2010–2019
Pragjet e Qiellit
Tetor 2013


Pragjet e Qiellit

Bekime shpirtërore dhe materiale na vijnë në jetën tonë kur ne e jetojmë ligjin e së dhjetës.

Dua të përshkruaj dy mësime të rëndësishme që i kam mësuar rreth ligjit të së dhjetës. Mësimi i parë përqendrohet tek bekimet që u vijnë individëve dhe familjeve kur ata i binden me besnikëri këtij urdhërimi. Mësimi i dytë thekson rëndësinë e së dhjetës në rritjen e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në të gjithë botën. Lutem që Fryma e Shenjtë do t’ia pohojë secilit prej nesh vërtetësinë e parimeve që po diskutoj.

Mësimi Numër 1 – Bekime Domethënëse, por të Padukshme

Nëna e motrës Bednar është një grua besnike dhe një shtëpiake plot frymëzim. Që nga ditët e para të martesës së saj, ajo i ka mbajtur me kujdes dokumentet financiare të shtëpisë. Për dekada, ajo ka llogaritur në mënyrë të ndërgjegjshme të ardhurat dhe shpenzimet e familjes duke përdorur disa libra shumë të thjeshtë llogarish. Informacioni që ka mbledhur gjatë viteve, është tërësor dhe informues.

Kur motra Bednar ishte e re, nëna e saj i përdori të dhënat në librat e llogarive për të theksuar parime bazë të të jetuarit me kursim dhe të drejtimit me maturi të shtëpisë. Një ditë, ndërsa po shqyrtonin së bashku kategori të ndryshme shpenzimesh, nëna e saj vuri re një model interesant. Kostot e vizitave mjekësore dhe të ilaçeve për familjen e tyre ishin shumë më të pakta sesa mund të ishin pritur. Ajo e lidhi këtë gjetje me ungjillin e Jezu Krishtit dhe i shpjegoi bijës së saj një të vërtetë të fuqishme: kur e jetojmë ligjin e së dhjetës, ne shpesh marrim bekime domethënëse, por të padukshme, të cilat nuk janë gjithmonë ato që presim dhe mund të shpërfillen me lehtësi. Familja nuk kishte marrë ndonjë shtesë të papritur ose të dukshme të të ardhurave familjare. Në vend të saj, një Atë i dashur Qiellor kishte dhënë bekime të thjeshta në mënyra të zakonta në dukje. Motra Bednar gjithmonë e ka kujtuar këtë mësim të rëndësishëm nga nëna e saj, rreth ndihmës që na vjen përmes pragjeve të qiellit, sikurse u premtua nga Malakia në Dhiatën e Vjetër (shih Malakia 3:10).

Shpesh, kur japim mësim dhe dëshmojmë rreth ligjit të së dhjetës, ne theksojmë bekimet materiale të menjëhershme, mbresëlënëse dhe të lehta për t’u dalluar, që ne marrim. Dhe sigurisht bekime të tilla vërtet ndodhin. Sidoqoftë disa nga bekimet e shumëllojshme që fitojmë, kur i bindemi këtij urdhërimi, janë domethënëse, por të padukshme. Të tilla bekime mund të dallohen vetëm nëse jemi shpirtërisht të vëmendshëm dhe vëzhgues (shih 1 Korintasve 2:14).

Shëmbëlltyra e “pragjeve” të qiellit, e përdorur nga Malakia, është shumë udhëzuese. Dritaret [e vendosura mbi pragje] lejojnë dritë natyrale që të futet në ndërtesë. Në mënyrë të ngjashme, ndriçim dhe perspektivë shpirtërore derdhen përmes pragjeve të qiellit dhe në jetën tonë, kur ne e nderojmë ligjin e së dhjetës.

Për shembull, një bekim i padukshëm, por domethënës që marrim, është dhurata shpirtërore e mirënjohjes, e cila e bën të mundur vlerësimin tonë për atë që kemi, që t’i përmbajmë dëshirat për atë që duam. Një njeri mirënjohës është i pasur në kënaqësi. Një njeri mosmirënjohës vuan në varfërinë e pakënaqësisë së pafundme (shih Lluka 12:15).

Ne mund të kemi nevojë dhe mund të lutemi për ndihmë që të gjejmë punësim të përshtatshëm. Sy dhe veshë besimi (shih Ethëri 12:19) nevojiten, megjithatë, për ta njohur dhuratën shpirtërore të dallimit të shtuar, e cila mund të na fuqizojë për të përcaktuar mundësi punësimi që shumë njerëz të tjerë mund të mos i vënë re – ose bekimin e vendosmërisë më të madhe vetjake për të kërkuar më shumë dhe më gjatë për një punë, sesa njerëzit e tjerë janë të aftë apo të gatshëm ta bëjnë. Ne mund të dëshirojmë dhe presim një ofertë punësimi, por bekimi që na vjen përmes pragjeve qiellore, mund të jetë aftësi më e madhe për të vepruar dhe për t’i ndryshuar vetë rrethanat tona, në vend që të presim që rrethanat tona të ndryshohen nga dikush ose diçka tjetër.

Ne, në mënyrën e duhur, mund të dëshirojmë dhe punojmë për të marrë një rritje rroge në punësimin tonë për t’i siguruar më mirë domosdoshmëritë e jetës. Sy dhe veshë besimi kërkohen, megjithatë, për të dalluar brenda vetes një aftësi të shtuar shpirtërore dhe materiale (shih Luka 2:52) për të bërë më shumë gjëra me më pak të ardhura, një aftësi më të mprehtë për të caktuar përparësi e për ta thjeshtëzuar jetesën dhe një aftësi të shtuar për të treguar kujdesin e duhur ndaj zotërimeve materiale që tashmë i kemi fituar. Ne mund të dëshirojmë dhe presim një rrogë më të madhe, por bekimi që na vjen përmes pragjeve qiellore, mund të jetë aftësi më e madhe për t’i ndryshuar vetë rrethanat tona, në vend që të presim që rrethanat tona të ndryshohen nga dikush ose diçka tjetër.

Luftëtarët e rinj në Librin e Mormonit (shih Alma 53: 56–58) u lutën me zell që Perëndia do t’i forconte dhe çlironte nga duart e armiqve të tyre. Në mënyrë interesante, përgjigjet e këtyre lutjeve nuk prodhuan më shumë armë ose një numër të shtuar të trupave. Përkundrazi, Perëndia u dha këtyre luftëtarëve besnikë sigurinë se Ai do t’i çlironte, u dha paqe shpirtrave të tyre dhe besim e shpresë të madhe për çlirimin e tyre tek Ai (shih Alma 58:11). Prandaj, bijtë e Helamanit morën zemër, zgjodhën me vendosmëri t’i mposhtnin lamanitët dhe u hodhën me gjithë fuqinë e tyre kundër lamanitëve (shih Alma 58:12–13). Siguri, paqe, besim dhe shpresë fillimisht mund të mos duken si bekimet që mund t’i duan luftëtarët në betejë, por ato ishin pikërisht bekimet që u nevojiteshin këtyre të rinjve guximtarë për të shkuar përpara dhe për të dalë fitimtarë fizikisht dhe shpirtërisht.

Nganjëherë ne mund t’i kërkojmë Perëndisë sukses dhe ai na jep qëndrueshmëri fizike dhe mendore. Ne mund të lutemi për begati dhe marrim këndvështrim më të zgjeruar dhe durim më të shtuar, ose ne bëjmë kërkesë për rritje dhe bekohemi me dhuratën e hirit. Ai mund të dhurojë mbi ne bindje dhe mirëbesim, ndërkohë që përpiqemi për të arritur synime të denja. Dhe kur lutemi për lehtësim nga vështirësitë fizike, mendore dhe shpirtërore, Ai mund ta rrisë vendosmërinë dhe aftësinë tonë ripërtëritëse.

Ju premtoj se, kur ju dhe unë e mbajmë dhe e zbatojmë ligjin e së dhjetës, me të vërtetë pragjet e qiellit do të hapen dhe bekime shpirtërore e materiale do të derdhen, të tilla sa nuk do të ketë vend të mjaftueshëm ku t’i shtiem ato (shih Malakia 3:10). Ne gjithashtu do ta kujtojmë vërtet edhe deklarimin e Zotit:

“‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti.

‘Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja’” (Isaia 55:8–9).

Unë dëshmoj se, kur jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm shpirtërisht, ne vërtet do të bekohemi me sy që shohin më qartë, veshë që dëgjojnë në mënyrë më të qëndrueshme, dhe zemra që kuptojnë më plotësisht domethënien dhe padukshmërinë e rrugëve të Tij, mendimeve të Tij dhe bekimeve të Tij në jetën tonë.

Mësimi Numër 2 – Thjeshtësia e Rrugës së Zotit

Përpara thirrjes sime për të shërbyer si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, lexova shumë herë në Doktrinën e Besëlidhjet rreth këshillit të caktuar për të mbikëqyrur dhe shpërndarë fondet e shenjta të së dhjetës. Këshilli mbi Planifikimin e të Dhjetave u krijua me anë të zbulesës dhe përbëhet nga Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Peshkopata Kryesuese (shih DeB 120). Ndërsa u përgatita në dhjetorin e vitit 2004 për të marrë pjesë në mbledhjen time të parë të këtij këshilli, prisja me padurim për një mundësi shumë mbresëlënëse për të mësuar.

Ende më kujtohen gjërat që përjetova dhe ndjeva në atë këshill. Fitova një vlerësim dhe nderim më të madh për ligjet e Zotit mbi financën për individët, për familjet dhe për Kishën e Tij. Programi bazë financiar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – si për të ardhurat, edhe për shpërndarjen – përcaktohet në seksionet 119 dhe 120 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Dy deklarime që gjenden në këto zbulesa, sigurojnë themelin për punët fiskale të Kishës.

Seksioni 119 thjesht thotë se të gjithë anëtarët “do të paguajnë një të dhjetën e gjithë interesit të tyre çdo vit; dhe ky duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm për ta përgjithmonë, … thotë Zoti” (vargu 4).

Më pas, lidhur me shpërndarjen e autorizuar të së dhjetës, Zoti tha: “Ajo do të përdoret nga një këshill, i përbërë nga Presidenca e Parë e Kishës dhe nga peshkopi e këshilli i tij dhe nga këshilli im i lartë; dhe me anë të zërit tim për ta, thotë Zoti” (DeB 120:1). “Peshkopi dhe këshilli i tij” dhe “këshilli im i lartë”, të përmendura në këtë zbulesë, njihen sot përkatësisht si Peshkopata Kryesuese dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Këto fonde të shenjta përdoren në një kishë me rritje të shpejtë për t’i bekuar shpirtërisht individët dhe familjet duke ndërtuar e mirëmbajtur tempuj dhe shtëpi adhurimi, duke mbështetur punën misionare, duke përkthyer e botuar shkrime të shenjta, duke nxitur kërkimin e historisë familjare, duke financuar shkolla dhe arsimim fetar, dhe duke përmbushur shumë qëllime të tjera të Kishës siç drejtohen nga shërbëtorët e shuguruar të Zotit.

Mahnitem me qartësinë dhe shkurtësinë e këtyre dy zbulesave në krahasim me udhëzimet e ndërlikuara financiare dhe procedurat administrative të përdorura në kaq shumë organizata dhe qeveri nëpër botë. Si mund të veprojnë çështjet materiale të një organizate kaq të madhe sa Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit në mbarë botën, duke përdorur udhëzime të tilla të përmbledhura? Për mua përgjigjja është krejtësisht e qartë: kjo është puna e Zotit, Ai është në gjendje ta bëjë vetë punën e Tij (shih 2 Nefi 27:20) dhe Shpëtimtari i frymëzon e drejton shërbëtorët e Tij, ndërkohë që ata i zbatojnë udhëzimet e Tij dhe punojnë për kauzën e Tij.

Në atë mbledhje të parë të këshillit, më bëri përshtypje thjeshtësia e parimeve që i udhëhoqi diskutimet dhe vendimet tona. Në veprimet financiare të Kishës, vëzhgohen dy parime bazë dhe të pandryshueshme. Së pari, Kisha jeton brenda buxhetit të saj dhe nuk harxhon më shumë sesa merr. Së dyti, një pjesë e të ardhurave vjetore vihet mënjanë si rezervë për raste urgjencash dhe për nevoja të paparashikuara. Për dekada, Kisha i ka mësuar anëtarësisë së saj parimin e vënies mënjanë të ushqimit, lëndës djegëse dhe parave shtesë për t’u kujdesur për raste urgjente që mund të dalin. Kisha, si institucion, thjesht ndjek të njëjtat parime që u mësohen në mënyrë të përsëritur anëtarëve.

Ndërsa vazhdonte mbledhja, e gjeta veten duke dëshiruar që të gjithë anëtarët e Kishës të mund ta vëzhgonin thjeshtësinë, qartësinë, rregullsinë, bamirësinë dhe fuqinë e vetë rrugës së Zotit (shih DeB 104:16) për drejtimin e punëve tokësore të Kishës së Tij. Tashmë kam marrë pjesë në Këshillin mbi Planifikimin e të Dhjetave për shumë vite. Mirënjohja dhe nderimi im për modelin e Zotit janë rritur çdo vit dhe mësimet e mësuara janë bërë edhe më të thella.

Zemra më mbushet me dashuri dhe admirim për anëtarët besnikë dhe të bindur të kësaj Kishe nga çdo komb, fis, gjuhë dhe popull. Kur udhëtoj nëpër botë, unë mësoj rreth shpresave dhe ëndrrave tuaja, gjendjeve dhe kushteve tuaja të ndryshme të të jetuarit dhe vështirësive tuaja. Kam marrë pjesë në mbledhje të Kishës me ju dhe kam vizituar disa prej shtëpive tuaja. Besimi juaj e forcon besimin tim. Përkushtimi juaj më bën mua më të përkushtuar. Dhe mirësia juaj dhe bindja juaj plot gatishmëri ndaj ligjit të së dhjetës më frymëzon të jem një burrë, bashkëshort, baba dhe udhëheqës më i mirë i Kishës. Ju kujtoj dhe mendoj për ju çdo herë që marr pjesë në Këshillin mbi Planifikimin e të Dhjetave. Ju falënderoj për mirësinë dhe besnikërinë tuaj, ndërsa ju i nderoni besëlidhjet tuaja.

Udhëheqësit e Kishës së rivendosur të Zotit ndiejnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme që të kujdesen siç duhet për ofertat e përkushtuara të anëtarëve të Kishës. Ne jemi tepër të ndërgjegjshëm për natyrën e shenjtë të monedhës së të vesë.

“Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.

Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: ‘Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar’” (Marku 12:41–44).

Unë e di nga përvoja ime vetjake se Këshilli mbi Planifikimin e së Dhjetës është shumë i vëmendshëm që të kujdeset për monedhën e së vesë. Unë i shpreh mirënjohje Presidentit Tomas S. Monson dhe këshilltarëve të tij për udhëheqjen e tyre frytdhënëse në kryerjen e kësaj kujdestarie të shenjtë. Dhe unë e dalloj zërin (shih DeB 120:1) dhe dorën e Zotit që i mbështesin shërbëtorët e Tij të shuguruar në përmbushjen e detyrës për ta përfaqësuar Atë.

Një Ftesë dhe një Dëshmi

Pagimi i ndershëm i së dhjetës është shumë më tepër sesa një detyrë; është një hap i rëndësishëm në procesin e shenjtërimit shpirtëror. Atyre prej jush që e paguani të dhjetën tuaj, ju përgëzoj.

Atyre prej jush që tashmë nuk po i bindeni ligjit të së dhjetës, ju ftoj t’i merrni parasysh rrugët tuaja dhe të pendoheni. Ju dëshmoj se nëpërmjet bindjes suaj ndaj këtij ligji të Zotit, pragjet e qiellit do të hapen për ju. Ju lutem, mos e shtyni ditën e pendimit tuaj.

Ju dëshmoj se bekime shpirtërore dhe materiale na vijnë në jetën tonë kur ne e jetojmë ligjin e së dhjetës. Ju jap dëshmi se të tilla bekime shpesh janë domethënëse, por të padukshme. Unë gjithashtu shpall se thjeshtësia e rrugës së Zotit, që është kaq e dukshme në çështjet materiale të Kishës së Tij, siguron modele që mund të na udhëheqin si individë dhe si familje. Unë lutem që secili prej nesh të mund të mësojë dhe përfitojë nga këto mësime të rëndësishme, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.