Ndjekja e Ecurisë


Ne të gjithë mund të përfshihemi vazhdimisht në punën misionare duke e zëvendësuar frikën tonë me besim të vërtetë.

Në shtator do të bëhen gjashtëdhjetë e katër vjet qëkurse u ktheva në shtëpi nga misioni im në Angli. Tri ditë pas kthimit, me një mikun tim, mora pjesë në një mbrëmje vallëzimi të quajtur Dita e Përshëndetjes tek Universiteti i Jutës. Ai më tregoi për një vajzë të bukur në vit të dytë, të quajtur Barbara Bouen, të cilën mendoi se duhej ta takoja. Ai e solli tek unë e na prezantoi, dhe ne filluam të kërcenim.

Fatkeqësisht, kjo ishte ajo që ne e quanim “kërcim me prekje në sup”, që nënkuptonte se mund të kërceje me vajzën vetëm derisa dikush tjetër të të prekte në sup. Barbara ishte e shkathët dhe mjaft e njohur, kështu që kërceva me të për më pak se një minutë përpara se një djalë tjetër të më prekte në sup.

Kjo ishte thjesht e papranueshme për mua. Ngaqë e kisha mësuar rëndësinë e ndjekjes së ecurisë në mision, mora numrin e saj të telefonit dhe i telefonova të nesërmen, për t’i kërkuar një takim, por ajo ishte e zënë me shkollën dhe detyrime shoqërore. Fatmirësisht, misioni më mësoi të isha këmbëngulës edhe përballë shkurajimit dhe, përfundimisht, munda të lija një takim. Dhe ai takim çoi në takime të tjera. Në njëfarë mënyre, gjatë atyre takimeve, unë munda ta bindja atë se isha i vetmi misionar i kthyer nga misioni, i vërtetë dhe i gjallë – të paktën, për aq sa i përkiste asaj. Tani, 64 vjet më vonë, kemi shtatë fëmijë dhe shumë nipër e mbesa dhe stërnipër e stërmbesa, të cilët qëndrojnë si provë e së vërtetës domethënëse se, pavarësisht se sa i mirë është mesazhi yt, ju mund të mos kini mundësi për ta dhënë atë pa një ndjekje ecurie të vazhdueshme dhe këmbëngulëse.

Kjo mund të jetë arsyeja përse e kam ndier mbresën e qartë që sot të ndjek ecurinë e dy prej mesazheve të mia të mëparshme të konferencës së përgjithshme.

Në konferencën e tetorit të vitit 2011, unë ju nxita që të kujtonim këto fjalë të rëndësishme nga Zoti: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”1.

Me këto fjalë, Zoti e bën të qartë se ky nuk është vetëm një titull zyrtar, por edhe emri me anë të të cilit duhet të quhet Kisha e Tij. Për shkak të deklaratës së Tij të qartë, ne nuk duhet t’i drejtohemi Kishës me ndonjë emër tjetër, të tillë si “Kisha Mormone” ose “Kisha SHDM”.

Fjala Mormon mund të përdoret në mënyrë të përshtatshme në disa kuptime, për t’ju drejtuar anëtarëve të Kishës, të tillë si pionierëve mormonë, ose institucioneve, të tilla si Kori Mormon i Tabernakullit. Anëtarët e Kishës njihen gjerësisht si mormonë dhe në ndërveprime me ata që nuk janë të besimit tonë, ne me vend mund t’i drejtohemi vetes sonë si mormonë, me kusht që ta ndërthurim këtë me emrin e plotë të Kishës.

Nëse anëtarët mësojnë ta përdorin emrin e saktë të Kishës në lidhje me fjalën Mormon, kjo do të theksojë se ne jemi të krishterë, anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit.

Vëllezër e motra, le ta ndjekim ecurinë dhe të zhvillojmë zakonin e bërjes përherë të qartë se ne i përkasim Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Mesazhi i dytë për të cilin ndiej se duhet të ndjek ecurinë, u dha pikërisht në konferencën e fundit të përgjithshme, kur i nxita anëtarët që të luteshin për t’u udhëhequr tek të paktën një individ, të cilit ata mund t’i jepnin një ftesë për të mësuar rreth ungjillit të rivendosur përpara Krishtlindjes. Shumë anëtarë kanë ndarë me mua disa përvoja të veçanta si pasojë e kërkesës që i bënë Zotit për mundësi misionare.

Një misionar i kthyer nga misioni, për shembull, u lut veçanërisht që të drejtohej tek “individi” të cilin ai mund ta ndihmonte. I erdhi në mendje emri i një ish-shoqeje klase në kolegj. Ai e gjeti atë në Facebook dhe mësoi se ajo kishte qenë duke u lutur për qëllim e kuptim në jetën e saj. Ai e ndoqi ecurinë pikërisht në kohën që ajo po kërkonte për të vërtetën, dhe në dhjetor ajo u pagëzua.

Shumë ftesa të ngjashme më janë raportuar, por vetëm pak njerëz kanë ndjekur ecurinë siç bëri ky vëlla.

Unë besoj shumë në parimin e ndjekjes së ecurisë. Siç thuhet në udhëzuesin e misionarit Predikoni Ungjillin Tim, “dhënia e një ftese pa e ndjekur atë është si të fillosh një udhëtim pa e mbaruar atë ose të blesh një biletë për një koncert pa shkuar në teatër. Pa veprimin e përfunduar, zotimi është i kotë.”2

Predikoni Ungjillin Tim e mëson gjithsecilin se si jo vetëm të ftojë, por edhe të ndjekë ecurinë për ftesat e tij. Qëllimi i punës misionare përcaktohet si ftesë që “të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar të marrin ungjillin e rivendosur me anë të besimit te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”3.

Ftesa është sigurisht pjesë e procesit. Por vini re, ka shumë më tepër në punën misionare për anëtarët sesa thjesht bërja e ftesës që njerëzit të dëgjojnë misionarët. Ajo përfshin gjithashtu ndjekjen e ecurisë me misionarët në kultivimin e besimit, nxitjen për pendim, përgatitjen për të bërë besëlidhje dhe durimin deri në fund.

Ky parim i ndjekjes së ecurisë ilustrohet te libri Veprat e Apostujve:

“Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull. …

Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e quajtur E bukura, për t’u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.

Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.

Atëherë Pjetri, me Gjonin duke i ngulur sytë mbi të, i tha: Na shiko.

Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.

Por Pjetri tha: ‘Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!’”

Kjo është një ftesë e fuqishme nga një shërbëtor i Zotit, apo jo? Por Pjetri nuk u mjaftua me ftesën. Tregimi i shkrimit të shenjtë më pas na thotë se ai “e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë: dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.

Dhe me një të hovur, u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.”4

Me fjalë të tjera, Pjetri jo thjesht përdori autoritetin e tij të priftërisë dhe e ftoi burrin të ngrihej e të ecte. Ai gjithashtu ndoqi ecurinë e ftesës së tij duke iu afruar njeriut, duke e marrë nga dora e djathtë, duke e ngritur atë dhe, më pas, duke ecur me të për në tempull.

Në frymën e shembullit të Pjetrit, më lejoni të sugjeroj që ne të gjithë mund të përfshihemi vazhdimisht në punën misionare, duke e zëvendësuar frikën tonë me besim të vërtetë, duke e ftuar dikë të paktën një herë në tre muaj – ose katër herë në vit – për t’u mësuar nga misionarët kohëplotë. Ata janë të përgatitur për të dhënë mësim me anë të Shpirtit, me frymëzim të sinqertë dhe të përzemërt nga Zoti. Së bashku ne mund ta ndjekim ecurinë e ftesave tona, t’i marrim të tjerët nga dora, t’i lartësojmë dhe të ecim me ta në udhëtimin e tyre shpirtëror.

Për t’ju ndihmuar me këtë proces, unë i ftoj të gjithë anëtarët, pavarësisht nga thirrja juaj e tanishme ose nga niveli i aktivizimit në Kishë, që të merrni një kopje të udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim. Ai është i disponueshëm nëpërmjet qendrave tona të shpërndarjes dhe gjithashtu në internet. Varianti në internet mund të lexohet ose shkarkohet falas. Ai është një udhëzues për punën misionare – që do të thotë se është një udhëzues për të gjithë ne. Lexojeni atë, studiojeni atë dhe më pas vëreni në jetë atë që mësoni, për t’ju ndihmuar të kuptoni se si të sillni shpirtra te Krishti nëpërmjet ftesës dhe ndjekjes së ecurisë. Siç ka thënë Presidenti Tomas S. Monson: “Tani është koha për anëtarët dhe misionarët që të bashkohen së bashku, të veprojnë së bashku, të punojnë së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij”5.

Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij:

“E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.

Lutjuni, pra, Zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”6

Zoti i është përgjigjur asaj lutjeje në kohën tonë me numrin më të madh të misionarëve kohëplotë në historinë e botës. Me këtë valë të re të punëtorëve besnikë, Zoti na ka dhënë një mundësi tjetër për ta ndihmuar Atë në këtë korrje të madhe të shpirtrave.

Ka mënyra praktike për anëtarët që t’i ndihmojnë e mbështetin misionarët tanë të mrekullueshëm. Për shembull, ju mund t’u thoni misionarëve se po studioni Predikoni Ungjillin Tim dhe kërkojuni atyre t’ju tregojnë atë që po mësojnë në studimet e tyre. Ndërsa ju i tregoni njëri-tjetrit, me siguri do të zhvillohet besim më i madh midis anëtarëve dhe misionarëve kohëplotë, ashtu siç urdhëroi Zoti:

“Por që çdo [burrë dhe grua] të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës”7.

Dhe: “Vini re, unë ju dërgoj që t’u dëshmoni njerëzve e t’i paralajmëroni ata dhe të bëhet që, kushdo që është paralajmëruar, të paralajmërojë të afërmin e tij”8.

Vëllezër e motra, a mund ta përfytyroni ndikimin nëse familja dhe miqtë do të përfshinin gjëra që janë duke i mësuar nga studimi i tyre vetjak i udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim në letrat e tyre dhe postën elektronike për misionarët e tyre kohëplotë? A mund t’i përfytyroni bekimet që do t’u vijnë familjeve kur ta kuptojnë më mirë atë që bijtë dhe bijat e tyre do të studiojnë dhe japin mësim në misionet e tyre? A mund të filloni ta matni thellësinë e derdhjes së jashtëzakonshme të hirit shëlbues që do të jetë yni, individualisht dhe kolektivisht, sipas premtimit të Shpëtimtarit për të gjithë ata që japin dëshmi në procesin e të ftuarit të shpirtrave për të ardhur tek Ai – dhe më pas në ndjekjen e ecurisë për ato ftesa?

“Ju jeni të bekuar”, tha Zoti nëpërmjet Profetit Jozef Smith, sepse “dëshmia që ju keni dhënë, shënohet në qiell, që engjëjt ta vështrojnë; dhe ata gëzohen për ju dhe mëkatet tuaja ju janë falur”9.

“Sepse unë do t’jua fal të gjitha mëkatet me këtë urdhërim – që ju të mbeteni të qëndrueshëm … në dhënien e dëshmisë për gjithë botën për ato gjëra që ju janë komunikuar.”10

Nëse ndjekim ecurinë, Zoti nuk do të na zhgënjejë. Unë e kam parë gëzimin e papërshkrueshëm që shoqëron ftesën e nxitur nga dëshmia dhe ndjekjen e ecurisë në mënyrë besnike midis anëtarëve të Kishës në mbarë botën. Ndërsa isha në Argjentinë kohët e fundit, unë i nxita anëtarët të ftonin dikë në kishë përpara kësaj konference të përgjithshme. Një djalë tetëvjeçar, me emrin Xhoshua, dëgjoi dhe e ftoi mikun e tij më të mirë dhe familjen e mikut të tij te një shtëpi e hapur në lagjen e tyre në Buenos-Ajres. Më lejoni të lexoj nga një letër që sapo mora, që shpjegoi ftesën e Xhoshuas dhe ndjekjen e tij të ecurisë në mënyrë besnike:

“Çdo pak minuta [Xhoshua] do të vraponte te porta për të parë nëse po vinin. Ai tha që e dinte se ata do të [vinin].

Mbrëmja erdhi dhe miku i Xhoshuas nuk erdhi, por Xhoshua nuk u dorëzua. Ai kontrolloi besnikërisht portën kryesore çdo pak minuta. Ishte koha që të fillonim t’i hiqnim gjërat kur Xhoshua filloi të hidhej lart e poshtë duke lajmëruar: ‘Ata janë këtu! Ata janë këtu!’ Hodha sytë dhe pashë një familje të tërë që po i afrohej kishës. Xhoshua vrapoi jashtë për t’i përshëndetur dhe përqafoi mikun e tij. Ata hynë të gjithë brenda dhe dukej se po kënaqeshin shumë në shtëpinë e hapur. Ata morën disa broshura dhe kaluan shumë kohë duke u njohur me disa miq të rinj. Ishte e madhërishme të shihje besimin e këtij djali të vogël dhe të dije se edhe fëmijët e Fillores mund të jenë misionarë.”11

Është dëshmia ime se ndërsa punojmë së bashku, duke e kërkuar atë individ, duke e ftuar dhe duke e ndjekur ecurinë me mirëbesim dhe besim, Zoti do të na buzëqeshë dhe qindra mijëra prej fëmijëve të Perëndisë do të gjejnë qëllim dhe paqe në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti na bekoftë të gjithëve në përpjekjet tona për ta përshpejtuar punën e shpëtimit, unë lutem përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1.  Doktrina e Besëlidhje 115:4.

  2.  

    2.  Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 208.

  3.  

    3.  Predikoni Ungjillin Tim, f. 1.

  4.  

    4.  Veprat e Apostujve 3:1–8; theksimi i shtuar.

  5.  

    5. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2013, f. 4.

  6.  

    6.  Mateu 9:37–38.

  7.  

    7.  Doktrina e Besëlidhje 1:20.

  8.  

    8.  Doktrina e Besëlidhje 88:81.

  9.  

    9.  Doktrina e Besëlidhje 62:3.

  10.  

    10.  Doktrina e Besëlidhje 84:61.

  11.  

    11. Letër personale, 10 mars 2014.