Barra e Gëzueshme e Dishepullimit


T’i mbështetim udhëheqësit tanë është një privilegj; ai vjen i lidhur me një përgjegjësi vetjake për ta mbajtur së bashku barrën e tyre dhe për të qenë dishepuj të Zotit.

Më 20 maj të vitit të kaluar, një tornado e stërmadhe grushtoi rrethinat e Oklahoma-Sitit, në zemër të Amerikës, duke lënë gjurmë shkatërrimi mbi 1.6 km të gjerë dhe 27 km të gjatë. Kjo stuhi, një sulm i furishëm tornadosh shkretuese, e shndërroi peizazhin dhe jetën e njerëzve në shtegun e vet.

Pikërisht një javë pasi goditi stuhia e stërmadhe, unë u caktova të vizitoja zonën ku shtëpitë dhe sendet vetjake qenë shpërndarë nëpër lagjet e rrafshuara e të rrënuara.

Përpara se të largohesha, fola me profetin tonë të dashur, Presidentin Tomas S. Monson, që u gëzohet shumë punëve të tilla për Zotin. Me respekt të lindur jo vetëm nga detyra e tij, por edhe nga mirësia e tij, pyeta: “Çfarë dëshiron që të bëj? Çfarë dëshiron që të them?”

Ai më kapi për dore me butësi, siç do të kishte bërë me çdonjërën prej viktimave dhe me çdonjërin prej njerëzve që po ndihmonin lidhur me shkatërrimin, po të kishte qenë atje dhe tha:

“Së pari, thuaju atyre që i dua.

Së dyti, thuaju se po lutem për ta.

Së treti, të lutem, falënderoji të gjithë ata që po ndihmojnë.”

Si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, mund ta ndieja peshën mbi supet e mi në fjalët që Zoti i tha Moisiut:

“Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; …

Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty [Moisi] dhe do t’ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe të mos e mbash ti vetëm.”1

Këto janë fjalë nga kohët e lashta e prapëseprapë mënyrat e Zotit nuk kanë ndryshuar.

Aktualisht në Kishë, Zoti ka thirrur 317 Të Shtatëdhjetë, që po shërbejnë në 8 kuorume, për t’iu ardhur në ndihmë Dymbëdhjetë Apostujve në mbajtjen e barrës së vendosur mbi Presidencën e Parë. E ndiej gëzueshëm atë përgjegjësi në thellësi të shpirtit tim, sikurse bashkëvëllezërit e mi. Megjithatë, ne nuk jemi të vetmit që po ndihmojmë në këtë punë të lavdishme. Si anëtarë të Kishës në botën mbarë, ne të gjithë kemi mundësinë e mrekullueshme për të bekuar jetën e të tjerëve.

Kisha mësuar nga profeti ynë i dashur se çfarë u nevojitej njerëzve të tronditur nga stuhia – dashuri, lutje dhe vlerësim për duart ndihmëtare.

Këtë pasdite, secili prej nesh do të ngrejë ndershmërisht krahun e tij të djathtë e të mbështetë Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ky nuk është thjesht formalitet e as nuk ruhet vetëm për ata që thirren në shërbim të përgjithshëm. T’i mbështetim udhëheqësit tanë është një privilegj; ai vjen i lidhur me një përgjegjësi vetjake për ta mbajtur së bashku barrën e tyre dhe për të qenë dishepuj të Zotit Jezu Krisht.

Presidenti Monson ka thënë:

“Ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë dhe mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq, të njohur apo të huaj. Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh. …

‘… Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre … , këtë ma bëtë mua’ [Mateu 25:40].”2

A do të përgjigjemi me dashuri kur para nesh të jetë një mundësi për të bërë një vizitë, një telefonatë, për të shkruar një pusullë, ose për të kaluar një ditë duke plotësuar nevojat e dikujt tjetër? Apo do të jemi si i riu i cili deklaroi t’i zbatonte të gjitha urdhërimet e Perëndisë:

“‘Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?’

Jezusi i tha: ‘Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua’.”3

I riu po thirrej për një shërbim më të madh në krah të Zotit për të bërë punën e mbretërisë së Perëndisë në tokë, e prapëseprapë ai u largua “sepse kishte pasuri të madhe”4.

Çfarë ndodh me zotërimet tona? Ne mund ta shohim se çfarë mund të bëjë një tornado me to në vetëm pak minuta. Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne që të mundohemi t’i mbledhim thesaret tona në qiell – duke e përdorur kohën, talentet dhe lirinë tonë të zgjedhjes në shërbim të Perëndisë.

Jezu Krishti vazhdon ta bëjë thirrjen: “Eja dhe më ndiq”5. Ai eci nëpër vendlindjen e Tij me ndjekësit e Tij në një mënyrë vetëmohuese. Ai vazhdon të ecë me ne, të na qëndrojë pranë e të na udhëheqë. Të ndjekësh shembullin e Tij të përsosur është ta njohësh dhe ta nderosh Shpëtimtarin që i ka mbajtur të gjitha barrët tona nëpërmjet Shlyerjes së Tij të shenjtë e shpëtuese, vepra më e madhërishme e shërbimit. Ajo që Ai kërkon nga secili prej nesh, është të jemi të aftë dhe të gatshëm ta mbajmë “barrën” e gëzueshme të dishepullimit.

Kur isha në Oklahoma, pata mundësinë të takohesha me disa familje të rrënuara nga tornadot e fuqishme. Teksa po bisedoja me familjen Sorrels, u preka veçanërisht nga përvoja e bijës së tyre, Torit, që në atë kohë ishte në klasën e pestë të shkollës fillore Plaza Tauërs. Ajo dhe nëna e saj janë këtu me ne sot.

Tori dhe një dorë shokësh e shoqesh u mblodhën kruspull në një tualet si strehë teksa tornado gjëmonte nëpër shkollë. Dëgjoni teksa e lexoj, me vetë fjalët e Torit, rrëfimin e asaj dite:

“Dëgjova diçka që goditi çatinë. Mendova se ishte thjesht shkreptimë. Tingulli u bë gjithnjë e më i fortë. Bëra një lutje që Ati Qiellor të na mbronte e të na mbante të sigurt të gjithëve. Befas, dëgjuam një tingull të lartë si ai i fshesës me korrent dhe çatia u zhduk pikërisht mbi kokat tona. Kishte shumë erë dhe copëra që fluturonin rreth e rrotull e po goditnin çdo pjesë të trupit tim. Jashtë ishte errësirë dhe dukej sikur qielli ishte i zi, por nuk ishte ai – ishte brendësia e tornados. Unë thjesht mbylla sytë duke shpresuar e duke u lutur se do të mbaronte shpejt.

Papritmas u bë qetësi.

Kur i hapa sytë, pashë një shenjë [rrugore] ‘Ndal!’ mu përpara syve të mi! Ajo pothuajse po më prekte hundën.”6

Tori, e ëma, tre nga vëllezërit e motrat e saj dhe shokë të shumtë që ishin gjithashtu në shkollë me të, i mbijetuan mrekullisht tornados; shtatë prej shokëve të tyre të shkollës nuk ia dolën.

Atë fundjavë, vëllezërit me priftëri u dhanë shumë bekime anëtarëve që kishin vuajtur në stuhi. Pata nderin t’i jepja Torit një bekim. Teksa i vendosa duart e mia mbi kokën e saj, më erdhi në mendje një shkrim i shenjtë i parapëlqyer: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”7

E këshillova Torin ta mbante mend ditën kur një shërbëtor i Zotit i vuri duart e tij mbi kokën e saj dhe shqiptoi se në stuhi ajo ishte mbrojtur nga engjëjt.

Zgjatja për të shpëtuar njëri-tjetrin, nën çdo rrethanë, është një matje e përjetshme dashurie. Ky është shërbimi që dëshmova në Oklahoma atë javë.

Shpesh, na jepet mundësia për t’i ndihmuar të tjerët në kohë nevoje. Si anëtarë të Kishës, ne të gjithë kemi një përgjegjësi të shenjtë që “të mbaj[më] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”8, “të vajto[jmë] me atë që vajtojnë”9, të “ngr[emë] duart që varen poshtë dhe [të] forco[jmë] gjunjët e këputur”10.

Vëllezër e motra, sa mirënjohës është Zoti për secilin dhe çdonjërin prej jush, për orët dhe veprat e panumërta të shërbimit, qoftë të mëdha apo të vogla, që ju jepni me kaq bujari e mirësjellje çdo ditë.

Mbreti Beniamin dha mësim në Librin e Mormonit: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”11.

Përqendrimi tek të shërbyerit ndaj vëllezërve e motrave tona mund të na udhërrëfejë që të marrim vendime hyjnore në jetën tonë të përditshme e na përgatit që ta vlerësojmë e ta duam atë që Zoti do. Duke bërë kështu, ne e dëshmojmë me vetë jetën tonë se jemi dishepujt e Tij. Kur jemi të angazhuar në punën e Tij, ne e ndiejmë Shpirtin e Tij me vete. Ne rritemi në dëshmi, besim, mirëbesim dhe dashuri.

Unë e di se Shëlbuesi im jeton, madje Jezu Krishti dhe që Ai flet me dhe nëpërmjet profetit të Tij, Presidentit tonë të dashur Tomas S. Monson, në këtë kohë, kohën tonë.

E gjetshim të gjithë gëzimin që vjen nga shërbimi i shenjtë i mbajtjes së barrave të njëri-tjetrit, madje dhe ato të thjeshtat e të voglat, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1.  Numrat 11:16–17.

  2.  

    2. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 86, 87.

  3.  

    3.  Mateu 19:20–21.

  4.  

    4.  Mateu 19:22.

  5.  

    5.  Mateu 19:21.

  6.  

    6. Përvojë e Victoria (Tori) Sorrels-it, e ritreguar më 16 janar 2014.

  7.  

    7.  Doktrina e Besëlidhje 84:88.

  8.  

    8.  Mosia 18:8.

  9.  

    9.  Mosia 18:9.

  10.  

    10.  Doktrina e Besëlidhje 81:5.

  11.  

    11.  Mosia 2:17.