2010–2019
A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?
tetor 2014


A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?

Të pasur apo të varfër, ne duhet të “bëjmë atë që mundemi” kur të tjerët janë në nevojë.

Çfarë elementi i ri, i mrekullueshëm u paraqit në formatin e konferencës sonë të përgjithshme. Bien hecho [të lumtë], Eduardo.

Në atë që do të ishte çasti më befasues i shërbesës së Tij të hershme, Jezusi u ngrit në këmbë në sinagogën e vendlindjes së Tij, në Nazaret, dhe lexoi këto fjalë të profetizuara nga Isaia dhe të shënuara në Ungjillin sipas Llukës: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për [t’u predikuar ungjillin] të varfër[ve]; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe … për të çliruar përsëri të shtypurit”1.

Në këtë mënyrë e bëri Shpëtimtari shpalljen e parë publike të shërbesës së Tij mesianike. Por ky varg gjithashtu bëri të qartë se, në udhë e sipër drejt flijimit shlyes të pashoq dhe Ringjalljes së Tij, detyra parësore dhe më e rëndësishme mesianike e Jezusit do të ishte të bekonte të varfrit, duke përfshirë të varfrit në shpirt.

Që nga fillimi i shërbesës së Tij, Jezusi i donte të varfëruarit dhe të vuajturit në një mënyrë të jashtëzakonshme. Ai u lind në shtëpinë e dy prej tyre dhe u rrit mes shumë prej tyre. Ne nuk i dimë të gjitha hollësitë e jetës së Tij në vdekshmëri, por Ai njëherë tha: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë … çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën”2. Siç duket, Krijuesi i qiellit e i tokës “dhe të gjitha gjëra[ve] që ndodhen në to”3 ishte, të paktën gjatë jetës së Tij si i rritur, i pastrehë.

Gjatë gjithë historisë, varfëria ka qenë një nga sfidat më të mëdha dhe më të përhapura të njerëzimit. Barra e saj e natyrshme është zakonisht fizike, por dëmtimi shpirtëror dhe emocional që mund të sjellë, mund të jetë edhe më ligështues. Në çfarëdo rasti, Shëlbuesi i madhërishëm nuk ka bërë asnjë thirrje më këmbëngulëse sesa që ne të bashkohemi me Të në largimin e kësaj barre prej njerëzve. Si Jehova, Ai tha se do ta gjykonte shtëpinë e Izraelit ashpërsisht ngaqë “trupat pa jetë të [nevojtarëve] ndodhen në shtëpitë tuaja”.

“Çfarë të drejte keni”, bëri thirrje Ai, “të merrni nëpër këmbë popullin tim dhe të shtypni fytyrën e të varfërve?”4

Shkruesi i Fjalëve të Urta do ta bënte çështjen mprehtësisht të qartë: “Kush shtyp të varfërin fyen rëndë [A]të që e ka bërë” dhe “kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.”5

Në kohën tonë, Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit nuk kishte arritur ende përvjetorin e saj të parë, kur Zoti i urdhëroi anëtarët të “kujdesen për të varfërit e nevojtarët dhe t’u administrojnë për t’i ndihmuar, që ata të mos vuajnë”6. Vini re mënyrën urdhërore të këtij fragmenti – “ata të mos vuajnë”. Ajo është mënyra që përdor Perëndia kur Ai e ka seriozisht.

Duke marrë parasysh sfidën e pamasë të mposhtjes së pabarazisë në botë, çfarë mund të bëjë një burrë ose një grua? Mësuesi Vetë na ofroi një përgjigje. Kur, përpara tradhtimit dhe Kryqëzimit të Tij, Maria ia vajosi kokën Jezusit me një vaj të kushtueshëm varrimesh, Judë Iskarioti e kundërshtoi këtë shpenzim të madh dhe “[mërmëriti] ndaj saj”7.

Jezusi tha:

“Pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. …

Ajo bëri atë që mundi.”8

“Ajo bëri atë që mundi”! Çfarë formule e përmbledhur! Një gazetar dikur e pyeti Nënë Terezën e Kalkutës rreth detyrës së saj të pashpresë të shpëtimit të të braktisurve në atë qytet. Ai tha se, duke folur në mënyrë statistikore, ajo nuk po arrinte absolutisht asgjë. Kjo grua e vogël, e mrekullueshme iu përgjigj prerazi se puna e saj ishte rreth dashurisë, jo rreth statistikave. Pavarësisht nga numri tronditës i njerëzve që ishin përtej mundësisë së saj për t’i ndihmuar, ajo tha se mund ta zbatonte urdhërimin për ta dashur Perëndinë dhe të afërmin duke u shërbyer atyre që ndodheshin brenda mundësisë që t’i arrinte me çfarëdo burimesh që kishte. “Ajo që bëjmë, nuk është veçse një pikë ujë në oqean”, do të thoshte ajo në një rast tjetër. “Por nëse nuk do ta bënim atë, oqeani do të kishte një pikë më pak [nga ç’ka tani].”9 Urtësisht, gazetari arriti në përfundimin se, në mënyrë të dukshme, krishtërimi nuk është një ndërmarrje statistikore. Ai arsyetoi se, nëse do të kishte më shumë gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë që s’kanë nevojë për pendim, atëherë në mënyrë të dukshme Perëndia nuk shqetësohet tepër për përqindjet.10

Pra, si mund ta “bëjmë atë që mundemi”?

Për së pari, ne, sikurse na mësoi Mbreti Beniamin, mund t’i japim fund mosdhënies së ndihmës sonë ngaqë i shohim të varfrit sikur ata e kanë shkaktuar vetë mjerimin e tyre. Ndoshta disa i kanë krijuar vetë vështirësitë e tyre, por a nuk bëjmë të gjithë ne të tjerët pikërisht po të njëjtën gjë? A nuk është kjo arsyeja përse ky sundimtar i dhembshur pyet: “A nuk jemi ne të gjithë lypësa?”11 A nuk kërkojmë me dëshpërim ne të gjithë ndihmë e shpresë dhe përgjigje ndaj lutjeve? A nuk lypim të gjithë falje për gabimet që kemi bërë dhe shqetësimet që kemi shkaktuar? A nuk përgjërohemi të gjithë që hiri të zhdëmtojë për dobësitë tona, që mëshira të ngadhënjejë mbi drejtësinë të paktën në rastin tonë? Nuk është aspak e çuditshme që Mbreti Beniamin thotë se ne fitojmë një heqje të mëkateve tona duke iu përgjëruar Perëndisë, i cili përgjigjet plot dhembshuri, por e ruajmë një heqje të mëkateve tona duke iu përgjigjur në mënyrë të dhembshur të varfërve që na përgjërohen neve.12

Përveç ndërmarrjes së veprimit të mëshirshëm në emër të tyre, ne duhet edhe të lutemi për njerëzit në nevojë. Një grup zoramitësh, të quajtur nga anëtarët e bashkësisë së tyre të ishin “fëlliqësi” dhe “zgjyrë” – ato janë fjalë të shkrimeve të shenjta – u dëbuan prej shtëpive të tyre të lutjes “për shkak të veshjeve të tyre të leckosura”. Ata ishin, thotë Mormoni, “të varfër nga gjërat e botës; dhe gjithashtu … të varfër në zemër”13 – dy kushte që pothuajse gjithmonë shkojnë së bashku. Shokët misionarë, Alma dhe Amuleku, e kundërshtojnë mospranimin e dënueshëm të njerëzve me veshje të rreckosura duke u thënë se, pavarësisht cilat privilegje mund t’ua mohojnë të tjerët atyre, ata gjithmonë mund të luten – në fushat e tyre dhe në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre dhe në zemrat e tyre.14

Por më pas, pikërisht këtij grupi që ishte dëbuar, Amuleku u thotë: “Pasi [të jeni lutur], në qoftë se ju nuk ndihmoni nevojtarët dhe të zhveshurit dhe nuk vizitoni të sëmurët dhe të mjeruarit dhe nuk u jepni nga gjëja juaj, në qoftë se [e] keni [atë], atyre që kanë nevojë – unë ju them juve, … lutja juaj është e kotë dhe nuk ju vlen për asgjë dhe ju jeni si hipokritët që mohojnë besimin”15. Çfarë kujtuesi mahnitës që të pasur apo të varfër, ne duhet të “bëjmë atë që mundemi” kur të tjerët janë në nevojë.

Tani, që të mos akuzohem për propozimin e programeve shoqërore donkishoteske, globale apo për mbështetjen e lypjes nëpër rrugë si një punësim me vlerë, unë ju siguroj se nderimi im për parimet e zellit për punë, kursimit, mbështetjes te vetja dhe synimit këmbëngulës, është po aq i fortë sa edhe ai i çdo burri apo gruaje të gjallë. Pritet që ne gjithmonë ta ndihmojmë vetveten përpara se të kërkojmë ndihmë nga të tjerët. Për më tepër, unë nuk e di pikërisht se si secili prej jush duhet ta përmbushë detyrimin tuaj ndaj atyre që nuk e ndihmojnë ose që nuk munden ta ndihmojnë gjithmonë vetveten. Por e di që Perëndia e di dhe Ai do t’ju ndihmojë dhe udhëheqë në veprime dhembshurie të të qenit dishepull, në qoftë se dëshironi e luteni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kërkoni për mënyra që ta zbatoni një urdhërim që Ai na e ka dhënë në mënyrë të përsëritur.

Ju do ta kuptoni se unë po flas këtu për nevoja të vështira shoqërore, të cilat gjejnë zbatim përtej anëtarëve të Kishës. Për fat të mirë, mënyra e Zotit për t’i ndihmuar njerëzit tanë është më e lehtë: të gjithë ata që janë fizikisht të aftë, duhet t’i binden ligjit të agjërimit. Isaia shkroi:

“Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: …

A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq … ? [që ti] të zgjidhësh verigat e zgjedhës [dhe] t’i lësh të lirë të shtypurit … ?”16

Ju jap dëshmi të mrekullive, si shpirtërore ashtu edhe materiale, që u vijnë atyre që e jetojnë ligjin e agjërimit. U jap dëshmi të mrekullive që më kanë ardhur mua. Me të vërtetë, sikurse shënoi Isaia, unë jam lutur gjatë agjërimit më shumë se një herë dhe me të vërtetë Perëndia është përgjigjur: “Ja ku jam”17. Gëzojeni atë privilegj të shenjtë të paktën çdo muaj dhe jini aq zemërgjerë sa e lejojnë rrethanat në ofertën tuaj të agjërimit dhe në dhurimet e tjera humanitare, arsimore dhe misionare. Ju premtoj se Perëndia do të jetë zemërgjerë me ju dhe ata që gjejnë ndihmë nga dora juaj, do ta quajnë emrin tuaj të bekuar përherë. Më shumë se treçerek milioni anëtarësh të Kishës u ndihmuan vitin që shkoi me anë të ofertave të agjërimit, të administruara nëpërmjet peshkopëve të përkushtuar dhe presidenteve të përkushtuara të Shoqatës së Ndihmës. Ata janë shumë shenjtorë mirënjohës të ditëve të mëvonshme.

Vëllezër e motra, një predikim i tillë kërkon që unë haptazi të vë në dukje bekimet që s’i kam arritur vetë, që s’i meritoj, që nuk mbarojnë në jetën time, si ato materiale ashtu edhe shpirtërore. Sikurse ju, mua më është dashur të shqetësohem për të ardhurat financiare me raste, por nuk kam qenë kurrë i varfër, madje as nuk e di se si ndihen të varfrit. Për më tepër, nuk i di të gjitha arsyet përse rrethanat e lindjes, shëndetit, arsimimit dhe mundësive ekonomike ndryshojnë kaq gjerësisht këtu në vdekshmëri, por kur e shoh nevojën mes kaq shumë njerëzve, unë e di se “po të mos ishte për hirin e Perëndisë, atje mund të gjendem dhe unë”18. Unë e di gjithashtu se, edhe pse mund të mos jem rojtari i vëllait tim, unë jam vëllai i vëllait tim dhe “sepse shumë më është dhënë, dhe unë duhet të jap”19.

Lidhur me këtë, unë nderoj personalisht Presidentin Tomas Spenser Monson. Kam qenë i bekuar që e kam njohur këtë burrë për 47 vjet tashmë dhe imazhi i tij që do ta ruaj gëzueshëm deri sa të vdes, është kur ai u kthye në shtëpi nga Gjermania Lindore, e shkatërruar ekonomikisht në atë kohë, me shapkat e shtëpisë, ngaqë kishte dhënë jo vetëm kostumin e tij të dytë dhe këmishët e tij rezervë, por edhe deri te këpucët e këmbëve të tij. “Sa të bukura janë mbi malet [dhe duke u tërhequr zvarrë përmes aeroportit] këmbët e [atij] që sjell lajme të mira, që njofton paqen.”20 Më shumë se çdo njeri që njoh unë, Presidenti Monson ka “bërë atë që mundi” për të vejat dhe jetimët, të varfrit dhe të shtypurit.

Në një zbulesë të vitit 1831 dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti tha se të varfrit një ditë do ta shohin mbretërinë e Perëndisë duke ardhur “me fuqi e lavdi të madhe”21. Ndihmofshim që ta përmbushim atë profeci duke arritur në fuqinë dhe lavdinë e anëtarësisë sonë në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit që të bëjmë atë që mundemi për të çliruar këdo që mundemi nga varfëria që i mban ata robër, dhe shkatërron kaq shumë prej ëndrrave të tyre, unë lutem në emrin mëshirëplotë të Jezu Krishtit, amen.