Bindje nëpërmjet Besnikërisë Sonë


Bindja është një simbol i besimit tonë në urtësinë dhe fuqinë e autoritetit më të lartë, madje Perëndisë.

Mbrëmjeve familjare që kemi organizuar unë dhe motra Peri çdo të hënë, u është rritur papritmas numri i pjesëmarrësve. Vëllai im, vajza e tij, vëllai i Barbarës dhe një mbesë e bashkëshorti i saj janë shpërngulur në bllokun e godinave pranë apartamentit tonë. Është e vetmja kohë që jam bekuar duke e pasur familjen me banim pranë meje, që kur isha i vogël. Asokohe familja ime jetonte në të njëjtin bllok godinash me disa pjesëtarë të farefisit të nënës sime. Shtëpia e gjyshit Soni ishte ngjitur në anën veriore dhe shtëpia e teze Emës ishte ngjitur, në anën jugore të shtëpisë sonë. Në anën jugore të bllokut të godinave, jetonte teze Jozefina dhe në anën lindore ishte vendi ku jetonte dajë Alma.

Gjatë djalërisë sime, ne ndërvepronim me pjesëtarët e farefisit tonë çdo ditë dhe kalonim së bashku çaste pune, loje dhe vizitash së bashku. Ne nuk mund të bënim ndonjë çapkënllëk të madh pa u shkuar në vesh një raport nënave tona. Bota jonë është ndryshe tani – pjesëtarët e shumicës së familjeve janë të shpërndarë. Edhe nëse jetojnë në njëfarë mase afër njëri-tjetrit, ata shpesh nuk jetojnë ngjitur me njëri-tjetrin. Prapëseprapë, duhet të besoj se djalëria ime dhe situata ime e tanishme janë paksa si qielli, me pjesëtarë të dashur të familjes që jetojnë pranë njëri-tjetrit. Kjo më shërben si një kujtues i vazhdueshëm i natyrës së përjetshme të njësisë familjare.

Gjatë kohës që po rritesha, unë pata një marrëdhënie të veçantë me gjyshin tim. Isha djali më i madh në familje. Unë hiqja dëborën nga shëtitoret në dimër dhe kujdesesha për livadhin e shtëpisë sonë, të shtëpisë së gjyshit tim e të shtëpive të dy tezeve të mia. Gjyshi, zakonisht, ulej në verandën e përparme teksa i kositja livadhin. Kur mbaroja, ulesha para këmbëve të tij dhe bisedoja me të. Ato çaste janë kujtime të çmuara për mua.

Një ditë, e pyeta gjyshin se si do ta dija nëse po bëja gjithnjë gjënë e drejtë, duke qenë se jeta të paraqet kaq shumë zgjedhje. Sikurse bënte zakonisht gjyshi im, ai u përgjigj me një përvojë nga jeta në fermë.

Ai më mësoi rreth stërvitjes së një grupi kuajsh që ata të punonin së bashku. Ai shpjegoi se një grup kuajsh duhet ta dijë gjithmonë se kush urdhëron. Një nga çelësat për marrjen e kontrollit dhe drejtimit të një kali janë pajimet dhe frerët. Nëse një pjesëtar i grupit mendon ndonjëherë se nuk ka nevojë t’i bindet vullnetit të drejtuesit, grupi nuk do të tërheqë e punojë kurrë së bashku për ta rritur në maksimum aftësinë e tij.

Tani le ta këqyrim mësimin që më dha gjyshi duke përdorur këtë shembull. Cili është drejtuesi i grupit të kuajve? Gjyshi im besonte se është Zoti. Ai është personi me një qëllim e një plan. Ai është gjithashtu stërvitësi dhe mbështetësi i grupit të kuajve dhe, me radhë, i çdonjërit prej kuajve. Drejtuesi i di gjërat më mirë dhe e vetmja mënyrë që një kalë ta dijë se po bën gjënë e drejtë, është të jetë i bindur e të ndjekë udhëheqjen e drejtuesit.

Me çfarë po i përqaste gjyshi im pajimet dhe frerët? E besova atëherë, sikurse e besoj tani, se gjyshi im po më mësonte të ndiqja shtysat e Frymës së Shenjtë. Me sytë e mendjes së tij, pajimet dhe frerët ishin shpirtërorë. Një kalë i bindur, që është pjesë e një grupi kuajsh të stërvitur mirë, ka nevojë për më tepër se një tërheqje të butë freri nga drejtuesi për të bërë saktësisht atë që ai do që të bëjë. Kjo tërheqje e butë freri është e barasvlershme me zërin e qetë e të vogël me të cilin Zoti na flet neve. Prej respektit për lirinë tonë të zgjedhjes, ajo nuk është kurrë një tërheqje e fortë, e dhunshme.

Burrat dhe gratë që i shpërfillin shtysat e buta të Shpirtit, shpesh do të mësojnë, sikurse mësoi djali plangprishës, nëpërmjet pasojave të natyrshme të mosbindjes dhe të jetesës së shthurur. Qe vetëm pasi pasojat e natyrshme e përulën djalin prangprishës që ai “erdhi në vete” dhe i dëgjoi pëshpëritjet e Shpirtit t’i thonin të kthehej në shtëpinë e të atit (shih Lluka 15:11–32).

Ndaj, mësimi që më dha gjyshi im, ishte që të isha gjithnjë gati për ta pranuar tërheqjen e butë të frerit nga Shpirti. Ai më mësoi se do ta merrja gjithmonë një shtysë të tillë, nëse do të ndryshoja ndonjëherë drejtim. Dhe nuk do të isha kurrë fajtor për keqbërje më të rënda, nëse do ta lejoja Shpirtin t’i udhërrëfente vendimet e mia në jetë.

Sikurse pohon Jakobi [Bibël] 3:3: “Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre”.

Ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj frerëve tanë shpirtërorë. Edhe me tërheqjen më të vogël të frerit nga Mësuesi, ne duhet të jemi të gatshëm që ta ndryshojmë tërësisht drejtimin tonë. Për t’ia dalë mbanë në jetë, ne duhet t’i mësojmë shpirtit dhe trupit tonë që të punojnë së bashku në bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Nëse ua vëmë veshin shtysave të buta të Frymës së Shenjtë, kjo mund t’i bashkojë shpirtrat dhe trupat tanë në një qëllim që do të na udhërrëfejë drejt kthimit në shtëpinë tonë të përjetshme që të jetojmë me Atin tonë në Qiell.

Neni ynë i tretë i besimit, na mëson rëndësinë e bindjes: “Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”.

Lloji i bindjes që përshkroi gjyshi im në shembullin e tij me grupin e kuajve, kërkon edhe një mirëbesim të veçantë – që është, një besim të plotë te drejtuesi i grupit. Prandaj, mësimi që më dha gjyshi, përmendte tërthorazi edhe parimin e parë të ungjillit – besimin te Jezu Krishti.

Apostulli Pal na mësoi: “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen” (Hebrenjve 11:1). Pastaj Pali përdori shembujt e Abelit, Enokut, Noeut dhe Abrahamit për të dhënë mësim mbi besimin. Ai u përqendrua te historia e Abrahamit, pasi Abrahami është ati i besnikëve:

“Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.

Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj. …

Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin” (Hebrenjve 11: 8–9, 11).

Ne e dimë se nëpërmjet birit të Abrahamit dhe Sarës, Isakut, Abrahamit dhe Sarës iu dha një premtim – premtimi i pasardhësve “të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot” (shih vargun 12; shih edhe Zanafilla 17:15–16). Dhe pastaj besimi i Abrahamit u vu në provë në një mënyrë që shumë prej nesh do ta quanin të papërfytyrueshme.

E kam përsiatur në shumë raste historinë e Abrahamit dhe të Isakut dhe ende nuk besoj se e kuptoj plotësisht besnikërinë dhe bindjen e Abrahamit. Ndoshta mund ta përfytyroj duke mbledhur plaçkat për t’u nisur herët një mëngjes, por si i hodhi ai të gjithë ato hapa në krah të djalit të tij, Isakut, në një udhëtim treditor nga fundi i malit Moriah? Si i mbajtën ata drutë për zjarr deri lart në mal? Si e ndërtoi ai altarin? Si e lidhi ai Isakun dhe e shtriu mbi altar? Si ia shpjegoi djalit se ai do të ishte flijimi? Dhe si e pati ai forcën ta ngrinte thikën për të vrarë të birin? Besimi i Abrahamit e fuqizoi atë për ta ndjekur udhëheqjen e Perëndisë me saktësi, deri në çastin e mrekullueshëm, kur një engjëll i thërriti nga qielli dhe i njoftoi Abrahamit se ai e kishte kaluar provën e tij të ankthshme. Dhe më pas, engjëlli i Zotit përsëriti premtimet e besëlidhjes me Abrahamin.

E pranoj se sfidat që lidhen me të pasurin e besimit te Jezu Krishti dhe me bindjen, do të jenë më të vështira për disa njerëz se për disa të tjerë. Kam mjaft vite përvojë për ta ditur se personaliteti i kuajve mund të jetë shumë i ndryshëm dhe, prandaj, disa kuaj mund të jenë më të lehtë apo më të vështirë për t’u stërvitur dhe se larmia e njerëzve është tej mase më e madhe. Çdonjëri prej nesh, është një bir apo bijë e Perëndisë dhe ne kemi një histori të pashoqe paratokësore e tokësore. Sipas rrethanave, ka shumë pak zgjidhje që u shkojnë për shtat të gjithëve. Dhe kështu, unë e pranoj natyrën e jetës me përpjekje dhe gabime dhe, më e rëndësishmja, nevojën e vazhdueshme për parimin e dytë të ungjillit, madje pendimin.

Është gjithashtu e vërtetë se koha gjatë së cilës jetoi gjyshi im, ishte një kohë më e thjeshtë, veçanërisht për sa u përket zgjedhjeve midis të drejtës e të gabuarës. Ndërkohë që disa njerëz shumë të zgjuar dhe të mprehtë mund të besojnë se kohët tona më të ndërlikuara duan zgjidhje gjithnjë e më të ndërlikuara, unë jam shumë larg bindjes se ata kanë të drejtë. Përkundrazi, unë jam i mendimit se ndërlikimi i sotëm do thjeshtësi më të madhe, si përgjigjja që gjyshi im i dha pyetjes sime të sinqertë rreth mënyrës se si ta bëja dallimin midis të drejtës e të gabuarës. E di se ajo që kam për të ofruar sot është një formulë e thjeshtë, por mund të dëshmoj për mënyrën se sa mirë ka funksionuar për mua. Jua rekomandoj dhe madje ju sfidoj, që t’i vini në provë fjalët e mia dhe, nëse e bëni, ju premtoj se ato do t’ju çojnë në qartësi të zgjedhjes kur të jeni të bombarduar me zgjedhje e përgjigje të thjeshta për pyetje që i pështjellojnë të diturit dhe ata që mendojnë se janë të mençur.

Shumë shpesh, ne mendojmë për bindjen si ndjekje pësore e pa u menduar të urdhrave apo diktateve të një autoriteti më të lartë. Faktikisht, në më të mirën e saj, bindja është një simbol i besimit tonë në urtësinë dhe fuqinë e autoritetit më të lartë, madje Perëndisë. Kur Abrahami tregoi besnikëri dhe bindje të palëkundur ndaj Perëndisë, madje edhe kur u urdhërua ta flijonte të birin, Perëndia e shpëtoi atë. Në mënyrë të ngjashme, kur ne e tregojmë besnikërinë tonë nëpërmjet bindjes, Perëndia përfundimisht do të na shpëtojë.

Ata që mbështeten vetëm te vetja dhe ndjekin vetëm dëshirat dhe prirjet e tyre vetjake, janë shumë të kufizuar kur krahasohen me ata që e ndjekin Perëndinë dhe ecin me trokun e mprehtësisë, fuqisë dhe dhuratave të Tij. Është thënë se ai që vetëm për vete mendon, është si një pemë që frutë nuk lëshon. Bindja e fortë dhe e gjallë është gjithçka përveçse e dobët apo pësore. Ajo është mjeti, me anë të të cilit, ne e shpallim besimin tonë te Perëndia dhe e cilësojmë veten për të marrë fuqitë e qiellit. Bindja është një zgjedhje. Ajo është zgjedhja midis njohurisë e fuqisë sonë të kufizuar dhe mençurisë e plotfuqisë së pakufizuar të Perëndisë. Sipas mësimit që më dha gjyshi im, të ndierit e frerit shpirtëror në gojën tonë dhe ndjekja e udhëheqjes së drejtuesit, është një zgjedhje.

Qofshim trashëgimtarë të besëlidhjes dhe farës së Abrahamit nëpërmjet besnikërisë dhe me anë të marrjes së ordinancave të ungjillit të rivendosur. Ju premtoj se bekimet e jetës së përjetshme janë në dispozicion të gjithkujt që është besnik e i bindur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.