Brezi i Zgjedhjeve


Ju u zgjodhët për të marrë pjesë në punën e Tij në këtë kohë, sepse Ai ka besim se ju do të bëni zgjedhjet e duhura.

Të rinj, ju ndoshta e keni dëgjuar më parë se jeni një “brez i zgjedhur”, që do të thotë se Perëndia ju zgjodhi dhe ju përgatiti që të vinit në tokë në këtë kohë për një qëllim të madhërishëm. E di se kjo është e vërtetë. Por, këtë mbrëmje, do të doja t’ju drejtohesha juve si “brezi i zgjedhjeve”, sepse kurrë më parë në histori nuk janë bekuar individët me kaq shumë zgjedhje. Më tepër zgjedhje do të thotë më tepër mundësi; më tepër mundësi do të thotë më tepër potencial për të bërë mirë dhe, fatkeqësisht, për të bërë keq. Unë besoj se Perëndia ju dërgoi këtu në këtë kohë sepse Ai ka mirëbesim se ju do t’ia dilni mbanë të bëni dallimin mes zgjedhjeve mendjeshtrydhëse që ju gjenden.

Në vitin 1974, Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Besoj se Zoti mezi pret që t’i vërë në duart tona shpikjet, të cilat ne njerëzit joprofesionistë si zor t’i kemi parë me sy” (“When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 10).

Dhe Ai i ka vënë! Ju po rriteni me një nga mjetet më të shkëlqyera për mirë në historinë e njeriut: internetin. Me të vjen një larmi e hollësishme zgjedhjesh. Ky bollëk zgjedhjesh, sidoqoftë, mban me vete një pjesë të barabartë përgjegjshmërie. Ai e lehtëson qasjen tuaj si te vetë e mira dhe te vetë e keqja që bota ka për të ofruar. Me të ju mund të arrini gjëra të mëdha në një periudhë të shkurtër kohe, ose mund të gjendeni të zënë në pusitë e pafundme të kotësisë që jua çon kohën dëm dhe e pakësojnë potencialin tuaj. Me shtypjen e një butoni, ju mund të hyni te çfarëdo gjë që t’ju dëshirojë zemra. Ky është çelësi – çfarë dëshiron zemra juaj? Çfarë gjërash ju tërheqin? Ku do t’ju çojnë dëshirat tuaja?

Mbani mend se Perëndia “u jep njerëzve sipas dëshirës së tyre” (Alma 29:4) dhe se Ai “do t’i gjykoj[ë] të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre” (DeB 137:9; shih edhe Alma 41:3).

Plaku Brus R. Mek-Konki tha: “Në një kuptim të vërtetë edhe pse figurativ, libri i jetës është regjistri i veprave të njerëzve siç ai regjistër shënohet në vetë trupat e tyre. … Kjo do të thotë se çdo mendim, fjalë e vepër ka një [efekt] te trupi njerëzor; të gjitha këto i lënë shenjat e tyre, shenja që mund të lexohen nga Ai që është i Përjetshëm me po aq lehtësi sa mund të lexohen fjalët në një libër” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 97).

Edhe interneti i regjistron dëshirat tuaja, të shprehura në formën e kërkimeve dhe klikimeve. Ka një mizëri burimesh që presin t’i plotësojnë ato dëshira. Ndërsa lundroni në internet, ju lini gjurmë – ato që komunikoni, vendin ku keni qenë, për sa kohë keni qenë atje dhe llojet e gjërave që ju interesojnë. Në këtë mënyrë, interneti krijon një profil virtual për ju – në një kuptim “librin virtual të jetës” suaj. Sikurse në jetë, interneti do t’ju japë gjithnjë e më tepër nga ajo që kërkoni. Nëse dëshirat tuaja janë të pastra, interneti mund t’i lartësojë ato, duke e bërë përherë e më të lehtë angazhimin në përçapje të denja. Por e kundërta është gjithashtu e vërtetë.

Plaku Nil A. Maksuell e shprehu në këtë mënyrë:

“Ajo që dëshirojmë me ngulmim, me kalimin e kohës, është ajo që vërtet do të bëhemi më së fundi dhe ajo që vërtet do të marrim në përjetësi. …

… Vetëm duke i edukuar dhe duke i ushtruar dëshirat tona, ato mund të bëhen aleatet tona në vend që të jenë armiket tona!” (“According to the Desire of [Our] Hearts,” Ensign, nëntor 1996, f. 21, 22).

Vëllezërit e mi të rinj, nëse nuk jeni energjikë në edukimin e dëshirave tuaja, bota do ta bëjë atë në vendin tuaj. Çdo ditë, bota kërkon të ndikojë te dëshirat tuaja, duke ju joshur të blini diçka, të klikoni te diçka, të luani me diçka, të lexoni apo të shikoni diçka. Në fund fare, zgjedhja është e juaja. Ju keni lirinë e zgjedhjes. Ajo është fuqia jo vetëm për të vepruar sipas dëshirave tuaja, por edhe për t’i përmirësuar, pastruar dhe për t’i lartësuar dëshirat tuaja. Liria e zgjedhjes është fuqia juaj për t’u bërë ai që doni. Çdo zgjedhje mund t’ju çojë më pranë ose më larg nga ajo që jeni paracaktuar të bëheni; çdo klikim ka një domethënie. Pyeteni gjithmonë veten: “Ku do të më çojë kjo zgjedhje?” Zhvillojeni aftësinë për të parë përtej çastit.

Satani dëshiron të ketë kontroll mbi lirinë tuaj të zgjedhjes që ai të mund të ketë kontroll mbi atë që ju do të bëheni. Ai e di se një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është duke ju zënë në kurth me sjellje varësuese. Zgjedhjet tuaja përcaktojnë faktin nëse teknologjia do t’ju fuqizojë apo do t’ju skllavërojë.

Më lejoni t’ju ofroj katër parime për t’ju ndihmuar juve, brezin e zgjedhjeve, që t’i edukoni dëshirat tuaja dhe që të udhëhiqni përdorimin e teknologjisë nga ana juaj.

Së pari: Dijenia se Cilët Jeni në të Vërtetë i Bën më të Lehta Vendimet

Kam një mik që e mësoi këtë të vërtetë në një mënyrë shumë vetjake. Djali i tij u rrit në ungjill, por dukej se po sorollatej shpirtërisht. Ai i refuzonte vazhdimisht mundësitë për ta ushtruar priftërinë. Prindërit e tij u zhgënjyen kur ai shpalli se kishte vendosur të mos shërbente në një mision. Miku im u lut me zell për të birin, duke shpresuar se ai do të pësonte një ndryshim të zemrës. Këto shpresa morën fund kur i biri njoftoi se qe fejuar e do të martohej. I ati iu lut të birit që të merrte bekimin e tij patriarkal. I biri pranoi më në fund, por këmbënguli që të shkonte vetëm te patriarku.

Kur u kthye pas bekimit, ai ishte shumë i prekur emocionalisht. Ai e mori të dashurën jashtë, ku mund të fliste me të vetëm për vetëm. I ati hidhte sytë vjedhurazi nga dritarja për ta parë çiftin e ri duke i fshirë lotët njëri-tjetrit.

Më vonë, djali i tregoi të atit se çfarë kishte ndodhur. Me emocion të madh, ai shpjegoi se, gjatë bekimit, ai kishte kuptuar pakëz se kush kishte qenë në botën paratokësore. Ai pa sa i guximshëm ishte dhe sa ndikim kishte për t’i bindur të tjerët ta ndiqnin Krishtin. Duke e ditur se kush ishte në të vërtetë, si mund të mos shërbente ai në një mision?

Të rinj, kujtoni se cilët jeni në të vërtetë. Kujtoni se ju mbani priftërinë e shenjtë. Kjo do t’ju frymëzojë të bëni zgjedhje të duhura teksa përdorni internetin dhe gjatë gjithë jetës suaj.

Së dyti: Vëreni Veten në Prizë te Burimi i Energjisë

Pikërisht në pëllëmbën e dorës suaj, ju keni urtësinë e epokave – më e rëndësishmja, fjalët e profetëve, nga kohët e Dhiatës së Vjetër deri në kohën e Presidentit Tomas S. Monson. Por nëse nuk e karikoni rregullisht telefonin tuaj celular, ai është i papërdorshëm dhe ju ndiheni të humbur dhe jashtë çdo komunikimi. Nuk do të mendonit kurrë që të kalonte një ditë pa e karikuar baterinë tuaj.

Aq e rëndësishme sa është që të dilni nga shtëpia çdo ditë me karikim të plotë të telefonit tuaj celular, akoma më e rëndësishme është të jesh plotësisht i karikuar shpirtërisht. Sa herë që e vini në prizë telefonin tuaj, përdoreni atë si një kujtues për ta pyetur veten a e keni vënë veten në prizën e burimit më të rëndësishëm të energjisë shpirtërore – të lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, që do t’ju karikojnë me frymëzim nga Fryma e Shenjtë (shih DeB 11:12–14). Do t’ju ndihmojë ta dini mendjen dhe vullnetin e Zotit për të bërë zgjedhjet e vogla, por të rëndësishme dhe të përditshme që përcaktojnë drejtimin tuaj. Shumë prej nesh, e ndalin menjëherë çfarëdo që po bëjnë për të lexuar një mesazh në celular – a nuk duhet t’iu kushtojmë më shumë rëndësi mesazheve nga Zoti? Shpërfillja ndaj lidhjes me këtë energji duhet të jetë e pamendueshme për ne (shih 2 Nefi 32:3).

Së treti: Zotërimi i një Telefoni Smart [Të Zgjuar] Nuk ju Bën Të Zgjuar; por Përdorimi i Tij me Mençuri Mund t’ju Bëjë

Të rinj, mos bëni gjëra të pamenda me telefonin tuaj smart. Ju e dini të gjithë se për çfarë e kam fjalën (shih Mosia 4:29). Ka mënyra të panumërta se si teknologjia mund t’ju shpërqendrojë nga ajo që është më e rëndësishmja. Zbatoni fjalën e urtë: “Aty ku vete, merre kokën me vete”. Kur jeni duke ngarë makinën, ngitni makinën. Kur jeni në mësim, përqendrohuni te mësimi. Kur jeni me shokë, jepuni atyre vëmendjen tuaj si dhuratë. Truri juaj nuk mund të përqendrohet në dy gjëra njëkohësisht. Bërja e shumë detyrave njëkohësisht do të thotë ta zhvendosni përqendrimin tuaj me shpejtësi nga një gjë te tjetra. Një fjalë e urtë e vjetër thotë: “Nuk mund të mbash dy kunguj në një sqetull”.

Së katërti: Zoti e Siguron Teknologjinë për të Përmbushur Qëllimet e Tij

Qëllimi hyjnor i teknologjisë është që të përshpejtojë punën e shpëtimit. Si anëtarë të një brezi zgjedhjesh, ju e kuptoni teknologjinë. Përdoreni atë për të fituar shpejtësi në përparimin tuaj drejt përsosurisë. Sepse shumë ju është dhënë, edhe ju duhet të jepni (shih “Because I Have Been Given Much [Sepse Shumë më Është Dhënë]”, Hymns, nr. 219). Zoti pret nga ju që t’i përdorni këto mjete të mrekullueshme për ta ngritur punën e Tij në një nivel më të lartë, për ta ndarë ungjillin në mënyra që janë përtej përfytyrimit më të shfrenuar të brezit tim. Ndërkohë që brezat e kaluar kanë ndikuar te fqinjët dhe te qyteti i tyre, ju keni fuqinë të arrini përtej kufijve dhe të ndikoni te një botë e tërë përmes internetit dhe medias shoqërore.

Unë dëshmoj se kjo është Kisha e Zotit. Ju u zgjodhët për të marrë pjesë në punën e Tij në këtë kohë, sepse Ai ka besim se ju do të bëni zgjedhjet e duhura. Ju jeni brezi i zgjedhjeve. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.