2010–2019
Në Qoftë Se Ju Mungon Urtia
Prill 2014


Në Qoftë Se Ju Mungon Urtia

Pamja
Plaku Markos A. Aidukaitis

Perëndia do t’ua zbulojë të vërtetën atyre që e kërkojnë atë sipas udhëzimeve në shkrimet e shenjta.

Para ca kohësh, djali im 10-vjeçar po studionte në internet rreth trurit të njeriut. Ai do që një ditë të bëhet kirurg. Nuk është e vështirë të vërehet se ai është shumë më i zgjuar se unë.

Neve na pëlqen interneti. Në shtëpi, ne komunikojmë me familjen dhe miqtë nëpërmjet mjeteve të komunikimit shoqëror, me anë të postës elektronike dhe në mënyra të tjera. Fëmijët e mi e bëjnë pjesën më të madhe të detyrave të shkollës nëpërmjet internetit.

Cilado që të jetë pyetja, nëse kemi nevojë për më shumë informacion, ne e kërkojmë atë në internet. Në pak sekonda ne gjejmë shumë material. Kjo është e mrekullueshme.

Interneti na siguron shumë mundësi për të mësuar. Megjithatë, Satani do që ne të jemi të mjeruar dhe ai e shtrembëron qëllimin e vërtetë të gjërave. Ai e përdor këtë mjet të mrekullueshëm për të nxitur dyshimin e frikën dhe për të shkatërruar besimin e shpresën.

Me kaq shumë [informacion] të disponueshëm në internet, ne duhet ta marrim në shqyrtim me kujdes se ku t’i përqendrojmë përpjekjet tona. Satani mund të na mbajë të zënë, të shpërqendruar dhe të papastër duke shoshitur përmes informacionit shumë prej asaj që mund të jetë thjesht mbeturinë.

Një njeri nuk duhet të endet nëpër mbeturina.

Vërini veshin këtij udhëzimi të dhënë nga shkrimet e shenjta: “Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini … se është nga Perëndia”1.

Në kuptimin e vërtetë, ne hasim të njëjtën mëdyshje që ndeshi Jozef Smithi në rininë e tij. Shumë shpesh zbulojmë se vetë neve na mungon urtia.

Në mbretërinë e Perëndisë, kërkimi për të vërtetën vlerësohet, nxitet dhe në asnjë mënyrë nuk shtypet ose frikësohet. Anëtarët e kishës këshillohen fuqishëm nga Zoti Vetë që të kërkojnë njohuri.2 Ai tha: “Kërkoni me zell … ; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”3. Megjithatë, si mund ta njohim të vërtetën në një botë që është gjithnjë e më shumë më e drejtpërdrejtë në sulmet e saj ndaj gjërave që i përkasin Perëndisë?

Shkrimet e shenjta na mësojnë:

Së pari, ne mund ta njohim të vërtetën duke vëzhguar frytet e saj.

Gjatë Predikimit të Tij të mrekullueshëm në Mal, Zoti tha:

“Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija …

Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre.”4

Profeti Mormoni dha mësim të njëjtin parim kur tha: “Ju do t’i njihni ata nga punët e tyre; pasi në qoftë se punët e tyre janë të mira, atëherë ata gjithashtu janë të mirë”5.

Ne i ftojmë të gjithë të studiojnë frytet dhe veprat e kësaj Kishe.

Ata që interesohen për të vërtetën, do të jenë në gjendje ta njohin ndryshimin që Kisha dhe anëtarët e saj sjellin në komunitetet ku ata janë vendosur. Ata gjithashtu do të vënë re një përmirësim në jetën e atyre që i ndjekin mësimet e saj. Ata që i shqyrtojnë këto fryte do të zbulojnë se frytet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë të shijshme dhe të dëshirueshme.

Së dyti, ne mund ta gjejmë të vërtetën duke e vënë vetë në provë fjalën.

Profeti Alma dha mësim:

“Ne do ta krahasojmë fjalën me një farë. … Në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, [dhe] … në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, … vini re, ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe … ju do të filloni të thoni me veten tuaj – Kjo duhet të jetë një farë e mirë, … pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua …

… Dhe tani, … a nuk do ta forcojë besimin tuaj? Po, ajo do ta forcojë besimin tuaj …

… Meqë çdo farë prodhon, sikurse veten e saj.”6

Çfarë ftese madhështore nga një profet i Zotit! Kjo mund të krahasohet me një eksperiment shkencor. Ne ftohemi ta vëmë në provë fjalën, na janë dhënë parametra dhe na është treguar rezultati i provës, nëse i ndjekim udhëzimet.

Pra, shkrimet e shenjta na mësojnë se ne mund ta njohim të vërtetën duke vëzhguar frytet e saj ose duke eksperimentuar me të vetë, duke bërë vend për fjalën në zemrën tonë dhe duke e kultivuar atë, ashtu si edhe një farë.

Megjithatë, ka ende një mënyrë të tretë për ta ditur të vërtetën dhe kjo është me anë të zbulesës vetjake.

Seksioni 8 në Doktrina e Besëlidhje na mëson se zbulesa është dituri – “dituri për çfarëdolloj gjërash që [ne] do të kërko[jmë] me besim, me një zemër të ndershme, duke besuar se [ne] do të marr[im] dituri”7.

Dhe Zoti na thotë se si do ta marrim këtë zbulesë. Ai thotë: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde”8.

Pra, neve na është mësuar se zbulesa mund të merret duke kërkuar me besim, me një zemër të ndershme dhe duke besuar se do ta marrim.

Por vini re se Zoti e bëri shumë të qartë kur paralajmëroi: “Kujto se pa besim ti s’mund të bësh asgjë; prandaj kërko me besim”9. Besimi kërkon vepra të tilla si ta studiosh atë në mendjen tënde, pastaj të kërkosh në lutje nëse është e drejtë.

Zoti tha:

“Nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.

Por nëse nuk është e drejtë, ti nuk do të kesh ndjenja të tilla, por do të kesh një mpirje të mendimit që do të të bëjë ta harrosh gjënë që është e gabuar.”10

Besimi pa vepra është i vdekur.11 Pra, “kërko[ni] me besim, pa dyshuar”12.

Kam një mik, jo të besimit tonë, i cili më tregoi se ai nuk është një individ shpirtëror. Ai nuk i studion shkrimet e shenjta ose nuk lutet, sepse thotë që nuk mund t’i kuptojë fjalët e Perëndisë, as nuk është i sigurt se Perëndia ekziston. Ky qëndrim shpjegon mungesën e anës së tij shpirtërore dhe do të çojë në anën e kundërt të zbulesës, siç u shpjegua nga Alma. Ai tha: “Dhe prandaj, ai që do të ngurtësojë zemrën e tij, po, ai do të marrë pjesën më të vogël të fjalës”.

Por Alma shtoi, “ai që nuk do ta ngurtësojë zemrën, atij i jepet pjesa më e madhe e fjalës, derisa t’i jepet të dijë misteret e Perëndisë, derisa t’i dijë plotësisht”13.

Alma dhe bijtë e Mosias janë shembuj të parimit se besimi kërkon vepra. Në Librin e Mormonit, ne lexojmë:

“[Ata] kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.

Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës.”14

Në këtë proces, të kërkuarit me një zemër të ndershme është po aq i rëndësishëm. Nëse po e kërkojmë me sinqeritet të vërtetën, ne do bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, gjë që mund të përfshijë leximin e shkrimeve të shenjta, vajtjen në kishë dhe bërjen e maksimumit tonë për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë. Kjo do të thotë gjithashtu se ne jemi të gatshëm ta bëjmë vullnetin e Perëndisë kur e zbulojmë atë.

Veprimet e Jozef Smithit, kur po kërkonte urti, janë një shembull i përkryer se çfarë do të thotë të kesh një zemër të ndershme. Ai tha se donte të dinte se cili nga sektet ishte i vërtetë, kështu që “[ai] të mund të di[nte] me cilin të bashkohe[j]”15. Edhe para se të lutej, ai ishte i gatshëm të vepronte mbi përgjigjen që do të merrte.

Ne duhet të kërkojmë me besim dhe me një zemër të ndershme. Por ajo nuk është e gjitha. Ne duhet të besojmë gjithashtu se do të marrim zbulesë. Ne duhet t’i mirëbesojmë Zotit dhe të kemi shpresë në premtimet e Tij. Mbani mend se çfarë është shkruar: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”16. Çfarë premtimi i mrekullueshëm!

Unë i ftoj të gjithë njerëzit që ta kërkojnë të vërtetën nga secila prej këtyre metodave, por veçanërisht nga Perëndia, nëpërmjet zbulesës vetjake. Perëndia do t’ua zbulojë të vërtetën atyre që e kërkojnë atë sipas udhëzimeve në shkrimet e shenjta. Ajo kërkon më shumë përpjekje sesa thjesht kërkim në internet, por ia vlen.

Unë jap dëshminë time se kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. I kam parë frytet e saj në komunitete dhe në jetën e mijëra njerëzve, përfshirë anëtarët e familjes; pra, e di se është e vërtetë. E kam provuar gjithashtu fjalën në jetën time për shumë vite dhe i kam ndier ndikimet e saj në shpirtin tim; pra, e di se është e vërtetë. Por më e rëndësishmja, unë e kam mësuar vërtetësinë e saj për veten time me anë të zbulesës, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; pra, e di se është e vërtetë. Ju ftoj të gjithëve të bëni të njëjtën gjë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.