2010–2019
Kërkohen: Duar dhe Zemra për Përshpejtimin e Punës
Prill 2014


Kërkohen: Duar dhe Zemra për Përshpejtimin e Punës

Pamja
Linda K. Barton

Ne mund të japim duar për të ndihmuar dhe zemra për ta përshpejtuar punën e mrekullueshme të Atit Qiellor.

Motra të dashura, sa shumë ju duam! Teksa pamë atë video të bukur, a e patë dorën tuaj të zgjatej për të ndihmuar dikë përgjatë atij shtegu të besëlidhjes? Po mendoja për një vajzë të vogël të Fillores, të quajtur Brin, e cila ka vetëm një dorë, dhe prapëseprapë ajo e përdor atë dorë për të ndihmuar në bekimin e familjes së saj dhe të miqve të saj – shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe ata të feve të tjera. A nuk është e bukur ajo? Po kështu jeni dhe ju! Motra, ne mund të japim duar për të ndihmuar dhe zemra për ta përshpejtuar punën e mrekullueshme të Atit Qiellor.

Ashtu si motrat tona besnike në shkrimet e shenjta, të tilla si Eva, Sara, Maria dhe shumë të tjera, e njihnin identitetin dhe qëllimin e tyre, Brini e di se është një bijë e Perëndisë.1 Edhe ne mund ta njohim trashëgiminë tonë hyjnore si bija të dashura të Perëndisë dhe punën jetësore që Ai ka për ne.

Shpëtimtari dha mësim: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë [këtë] doktrinë”2. Çfarë duhet të dimë dhe të bëjmë që “të rroj[më] me të në qiej”3? Ne mund të mësojmë nga historia e të riut pasanik, i cili e pyeti Jezusin se çfarë duhej të bënte që të merrte jetën e përjetshme.

Jezusi iu përgjigj: “Në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet”.

I riu e pyeti Atë se cilat duhej të mbante. Jezusi atëherë e kujtoi për disa prej Dhjetë Urdhërimeve, të cilat të gjitha i njohim mirë.

I riu u përgjigj: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?”

Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua”4.

Jezusi e thirri që të bëhej pjesë e punës së Tij – punës së një dishepulli. Puna jonë është po kjo. Ne duhet “të lë[më] mënjanë gjërat e kësaj bote, … [të kapemi] pas besëlidhjeve [tona]”5 dhe të vijmë tek Krishti e ta ndjekim Atë. Kjo është ajo që bëjnë dishepujt!

Tani, motra, le të mos e mundojmë veten ngaqë Shpëtimtari i foli të riut pasanik rreth bërjes të përsosur. Fjala i përsosur në këtë rrëfim u përkthye nga një fjalë greke që do të thotë “i plotësuar”. Ndërsa përpiqemi me gjithçka mundemi të ecim përpara nëpër shtegun e besëlidhjes, ne bëhemi më të plotësuara dhe më të përsosura në këtë jetë.

Ashtu si i riu pasanik në kohën e Jezusit, ndonjëherë ne tundohemi që të heqim dorë ose të kthehemi prapa ngaqë ndoshta mendojmë se nuk mund t’ia dalim vetëm. Dhe ne kemi të drejtë! Ne nuk mund t’i bëjmë pa ndihmë gjërat e vështira që na janë kërkuar të bëjmë. Ndihma vjen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, udhëheqjes së Frymës së Shenjtë dhe duarve ndihmëtare të të tjerëve.

Një motër beqare besnike së fundi dëshmoi se, nëpërmjet Shlyerjes, ajo gjeti forcë që t’i përdorte duart e saj ndihmëtare dhe zemrën e saj të gatshme për të rritur katër fëmijët që e motra kishte lënë kur vdiq nga kanceri. Kjo më kujtoi diçka që Plaku Nil A. Maksuell tha: “Të gjitha gjërat e lehta që Kisha duhej të bënte janë bërë. Nga tani e tutje, është aventurë e madhe dhe bindja jonë do të sprovohet në disa mënyra interesante”6. Ju jeni dërguar në tokë në këtë periudhë ungjillore për shkak të njeriut që jeni dhe për atë që jeni përgatitur të bëni! Pavarësisht nga ajo që Satani do të përpiqet të na bëjë të mendojmë rreth asaj se cilat jemi, identiteti ynë i vërtetë është ai i një dishepulle të Jezu Krishtit!

Mormoni ishte një dishepull i vërtetë, i cili jetoi në një kohë kur “çdo zemër u ngurtësua, … [dhe] kurrë nuk kishte pasur … një ligësi kaq të madhe mes gjithë fëmijëve të Lehit”7. A do t’ju pëlqente të kishit jetuar në atë kohë? Dhe prapëseprapë Mormoni shpalli me guxim: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë”8.

A nuk e doni Mormonin? Ai e dinte se kush ishte dhe cili ishte misioni i tij dhe nuk u turbullua nga ligësia që e rrethonte. Në fakt, ai e konsideroi thirrjen e tij një dhuratë.9

Mendoni se çfarë bekimi është të thirremi për t’i dhënë Zotit dhuratën tonë të të qenit dishepulle çdo ditë, duke shpallur me fjalë dhe vepra: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit!”

Më pëlqen historia që Presidenti Bojd K. Paker tregoi për një motër të dashur, të cilën e tallën ngaqë ndoqi këshillën e profetit për të ruajtuar ushqime. Ata të cilët e kritikuan, sugjeruan që, nëse vinin kohë të vështira, udhëheqësit e saj do t’i kërkonin që t’i ndante ushqimet e saj të ruajtura me të tjerët. Përgjigjja e saj e thjeshtë dhe e patundur si dishepulle e vërtetë ishte: “Të paktën do të kem diçka për të sjellë”10.

I dua gratë e Kishës, të reja e të moshuara. Unë e kam parë forcën tuaj. E kam parë besimin tuaj. Ju keni diçka për të dhënë dhe jeni të gatshme ta jepni atë. Ju e bëni këtë pa bujë apo publicitet, duke e tërhequr vëmendjen te Perëndia që ne adhurojmë, jo te vetja juaj, dhe pa menduar për atë që do të merrni.11 Kjo është ajo që bëjnë dishepujt!

Kohët e fundit takova një të re në Filipine, familja e së cilës u bë më pak aktive në Kishë kur ajo ishte vetëm 7 vjeçe, duke e lënë atë, javë mbas jave, të ecte e vetme për në kishë në një rrugë të rrezikshme. Ajo tregoi se si në moshën 14 vjeçe vendosi që do të qëndronte e vërtetë ndaj besëlidhjeve të saj, në mënyrë që të ishte e denjë për ta rritur familjen e saj të ardhshme në një shtëpi “të bekuar nga fuqia e priftërisë”12. Mënyra më e mirë për ta forcuar familjen e tanishme apo të ardhshme, është të mbani besëlidhjet, premtimet që i kemi bërë njëri-tjetrit dhe Perëndisë.

Kjo është ajo që bëjnë dishepujt!

Një motër besnike japoneze dhe bashkëshorti i saj vizituan misionin tonë në Kore. Ajo nuk e fliste gjuhën koreane dhe kishte aftësi të kufizuar për të folur anglisht, por ajo kishte një zemër të gatshme për t’i përdorur dhuratat e saj të rralla dhe duart ndihmëtare për të bërë punën e Zotit. Kjo është ajo që bëjnë dishepujt! Ajo u mësoi misionarëve tanë se si të bënin një copë të thjeshtë origami – një gojë që mund të hapej e mbyllej. Më pas, ajo përdori fjalët e pakta anglisht që dinte për t’u mësuar misionarëve që “t’i hap[n]in gojët e tyre” për të shpërndarë ungjillin – një mësim që ata nuk do ta harrojnë kurrë, as edhe unë.

Përfytyrojeni për një çast veten dhe mua duke qëndruar së bashku me miliona motra dhe vëllezër të tjerë në Kishën e Tij, duke ecur përpara me guxim, duke bërë atë që bëjnë dishepujt – duke shërbyer dhe duke dashur si Shpëtimtari. Çfarë do të thotë për ju të jesh një dishepulle e Jezu Krishtit?

Jelekët dhe bluzat e Duarve Ndihmëtare Mormone janë veshur nga qindra e mijëra dishepuj vetëmohues të Jezu Krishtit, të cilët e kanë përqafuar mundësinë për të dhënë shërbim fizik. Por ka mënyra të tjera për të shërbyer si dishepuj të përkushtuar. Përfytyrojini me mua disa nga afishet e mundshme shpirtërore që shënojnë “kërkohet ndihmë”, të lidhura me punën e shpëtimit:

  • Kërkohet ndihmë: prindër që t’i rritin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë

  • Kërkohet ndihmë: bija e bij, motra e vëllezër, emta e ungjër, kushërira dhe gjyshër e gjyshe dhe miq të vërtetë për të shërbyer si këshillues dhe për të dhënë një dorë ndihme nëpër shtegun e besëlidhjes

  • Kërkohet ndihmë: ata që i dëgjojnë nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe veprojnë sipas përshtypjeve që marrin

  • Kërkohet ndihmë: ata që e jetojnë ungjillin përditë në mënyra të vogla e të thjeshta

  • Kërkohet ndihmë: punonjës të historisë familjare dhe punonjës tempulli për t’i lidhur familjet në përjetësi

  • Kërkohet ndihmë: misionarë dhe anëtarë për të përhapur “lajmin e mirë” – ungjillin e Jezu Krishtit

  • Kërkohet ndihmë: shpëtues për të gjetur ata që e kanë humbur udhën e tyre

  • Kërkohet ndihmë: mbajtës të besëlidhjeve që të qëndrojnë të palëkundur për të vërtetën dhe drejtësinë

  • Kërkohet ndihmë: dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht

Vite më parë, Plaku M. Rasëll Ballard nxori një kërkesë të mprehtë drejtuar motrave të Kishës kur tha:

“Ndërmjet ditës së sotme dhe ditës kur Zoti do të vijë përsëri, Ai ka nevojë për gra në çdo familje, në çdo lagje, në çdo komunitet, në çdo komb të cilat do të ecin përpara në drejtësi dhe do të thonë me anë të fjalëve dhe veprimeve të tyre: ‘Ja ku jam, dërgomë mua’.

Pyetja ime është: ‘A do të jeni një nga ato gra?’”13

Shpresoj që secila nga ne mund të përgjigjet me një: “Po!” kumbuese. Po e mbyll me fjalët e një kënge të Fillores:

Ne jemi [bija] t’bes’lidhjes me dhuratën për t’dhën’.

Nga mënyra si jetojm’, ungjillin [t’tjer’ve] do ua mësojm’.

Me çdo fjal’ e veprim, ne do dëshmojm’:

Ne besojm’ dhe ne Jezu Krishtit i shërbejm’.14

Si dishepulle të vërteta, i dhënçim përherë zemrat tona të gatshme dhe duart tona ndihmëtare për ta përshpejtuar punën e Tij. Nuk ka rëndësi nëse, si Brini, ne kemi vetëm një dorë. Nuk ka rëndësi nëse nuk jemi ende të përsosura dhe të plotësuara. Ne jemi dishepulle të përkushtuara që i japim dorën dhe e ndihmojnë njëra-tjetrën përgjatë udhës. Motëria jonë shtrihet përtej brezave tek ato motra besnike që kanë ecur përpara nesh. Së bashku, si motra dhe në unitet me profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë me çelësat e rivendosur të priftërisë, ne mund të ecim të bashkuara në një, si dishepulle, si shërbëtore me zemra e duar të gatshme për të përshpejtuar punën e shpëtimit. Teksa e bëjmë këtë, ne vërtet do të bëhemi si Shpëtimtari. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.