2010–2019
Mirësevini në Konferencë
Tetor 2013


Mirësevini në Konferencë

Lutja ime është që të mund të mbushemi me Shpirtin e Zotit ndërsa dëgjojmë dhe mësojmë.

Sa mirë që është, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, të takohemi së bashku edhe një herë. Kanë kaluar pak më shumë se 183 vjet që kur Kisha u organizua nga Profeti Jozef Smith, nën drejtimin e Zotit. Në atë mbledhje më 6 prill 1830, qenë të pranishëm gjashtë anëtarë të Kishës.1

Jam i lumtur të shpall se dy javë më parë, anëtarësia e Kishës arriti në 15 milionë. Kisha vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të ndryshojë jetën e gjithmonë e më shumë njerëzve çdo vit. Ajo po përhapet përmes tokës ndërkohë që forca jonë misionare përpiqet të gjejë ata që po e kërkojnë të vërtetën.

Ka qenë pothuajse një vit që kur shpalla uljen e moshës për shërbimin në mision. Që nga ajo kohë, numri i misionarëve kohëplotë duke shërbyer është rritur nga 58.500 vetë në tetor të vitit 2012 deri në 80.333 sot. Çfarë përgjigjeje të madhërishme dhe frymëzuese që kemi dëshmuar!

Shkrimet e shenjta nuk kanë asnjë shpallje më të përshtatshme, asnjë përgjegjësi më detyruese dhe asnjë udhëzim më të drejtpërdrejtë sesa urdhri i dhënë nga Zoti i ringjallur kur iu shfaq në Galile të njëmbëdhjetë dishepujve. Ai tha: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”2. Profeti Jozef Smith shpalli: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”3. Disa prej jush këtu sot do t’i kujtojnë akoma fjalët e Presidentit Dejvid O. Mek-Kej, i cili krijoi frazën e njohur “Çdo anëtar një misionar!”4

Fjalëve të tyre unë u shtoj fjalët e mia. Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të mblidhen së bashku, të veprojnë së bashku, të punojnë së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij. Ai i ka përgatitur mjetet që ne ta ndajmë ungjillin në një mori mënyrash dhe Ai do të na ndihmojë në punët tona nëse ne vërtet do të veprojmë me besim për ta përmbushur punën e Tij.

Për të ndihmuar që ta mbajmë forcën tonë gjithnjë e në rritje të misionarëve, unë u kam kërkuar anëtarëve tanë në të kaluarën të kontribuojnë, sikurse kanë mundësi, në fondin e tyre për misionarët e lagjes apo në Fondin e Përgjithshëm të Kishës për Misionarët. Përgjigjja ndaj asaj kërkese ka qenë e kënaqshme dhe ka ndihmuar të mbështesë me mijëra misionarë, rrethanat e të cilëve nuk i lejojnë që ata ta mbështesin vetveten. Ju falënderoj për kontributet tuaja bujare. Nevoja për ndihmë është e vazhdueshme, që ne të mund të vazhdojmë t’i ndihmojmë ata, dëshira e të cilëve për të shërbyer është e madhe, por që vetë nuk i kanë mjetet për ta bërë këtë.

Tani, vëllezër dhe motra, kemi ardhur këtu që të udhëzohemi dhe të frymëzohemi. Shumë mesazhe, që përfshijnë një larmi temash nga ungjilli, do të jepen gjatë dy ditëve të ardhshme. Ata burra e gra që do t’ju flasin, kanë kërkuar ndihmë nga qielli në lidhje me mesazhet që do të japin.

Lutja ime është që të mund të mbushemi me Shpirtin e Zotit ndërsa dëgjojmë dhe mësojmë. Në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ndërkohë që rreth dy ose tri duzina njerëzish ishin të pranishëm në ditën që u organizua Kisha, gjashtë ishin të renditur zyrtarisht si anëtarët organizues.

  2. Mateu 28:9.

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi (2009), f. 349.

  4. David O. McKay, në Conference Report, prill 1959, f. 122.