2010–2019
Mbajtja e Besëlidhjeve Na Mbron, Na Përgatit dhe Na Fuqizon
Prill 2014


Mbajtja e Besëlidhjeve Na Mbron, Na Përgatit dhe Na Fuqizon

Pamja
Rozmari M. Uiksom

Ne jemi gra të të gjitha moshave që kanë bërë besëlidhje, të cilat po ecin në shtegun e vdekshmërisë për t’u kthyer në praninë e Tij.

O, motra, ne ju duam. Ndërkohë që vizitoja Meksikën së fundi, përjetova pakëz nga motëria që po ndiejmë të gjitha sonte. Përfytyrojeni këtë skenë: Sapo kishim mbaruar Filloren një të diel në mëngjes dhe fëmijët, mësuesit dhe unë, po përhapeshim në korridorin e ngjeshur nga njerëzit. Pikërisht atëherë, u hap dera e klasës së Të Rejave, dhe unë pashë të rejat dhe udhëheqëset e tyre. Ne të gjitha u zgjatëm për një përqafim. Me fëmijët që kapeshin pas fundit tim dhe gratë aq përreth meje, dëshiroja t’i shprehja ndjenjat që pata pikërisht në atë çast.

Nuk e flas spanjishten, ndaj, në mendje më erdhën vetëm fjalë në anglisht. I pashë fytyrat e të gjithave dhe thashë: “Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor, i cili na do ne dhe ne e duam Atë”. Të gjitha m’u bashkuan menjëherë në spanjisht. Ja ku ishim, në një korridor të mbushur plot, duke recituar së bashku temën e Të Rejave teksa thoshim: “Ne do të [qëndrojmë] si dëshmitar[e] të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”.

Sonte, ne mblidhemi së bashku kudo nëpër botë, si dishepullet e Tij, me një dëshirë për ta mbrojtur e përkrahur mbretërinë e Perëndisë. Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor. Ne jemi gra të të gjitha moshave që kanë bërë besëlidhje, të cilat po ecin në shtegun e vdekshmërisë për t’u kthyer në praninë e Tij. Mbajtja e besëlidhjeve na mbron, na përgatit dhe na fuqizon.

Ka vajza mes nesh sonte që janë në moshën e Fillores. Disa prej jush, së fundi, e keni hedhur atë hap të parë në shtegun drejt jetës së përjetshme me ordinancën e pagëzimit.

Shihni përreth vetes. E ardhmja është e ndritur kur shikoni gra që kanë bërë gjithashtu besëlidhje dhe janë gati t’ju tregojnë rrugën përgjatë shtegut që është përpara.

Nëse jeni 8, 9, 10 ose 11 vjeçe, qoftë [këtu] në qendrën e konferencave, në shtëpinë tuaj apo në një shtëpi mbledhjeje nëpër botë, a do të ngriheni ju lutem? Mirëserdhët në mbledhjen e përgjithshme të grave. Tani, ju lutem të qëndroni të ngritura sepse duam t’ju ftojmë të merrni pjesë sonte. Unë do të këndoj nën zë një këngë të Fillores. Sapo ta njihni melodinë, a do të filloni ta këndoni me mua? Tani, ju duhet të këndoni me zë të lartë që t’ju dëgjojnë të gjithë.

Mësom’ t’ec’ në drit’n e dashuris’ Tij;

Mësom’ t’i lutem Atit të shtrenjt’;

Mësom’ t’vërtetën që unë ta di;

Mësom’, mësom’ të eci në drit’.

Qëndroni të ngritura, vajza, ndërkohë që çdonjëra që është 12 vjeç e lart të këndojë tani strofën e dytë.

Eni fëmij’, së bashku të mësojm’

Urdh’rimet e tij që rrugën të gjejm’

Në prani të Tij me të të jetojm’ –

Gjithmon’, gjithmon’ në dritë të shkojm’.1

Ajo ishte e bukur. Mund të uleni. Ju faleminderit.

Si gra të të gjitha moshave, ne ecim në dritën e Tij. Udhëtimi ynë në shteg është vetjak dhe i ndriçuar mirë me dashurinë e Shpëtimtarit.

Ne hyjmë në portën e shtegut të jetës së përjetshme me ordinancën dhe besëlidhjen e pagëzimit dhe më pas, marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Plaku Robert D. Hejls na pyet: “A e kuptojmë [ne] dhe a e kuptojnë fëmijët [tanë] se kur [ne] pagëzohemi [ne] ndryshohemi përgjithnjë?”

Ai shpjegoi edhe se “kur ne e kuptojmë besëlidhjen tonë të pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, ajo do të na e ndryshojë jetën dhe do të krijojë besnikërinë tonë të plotë ndaj mbretërisë së Perëndisë. Kur hasim në tundime, nëse do të dëgjojmë, Fryma e Shenjtë do të na kujtojë se kemi premtuar ta kujtojmë Shpëtimtarin dhe t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.”2

Çdo javë, teksa i marrim simbolet e sakramentit, ne e përtërijmë besëlidhjen tonë të pagëzimit. Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Kur qëndrojmë në ujërat e pagëzimit, ne shohim drejt tempullit. Kur marrim sakramentin, ne shohim drejt tempullit. Ne zotohemi ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin dhe t’i mbajmë urdhërimet e Tij si përgatitje për të marrë pjesë në ordinancat e shenjta të tempullit.”3

Ordinancat e tempullit çojnë drejt bekimeve më të shkëlqyera që gjenden nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ato janë ato ordinanca të nevojshme për ekzaltimin tonë në mbretërinë çelestiale. Teksa mundohemi t’i mbajmë besëlidhjet tona, ndjenjat tona të papërshtatmërisë dhe papërsosurisë fillojnë të zhduken, ndërkohë që ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit marrin jetë. Gjithkush është i mirëpritur të ecë në atë shteg drejt jetës së përjetshme.

Jam e mahnitur nga forca e vajzave, të rejave dhe grave që kam takuar nëpër botë, këmbët e të cilave janë ngulur vendosmërisht në këtë shteg. Më lini t’ju tregoj disa shembuj vajzash e grash të besëlidhjes që kam takuar.

Luana ishte 11 vjeçe kur vizitova familjen e saj në Buenos-Ajres të Argjentinës. Për shkak të një ndodhie tronditëse në fëmijërinë e saj, Luana nuk mund të fliste. Ajo nuk kishte folur prej vitesh. Ajo qëndronte e ulur në heshtje teksa ne të gjithë bisedonim. Vazhdoja të shpresoja qoftë edhe për një pëshpërimë prej saj. Ajo më shihte me përqendrim, sikur shqiptimi i fjalëve të mos ishte i nevojshëm për mua që t’ia njihja zemrën. Pas një lutjeje, ne u ngritëm për t’u larguar dhe Luana më dha një vizatim. Ajo kishte vizatuar Jezu Krishtin në kopshtin e Gjetsemanit. Atëherë, unë e dallova dëshminë e saj të fortë e të qartë. Luana kishte bërë një besëlidhje në pagëzim që të qëndronte si dëshmitare e Perëndisë “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”4. Ajo e kuptonte Shlyerjen e Jezu Krishtit, gjë që u dëshmua nëpërmjet vizatimit të saj. A kishte arritur ajo ta dinte se, nëpërmjet forcimit dhe fuqisë mundësuese të Shlyerjes, ajo mund të shërohej e të fliste përsëri? Që nga ajo ditë e tre viteve më parë, Luana ka përparuar në përpjekjen e saj për të folur. Ajo tani po merr pjesë tek Të Rejat me shoqet e saj. Besnike ndaj besëlidhjes që bëri në pagëzim, ajo vazhdon ta japë dëshminë e saj për Shpëtimtarin.

Të rinjtë nga e gjithë bota tërhiqen nga tempujt. Në Limë të Perusë, takova një baba dhe tri nga bijat e tij jashtë hyrjes së tempullit. E pashë dritën në fytyrat e tyre. Dy nga bijat ishin me aftësi të kufizuara ndjeshëm dhe ishin të ulura në karrige me rrota. Bija e tretë, ndërkohë që kujdesej për nevojat e motrave, shpjegoi se kishte edhe dy motra të tjera në shtëpi. Edhe ato ishin në karrige me rrota. Ato nuk ishin në gjendje të udhëtonin 14 orë për në tempull. Tempulli kishte kaq shumë domethënie për këtë baba dhe bijat e tij, saqë ata të katërt kishin ardhur në tempull atë ditë – dy prej tyre thjesht për të vëzhguar atë që mund të pagëzohej për të vdekurit e të kryente atë ordinancë të shenjtë. Sikurse Nefi, ato “kënaqe[shin] në besëlidhjet [e] Zoti[t]”.5

Një grua beqare që njoh, e vlerëson ordinancën javore të sakramentit dhe premtimin e shenjtë të saj “që [ajo] të mund të ke[të] gjithmonë Shpirtin e Tij me [të]”6. Ai shoqërim i vazhdueshëm është një premtim që i zbut dallgët e vetmisë së saj. I jep asaj forcë për ta zhytur veten në zhvillimin e talenteve të saj dhe një dëshirë për t’i shërbyer Zotit. Ajo ka gjetur gëzim të madh te dashuria e madhe për të gjithë fëmijët e saj dhe kur ajo kërkon paqe prehëse, ju do ta gjeni në tempull.

Së fundi, një grua e moshuar në të 90-tat e saj i ka parë fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj të rriten dhe stërnipërit e stërmbesat e saj të vijnë në botë. Si shumë prej nesh, ajo ka pasur një jetë të mbushur me hidhërime, vuajtje e gëzim të papërshkrueshëm. Ajo rrëfen se po ta rishkruante historinë e jetës së saj, nuk do të kishte zgjedhur të përfshinte disa prej kapitujve që janë shkruar. Prapëseprapë, me një buzëqeshje, ajo thotë: “Duhet të jetoj edhe pak më gjatë e të shikoj se si do të shkojë e gjithë kjo!” Ajo vazhdon të kapet fort pas besëlidhjeve në shteg.

Nefi dha mësim:

“Pasi ju të keni hyrë në këtë shteg të ngushtë dhe të ngushtuar, unë do t’ju pyesja nëse gjithçka është bërë? Vini re, unë ju them juve, Jo; …

Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”7

Secila prej nesh është në atë shteg. Sonte, ne kënduam rreth ecjes në dritë nëpër shteg. Si individë, ne jemi të forta. Së bashku me Perëndinë, ne jemi të pandalshme.

Zoti i tha Ema Smithit: “Prandaj, gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu dhe kapu pas besëlidhjeve që ke bërë”.8

Gëzohemi që, nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve tona, ne mund të ndiejmë dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Unë dëshmoj se Ata jetojnë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.