2010–2019
Burri i Priftërisë
Prill 2014


Burri i Priftërisë

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Ju mund të jeni një model i shkëlqyer, një model mesatar ose një model i keq. Mund të mendoni se nuk ka rëndësi për ju, por ja që ka rëndësi për Zotin.

Ne të gjithë kemi heronj, veçanërisht kur jemi të vegjël. Unë u linda dhe u rrita në Prinston të Nju-Xhërsit në Shtetet e Bashkuara. Ekipet më të famshme të sportit atje ku jetoja unë, ishin vendosur në qytetin e Nju-Jorkut. Ai ishte shtëpia e tre ekipeve profesioniste të bejsbollit në ato ditë të largëta: Doxhërsat e Bruklinit, Xhajëntsat e Nju-Jorkut dhe Jenkit e Nju-Jorkut. Filadelfia ishte akoma më afër shtëpisë sonë dhe ishte shtëpia e ekipeve të bejsbollit Atletiks dhe Fillis. Kishte shumë heronj të mundshëm bejsbolli për mua në ato ekipe.

Xho DiMazhio, i cili luante për Jenkis të Nju-Jorkut, u bë heroi im i bejsbollit. Kur vëllezërit dhe shokët e mi luanin bejsboll në rrethinat e shkollës ngjitur me shtëpinë tonë, unë përpiqesha ta vërtitja shkopin e bejsbollit siç mendoja se e bënte Xho DiMazhio. Kjo ishte para kohës së televizionit (ky është një tregim i lashtë), ndaj unë kisha në përdorim vetëm fotografi nga gazetat për ta kopjuar vërtitjen e tij të shkopit.

Kur po rritesha, babai më çoi me makinë në Stadiumin Jenki. Ajo ishte e vetmja herë që e pashë Xho DiMazhion të luante. Sikur të isha ende atje, unë mund ta shoh me sytë e mendjes tek e lëkund shkopin dhe e shoh topin e bardhë të fluturojë drejt dhe te karriget e shikuesve përtej pjesës qendrore të fushës.

Tani, aftësitë e mia të bejsbollit nuk iu përafruan kurrë atyre të heroit tim të fëmijërisë. Por ato pak herë kur e godita mirë një top bejsbolli, unë e kopjova me aq sa munda mënyrën e vërtitjes së tij të fuqishme të shkopit.

Kur zgjedhim heronj, ne fillojmë të kopjojmë, me ose pa vetëdije, ato që çmojmë më shumë tek ata.

Për fat të mirë, prindërit e mi të mençur vunë heronj të shkëlqyer në shtegun tim kur isha fëmijë. Babai më çoi në Stadiumin Jenki vetëm një herë për ta vëzhguar heroin tim të bejsbollit teksa luante, por çdo të diel ai më lejonte të vëzhgoja një burrë të priftërisë që u bë hero. Ai hero i dha trajtë jetës sime. Im atë ishte presidenti i degës së vogël që takohej në shtëpinë tonë. Me që ra fjala, nëse zbrisje në katin e parë të dielën në mëngjes, ishe në kishë. Dega jonë nuk kishte kurrë më tepër se 30 njerëz që merrnin pjesë.

Atje ishte një i ri që e sillte të ëmën me makinë në shtëpinë tonë për mbledhjet, por nuk hynte kurrë në shtëpi. Ai nuk ishte anëtar. Ishte babai im që ia doli mbanë duke shkuar jashtë, atje ku ai kishte parkuar makinën dhe duke e ftuar atë në shtëpinë tonë. Ai u pagëzua dhe u bë udhëheqësi im i parë e i vetëm i Priftërisë Aarone. Ai u bë heroi im i priftërisë. Ende e kujtoj statujën e drunjtë që më dha si shpërblim, pasi kishim përfunduar një projekt për të prerë dru për një vejushë. Jam përpjekur të jem si ai sa herë që bëj lavdërime të merituara për një shërbëtor të Perëndisë.

Zgjodha një hero tjetër në atë degë të vogël të Kishës. Ai ishte një Marins i Shteteve të Bashkuara që vinte në mbledhjet tona i veshur me uniformën e tij të gjelbër të marinsit. Ishte kohë lufte ndaj, thjesht kjo, e bëri atë heroin tim. Ai ishte dërguar në Universitetin Prinston nga marina që ta çonte më tej arsimimin e tij. Por përveç admirimit të uniformës së tij ushtarake, unë e pashë atë të luante në Stadiumin Palmer si kapiten i ekipit të futbollit amerikan të Universitetit Prinston. E pashë atë të luante në ekipin e basketbollit të universitetit dhe e pashë gjithashtu të luante si pritësi më i mirë i topit në ekipin e tyre të bejsbollit.

Por, për më tepër, ai erdhi në shtëpinë time gjatë javës për të më treguar si ta hidhja një top basketbolli si me dorën e majtë, edhe me të djathtën. Ai më tha se do të më nevojitej ajo aftësi, sepse një ditë do të luaja basketboll me ekipe të mira. Nuk e kuptova këtë atëherë, por për vite me radhë, ai për mua ishte modeli i një burri të vërtetë të priftërisë.

Secili prej jush do të jetë model i një burri të priftërisë, nëse e dëshironi apo jo. Ju u bëtë një qiri i ndezur kur e pranuat priftërinë. Zoti ju vendosi mbi shandan që t’ia ndriçoni udhën çdokujt që ju rrethon. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata që janë në kuorumin tuaj të priftërisë. Ju mund të jeni një model i shkëlqyer, një model mesatar ose një model i keq. Mund të mendoni se nuk ka rëndësi për ju, por ja që ka rëndësi për Zotin. Ai e shprehu në këtë mënyrë:

“Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.

Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.”1

Unë jam bekuar nga shembujt e mbajtësve të shkëlqyer të priftërisë në kuorumet ku kam pasur fatin të shërbej. Ju mund të bëni atë që ata kanë bërë për mua, duke qenë një shembull për t’u ndjekur nga të tjerët.

Kam vrojtuar tri karakteristika të përbashkëta të mbajtësve të priftërisë që janë heronjtë e mi. Njëra është modeli i lutjes, e dyta është zakoni i shërbimit dhe e treta është një vendim i fortë si shkëmbi për të qenë të ndershëm.

Ne të gjithë lutemi, por mbajtësi i priftërisë që ju dëshironi të jeni, lutet shpesh dhe me qëllim të vërtetë. Në mbrëmje ju do të uleni në gjunjë dhe ta falënderoni Perëndinë për bekimet e ditës. Ju do ta falënderoni Atë për prindërit, për mësuesit dhe për shembujt e shkëlqyer për t’u ndjekur. Ju do të përshkruani me hollësi në lutjet tuaja se kush dhe si jua ka bekuar jetën gjatë asaj dite. Për këtë do të duhen më shumë se pak minuta dhe më shumë se pak mendim. Kjo do t’ju befasojë e do t’ju ndryshojë.

Teksa luteni për falje, do ta gjeni veten duke i falur të tjerët. Teksa e falënderoni Perëndinë për mirësinë e Tij, ju do të mendoni për të tjerë që kanë nevojë për mirësinë tuaj. Përsëri, kjo përvojë do t’ju befasojë çdo ditë dhe, me kalimin e kohës, do t’ju ndryshojë.

Jua premtoj se, një mënyrë se si do të ndryshoheni nga një lutje e tillë e zjarrtë, është që do të ndieni se jeni vërtet një fëmijë i Perëndisë. Kur e dini se jeni fëmijë i Perëndisë, do të dini gjithashtu se Ai pret shumë nga ju. Për shkak se jeni fëmija i Tij, Ai do të presë nga ju që t’i zbatoni mësimet e Tij dhe mësimet e Birit të Tij të dashur, Jezu Krishtit. Ai do të presë që ju të jeni zemërgjerë e të sjellshëm me të tjerët. Ai do të zhgënjehet nëse jeni krenarë dhe vetëdashës. Ai do t’ju bekojë që të keni dëshirë për t’i vënë interesat e të tjerëve mbi tuajat.

Disa prej jush janë tashmë modele të shërbimit vetëmohues të priftërisë. Në tempujt përqark botës, mbajtësit e priftërisë mbërrijnë para lindjes së diellit. Dhe disa shërbejnë edhe shumë kohë pas perëndimit. Nuk ka vlerësim ose brohoritje publike në këtë botë për atë sakrificë kohe dhe përpjekjeje. Unë kam shkuar me të rinjtë teksa u shërbejnë atyre që ndodhen në botën e shpirtrave, të cilët nuk patën mundësi t’i merrnin bekimet e tempullit për veten e tyre.

Ndërsa shoh lumturi në vend të lodhjes në fytyrat e atyre që shërbejnë atje herët dhe vonë, e di se ka shpërblime të mëdha në këtë jetë për atë lloj shërbimi vetëmohues të priftërisë, por ato janë vetëm një simbol i gëzimit që do të ndajnë me ata, të cilëve u shërbyen në botën e shpirtrave.

E kam parë po të njëjtën lumturi, në fytyrat e atyre që u flasin të tjerëve rreth bekimeve që vijnë nga të qenit pjesë e mbretërisë së Perëndisë. Di për një president dege që u çon misionarëve thuajse përditë njerëz për t’iu dhënë mësim. Vetëm pak muaj më parë, ai nuk ishte ende anëtar i Kishës. Tani ka misionarë duke dhënë mësim dhe një degë që po rritet në numër dhe në forcë për shkak të tij. Por më tepër se kaq, ai është një dritë për të tjerët që do ta hapin gojën dhe kështu do ta përshpejtojnë mbledhjen e Zotit për fëmijët e Atit Qiellor.

Teksa luteni dhe u shërbeni të tjerëve, njohuria juaj se jeni fëmijë i Perëndisë dhe ndjenjat tuaja për Të do të rriten. Ju do të bëheni më të vetëdijshëm që Ai trishtohet nëse ju tregoheni të pandershëm në ndonjë mënyrë. Ju do të jeni më të vendosur për ta mbajtur fjalën që i keni dhënë Perëndisë dhe të tjerëve. Ju do të jeni më të ndërgjegjshëm për të mos marrë ndonjë gjë që nuk ju përket. Ju do të jeni më të ndershëm me punëdhënësit tuaj. Ju do të jeni më të vendosur të jeni në orar e ta kryeni çdo detyrë që ju jepet nga Zoti, të cilën e keni pranuar ta bëni.

Në vend që të pyesin veten a do të vijnë mësuesit e shtëpisë, fëmijët në familjet të cilave jeni thirrur t’u jepni mësim, do ta presin me padurim vizitën tuaj. Fëmijët e mi e kanë marrë atë bekim. Teksa rriteshin, ata kishin heronj të priftërisë që i ndihmuan të përcaktonin drejtimet e tyre vetjake në shërbim të Zotit. Ai shembull i bekuar tani po kalon në brezin e tretë.

Mesazhi im është gjithashtu një mesazh falënderimi.

Ju falënderoj për lutjet tuaja. Ju falënderoj që gjunjëzoheni duke e pranuar faktin se nuk i keni të gjitha përgjigjet. Ju i luteni Perëndisë së qiellit për të shprehur mirënjohjen tuaj dhe për të ftuar bekimet e Tij në jetën tuaj e në familjet tuaja. Ju falënderoj për shërbimin tuaj ndaj të tjerëve dhe për rastet kur nuk ndiet nevojë për mirënjohje nga të tjerët për shërbimin tuaj.

Ne e kemi pranuar paralajmërimin e Zotit se, nëse kërkojmë merita në këtë botë për shërbimin tonë, ne mund të humbasim bekime më të mëdha. Ju do t’i mbani mend këto fjalë:

“Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,

që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas”2.

Ata që kanë qenë modelet e mia të mbajtësve të shkëlqyer të priftërisë, nuk e dallojnë lehtë se zotërojnë cilësi heroike. Në fakt, ata duket se kanë vështirësi t’i shikojnë ato gjëra që unë i çmoj aq shumë tek ata. E përmenda se babai im ishte president besnik i një dege të vockël të Kishës në Nju-Xhërsi. Ai më vonë, ishte anëtar i bordit të përgjithshëm të Kishës për Shkollën e së Dielës. Prapëseprapë, unë jam i kujdesshëm sot që të flas me thjeshtësi për shërbimin e tij të priftërisë, ngaqë ai ishte njeri i thjeshtë.

E njëjta gjë vlen edhe për anëtarin e marinsave që ishte heroi i fëmijërisë time. Ai nuk më foli kurrë për shërbimin e tij të priftërisë apo për arritjet e tij. Ai thjesht bëri shërbim. Unë mësova për besnikërinë e tij nga të tjerët. Nuk mund të thoja, nëse edhe ai arrinte t’i shihte te vetja karakteristikat që unë çmoja.

Ndaj, këshilla ime për ju që dëshironi t’i bekoni të tjerët me priftërinë tuaj, ka të bëjë me jetën tuaj që është e fshehtë për të gjithë përveçse për Perëndinë.

Lutjuni Atij. Falënderojeni Atë për gjithçka të mirë në jetën tuaj. Kërkojini Atij të dini se cilët individë Ai i ka vënë në udhën tuaj që ju t’u shërbeni. Përgjërohuni që Ai t’ju ndihmojë ta bëni atë shërbim. Lutuni që të mund të falni dhe që ju të mund të faleni. Pastaj shërbejuni atyre, duajini ata dhe falini ata.

Mbi të gjitha, kujtoni se nga të gjitha shërbimet që bëni, asnjëri nuk është më i madhërishëm sesa t’i ndihmoni njerëzit të zgjedhin të kualifikohen për jetën e përjetshme. Perëndia na e ka dhënë atë drejtim gjithëpërfshirës mbi mënyrën se si ta përdorim priftërinë tonë. Ai është shembulli i përsosur i kësaj. Ky është shembulli që e shohim në një pjesë të vogël te më të mirët e shërbëtorëve të Tij në vdekshmëri:

“Dhe Zoti Perëndi i foli Moisiut, duke thënë: ʻQiejt, ata janë shumë dhe nuk mund të numërohen prej njeriut; por ata numërohen prej meje, sepse janë të mitë.

Dhe ndërsa një tokë do të shkatërrohet dhe qiejt e saj, madje kështu do të vijë një tjetër; dhe nuk ka fund për veprat e mia, as për fjalët e mia.

Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.’”3

Ne duhet të ndihmojmë në atë punë. Secili prej nesh mund të sjellë një ndryshim. Ne jemi përgatitur për kohën dhe vendin tonë në ditët e fundit të asaj pune të shenjtë. Çdonjëri prej nesh është bekuar me shembuj të atyre që e kanë bërë atë punë, qëllimin kryesor të kohës së tyre në tokë.

Unë lutem që ne të mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta shfrytëzuar atë mundësi.

Perëndia, Ati, jeton dhe do t’iu përgjigjet lutjeve tuaja për ndihmën që ju nevojitet për t’i shërbyer mirë Atij. Jezu Krishti është Zoti i ringjallur. Kjo është Kisha e Tij. Priftëria që mbani, është fuqia për të vepruar në emrin e Tij, në veprën e Tij për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë. Teksa i jepeni me gjithë zemër kësaj pune, Ai do t’ju lartësojë. Unë e premtoj këtë, në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.