“Ju Kam Dhënë Shëmbullin”


Shembulli më i madhërishëm që eci ndonjëherë mbi tokë, është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. … Ai na fton ta ndjekim shembullin e Tij të përkryer.

Ndërsa kam përsiatur mbi detyrën time për të ndarë ungjillin, kam reflektuar për njerëz të dashur ndikimi i ëmbël i të cilëve më ndihmoi të gjej shtegun e caktuar hyjnisht, që e ndihmoi përparimin tim shpirtëror. Në kohë të rëndësishme në jetën time, Ati në Qiell më bekoi me dikë që u kujdes për mua aq sa të ndihmonte për t’i udhëhequr zgjedhjet e mia në një drejtim të duhur. Ata zbatuan këto fjalë të Shpëtimtarit: “Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju”1.

Kur isha fëmijë i vogël, babai im nuk ishte anëtar i Kishës dhe nëna ime ishte bërë më pak aktive. Ne jetonim në Uashington, D.K. dhe prindërit e nënës sime jetonin më shumë se 2.500 milje (4.000 kilometra) larg, në shtetin e Uashingtonit. Disa muaj pas ditëlindjes sime të tetë, Gjyshe Uitëlli udhëtoi përmes të gjithë vendit për të na vizituar. Gjyshja ishte e shqetësuar se as unë, as vëllai im më i madh, nuk ishim pagëzuar. Nuk e di se çfarë u tha ajo prindërve të mi për këtë, por e di vërtet se një mëngjes ajo na çoi në një park vëllanë tim dhe mua dhe na tregoi ndjenjat e saj mbi rëndësinë e të qenit të pagëzuar dhe të pjesëmarrjes rregullisht në mbledhjet e Kishës. Nuk i mbaj mend hollësitë e asaj që tha ajo, por fjalët e saj prekën diçka në zemrën time dhe shpejt vëllai im dhe unë u pagëzuam.

Gjyshja vazhdoi të na përkrahte. Më kujtohet se çdo herë që vëllait tim ose mua na caktohej të bënim një bisedë në kishë, ne do ta merrnim në telefon për t’i kërkuar disa sugjerime. Brenda pak ditësh, një bisedë e shkruar me dorë do të mbërrinte me postë. Pas njëfarë kohe, sugjerimet e saj u ndryshuan në një skicim idesh që kërkonte më shumë përpjekje nga ana jonë.

Gjyshja përdori pikërisht sasinë e duhur të guximit dhe respektit për ta ndihmuar babanë tonë të kuptonte sa e rëndësishme ishte të na çonte në kishë me makinë për mbledhjet tona. Në çdo mënyrë të përshtatshme, ajo na ndihmoi të ndienim një nevojë për ungjillin në jetën tonë.

Më e rëndësishmja, ne e dinim se Gjyshja na donte dhe se ajo e donte ungjillin. Ajo ishte një shembull i mrekullueshëm! Sa mirënjohës jam për dëshminë që ajo ndau me mua kur isha shumë i vogël. Ndikimi i saj e ndryshoi drejtimin e jetës sime ndaj të mirës së përjetshme.

Më vonë, kur isha gati të diplomohesha në universitet, unë rashë në dashuri me një vajzë të re e të bukur që quhej Xhenin Uotkins. Mendova se edhe ajo po fillonte të kishte disa ndjenja të thella për mua. Një natë kur ne po flisnim për të ardhmen, ajo me kujdes futi në diskutim një thënie që e ndryshoi jetën time për gjithmonë. Ajo tha: “Kur të martohem, do të martohem në tempull me një misionar të kthyer e besnik”.

Nuk kisha menduar shumë për një mision përpara kësaj. Atë natë, shtysa ime për ta marrë parasysh një shërbim misionar, ndryshoi jashtë mase. Shkova në shtëpi dhe nuk mund të mendoja për asgjë tjetër. Ndenja zgjuar gjithë natën. Isha plotësisht i shpërqendruar nga studimet e mia të nesërmen. Pas shumë lutjesh, mora vendimin të takohesha me peshkopin tim dhe të filloja aplikimin tim për misionar.

Xhenina nuk më kërkoi asnjëherë që të shërbeja një mision për të. Ajo më donte mjaftueshëm sa të më tregonte bindjen e saj dhe pastaj më dha mundësinë të zgjidhja drejtimin e vetë jetës sime. Ne të dy shërbyem në misione dhe më vonë u vulosëm në tempull. Guximi dhe zotimi i Xheninës ndaj besimit të saj kanë sjellë gjithë ndryshimin në jetën tonë së bashku. Jam i sigurt se nuk do ta kishim gjetur lumturinë që gëzojmë, pa besimin e saj të fortë në parimin e shërbimit ndaj Zotit së pari. Ajo është një shembull i mrekullueshëm, i drejtë!

Që të dyja, Gjyshe Uitëlli dhe Xhenina më deshën mjaftueshëm sa të më tregonin bindjen e tyre se ordinancat e ungjillit dhe shërbimi ndaj Atit në Qiell do ta bekonin jetën time. Asnjëra prej tyre nuk më detyroi apo nuk më bëri të ndihesha keq për njeriun që isha. Ato thjesht më deshën mua dhe e deshën Atin në Qiell. Që të dyja e dinin se Ai mund të bënte më shumë me jetën time nga sa mund të bëja unë vetë. Secila më ndihmoi me guxim në mënyra të dashura për të gjetur shtegun e lumturisë më të madhe.

Në ç’mënyrë secili prej nesh mund të bëhet një ndikim i tillë thelbësor? Ne duhet të jemi të sigurt që t’i duam sinqerisht ata që duam t’i ndihmojmë me drejtësi, kështu që ata mund të fillojnë të zhvillojnë mirëbesim në dashurinë e Perëndisë. Për kaq shumë njerëz në botë, sfida e parë në pranimin e ungjillit është të zhvillojnë besim në një Atë në Qiell, që i do ata përsosurisht. Është më e lehtë të zhvillohet ai besim kur ata kanë miq ose pjesëtarë të familjes që i duan ata në një mënyrë të ngjashme.

Të dhënit e mirëbesimit ndaj tyre me dashurinë tuaj, mund t’i ndihmojë ata të krijojnë besim në dashurinë e Perëndisë. Pastaj, nëpërmjet komunikimit tuaj të dashur e të matur, jeta e tyre do të bekohet ngaqë ju do të tregoni mësimet që keni mësuar, përvojat që keni pasur, dhe parimet që keni ndjekur, për të gjetur zgjidhje për vetë betejat tuaja. Tregoni interesimin tuaj të sinqertë për mirëqenien e tyre; pastaj jepni dëshminë tuaj për ungjillin e Jezu Krishtit.

Ju mund të ndihmoni në mënyra që bazohen te parimi dhe doktrina. Nxitini ata që i doni, që të përpiqen fort për ta kuptuar atë të cilën Zoti do të donte që ata të bënin. Një mënyrë si ta bëni këtë është që t’u bëni pyetje të cilat i bëjnë të mendohen, dhe më pas t’u jepni kohë të mjaftueshme – qofshin orë, ditë, muaj apo më shumë – për të përsiatur dhe për të kërkuar që t’i gjejnë përgjigjet vetë. Ju mund të keni nevojë t’i ndihmoni të dinë se si të luten dhe se si të dallojnë përgjigje ndaj lutjeve të tyre. Ndihmojini të dinë se shkrimet e shenjta janë një burim jetësor për të marrë dhe dalluar përgjigje. Në atë mënyrë ju do t’i ndihmoni të përgatiten për mundësi dhe sfida të ardhshme.

Qëllimi i Perëndisë është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”2. Kjo është themelore për gjithçka bëjmë. Nganjëherë ne përfshihemi kaq shumë në gjëra që i mendojmë magjepsëse, ose përpihemi kaq shumë nga përgjegjësi të rëndomta, saqë i harrojmë synimet e Perëndisë. Kur e përqendroni vazhdimisht jetën tuaj te parimet më themelore, ju do të merrni një kuptueshmëri të asaj që duhet të bëni, dhe do të prodhoni më shumë fryte për Zotin.

Kur e përqendroni jetën tuaj te parimet themelore të planit të shpëtimit, ju do të përqendroheni më mirë në të treguarin e asaj që dini, sepse e kuptoni rëndësinë e përjetshme të ordinancave të ungjillit. Ju do ta tregoni atë çka dini në një mënyrë që i nxit miqtë tuaj të dëshirojnë të forcohen shpirtërisht. Ju do t’i ndihmoni njerëzit tuaj të dashur që të duan të zotohen për t’iu bindur të gjitha urdhërimeve të Tij dhe për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit.

Kujtoni se kthimi në besim i individëve është vetëm një pjesë e punës. Gjithmonë përpiquni fort t’i forconi familjet. Jepni mësim me një largpamësi për rëndësinë e vulosjes së familjeve në tempull. Për disa familje kjo mund të kërkojë vite. I tillë qe rasti me prindërit e mi. Shumë vite pasi unë u pagëzova, babai im u pagëzua dhe, më vonë, familja ime u vulos në tempull. Babai im shërbeu si vulosës në tempull dhe nëna ime shërbeu atje me të. Kur e keni largpamësinë për ordinancat vulosëse të tempullit, ju do të ndihmoni për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë.

Kujtoni, t’i doni ata është themeli i fuqishëm për të ndikuar tek ata që dëshironi t’i ndihmoni. Ndikimet e Gjyshe Uitëllit dhe të bashkëshortes sime, Xheninës, do të kishin qenë të papërfillshme po të mos e kisha ditur më parë se ato më donin dhe dëshironin që unë të kisha më të mirën në jetë.

Si një shoqërues për atë dashuri, kini mirëbesim tek ata. Në disa raste mund të duket e vështirë t’u mirëbesoni, por gjeni njëfarë mënyre që t’u mirëbesoni atyre. Fëmijët e Atit në Qiell mund të bëjnë gjëra mahnitëse kur ndihen të mirëbesuar. Secili fëmijë i Perëndisë në vdekshmëri, e zgjodhi planin e Shpëtimtarit. Mirëbesoni se, po t’u jepet mundësia, ata do ta zgjedhin atë sërish.

Tregoni parimet që i ndihmojnë ata të cilët i doni, që të ecin përpara nëpër shtegun drejt jetës së përjetshme. Kujtoni, ne të gjithë rritemi rresht pas rreshti. Ju keni ndjekur të njëjtin model në kuptueshmërinë tuaj për ungjillin. Mbajeni të thjeshtë ndarjen tuaj të ungjillit.

Dëshmia juaj vetjake e Shlyerjes së Jezu Krishtit, është një mjet i fuqishëm. Burime shoqëruese janë lutja, Libri i Mormonit dhe shkrime të tjera të shenjta, si dhe zotimi juaj ndaj ordinancave të priftërisë. Të gjitha këto do ta lehtësojnë drejtimin prej Shpirtit, mbi të cilin është kaq vendimtare për ju që të mbështeteni.

Që të jeni të efektshëm dhe të bëni ashtu siç ka bërë Krishti3, përqendrohuni tek këto parime bazë të ungjillit: Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur bërjen tonë më shumë si Ati ynë në Qiell, që të mund të jetojmë së bashku përjetësisht në njësitë tona familjare.

Nuk ka doktrinë më themelore për punën tonë sesa Shlyerja e Jezu Krishtit. Në çdo mundësi të përshtatshme, dëshmoni për Shpëtimtarin dhe për fuqinë e sakrificës së Tij Shlyese. Përdorni shkrime të shenjta që na japin mësim për Të dhe arsyen përse Ai është modeli i përsosur për çdonjërin në jetë.4 Juve do t’ju duhet të studioni me zell. Mos u përthithni aq shumë në gjëra të parëndësishme sa të humbisni të mësuarin e doktrinës dhe të mësimeve të Zotit. Me një themel vetjak të fortë doktrinor, ju do të jeni një burim i fuqishëm për ndarjen e të vërtetave jetike me të tjerë që kanë nevojë skajshëm për to.

Ne i shërbejmë më së miri Atit tonë në Qiell duke ndikuar drejtësisht tek të tjerët dhe duke u shërbyer atyre.5 Shembulli më i madhërishëm që eci ndonjëherë mbi tokë, është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Shërbesa e Tij në vdekshmëri ishte e mbushur me mësimdhënie, shërbim dhe dashuri ndaj të tjerëve. Ai u ul me individë që u gjykuan të ishin të padenjë për shoqërimin e Tij. Ai e deshi secilin prej tyre. Ai i dalloi nevojat e tyre dhe u mësoi ungjillin e Tij. Ai na fton ta ndjekim këtë shembull të përkryer.

Unë e di se ungjilli i Tij është shtegu për te paqja dhe lumturia në këtë jetë. U kujtofshim ne që të bëjmë ashtu siç bëri Ai duke i ndarë dashurinë, mirëbesimin dhe njohurinë tonë për të vërtetën me të tjerët që nuk e kanë përqafuar ende dritën e shkëlqyeshme të ungjillit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1.  Gjoni 13:15.

  2.  

    2.  Moisiu 1:39.

  3.  

    3. Shih Gjoni 13:15.

  4.  

    4. Shih për shembull Lluka 22:39–46; Gjoni 8:3–11; Filipianëve 4:13; Jakobi [Bibël] 5:15–16; 1 Gjoni 1:7; 2 Nefi 1:15; 2; 25:17–30; 31; Jakobi [LiM] 4; Alma 7; 42; 3 Nefi 11–30; Moroni 10:32–33; Doktrina e Besëlidhje 18:10–16; 19:13–19; 29:3; 88:1–13; 138:2–4; Moisiu 5:6–12.

  5.  

    5. Shih Mateu 22:35–40; Mosia 2:17.