2010–2019
Të Lirë Përgjithmonë, që të Veprojnë për Veten e Tyre
tetor 2014


Të Lirë Përgjithmonë, që të Veprojnë për Veten e Tyre

Është vullneti i Perëndisë që ne të jemi burra dhe gra të lira, të aftësuar për ta arritur potencialin tonë të plotë si material ashtu edhe shpirtëror.

Drama e Uilliam Shekspirit Jeta e Mbretit Henriku V përfshin një skenë të një nate në kampin e ushtarëve anglezë në Azhinkort, pikërisht përpara betejës së tyre me ushtrinë franceze. Në dritën e zbehtë dhe pjesërisht i maskuar, mbreti Henrik endet pa u njohur mes ushtarëve të tij. Flet me ta, duke u përpjekur të mësojë gjendjen e moralit të trupave të tij shumë të paktë në numër dhe, ngaqë nuk e kuptojnë se kush është, ata janë të sinqertë në komentet e tyre. Në një shkëmbim bisede, ata filozofojnë se kush e mban përgjegjësinë për atë që u ndodh burrave në betejë – mbreti apo secili ushtar vetë.

Në një pikë mbreti Henrik shpall: “Mendoj se nuk mund të vdisja askund kaq i lumtur sa në ushtrinë e mbretit; kauza e tij është e drejtë”.

Majkëll Uilliamsi kundërpërgjigjet: “Kjo është më shumë nga ç’dimë”.

Shoku i tij bie dakord: “Po, apo më shumë nga ç’kërkojmë të dimë; sepse na mjafton nëse dimë që jemi vasalë të mbretit: nëse kauza e tij është e gabuar, bindja jonë ndaj mbretit e fshin krimin e saj prej nesh”.

Uilliami shton: “Nëse kauza s’është e mirë, mbreti vetë ka për të dhënë llogari të rëndë”.

Nuk është çudi që mbreti Henrik nuk bie dakord. “Çdo vasal i mbretit ka detyrim ndaj tij, por shpirti i çdo vasali është i veti.”1

Shekspiri nuk përpiqet t’i japë zgjidhje këtij debati në dramë dhe, në njëfarë mënyre apo një tjetër, ai është një debat që vazhdon deri në kohën tonë – kush mban përgjegjësi për atë që ndodh në jetën tonë?

Kur gjërat shkojnë keq, ka një prirje për t’ua hedhur fajin të tjerëve ose edhe Perëndisë. Nganjëherë rritet një ndjenjë e së drejtës që na takon dhe individë apo grupe përpiqen ta zhvendosin përgjegjësinë për mirëqenien e tyre te njerëz të tjerë apo te qeveritë. Në çështje shpirtërore disa njerëz hamendësojnë se burrat dhe gratë nuk kanë nevojë të përpiqen për drejtësi vetjake – ngaqë Perëndia na do dhe na shpëton “ashtu siç jemi”.

Por Perëndia ka si qëllim që fëmijët e Tij duhet të veprojnë në përputhje me lirinë e zgjedhjes morale që Ai ua ka dhënë atyre, “që çdo njeri të mund të jetë i përgjegjshëm për mëkatet e veta në ditën e gjykimit”2. Është plani i Tij dhe vullneti i Tij që ne të kemi rolin kryesor të marrësit të vendimeve në vetë dramën e jetës sonë. Perëndia nuk do ta jetojë jetën tonë për ne, as nuk do të na kontrollojë sikur të ishim kukullat e Tij, sikurse propozoi dikur të bënte Luciferi. As profetët e Tij nuk do ta pranojnë rolin e “mjeshtrit të kukullave” në vend të Perëndisë. Brigam Jangu shpalli: “Nuk dëshiroj që asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme në këtë botë, as në qiell, të kënaqet me ndonjë gjë që bëj unë, në qoftë se Shpirti i Zotit Jezu Krisht, – shpirti i zbulesës, nuk i bën ata të kënaqur. Iu uroj atyre ta dinë për veten e tyre dhe ta kuptojnë për veten e tyre.”3

Prandaj Perëndia nuk na shpëton “ashtu siç jemi”, së pari, sepse në gjendjen “ashtu siç jemi”, ne jemi të papastër dhe “asgjë e papastër nuk mund të banojë … në prani të tij; sepse, në gjuhën e Adamit, Njeriu i Shenjtërisë është emri i tij dhe emri i të Vetëmlindurit të tij është Biri i Njeriut [të Shenjtërisë]”4. Dhe së dyti, Perëndia nuk do të veprojë që të na detyrojë të bëjmë diçka që nuk e zgjedhim të bëhemi me anë të veprimeve tona. Ai na do me të vërtetë dhe, ngaqë na do, Ai as nuk na detyron dhe as nuk na braktis. Përkundrazi Ai na ndihmon dhe na udhëzon. Sigurisht, shfaqja e vërtetë e dashurisë së Perëndisë janë urdhërimet e Tij.

Ne duhet të gëzohemi (dhe vërtet gëzohemi) me planin e shuguruar nga Perëndia, i cili na lejon t’i bëjmë vetë zgjedhjet tona për të vepruar për veten tonë dhe për t’i përjetuar pasojat, ose, siç e shprehin shkrimet e shenjta, të “provoj[më] hidhësinë, që të mund të di[më] ta çmoj[më] të mirën”5. Ne jemi mirënjohës përherë që Shlyerja e Shpëtimtarit e mposhti mëkatin fillestar që ne të mund të lindemi në këtë botë, por prapëseprapë të mos ndëshkohemi për shkeljen e Adamit.6 Duke qenë kështu të shëlbuar nga Rënia, ne e fillojmë jetën të pafajshëm përpara Perëndisë dhe “bë[hemi] të lirë përgjithmonë, duke ditur të mirën nga e keqja; të veproj[më] për veten [tonë] dhe të mos detyrohe[mi] të veproj[më]”7. Ne mund të zgjedhim të bëhemi lloji i njeriut që duam të bëhemi dhe, me ndihmën e Perëndisë, mund të jetë madje siç është Ai.8

Ungjilli i Jezu Krishtit hap shtegun drejt asaj që ne mund të bëhemi. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe hirit të Tij, dështimet tona për ta jetuar përsosmërisht dhe vazhdimisht ligjin çelestial në vdekshmëri mund të fshihen dhe ne mundësohemi të zhvillojmë një karakter si ai i Krishtit. Drejtësia kërkon, megjithatë, që asgjë prej kësaj të ndodhë pa miratimin dhe pjesëmarrjen tonë të vullnetshme. Ka qenë gjithmonë kështu. Vetë prania jonë në tokë si qenie fizike është pasoja e një zgjedhjeje që secili prej nesh e bëri për të marrë pjesë në planin e Atit tonë.9 Kështu, shpëtimi nuk është sigurisht rrjedhimi i një teke hyjnore, por as nuk ndodh vetëm nëpërmjet vullnetit hyjnor.10

Drejtësia është një tipar thelbësor i Perëndisë. Ne mund të kemi besim te Perëndia, sepse Ai është përsosurisht i besueshëm. Shkrimet e shenjta na mësojnë se: “Perëndia nuk ecën në shtigje të tërthorta, as nuk kthehet në të djathtë apo në të majtë, as nuk ndryshon nga ajo që ka thënë, si rrjedhim, shtigjet e tij janë të drejta dhe udha e tij është një rreth i përjetshëm”11 dhe se “Perëndia nuk tregohet i anshëm”12. Ne mbështetemi te tipari hyjnor i drejtësisë që të kemi besim, vetëbesim dhe shpresë.

Por, si pasojë e të qenit përsosurisht i drejtë, ka disa gjëra që Perëndia nuk mund t’i bëjë. Ai nuk mund të jetë i paarsyeshëm në shpëtimin e disave dhe në ndëshkimin e të tjerëve. Ai “nuk mund ta shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit”13. Ai nuk mund ta lejojë mëshirën që ta grabitë drejtësinë.14

Është provë bindëse e drejtësisë së Tij që Perëndia e ka farkëtuar parimin shoqërues të mëshirës. Është ngaqë Ai është i drejtë, që Ai krijoi mënyrën se si mëshira ta luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm në fatin tonë të përjetshëm. Prandaj tani, “drejtësia ushtron të gjitha kërkesat e saj dhe gjithashtu mëshira kërkon gjithçka që është e saj”15.

Ne e dimë se janë “vuajtjet dhe vdekj[a] e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin [Ati] ish[te] kënaqur; … gjaku [i] Birit [të Tij] që u derdh”16 që i plotësojnë kërkesat e drejtësisë, shtrijnë mëshirë dhe na shëlbojnë17. Edhe pse kështu, “sipas drejtësisë, plani i shëlbimit nuk mund të realizohej, përveçse në kushtet e pendimit18. Është kërkesa e pendimit dhe mundësia për pendim që e lejojnë mëshirën për ta kryer punën e saj pa marrë nëpër këmbë drejtësinë.

Krishti vdiq jo që të shpëtonte pa dallim, por që të ofronte pendim. Ne mbështetemi “tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”19 në procesin e pendimit, por të vepruarit për t’u penduar është një ndryshim i vetëvullnetshëm. Kështu, duke e bërë pendimin një kusht për marrjen e dhuratës së hirit, Perëndia na aftëson që të mbajmë përgjegjësi për veten tonë. Pendimi e respekton dhe e mbështet lirinë tonë të zgjedhjes morale: “Dhe kështu mëshira mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë dhe i rrethon me krahët e sigurisë, ndërsa ai që nuk ushtron besim deri në pendim, qëndron i ekspozuar para tërë ligjit të kërkesave të drejtësisë; prandaj vetëm atij që ka besim deri në pendim do t’i realizohet plani i madh, i përjetshëm i shëlbimit”20.

Keqkuptimi i drejtësisë dhe i mëshirës së Perëndisë është një gjë; mohimi i ekzistencës ose epërsisë së Perëndisë është diçka tjetër, por që të dyja do të sjellin si rrjedhim që ne të arrijmë më pak – nganjëherë shumë më pak – sesa potenciali ynë i plotë hyjnor. Një Perëndi që nuk bën asnjë kërkesë, vepron në po të njëjtën mënyrë sikurse një Perëndi që nuk ekziston. Një botë pa Perëndinë, Perëndinë e gjallë që vendos ligjet morale për t’i qeverisur dhe përsosur fëmijët e Tij, është gjithashtu një botë pa të vërtetën apo drejtësinë absolute. Është një botë ku relativizmi moral mbretëron në mënyrë universale.

Relativizëm do të thotë që çdo njeri është autoriteti më i lartë i vetes së tij ose të saj. Sigurisht, nuk janë vetëm ata, të cilët e mohojnë Perëndinë, që i bashkëngjiten kësaj filozofie. Disa njerëz që besojnë te Perëndia, ende besojnë se ata vendosin për veten e tyre, në mënyrë individuale, atë që është e drejtë dhe e gabuar. Një i ri në moshë madhore e shprehu atë në këtë mënyrë: “Nuk mendoj se mund të them që hinduizmi është i gabuar apo katolicizmi është i gabuar, ose të qenit episkopelian është i gabuar – mendoj se thjesht varet nga ajo që beson. … Nuk mendoj se ka një të drejtë dhe një të gabuar.”21 Një tjetër, kur u pyet rreth bazës së bindjeve të tij fetare, u përgjigj: “Vetja ime – qëndron pikërisht tek ajo. Dua të them, si mund të ketë autoritet për atë që besoni?”22

Atyre që besojnë se diçka apo gjithçka mund të jetë e vërtetë, deklarimi i së vërtetës së paanshme, të përcaktuar dhe universale iu duket detyrim – “nuk duhet të detyrohem që të besoj se diçka që nuk më pëlqen, është e vërtetë”. Por kjo nuk e ndryshon realitetin. Të urryerit e ligjit të gravitetit nuk do ta bëjë një njeri të mos bjerë nëse hidhet nga një shkëmb. E njëjta gjë është e vërtetë për ligjin dhe drejtësinë e përjetshme. Liria nuk vjen kur e kundërshtojmë, por kur e zbatojmë atë. Ajo është thelbësore për vetë fuqinë e Perëndisë. Po të mos ishte për realitetin e të vërtetave të përcaktuara dhe të pandryshueshme, dhurata e lirisë së zgjedhjes do të ishte pa kuptim, përderisa ne kurrë nuk do të ishim në gjendje t’i parashikonim dhe synonim pasojat e veprimeve tona. Sikurse e shprehu Lehi atë: “Në qoftë se ju do të thoni nuk ka ligj, ju do të thoni gjithashtu nuk ka mëkat. Në qoftë se ju do të thoni nuk ka mëkat, ju do të thoni gjithashtu nuk ka drejtësi. Dhe në qoftë se nuk ka drejtësi, nuk ka lumturi. Dhe në qoftë se nuk ka as drejtësi as lumturi, nuk ka as ndëshkim as mjerim. Dhe në qoftë se këto gjëra nuk janë, nuk ka Perëndi. Dhe në qoftë se nuk ka Perëndi, ne nuk jemi, as toka; pasi nuk do të mund të kishte qenë asnjë krijim gjërash, as që veprojnë, as që pësojnë; prandaj, të gjitha gjërat duhet të ishin zhdukur.”23

Në çështje si materiale ashtu edhe shpirtërore, mundësia për të mbajtur përgjegjësi vetjake është një dhuratë e dhënë nga Perëndia, pa të cilën ne nuk mund ta arrijmë potencialin tonë të plotë si bija dhe bij të Perëndisë. Përgjegjshmëria vetjake bëhet edhe një e drejtë edhe një detyrë që duhet të mbrohet vazhdimisht; ajo është sulmuar që përpara Krijimit. Ne duhet ta mbrojmë përgjegjshmërinë prej njerëzve dhe programeve që (nganjëherë me qëllimet më të mira) na bëjnë të varur prej tyre. Dhe ne duhet ta mbrojmë atë prej vetë prirjeve tona për ta shmangur punën që kërkohet për t’i zhvilluar talentet, aftësitë dhe karakterin e ngjashëm me të Krishtit.

Tregohet historia e një burri i cili thjesht nuk donte të punonte. Ai donte që të tjerët të kujdeseshin për çdo nevojë të tij. Sipas mënyrës së tij të të menduarit, Kisha ose qeveria, ose që të dyja, i detyroheshin atij një jetesë ngaqë i kishte paguar taksat e tija dhe të dhjetën e tij. Ai nuk kishte se çfarë të hante, por nuk pranonte të punonte që të kujdesej për vetveten. Për shkak të dëshpërimit dhe indinjatës, ata që ishin përpjekur ta ndihmonin, vendosën që, përderisa ai nuk do të lëvizte as gishtin për ta mbështetur veten e tij, do të ishte më mirë ta çonin në varrezë dhe ta linin të vdiste. Në udhën për në varrezë, një burrë tha: “Nuk mund ta bëjmë këtë. Unë kam ca misër dhe do t’ia jap atij.”

Prandaj ia shpjeguan këtë burrit dhe ai pyeti: “A u janë hequr lëpushat?”

Iu përgjigjën: “Jo”.

“Epo, atëherë”, tha ai, “vazhdoni udhën.”

Është vullneti i Perëndisë që ne të jemi burra dhe gra të lira, të aftësuar për ta arritur potencialin tonë të plotë si material ashtu edhe shpirtëror, që ne të jemi të lirë nga kufizimet poshtëruese të varfërisë dhe të zgjedhës së mëkatit, që ne të gëzojmë respekt për veten e pavarësi, që ne të përgatitemi në të gjitha gjërat që të bashkohemi me Të në mbretërinë e Tij çelestiale.

Nuk kam asnjë iluzion se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet vetë përpjekjeve tona, pa ndihmën shumë thelbësore dhe të vazhdueshme të Tij. “Ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë.”24 Dhe nuk kemi nevojë të arrijmë njëfarë niveli minimal të aftësisë ose mirësisë përpara se Perëndia të na ndihmojë – ndihma hyjnore mund të jetë e jona në çdo orë të çdo dite, pavarësisht se ku jemi në shtegun e bindjes. Por e di se, përtej të dëshiruarit të ndihmës së Tij, ne duhet ta vëmë në veprim veten tonë, të pendohemi dhe të zgjedhim Perëndinë, që Ai të jetë në gjendje për të vepruar në jetën tonë në përputhje me drejtësinë dhe lirinë e zgjedhjes morale. Lutja ime është thjesht të mbajmë përgjegjësi dhe të shkojmë në punë, me qëllim që të ketë diçka për Perëndinë me të cilën të na ndihmojë.

Unë jap dëshmi se Perëndia, Ati, jeton, se Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shëlbuesi ynë dhe se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm me ne. Dëshira e Tyre për të na ndihmuar është e padyshimtë dhe aftësia e Tyre për ta bërë këtë është e pafundme. Le të “zgjoh[emi] dhe ngrih[emi] nga pluhuri, … që besëlidhjet e Atit të Amshuar që bëri me [ne], të mund të plotësohen”25. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.