2010–2019
Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat
Prill 2014


Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

A nuk kemi arsye të mbushemi me mirënjohje, pavarësisht nga rrethanat në të cilat gjendemi?

Me kalimin e viteve, unë kam pasur mundësinë e shenjtë që të takohem me shumë njerëz, hidhërimet e të cilëve duket se arrijnë deri në vetë thellësitë e shpirtit të tyre. Në ato çaste, i kam dëgjuar vëllezërit dhe motrat e mia të dashura dhe jam pikëlluar me ta lidhur me barrët e tyre. Kam përsiatur se çfarë t’u them dhe jam përpjekur të di se si t’i ngushëlloj e përkrah ata gjatë sprovave të tyre.

Shpesh, pikëllimi i tyre shkaktohet nga ajo që u duket atyre si një mbarim. Disa po përballen me mbarimin e një marrëdhënieje shumë të dashur, të tillë si vdekja e një njeriu të dashur apo ftohja me një pjesëtar të familjes. Njerëz të tjerë ndiejnë se po përballen me mbarimin e shpresës – shpresës që të martohen apo të kenë fëmijë, ose që të mposhtin një sëmundje. Të tjerë mund të përballen me mbarimin e besimit të tyre, ndërkohë që zëra hutues e ngatërrues në botë i tundojnë që të vënë në dyshim, madje të braktisin, atë që dikur e dinin se ishte e vërtetë.

Herët a vonë, besoj se ne të gjithë përjetojmë kohë kur vetë pëlhura e botës sonë shqepet tek tegelat qepës, duke na lënë të ndihemi të vetmuar, të zhgënjyer dhe në mëshirë të fatit.

Mund t’i ndodhë kujtdo. Askush nuk është i paprekshëm.

Ne Mund të Jemi Mirënjohës

Situata e çdo njeriu është e ndryshme dhe hollësitë e secilës jetë janë të pashoqe. Megjithatë, kam mësuar se ka diçka që do ta largonte hidhësinë që mund të hyjë në jetën tonë. Ka një gjë që mund të bëjmë për ta bërë jetën më të ëmbël, më të gëzueshme, madje të lavdishme.

Ne mund të jemi mirënjohës!

Mund të duket në kundërshtim me urtësinë e botës të sugjeroj që dikush, i cili është i rënduar me hidhërim, duhet t’i japë falënderime Perëndisë. Por ata që e lënë mënjanë shishen e hidhësisë dhe në vend të saj ngrenë kupën e mirënjohjes, mund të gjejnë një pije dëlirësuese të shërimit, paqes dhe kuptueshmërisë.

Si dishepuj të Krishtit, ne urdhërohemi ta “falënderoj[më] Zotin, Perëndinë [tonë], në gjithçka”1, t’i “këndoj[më] Zotit me falenderim”2 dhe ta “le[më] të jetë zemra [jonë] plot falënderime ndaj Perëndisë”3.

Përse na urdhëron Perëndia që të jemi mirënjohës?

Të gjitha urdhërimet e Tij jepen për të na i bërë bekimet të disponueshme. Urdhërimet janë mundësi për ta ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes dhe për të marrë bekime. Ati ynë i dashur Qiellor e di se zgjedhja për të zhvilluar një shpirt mirënjohjeje do të na sjellë gëzim të vërtetë dhe lumturi të madhe.

Të Qenit Mirënjohës për Gjërat

Por disa mund të thonë: “Çfarë kam për të qenë mirënjohës, kur bota ime po copëtohet?”

Ndoshta përqendrimi te gjërat për të cilat jemi mirënjohës, është drejtimi i gabuar. Është e vështirë të zhvillojmë një shpirt mirënjohjeje nëse falënderimet tona janë vetëm në përpjesëtim të drejtë me numrin e bekimeve që mund të numërojmë. Vërtet, është e rëndësishme që shpesh t’i “numërojmë bekimet tona” – dhe kushdo që është përpjekur ta bëjë këtë, e di se janë të shumta – por unë nuk besoj se Zoti pret që ne të jemi në kohët e sprovës më pak mirënjohës se sa në kohët e begatisë dhe të rehatisë. Në fakt, shumica e referencave nga shkrimet e shenjta nuk flasin për mirënjohje për gjëra, por përkundrazi sugjerojnë një shpirt ose një sjellje të përgjithshme të mirënjohjes.

Është e lehtë të jemi mirënjohës për gjëra kur jeta duket se po shkon ashtu siç e duam. Por çfarë ndodh në ato kohë kur ajo që dëshirojmë duket të jetë shumë e paarritshme?

A mund të sugjeroj që ne ta shohim mirënjohjen si një prirje, një mënyrë jete, e cila qëndron e pavarur nga situata jonë e tanishme? Me fjalë të tjera, po sugjeroj që në vend që të jemi mirënjohës për gjëra, të përqendrohemi tek të qenit mirënjohës rrethanat tona – cilatdo qofshin ato.

Tregohet një histori e vjetër e një kamerieri që e pyeti një klient nëse i kishte pëlqyer ushqimi. Klienti u përgjigj se gjithçka ishte mirë, por do të kishte qenë edhe më mirë nëse do të kishin shërbyer më shumë bukë. Të nesërmen, kur burri erdhi përsëri, kamerieri e dyfishoi sasinë e bukës, duke i dhënë atij katër copa në vend të dy copave të bukës, por burri ende nuk ishte i lumtur. Të nesërmen, kamerieri ia dyfishoi bukën sërish, pa asnjë sukses.

Në ditën e katërt, kamerieri kishte vendosur me të vërtetë ta bënte burrin të lumtur. Dhe kështu, ai mori një bukë të gjatë gati tre metra, e preu përgjysmë dhe, me një buzëqeshje, ia shërbeu të tërën klientit. Kamerieri mezi po priste reagimin e burrit.

Pas ngrënies, burri ngriti sytë dhe tha: “E mirë si gjithmonë. Por e shoh se keni filluar prapë të mos jepni më shumë se dy copa buke.”

Të Qenit Mirënjohës Rrethanat Tona

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, zgjedhja është e jona. Ne mund të zgjedhim që ta kufizojmë mirënjohjen tonë, bazuar në bekimet që e ndiejmë se na mungojnë. Ose ne mund të zgjedhim që të jemi si Nefi, zemra mirënjohëse e të cilit nuk u ligështua kurrë. Kur vëllezërit e tij e lidhën në anije – të cilën ai e kishte ndërtuar që t’i çonte drejt tokës së premtuar – kyçet e duarve dhe të këmbëve të tij i dhanë dhembje kaq të madhe ngaqë “ato ishin enjtur jashtëzakonisht” dhe një stuhi e dhunshme e kërcënoi ta përpinte në thellësitë e detit. “Megjithatë”, tha Nefi, “unë pashë te Perëndia im dhe e lavdërova atë gjatë gjithë ditës; dhe unë nuk mërmërita kundër Zotit për shkak të vuajtjeve të mia”4.

Ne mund të zgjedhim të jemi si Jobi, i cili dukej se kishte gjithçka, por më pas e humbi të gjithën. Prapëseprapë Jobi u përgjigj duke thënë: “Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit.”5

Ne mund të zgjedhim që të jemi si pionierët mormonë, të cilët e ruajtën shpirtin e mirënjohjes gjatë udhës së tyre të ngadaltë dhe të mundimshme drejt Solt-Lejkut të Madh, madje duke kënduar e vallëzuar dhe duke përlëvduar mirësinë e Perëndisë.6 Shumë prej nesh do të ishin prirur që të tërhiqeshin, ankoheshin dhe ndienin ankth për vështirësinë e udhëtimit.

Ne mund të zgjedhim të jemi si Profeti Jozef Smith, i cili, ndërsa ishte i burgosur në kushte të mjeruara në Burgun e Libertisë, shkroi këto fjalë të frymëzuara: “Vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet”7.

Ne mund të zgjedhim që të jemi mirënjohës, pavarësisht nga gjithçka.

Kjo lloj mirënjohjeje e lë pas gjithçka që po ndodh përreth nesh. E kapërcen çdo zhgënjim, shkurajim dhe dëshpërim. Lulëzon me po aq bukuri në një peizazh të akullt dimri, siç lulëzon në ngrohtësinë e këndshme të verës.

Kur i jemi mirënjohës Perëndisë rrethanat tona, ne mund të përjetojmë paqe të ëmbël në mes të mundimit. Në pikëllim, ne ende mund t’i lartësojmë zemrat tona në lavdërim. Në dhembje, ne mund të ngazëllehemi me Shlyerjen e Krishtit. Në të ftohtin e trishtimit të hidhur, ne mund të përjetojmë afërsinë dhe ngrohtësinë e përqafimit të qiellit.

Ne nganjëherë mendojmë se të qenit mirënjohës është ajo që bëjmë pasi zgjidhen problemet tona, por sa tmerrësisht dritëshkurtër është kjo. Sa shumë humbasim nga jeta duke pritur që të shohim ylberin, përpara se ta falënderojmë Perëndinë për shiun që bie?

Të qenit mirënjohës në kohët e vuajtjes nuk do të thotë që ne kënaqemi me rrethanat tona. Kjo vërtet do të thotë që, nëpërmjet syve të besimit, ne shohim përtej sfidave tona të së sotmes.

Kjo nuk është një mirënjohje e shprehur me buzë, por e shpirtit. Është një mirënjohje që e shëron zemrën dhe e zgjeron mendjen.

Mirënjohja si një Vepër e Besimit

Të qenit mirënjohës rrethanat tona është një vepër e besimit te Perëndia. Kërkon që ne të mirëbesojmë te Perëndia dhe të shpresojmë për gjëra që mund të mos shihen, por të cilat janë të vërteta.8 Duke qenë mirënjohës, ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë të dashur, i cili tha: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”9.

Mirënjohja e vërtetë është një shprehje e shpresës dhe e dëshmisë. Ajo vjen nga të pranuarit se ne nuk i kuptojmë gjithmonë sprovat e jetës, por mirëbesojmë se një ditë vërtet do t’i kuptojmë.

Në çfarëdo rrethane, ndjenja jonë e mirënjohjes ushqehet nga të vërtetat e shumta dhe të shenjta që ne vërtet i dimë: se Ati ynë u ka dhënë fëmijëve të Tij planin e madhërishëm të lumturisë; se nëpërmjet Shlyerjes së Birit të Tij, Jezu Krishtit, ne mund të jetojmë përgjithmonë me njerëzit tanë të dashur; se, në përfundim, ne vërtet do të kemi trupa të lavdishëm, të përsosur e të pavdekshëm, të parënduar nga sëmundja apo paaftësia; dhe se lotët tanë të trishtimit dhe të humbjes do të zëvendësohen me një begati të lumturisë dhe gëzimit, “një masë [të] mirë, [të] ngjeshur, [të] tundur, gufuese”10.

Duhet të ketë qenë një lloj i tillë dëshmie që i shndërroi Apostujt e Shpëtimtarit nga burra të frikësuar, dyshues, në të dërguar të patrembur, gëzimplotë të Mësuesit. Në orët që pasuan Kryqëzimin e Tij, ata u pushtuan nga dëshpërimi e pikëllimi, të pazotë për të kuptuar atë që sapo kishte ndodhur. Por një ngjarje e ndryshoi gjithçka. Zoti iu shfaq atyre dhe u shpalli: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam”11.

Kur Apostujt e njohën Krishtin e ringjallur – kur përjetuan Ringjalljen e lavdishme të Shpëtimtarit të tyre të dashur – ata u bënë njerëz të ndryshëm. Asgjë nuk mund t’i largonte nga përmbushja e misionit të tyre. Ata e pranuan me kurajë dhe vendosmëri torturën, poshtërimin dhe madje vdekjen, të cilat do t’u vinin për shkak të dëshmisë së tyre.12 Ata nuk u frenuan kundrejt përlëvdimit të Zotit të tyre dhe shërbimit Atij. Ata e ndryshuan jetën e njerëzve kudo. Ata e ndryshuan botën.

Ju nuk keni nevojë ta shihni Shpëtimtarin, siç bënë Apostujt, për të përjetuar të njëjtin shndërrim. Dëshmia juaj për Krishtin, e lindur nga Fryma e Shenjtë, mund t’ju ndihmojë ta hidhni vështrimin përtej mbarimeve zhgënjyese në vdekshmëri dhe të shihni të ardhmen e shndritshme që ka përgatitur Shëlbuesi i botës.

Ne Nuk Jemi Bërë për Mbarime

Në dritën e asaj që dimë rreth vendmbërritjes sonë të përjetshme, a është çudi që kurdoherë që përballemi me mbarime të hidhura të jetës, ato na duken të papranueshme? Duket se ka diçka brenda nesh që i kundërshton mbarimet.

Pse ndodh kjo? Sepse ne jemi bërë nga lënda e përjetësisë. Ne jemi qenie të përjetshme, fëmijë të Perëndisë së Amshuar, emri i të cilit është i Pafundëm13 dhe i cili premton bekime të përjetshme të panumërta. Mbarimet nuk janë vendmbërritja jonë.

Sa më shumë që mësojmë rreth ungjillit të Jezu Krishtit, aq më shumë kuptojmë se mbarimet këtu në vdekshmëri nuk janë aspak mbarime. Ato janë thjesht ndërprerje – ndalesa të përkohshme që një ditë do të duken të vogla në krahasim me gëzimin e përjetshëm që i pret njerëzit besnikë.

Sa mirënjohës i jam Atit tim Qiellor që në planin e Tij nuk ka mbarime të vërteta, vetëm fillime të pambarueshme.

Ata që Janë Mirënjohës do të Bëhen të Lavdishëm

Vëllezër e motra, a nuk kemi arsye të mbushemi me mirënjohje, pavarësisht nga rrethanat në të cilat gjendemi?

A kemi nevojë për ndonjë arsye më të madhe që ta lejojmë “të jetë zemra [jonë] plot falënderime ndaj Perëndisë”14?

“A nuk kemi shkak të madh të gëzohemi?”15

Sa të bekuar jemi nëse e dallojmë dorën e Perëndisë në tapicerinë magjepsëse të jetës. Mirënjohja ndaj Atit tonë në Qiell e zgjeron këndvështrimin tonë dhe e qartëson të kuptuarin tonë. Ajo frymëzon përulësi dhe nxit dashamirësi kundrejt bashkëqenieve tona dhe gjithë krijesave të Perëndisë. Mirënjohja është një përshpejtues i të gjitha tipareve të ngjashme me Krishtin! Një zemër falënderuese është prindi i të gjitha virtyteve.16

Zoti na ka dhënë premtimin e Tij se ata “që i [marrin] të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhe[n të] lavdishëm; dhe gjërat e kësaj toke do t’[u] shtohen at[yre]”17.

Jetofshim “çdo ditë me falënderime”18– veçanërisht gjatë mbarimeve në dukje të pashpjegueshme që janë pjesë e vdekshmërisë. I lejofshim shpirtrat tanë të zgjerohen në mirënjohje ndaj Atit tonë të mëshirshëm Qiellor. I ngritshim përherë dhe vazhdimisht zërat tanë dhe e tregofshim me fjalë e vepra mirënjohjen tonë ndaj Atit tonë në Qiell dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Për këtë lutem dhe ju lë dëshminë dhe bekimin tim, në emrin e Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.