Ji i Fortë dhe Guximtar


Paçim – ne të gjithë – guximin për t’iu kundërvënë mendimit të përgjithshëm, guximin për ta mbrojtur parimin.

Vëllezërit e mi të dashur, sa mirë është që të jem me ju edhe një herë. Lutem për ndihmë qiellore ndërsa shfrytëzoj mundësinë që t’ju drejtohem juve.

Përtej kësaj Qendre Konferencash janë mijëra të tjerë, të mbledhur në godina kishash dhe në mjedise të tjera nëpër shumicën e botës. Një fill i përgjithshëm na lidh të gjithëve së bashku, sepse neve na është besuar që të mbajmë priftërinë e Perëndisë.

Ne jemi këtu në tokë në një periudhë mbresëlënëse të historisë së saj. Mundësitë tona janë pothuajse të pafundme dhe prapëseprapë ne përballemi edhe me një mori sfidash, disa prej tyre tepër të veçanta për kohën tonë.

Ne jetojmë në një botë ku vlerat morale, në masë të madhe, janë flakur mënjanë, ku mëkati vihet në dukje në mënyrë të hapur dhe ku na rrethojnë tundimet për t’u larguar nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. Ne përballemi me trysni të vazhdueshme dhe ndikime tinëzare që po e shkatërrojnë atë që është e denjë dhe po përpiqen ta zëvendësojnë me filozofitë dhe praktikat e cekëta të një shoqërie laike.

Për shkak të këtyre sfidave dhe të tjerave, ndodhen gjithnjë përpara nesh vendime, të cilat mund të përcaktojnë fatin tonë. Me qëllim që ne të marrim vendimet e duhura, nevojitet guxim – guxim për të thënë jo kur duhet ta themi atë, guxim për të thënë po kur është e duhur, guxim për ta bërë gjënë e drejtë ngaqë është e drejtë.

Meqenëse prirja në shoqëri sot po lëviz me të shpejtë larg prej vlerave dhe parimeve që na ka dhënë Zoti, ne pothuajse në mënyrë të sigurt do të thirremi për të mbrojtur atë që besojmë. A do ta kemi guximin për ta bërë këtë?

Tha Presidenti J. Ruben Klark i Riu, i cili për shumë vite ishte anëtar i Presidencës së Parë: “Nuk janë të panjohura rastet kur [ata] që mendojnë se kishin besim, … e kanë ndier se, ngaqë po ta pohonin besimin e tyre të plotë, mund të sillnin mbi vetvete përqeshjen e bashkëpunëtorëve të tyre mosbesues, ata duhet ose ta ndryshojnë ose ta shpjegojnë besimin e tyre apo ta hollojnë atë shkatërrimisht, apo edhe të bëjnë sikur e kanë hedhur tej atë. Njerëz të tillë janë hipokritë.”1 Askush prej nesh nuk do të donte ta mbante një tabelë të tillë dhe, prapëseprapë, a jemi ngurrues që ta shpallim besimin tonë në disa rrethana?

Ne mund ta ndihmojmë vetveten lidhur me dëshirën tonë për të bërë atë që është e drejtë, në qoftë se e vendosim veten tonë në vende dhe marrim pjesë në veprimtari, ku mendimet tona ndikohen për mirë dhe ku Shpirti i Zotit do të jetë i patrazuar.

Më kujtohet që lexova ca kohë më parë këshillën e një babai dhënë birit të tij kur ai u largua për të shkuar në shkollë: “Nëse e gjen veten ndonjëherë në një vend ku nuk duhet të jesh, largohu!” Unë i ofroj secilit prej jush të njëjtën këshillë: “Nëse e gjen veten ndonjëherë në një vend ku nuk duhet të jesh, largohu!”

Thirrja për guxim i vjen vazhdimisht secilit prej nesh. Në çdo ditë të jetës sonë nevojitet guxim – jo vetëm për ngjarjet madhështore, por shumë më shpesh kur ne marrim vendime ose reagojmë ndaj rrethanave përreth nesh. Poeti dhe romancieri skocez Robert Luis Stivenson tha: “Guximi i përditshëm ka pak dëshmitarë. Por [guximi] juaj nuk është më pak fisnik ngaqë daullet nuk bien për ju dhe turmat nuk e thërrasin emrin tuaj.”2

Guximi vjen në shumë forma. Autori i krishterë Çarls Suindoll shkroi: “Guximi nuk kufizohet në fushën e betejës … ose në kapjen me trimëri të një vjedhësi në shtëpinë tuaj. Provat e vërteta të guximit janë shumë më të heshtura. Ato janë prova të brendshme, si të qëndruarit besnikë kur askush nuk po vështron, … si të qëndruarit i vetëm kur jeni keqkuptuar.”3 Unë do të shtoja se ky guxim i brendshëm gjithashtu përfshin bërjen e asaj që duhet edhe pse mund të kemi frikë, mbrojtjen e bindjeve tona përballë rrezikut të përqeshjes dhe ruajtjen e atyre bindjeve edhe kur kërcënohemi me humbjen e miqve ose të gjendjes shoqërore. Ai, i cili mbron vendosmërisht atë që është e drejtë, duhet të rrezikojë që me raste të kundërshtohet dhe të bëhet i papëlqyeshëm.

Teksa shërbeja në Flotën Detare të Shteteve të Bashkuara në Luftën II Botërore, mësova për veprime të guximshme, raste trimërie dhe shembuj guximi. Një rast, të cilin nuk do ta harroj kurrë, ishte guximi i heshtur i një detari 18-vjeçar – jo i fesë sonë – i cili nuk ishte tepër krenar për t’u lutur. Nga 250 burra në kompani, ai ishte i vetmi që çdo natë binte në gjunjë pranë shtratit të tij, nganjëherë në mes të talljeve të kërcënuesve dhe përqeshjeve të mosbesuesve. Me kokë të ulur, ai i lutej Perëndisë. Kurrë nuk u lëkund. Kurrë nuk u ligështua. Ai kishte guxim.

Dëgjova jo shumë kohë më parë për një shembull të dikujt që sigurisht dukej se i mungonte ky guxim i brendshëm. Një mikeshë më tregoi për një mbledhje sakramenti shpirtërore dhe besimforcuese, që ajo dhe burri i saj kishin qenë të pranishëm në lagjen e tyre. Një i ri që mbante detyrën e priftit në Priftërinë Aarone, ua preku zemrën të gjithë të pranishmëve kur foli për të vërtetat e ungjillit dhe për gëzimet e mbajtjes së urdhërimeve. Ai dha një dëshmi të zjarrtë, prekëse, ndërsa qëndronte te foltorja, në pamje i pastër e i rregullt, i veshur me këmishën e tij të bardhë dhe kollare.

Më vonë, po atë ditë, teksa kjo grua dhe burri i saj po ngisnin makinën në lagjen e tyre, ata panë po atë të ri që i kishte frymëzuar vetëm pak orë më parë. Tani, megjithatë, ai paraqiti një pamje tërësisht të ndryshme, ndërsa ecte në trotuar, i veshur me rroba që i vareshin – dhe duke pirë një cigare. Mikesha ime dhe burri i saj jo vetëm që u zhgënjyen e u trishtuan shumë, por ishin edhe të hutuar se si ai në mënyrë aq bindëse mund të dukej se ishte një njeri në mbledhjen e sakramentit dhe më pas aq shpejt të dukej se ishte një njeri krejtësisht tjetër.

Vëllezër, a jeni i njëjti njeri kudo që jeni dhe në çdo gjë që po bëni – njeriu që Ati ynë Qiellor dëshiron që ju të jeni dhe njeriu që e dini se duhet të jeni?

Në një intervistë të botuar në një revistë kombëtare, lojtarit të mirënjohur të basketbollit të kolegjeve amerikane, Xhabari Parkër, anëtar i Kishës, iu bë pyetja që të tregonte këshillën më të mirë që kishte marrë nga babai i tij. Xhabari u përgjigj: “[Babai im] tha: ‘Thjesht të jesh në errësirë i njëjti njeri që je në dritë’”4. Këshillë e rëndësishme, vëllezër, për ne të gjithë.

Shkrimet tona të shenjta janë të mbushura me shembuj të llojeve të guximit që i nevojitet secilit prej nesh sot. Profeti Daniel tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke mbrojtur atë që e dinte se ishte e drejtë dhe duke treguar guximin e tij për t’u lutur, edhe pse iu kërcënua jeta po ta bënte këtë.5

Guximi ishte tipar i jetës së Abinadit, siç tregohet nga gatishmëria e tij për të dhënë jetën e vet në vend që të mohonte të vërtetën.6

Kush mund të mos frymëzohet nga jeta e 2.000 bijve të rinj të Helamanit, të cilët e mësuan dhe e treguan nevojën për guxim në ndjekjen e mësimeve të prindërve, tek të qenit të dëlirë dhe të pastër?7

Ndoshta secili prej këtyre rrëfimeve të shkrimeve të shenjta kurorëzohet nga shembulli i Moronit, i cili pati guximin të duronte me drejtësi deri në fund të jetës së tij.8

Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti Jozef Smith dha shembuj të panumërt të guximit. Një nga shembujt më dramatikë ndodhi kur ai dhe vëllezër të tjerë u lidhën së bashku – imagjinoni, me zinxhirë – dhe u mbajtën në një kasolle të pambaruar pranë gjykatës së Riçmondit në Mizuri. Parli P. Prat, i cili ishte mes atyre të mbajtur në burg, shkroi për një natë të veçantë: “Ishim shtrirë sikur të ishim në gjumë derisa pati kaluar ora e mesnatës dhe veshët e zemrat na dhembnin, ndërkohë që kishim dëgjuar për orë talljet e pahijshme, betimet e lemerishme, blasfemitë e llahtarshme dhe gjuhën e ndyrë të rojeve tona”.

Plaku Prat vazhdoi:

“Kisha dëgjuar derisa u bëra kaq i neveritur, i habitur, i lemeritur dhe i mbushur kaq shumë me shpirtin e drejtësisë së zemëruar saqë mezi munda të përmbahem që të mos ngrihesha në këmbë dhe t’i qortoja rojet; por nuk i pata thënë asgjë Jozefit, ose ndonjë tjetri, edhe pse ndodhesha i shtrirë pranë tij dhe e dija që ishte i zgjuar. Befas ai u ngrit në këmbë dhe foli me një zë bubullime, apo si të luanit ulëritës, duke shqiptuar, me aq sa mund të kujtoj, fjalët e mëposhtme:

“‘QETËSI. … Në emrin e Jezu Krishtit unë ju qortoj dhe ju urdhëroj të heshtni; nuk do të jetoj asnjë minutë tjetër dhe të dëgjoj fjalë të tilla. Ndërpriteni këtë të folur ose unë o ju do të vdesim KËTË ÇAST!’”

Jozefi “qëndronte drejt në këmbë me një madhështi tmerruese”, siç u përshkrua nga Plaku Prat. Ai ishte i lidhur me zinxhirë, pa armë, dhe përsëri ishte i qetë e madhështor. Hodhi vështrimin mbi rojet e trembura, të cilët po zmbrapseshin në një qoshe ose po strukeshin te këmbët e tij. Këta burra, në pamje të pakorrigjueshëm, lypën faljen e tij dhe ndenjën të heshtur.9

Jo të gjitha veprimet e guximit sjellin përfundime kaq mbresëlënëse apo të menjëhershme dhe, prapëseprapë, të gjitha ato vërtet sjellin paqe të mendjes dhe njohuri se e drejta dhe e vërteta janë mbrojtur.

Është e pamundur të qëndrohet drejt në këmbë, kur një njeri i vendos rrënjët e tij në rërat lëvizëse të mendimit dhe miratimit të mirëpritur nga njerëzit. Nevojitet guximi i një Danieli, një Abinadi, një Moroni ose një Jozef Smithi me qëllim që ne të qëndrojmë të fortë dhe të sigurt për atë që e dimë se është e drejtë. Ata patën guximin të bënin jo atë që ishte e lehtë, por atë që ishte e drejtë.

Ne të gjithë do të hasim frikë, do të përjetojmë tallje dhe do të ndeshemi me kundërshtim. Paçim – ne të gjithë – guximin për t’iu kundërvënë mendimit të përgjithshëm, guximin për ta mbrojtur parimin. Guximi, jo kompromisi, e sjell buzëqeshjen dhe miratimin e Perëndisë. Guximi bëhet një virtyt i gjallë dhe tërheqës kur mbahet parasysh jo vetëm si një gatishmëri për të vdekur si burrë, por si vendosmëria për të jetuar denjësisht. Ndërsa ecim përpara, duke u përpjekur që të jetojmë siç duhet, ne sigurisht do të marrim ndihmë nga Zoti dhe mund të gjejmë ngushëllim në fjalët e Tij. Mua më pëlqen shumë premtimi i Tij i shënuar në librin e Jozueut:

“Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis. …

… Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë, mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.”10

Vëllezërit e mi të dashur, me guximin e bindjeve tona, deklarofshim me Apostullin Pal: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit”11. Dhe atëherë, me po të njëjtën kurajë, ndjekshim këshillën e Palit: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi”12.

Konflikte shkatërrimtare vijnë e shkojnë, por lufta që zhvillohet për shpirtrat e njerëzve vazhdon pa u pakësuar. Si thirrje kumbuese vjen fjala e Zotit për ju, për mua dhe për mbajtësit e priftërisë kudo: “Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell”13. Atëherë ne do të jemi, sikurse shpalli Apostulli Pjetër, madje një “priftëri mbretërore”14, të bashkuar në qëllim dhe të dhuruar me fuqi nga lart.15

Çdonjëri u largoftë nga kjo mbledhje sonte me vendosmërinë dhe guximin që të thotë, me Jobin e lashtë: “Deri sa të ketë një frymë jete tek unë …, nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime”16. Qoftë kjo kështu, është lutja ime e përulur në emrin e Jezu Krishtit, Zotit tonë, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1. J. Reuben Clark Jr., The Charted Course of the Church in Education, bot i redakt. (1994), f. 7.

  2.  

    2. Robert Louis Stevenson, në Hal Urban, Choices That Change Lives (2006), f. 122.

  3.  

    3. Charles Swindoll, në Urban, Choices That Change Lives, f. 122.

  4.  

    4. Jabari Parker, në “10 Questions”, Time, 17 mars 2014, f. 76.

  5.  

    5. Shih Daniel 6.

  6.  

    6. Shih Mosia 11:20; 17:20.

  7.  

    7. Shih Alma 53:20–21; 56.

  8.  

    8. Shih Moroni 1–10.

  9.  

    9. Shih Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 210–211.

  10.  

    10.  Jozueut 1:5, 9.

  11.  

    11.  Romakëve 1:16.

  12.  

    12.  1 Timoteut 4:12.

  13.  

    13.  Doktrina e Besëlidhje 107:99.

  14.  

    14.  1 Pjetër 2:9.

  15.  

    15. Shih Doktrina e Besëlidhje 105:11.

  16.  

    16.  Jobi 27:3, 5.