2010–2019
Ringjallja e Jezu Krishtit
Prill 2014


Ringjallja e Jezu Krishtit

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

Jezusi i Nazaretit është Shëlbuesi i ringjallur dhe dëshmoj për gjithçka që rrjedh nga fakti i Ringjalljes së Tij.

Një ndjesi dërrmuese disfate e dëshpërimi i kaploi dishepujt e Tij teksa Jezusi vuajti dhe vdiq në kryq dhe trupi i Tij i pajetë u vendos në varr. Pavarësisht nga ajo që Shpëtimtari kishte thënë në mënyrë të përsëritur për vdekjen dhe ngritjen e Tij pasuese sërish, ata nuk e kishin kuptuar. Pasditja e errët e Kryqëzimit të Tij, sidoqoftë, u ndoq shpejt nga mëngjesi i gëzueshëm i Ringjalljes së Tij. Por ai gëzim erdhi vetëm kur dishepujt u bënë dëshmitarë okularë të Ringjalljes, pasi edhe shpallja e engjëjve që Ai ishte ngritur, ishte në fillim e pakuptueshme – ishte diçka kaq tërësisht e pandodhur më parë.

Maria Magdalena dhe disa gra të tjera besnike shkuan herët në varrin e Shpëtimtarit atë të diel në mëngjes, duke sjellë erëza dhe vajra për të përfunduar vajosjen e filluar kur trupi i Zotit u shtri me ngut në varr përpara se të vinte Shabati. Në këtë mëngjes mbi mëngjeset, ato i priti një varr i hapur, guri që mbulonte hyrjen qe rrokullisur tutje dhe dy engjëj që shpallën:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”1

“Ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.

Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri.”2

Siç u urdhërua nga engjëjt, Maria Magdalena pa te varri, por duket se gjithçka që u regjistrua në mendjen e saj, ishte që trupi i Zotit ishte zhdukur. Ajo nxitoi për t’ua raportuar Apostujve dhe pasi gjeti Pjetrin dhe Gjonin, u tha atyre: “E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë”3. Pjetri dhe Gjoni vrapuan për te vendi dhe verifikuan a ishte me të vërtetë i zbrazët varri, duke parë “pëlhurat prej liri që ishin … dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit … e palosur në një vend, veç”4. Gjoni me sa duket ishte i pari që e kuptoi mesazhin madhështor të ringjalljes. Ai shkruan se “pa dhe besoi”, ndonëse të tjerët deri në atë pikë “nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit [Jezusi] duhet të ringjallej së vdekurish”5.

Pjetri dhe Gjoni u larguan, por Maria qëndroi prapa, ende duke vajtuar. Gjatë kësaj kohe, engjëjt ishin kthyer dhe e pyetën atë me dhimbsuri: “‘O grua, pse po qan?’ Ajo iu përgjigj atyre: ‘Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë’.”6 Në atë çast, Shpëtimtari i ringjallur që tani qëndronte në këmbë prapa saj, i foli: “‘O grua, pse po qan? Kë kërkon?’ Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha [me përgjërim]: ‘Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr’.”7

Plaku Xhejms E. Talmeixh shkroi: “Ishte Jezusi, Ai me të cilin ajo foli, Zoti i saj i dashur, edhe pse ajo nuk e dinte. Një fjalë nga buzët e Tij të gjalla, e shndërruan hidhërimin e saj të munduar në gëzim të papërmbajtur. Jezusi i tha asaj: ‘Mari’. Zëri, toni, theksi i butë që ajo kishte dëgjuar dhe dashur në ditët e mëparshme, e ngritën atë nga thellësitë dëshpëruese në të cilat ishte fundosur. Ajo u kthye dhe pa Zotin. Në një kaplim gëzimi ajo i zgjati krahët e saj për ta përqafuar Atë, duke shqiptuar vetëm fjalën e shtrenjtë e adhuruese: ‘Rabboni’, që do të thotë Mësuesi im i dashur.”8

Dhe kështu, kjo grua e bekuar u bë e vdekshmja e parë që e shihte dhe i fliste Krishtit të ringjallur. Më vonë po atë ditë, Ai iu shfaq Pjetrit në ose pranë Jerusalemit9; dy dishepujve rrugës për në Emaus10; dhe në mbrëmje 10 Apostujve e të tjerëve, duke u shfaqur papritmas në mes tyre duke thënë: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”11. Më pas, për t’i bindur me tej “duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur”12, Ai hëngri një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti përpara tyre13. Më vonë, Ai i udhëzoi ata: “Do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut”14.

Përveç këtyre dëshmive të vërtetuara në Jerusalem, ne kemi shërbesën e pakrahasueshme të Zotit të ngritur te banorët e lashtë të hemisferës perëndimore. Në tokën Begati, Ai zbriti nga qielli dhe e ftoi turmën e grumbulluar, afro 2.500 veta, që të vinin përpara një e nga një derisa ata të gjithë shkuan përpara duke i vënë duart në gjymtyrët e Tij e duke i ndier gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij.15

“Dhe kur të gjithë shkuan përpara dhe dëshmuan nga vetja e tyre, ata thirrën njëzëri, duke thënë:

‘Hosana! I bekuar qoftë emri i Më të Lartit Perëndi!’ Dhe ata ranë te këmbët e Jezusit dhe e adhuruan atë.”16

Ringjallja e Krishtit tregon se ekzistenca e Tij është e pavarur dhe e përhershme. “Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete.”17 Jezusi tha:

“Prandaj Ati [im] më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri.”18

Shpëtimtari nuk varet për jetën nga ushqimi ose uji apo oksigjeni a ndonjë substancë, fuqi apo njeri tjetër. Edhe si Jehova, edhe si Mesia, Ai është i madhërishmi Unë Jam, Perëndia vetekzistues.19 Ai thjesht është dhe do të jetë përgjithnjë.

Me anë të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti i ka mposhtur të gjitha anët e Rënies. Vdekja fizike do të jetë e përkohshme dhe madje vdekja shpirtërore ka një fund, në atë që të gjithë do të kthehen në praninë e Perëndisë, të paktën përkohësisht, për t’u gjykuar. Ne mund të kemi mirëbesim e siguri përfundimtare në fuqinë e Tij për ta mposhtur gjithçka tjetër e për të na dhuruar jetë të përjetshme.

“Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.

Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.”20

Në fjalët e Plakut Nill A. Maksuell: “Fitorja e Krishtit mbi vdekjen i dha fund gjendjes së vështirë njerëzore. Tani ka vetëm gjendje të vështira vetjake dhe prej tyre gjithashtu ne mund të shpëtohemi duke zbatuar mësimet e atij që na shpëtoi nga zhdukja e përgjithshme.”21

Duke qenë se i përmbushi kërkesat e drejtësisë, Krishti tani hyn në vendin e drejtësisë; ose mund të themi, Ai është drejtësia, pikërisht siç Ai është dashuria.22 Po ashtu, përveç të qenit një Perëndi “i përsosur e i drejtë”, Ai është një Perëndi i përsosur e i mëshirshëm.23 Ndaj, Shpëtimtari i rregullon të gjitha gjërat. Asnjë padrejtësi në vdekshmëri nuk është e përhershme, madje as vdekja, sepse Ai e rikthen jetën sërish. Asnjë dëmtim, paaftësi, tradhti apo shpërdorim nuk kalon pa u dëmshpërblyer në fund për shkak të drejtësisë dhe mëshirës së Tij përfundimtare.

Në të njëjtën mënyrë, ne jemi të gjithë përgjegjës para Tij për jetën, zgjedhjet dhe veprimet tona, madje edhe për mendimet tona. Për shkak se na ka shëlbuar nga Rënia, jeta jonë në të vërtetë është e Tija. Ai shpalli:

“Vini re, unë ju kam dhënë ungjillin tim dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ashtu si unë u ngrita nga njerëzit, ashtu dhe njerëzit të ngrihen nga Ati, që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga.”24

Merrni parasysh për një çast rëndësinë e Ringjalljes për zgjidhjen një herë e mirë të identitetit të vërtetë të Jezusit të Nazaretit dhe për përplasjet filozofike dhe pyetjet e mëdha të jetës. Nëse Jezusi në fakt u ringjall me kuptimin e plotë të fjalës, kjo ndiqet patjetër nga fakti se Ai është një qenie hyjnore. Asnjë i vdekshëm i thjeshtë nuk e ka fuqinë brenda vetes që të vijë në jetë përsëri pasi vdes. Për shkak se u ringjall, Jezusi nuk mund të ketë qenë vetëm një marangoz, një mësues, një rabbi apo një profet. Për shkak se u ringjall, Jezusi duhej të ishte një Perëndi, madje Biri i Vetëmlindur i Atit.

Prandaj, ajo që Ai dha mësim është e vërtetë; Perëndia nuk mund të gënjejë.25

Prandaj, Ai ishte Krijuesi i tokës, sikurse Ai tha.26

Prandaj, qielli dhe ferri janë të vërtetë, sikurse Ai dha mësim.27

Prandaj, ka një botë shpirtrash që Ai e vizitoi pas vdekjes së Tij.28

Prandaj, Ai do të vijë përsëri sikurse thanë engjëjt29 dhe “do të mbretërojë personalisht mbi tokë”.30

Prandaj, ka një ringjallje dhe një gjykim përfundimtar për të gjithë.31

Për shkak se Ringjallja e Krishtit është realitet, dyshimet rreth plotfuqisë, gjithëdijenisë dhe mirëdashjes së Perëndisë, Atit – i cili dha Birin e Tij të Vetëmlindur për shëlbimin e botës – janë të pabazuara. Dyshimet rreth domethënies dhe qëllimit të jetës janë të pathemelta. Jezu Krishti është në fakt i vetmi emër apo udhë nëpërmjet të cilës njerëzimit mund t’i vijë shpëtimi. Hiri i Krishtit është i vërtetë, duke i siguruar edhe falje, edhe pastrim mëkatarit të penduar. Besimi është në të vërtetë më tepër sesa përfytyrim apo shpikje psikologjike. Ka të vërtetë themelore e të përbotshme dhe ka standarde të paanshme e të pandryshueshme morale sikurse u dhanë mësim prej Tij.

Prej faktit se Ringjallja e Krishtit është realitet, pendimi për çdo shkelje të ligjit dhe urdhërimeve të Tij, është sa i mundur aq edhe i ngutshëm. Mrekullitë e Shpëtimtarit ishin të vërteta, ashtu siç është premtimi i Tij ndaj dishepujve të Tij që ata të mund të bënin vepra të njëjta e madje edhe më të mëdha.32 Priftëria e Tij është patjetër një fuqi e vërtetë që “administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë. Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.”33 Prej faktit se Ringjallja e Krishtit është realitet, vdekja nuk është fundi ynë dhe megjithëse “mbas shkatërr[imit] të [trupave tanë], në mishin [tonë ne do ta shohim] Perëndinë”34.

Presidenti Tomas S. Monson tregon për një Robert Bletçford, i cili 100 vite më parë “në librin e tij God and My Neighbor [Perëndia dhe i Afërmi Im], sulmoi me forcë bindjet e pranuara të krishtera të tilla si Perëndia, Krishti, lutja dhe pavdekshmëria. Ai pohoi me guxim: ‘Pretendoj se e kam vërtetuar gjithçka që kam pasur për qëllim të vërtetoj, aq plotësisht dhe vendosmërisht, sa asnjë i krishterë, sado i zoti apo i aftë qoftë ai, nuk mund t’u përgjigjet argumenteve të mia apo të ma hedhë poshtë çështjen.’ Ai e rrethoi veten me një mur skepticizmi. Pastaj ndodhi diçka e habitshme. Muri i tij papritmas u shkërmoq në pluhur. … Ngadalë, ai filloi të ndiente rrugën e kthimit për te besimi që e kishte përçmuar e përqeshur. Çfarë e kishte shkaktuar këtë ndryshim të thellë në pikëpamjen e tij? Bashkëshortja e tij [kishte] vdekur. Me zemër të thyer ai shkoi në dhomën ku qëndronte gjithçka që qe e vdekshme prej saj. Ai pa përsëri fytyrën që e deshte aq shumë. Duke dalë, ai i tha një miku: ‘Ajo është dhe prapëseprapë nuk është. Gjithçka ka ndryshuar. Diçka që qe atje më parë, është zhdukur. Ajo nuk është e njëjta. Çfarë mund të ketë ikur përveç shpirtit?’”35

A vdiq dhe u ngrit përsëri me të vërtetë Zoti? Po. “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj.”36

Teksa afrohej lindja e profetizuar e Jezusit, kishte nga ata mes popujve të lashtë nefitë e lamanitë që besonin, edhe pse shumica dyshonin. Më në fund, shenja e lindjes së Tij mbërriti – një ditë e një natë dhe një ditë pa errësirë – dhe të gjithë e kuptuan.37 Madje kështu edhe sot, disa besojnë në Ringjalljen e vërtetë të Krishtit dhe shumë dyshojnë ose nuk besojnë. Por disa e dinë. Në fund, të gjithë do të shohin dhe të gjithë do ta dinë; vërtet “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë para tij”38.

Deri atëherë, unë i besoj dëshmitarët e shumtë të Ringjalljes së Shpëtimtarit, përvojat dhe dëshmitë e të cilëve gjenden në Dhiatën e Re – Pjetrin dhe shokët e tij nga Të Dymbëdhjetët dhe Maria Magdalenën e dashur e të pastër, mes të tjerëve. I besoj dëshmitë që gjenden në Librin e Mormonit – të Apostullit Nefi me turmën pa emër në tokën Begati, mes të tjerëve. Dhe i besoj dëshmisë së Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të cilët, pas shumë dëshmish të tjera shpallën dëshminë e madhërishme të kësaj periudhe të fundit ungjillore “se ai jeton! Sepse ne e pamë atë.”39 Nën vështrimin e syrit të tij gjithçkaparës, qëndroj vetë si një dëshmitar se Jezusi i Nazaretit është Shëlbuesi i ringjallur dhe dëshmoj për gjithçka që rrjedh nga fakti i Ringjalljes së Tij. E marrshi bindjen dhe ngushëllimin e po të njëjtës dëshmi, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.