Bijtë e tyre, që qenë bekuar me tradita të drejta, nuk qenë aq të cenueshëm nga po ato tundime. Ata qenë në gjendje t’i mbronin familjet e tyre besnikërisht pa e rrezikuar mirëqenien e tyre shpirtërore.

Lajmi i gëzuar për këdo që dëshiron të çlirohet nga pasojat e zgjedhjeve të dobëta të së kaluarës është se Zoti i sheh dobësitë ndryshe nga mënyra se si e sheh rebelimin. Ndërsa Zoti paralajmëron se rebelimi pa pendesë do të sjellë ndëshkim,16 kur Zoti flet për dobësitë, flet gjithmonë me mëshirë.17

Pa dyshim, ka një justifikim që etërve amonitë iu ishin mësuar traditat e rreme të prindërve të tyre, por të gjithë fëmijët e Atit në Qiell vijnë në vdekshmëri me Dritën e Krishtit. Pavarësisht nga shkaku i akteve të tyre mëkatare, pasoja qe zhvillimi i një cenueshmërie shpirtërore që Satani do të tentonte ta shfrytëzonte.

Mëshirshëm, atyre iu mësua ungjilli, u penduan dhe, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, u bënë shpirtërisht shumë më të fortë sesa ndjelljet e Satanit. Ka gjasa që ata nuk e patën ndier tundimin për t’u rikthyer tek e kaluara e tyre brutale, sidoqoftë duke ndjekur udhëheqësin e tyre profet, ata nuk i dhanë mundësi Satanit që t’i “gënje[nte] shpirtrat e tyre dhe [t’i çonte] me kujdes poshtë në ferr”18. Shlyerja e Shpëtimtarit jo vetëm i pastroi nga mëkati, por për shkak të bindjes së tyre ndaj këshillës së udhëheqësit të tyre të priftërisë, Shpëtimtari ishte në gjendje t’i mbronte ata nga dobësitë e tyre dhe t’i forconte. Angazhimi i tyre i përulur, gjatë gjithë jetës për të braktisur mëkatet e tyre bëri më shumë për t’i mbrojtur familjet e tyre sesa çfarëdo gjëje që mund të kishin bërë në fushën e betejës. Bindja e tyre nuk i privoi ata nga bekimet. Ajo i forcoi ata dhe bekoi shumë breza të ardhshëm.

Fundi i historisë nxjerr në pah se si mëshira e Zotit i bëri “gjërat e dobëta, të bëhen të forta”19. Ata etër besnikë i dërguan bijtë e tyre nën kujdesin e Helamanit. Edhe pse bijtë luftuan në beteja të ashpra ku të gjithë morën të paktën ndonjë plagë, asnjë jetë nuk humbi.20 Të rinjtë vërtetuan se ishin një mbështetje jetike për ushtrinë e lodhur nefite. Ata qenë besnikë dhe shpirtërisht më të fortë kur u kthyen në shtëpi. Familjet e tyre qenë bekuar, mbrojtur dhe forcuar.21 Në kohën tonë, studiues të panumërt të Librit të Mormonit janë lartësuar nga shembulli i këtyre bijve të dëlirë dhe të drejtë.

Secili prej nesh ka pasur raste në jetën e tij kur ka bërë zgjedhje të dobëta. Ne të gjithë jemi në nevojë të dëshpëruar për fuqinë shëlbuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Secili nga ne duhet të pendohet për çfarëdo rebelimi. “Sepse unë, Zoti, nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit.”22 Ai nuk mundet sepse Ai e di se çfarë duhet që të bëhesh si Ai.

Shumë prej nesh kanë lejuar që dobësia të zhvillohet në karakterin e tyre. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne, si amonitët, mund të ndërtojmë fortifikata shpirtërore midis vetes dhe çfarëdo gabimesh të së kaluarës që Satani tenton të shfrytëzojë. Mbrojtjet shpirtërore të ndërtuara përreth etërve amonitë bekuan dhe forcuan ata vetë, familjet e tyre, vendin e tyre dhe brezat e ardhshëm. Kështu mund të ndodhë edhe me ne.

Pra, si i ndërtojmë ne këto fortifikata të përjetshme? Hapi i parë duhet të jetë një pendesë e sinqertë, tërësore dhe e plotë. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, secili prej nesh mund të bëhet i pastër dhe barra e rebelimit tonë do të hiqet. Kujtoni, pendimi nuk është ndëshkim. Ai është një udhë e mbushur me shpresë për një të ardhme më të lavdishme.

Ati në Qiell na ka siguruar mjete që na ndihmojnë të ndërtojmë fortifikata midis cenueshmërive tona dhe besnikërisë sonë. Merrni parasysh sugjerimet që vijojnë:

  • Bëni besëlidhje dhe merrni ordinanca për veten. Pastaj, qëndrueshëm dhe vazhdimisht, punoni për të siguruar ordinanca në tempull për vetë paraardhësit tuaj.

  • Ndani ungjillin me jo-anëtarë ose me anëtarë familjesh më pak aktive apo me miq. Ndarja e këtyre të vërtetave mund të sjellë një entuziazëm të përtërirë në jetën tuaj.

  • Shërbeni besnikërisht në të gjitha thirrjet e Kishës, veçanërisht në detyrat e mësimit të shtëpisë dhe të vizitës mësimore. Mos jini thjesht një mësues shtëpie apo mësuese mësimore për 15 minuta në muaj. Përkundrazi, ndihmoni çdo anëtar të veçantë të familjes. Njihini ata personalisht. Jini një mik i vërtetë. Nëpërmjet veprave të shpirtmirësisë, tregojuni se sa shumë kujdeseni për secilin prej tyre.

  • Më e rëndësishmja, shërbejuni anëtarëve të familjes suaj. Bëjeni zhvillimin shpirtëror të bashkëshortit apo bashkëshortes dhe të fëmijëve një përparësi shumë të epërme. Jini të vëmendshëm në gjërat që mund të bëni për ta ndihmuar secilin. Jepni lirshëm nga koha dhe vëmendja juaj.

Në secilin nga këto sugjerime, ka një gjë të përbashkët: mbusheni jetën tuaj me shërbim për të tjerët. Ndërsa e humbisni jetën tuaj në shërbim të fëmijëve të Atit në Qiell,23 tundimet e Satanit e humbasin fuqinë në jetën tuaj.

Ngaqë Ati juaj në Qiell ju do thellësisht, Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur atë forcë. A nuk është e mrekullueshme? Shumë nga ju kanë ndier barrën e zgjedhjeve të dobëta dhe secili prej jush mund të ndiejë fuqinë lartësuese të faljes, të mëshirës dhe të forcës së Zotit. Unë e kam ndier atë dhe unë dëshmoj se ajo është e gjindshme për secilin prej jush, në emrin e Jezu Krishtit, amen.