2010–2019
Nuk Jeni më të Huaj
Tetor 2013


Nuk Jeni më të Huaj

Në këtë Kishë nuk ka të huaj dhe të dëbuar. Ka vetëm vëllezër e motra.

Shumë prej nesh, në një moment ose tjetër, kanë qenë në një situatë që ishte e re për ne, ku u ndiem të huaj dhe të pasigurt. Kjo situatë i ndodhi familjes sonë rreth pesë vjet më parë, pasi Presidenti Tomas S. Monson më ofroi thirrjen për të shërbyer si Autoritet i Përgjithshëm i Kishës. Kjo thirrje kërkoi shpërnguljen e familjes sonë nga vendi i bukur që ne kishim gëzuar për më shumë se dy dekada. Bashkëshortja ime dhe unë ende e kujtojmë reagimin e menjëhershëm të fëmijëve tanë kur mësuan për ndryshimin. Djali ynë 16-vjeçar thirri: “Nuk është aspak problem. Ju mund të ikni; unë do të rri!”

Pastaj, me shpejtësi vendosi të na shoqëronte dhe e përqafoi besnikërisht këtë mundësi të re në jetën e tij. Të jetuarit në ambiente të reja gjatë disa viteve të fundit është kthyer në një përvojë të gëzueshme të mësuari për familjen tonë, veçanërisht për shkak të pritjes së ngrohtë dhe mirësisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ndërsa kemi jetuar në vende të ndryshme, ne kemi arritur të vlerësojmë se uniteti i popullit të Perëndisë kudo në tokë është diçka e vërtetë dhe e prekshme.

Thirrja ime më ka bërë që të udhëtoj në shumë vende dhe më ka dhënë privilegjin e veçantë për të kryesuar në shumë mbledhje. Ndërsa shikoj grumbullime të ndryshme, unë shpesh shoh anëtarë që përfaqësojnë shumë vende, gjuhë dhe kultura. Një aspekt i mrekullueshëm i periudhës sonë ungjillore, është se ajo nuk është e kufizuar në një zonë gjeografike apo për një grup kombesh. Ajo është botërore dhe e përgjithshme. Ajo është përgatitja për kthimin e lavdishëm të Birit të Perëndisë duke mbledhur “fëmijët e tij nga të katër anët e tokës”1.

Megjithëse anëtarësia e Kishës po rritet në larminë e saj, trashëgimia jonë e shenjtë i kapërcen dallimet tona. Si anëtarë të Kishës, ne pranohemi në shtëpinë e Izraelit. Ne bëhemi vëllezër e motra, trashëgimtarë të barabartë për të njëjtën prejardhje shpirtërore. Perëndia i premtoi Abrahamit se “të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit [të tij] e do të llogariten si fara [e tij] dhe do të ngrihen e do [ta] bekojnë [atë], si atin e tyre2.

Çdokujt që bëhet anëtar i Kishës, i është bërë një premtim: “Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë”3.

Fjala i huaj vjen nga fjala latine extraneus, e cila do të thotë “i jashtëm” ose “nga jashtë”. Përgjithësisht, ajo tregon dikë që është “i jashtëm” për arsye të ndryshme, qoftë për shkak të origjinës, kulturës, mendimeve apo fesë. Si dishepuj të Jezu Krishtit që përpiqemi të jemi në botë por jo të botës, ndonjëherë ndihemi si të jashtëm. Ne, më mirë se shumë [të tjerë], e dimë se disa dyer mund t’u mbyllen atyre që konsiderohen se janë të ndryshëm.

Gjatë gjithë kohës njerëzit e Perëndisë janë urdhëruar të kujdesen për të gjithë personat që janë të huaj apo që mund të shihen si të ndryshëm. Në kohët e lashta një i huaj përfitonte nga të njëjtat detyrime të mikpritjes ashtu si një e ve ose një jetim. Si ata, i huaji ishte në një situatë cenueshmërie të madhe dhe mbijetesa e tij varej nga mbrojtja që merrte nga popullsia vendase. Populli i Izraelit mori udhëzime të sakta mbi këtë çështje: “Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit”4.

Gjatë shërbesës së Tij të vdekshme, Jezusi ishte shembull i atij që shkoi përtej detyrimit të thjeshtë të mikpritjes dhe tolerancës. Atyre që përjashtoheshin nga shoqëria, atyre që refuzoheshin dhe konsideroheshin si të papastër nga ata që e mbanin veten si të drejtë, iu dha dhembshuria dhe respekti i Tij. Ata morën pjesë të barabartë nga mësimet dhe shërbesa e Tij.

Për shembull, Shpëtimtari shkoi kundër zakoneve të vendosura të kohës së Tij për t’iu drejtuar gruas nga Samaria, duke i kërkuar asaj pak ujë. Ai u ul për të ngrënë me tagrambledhësit dhe mbledhësit e taksave. Ai nuk ngurroi t’i afrohej lebrozit, ta prekte e ta shëronte atë. Duke admiruar besimin e centurionit romak, Ai i tha turmës: “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh”5.

Jezusi na ka kërkuar të mbajmë ligjin e dashurisë së përkryer, e cila është një dhuratë e përbotshme dhe e pakushtëzuar. Ai tha:

“Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.”6

Në këtë Kishë nuk ka të huaj dhe të dëbuar. Ka vetëm vëllezër e motra. Njohuria që ne kemi për një Atë të Amshuar, na ndihmon të jemi më të ndjeshëm ndaj vëllazërisë dhe motërisë që duhet të ekzistojë mes të gjithë burrave dhe grave mbi tokë.

Një fragment nga romani Të Mjerët ilustron se si mund t’i trajtojnë mbajtësit e priftërisë ata persona që shihen si të huaj. Zhan Valzhani sapo ishte liruar si i burgosur. I rraskapitur nga një udhëtim i gjatë dhe duke vdekur nga uria dhe etja, ai arriti në një qytet të vogël duke kërkuar një vend që të gjente ushqim dhe strehë për natën. Kur përhapet lajmi i mbërritjes së tij, një nga një të gjithë banorët ia mbyllin dyert e tyre. As hoteli, as hani, madje as burgu nuk do ta ftonte atë. Ai refuzohet, përzihet, dëbohet. Më në fund, me kurrfarë force, ai bie te porta kryesore e peshkopit të qytetit.

Kleriku i mirë ishte plotësisht i vetëdijshëm për të kaluarën e Valzhanit, por ai e fton endacakun në shtëpinë e tij me këto fjalë të dhembshura:

“‘Kjo nuk është shtëpia ime; kjo është shtëpia e Jezu Krishtit. Kjo derë nuk i kërkon atij që hyn a ka emër, por a ka hidhërim. Ju vuani, ju jeni i uritur dhe i etur; jeni i mirëpritur. … Ç’nevojë kam ta di emrin tuaj? Përveç kësaj, përpara se të më thoshit [emrin tuaj], ju kishit një emër që e dija.’

[Valzhani] i hapi sytë me habi.

‘Vërtet? Ju e dinit si më quajnë?’

‘Po’, u përgjigj Peshkopi, ‘ju quheni vëllai im.’”7

Në këtë Kishë lagjet tona dhe kuorumet tona nuk na përkasin neve. Ato i përkasin Jezu Krishtit. Kushdo që hyn në shtëpitë tona të mbledhjeve duhet të ndihet si në shtëpi. Përgjegjësia për të mirëpritur çdokënd ka rëndësi në rritje. Bota në të cilën jetojmë, po kalon përmes një periudhe trazire të madhe. Për shkak të gjindshmërisë së shtuar të transportit, shpejtësisë së komunikimit dhe globalizimit të ekonomive, toka po bëhet një fshat i madh ku njerëzit dhe kombet takohen, lidhen dhe përzihen si kurrë më parë.

Këto ndryshime shumë të mëdha mbarëbotërore u shërbejnë qëllimeve të Perëndisë së Plotfuqishëm. Mbledhja e të zgjedhurve të Tij nga të katër anët e tokës po ndodh jo vetëm duke dërguar misionarë në vende të largëta, por edhe me ardhjen e njerëzve nga zona të tjera në vetë qytetet dhe lagjet tona. Shumë njerëz, pa e ditur, po drejtohen nga Zoti për në vende ku mund të dëgjojnë ungjillin dhe të vijnë në tufën e Tij.

Ka shumë të ngjarë që personi tjetër i kthyer në besim në ungjill në lagjen tuaj do të jetë dikush që nuk vjen nga rrethi juaj i zakonshëm i miqve dhe njohjeve. Ju mund ta vini re këtë nga pamja, gjuha, mënyra e veshjes ose ngjyra e tij apo e saj e lëkurës. Ky individ mund të jetë rritur në një fe tjetër, me rrethana të ndryshme apo stil jetese të ndryshëm.

Shoqërimi është një përgjegjësi e rëndësishme priftërie. Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke duhet të veprojnë në harmoni me motrat nën drejtimin e peshkopit, për t’u siguruar që çdo individ të mirëpritet me dashuri e përzemërsi. Mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore do të jenë të kujdesshëm për t’u siguruar që asnjë nuk harrohet apo shpërfillet.

Ne të gjithë kemi nevojë të punojmë së bashku për të ndërtuar unitetin shpirtëror brenda lagjeve dhe degëve tona. Një shembull i unitetit të përkryer ekzistoi midis popullit të Perëndisë pasi Krishti vizitoi kontinentet amerikane. Anali shënon se nuk kishte “Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë”8.

Uniteti nuk arrihet duke shpërfillur e duke i izoluar anëtarët që duken të ndryshëm ose më të dobët, dhe duke u shoqëruar vetëm me njerëz që janë si ne. Përkundrazi, uniteti fitohet duke i mirëpritur dhe duke u shërbyer atyre që janë të rinj dhe që kanë nevoja të veçanta. Këta anëtarë janë bekim për Kishën dhe na japin mundësira që t’u shërbejmë fqinjëve tanë dhe kështu të pastrojmë vetë zemrat tona.

Kështu që, vëllezërit e mi, është detyra juaj që t’i shtrini dorën çdokujt që shfaqet te porta e ndërtesës suaj të Kishës. Mirëpritini ata me mirënjohje dhe pa paragjykime. Nëse njerëz që ju nuk i njihni, hyjnë në një nga mbledhjet tuaja, përshëndetini me ngrohtësi dhe ftojini të ulen me ju. Ju lutem, bëjeni lëvizjen e parë për t’i ndihmuar ata të ndihen të mirëpritur dhe të dashur, në vend që të prisni që ata të vijnë tek ju.

Pas mikpritjes suaj fillestare, merrni parasysh mënyra se si ju mund të vazhdoni t’u shërbeni atyre. Njëherë dëgjova për një lagje ku, pas pagëzimit të dy motrave të shurdhra, dy motra të mrekullueshme të Shoqatës së Ndihmës vendosën të mësojnë gjuhën e shenjave, kështu që të mund të komunikonin më mirë me këto të kthyera të reja në besim. Çfarë shembulli i mrekullueshëm i dashurisë për bashkëvëllezërit dhe motrat në ungjill!

Unë jap dëshmi se asnjë nuk është i huaj për Atin tonë Qiellor. Nuk ka asnjë [person], shpirti i të cilit nuk është i çmuar për Të. Me Pjetrin, unë dëshmoj se “Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai”9.

Lutem që, kur Zoti të mbledhë delet e Tij në ditën e fundit, Ai të mund t’i thotë secilit prej nesh: “Isha i huaj dhe më pritët”.

Pastaj ne do t’i themi Atij: “Kur të pamë të huaj dhe të pritëm?”

Dhe Ai do të na përgjigjet: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”10.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.