2010–2019
Priftëria Përgatitore
tetor 2014


Priftëria Përgatitore

Në përgatitjen priftërore “ma trego si bëhet” ka më tepër vlerë sesa “ma thuaj si bëhet”.

Jam mirënjohës që jam mbledhur me priftërinë e Perëndisë, që shtrihet anembanë botës. E vlerësoj besimin tuaj, shërbimin tuaj dhe lutjet tuaja.

Mesazhi im sonte është rreth Priftërisë Aarone. Na drejtohet edhe të gjithë neve që ndihmojmë në përmbushjen e premtimeve të Zotit për ata që mbajnë atë që përshkruhet në shkrimin e shenjtë si “priftëria më e ulët”1. Ajo quhet edhe priftëria përgatitore. Është kjo përgatitje e lavdishme rreth së cilës do të flas sonte.

Plani i Zotit për punën e Tij është i mbushur me përgatitje. Ai e përgatiti tokën që ne të përjetojmë provat dhe mundësitë e vdekshmërisë. Ndërkohë që jemi këtu, ne jemi në atë që shkrimet e shenjta e quajnë një “gjendje përgatitore”2.

Profeti Alma e përshkroi rëndësinë vendimtare të asaj përgatitjeje për jetën e përjetshme, ku ne mund të jetojmë përgjithmonë në familje me Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin.

Ai e shpjegoi nevojën për përgatitje në këtë mënyrë: “Dhe ne shohim se vdekja vjen mbi njerëzimin, po, vdekja, për të cilën foli Amuleku që është vdekja e përkohshme; megjithatë, njeriut iu dha një interval, gjatë të cilit ai mund të pendohej; prandaj kjo jetë u bë një gjendje e përkohshme prove; një kohë për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë; një kohë për t’u përgatitur për atë gjendje pa mbarim, për të cilën folëm ne, e cila është pas ringjalljes së të vdekurve”3.

Ashtu sikurse koha që na është dhënë për të jetuar në vdekshmëri, është që të përgatitemi për të takuar Perëndinë, koha që na jepet për të shërbyer në Priftërinë Aarone është një mundësi për të na përgatitur që të mësojmë se si t’u japim ndihmë vendimtare të tjerëve. Ashtu sikurse Zoti na jep ndihmën që na duhet për të kaluar provat e jetës në vdekshmëri, Ai na dërgon ndihmë edhe për përgatitjen tonë priftërore.

Mesazhi im u drejtohet atyre që Zoti i dërgon për të ndihmuar në përgatitjen e mbajtësve të Priftërisë Aarone, po aq sa është për ata që e mbajnë Priftërinë Aarone. Unë u flas etërve. U flas peshkopëve. Dhe u flas atyre të Priftërisë Melkizedeke që u është mirëbesuar të jenë shoqëruesit dhe mësuesit e të rinjve që janë në përgatitje për priftërinë.

Unë flas me lëvdatë e mirënjohje për shumë prej jush anembanë botës e kohës.

Do të isha i shkujdesur nëse nuk do të flisja për një president dege dhe një peshkop të rinisë sime. U bëra dhjak në moshën 12-vjeçare në një degë të vogël në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Dega ishte aq e vogël sa vëllai im më i madh dhe unë ishim të vetmit mbajtës të Priftërisë Aarone derisa babai im, që ishte presidenti i degës, ftoi një mesoburrë që të bashkohej me Kishën.

I sapokthyeri në besim mori Priftërinë Aarone dhe, me të, një thirrje për t’u kujdesur për Priftërinë Aarone. Ende më kujtohet si të ishte dje. Mund të sjell ndër mend gjethet e bukura të vjeshtës teksa ai i sapokthyer në besim na shoqëroi mua dhe vëllanë tim të bënim diçka për një vejushë. Nuk më kujtohet cili ishte projekti, por më kujtohet që ndjeva se fuqia e priftërisë u bë pjesë në bërjen e asaj që, më vonë, unë mësova se Zoti kishte thënë që ne të gjithë duhet të bëjmë që të na falen mëkatet dhe për pasojë të jemi të përgatitur për ta parë Atë.

Kur e kthej kokën pas tani, ndiej mirënjohje për një president dege që thirri një të sapokthyer në besim për ta ndihmuar Zotin të përgatiste dy djem të cilët, një ditë, do të bëheshin peshkopë të ngarkuar për t’u kujdesur për të varfrit e nevojtarët dhe gjithashtu për të kryesuar mbi priftërinë përgatitore.

Isha ende një dhjak kur familja jonë u shpërngul në një lagje të madhe në Juta. Ishte hera e parë që e ndjeva fuqinë e një kuorumi të plotë në Priftërinë Aarone. Në fakt, ishte hera e parë që e shihja një të tillë. Dhe më vonë ishte hera e parë që ndjeva fuqinë dhe bekimin e një peshkopi që kryesonte në një kuorum priftërinjsh.

Peshkopi më thirri që të isha ndihmësi i parë në kuorumin e priftërinjve. Më kujtohet se ai i dha vetë mësim kuorumit – aq i zënë sa ishte, edhe pse kishte burra të tjerë të talentuar të cilët mund t’i kishte thirrur që të na jepnin mësim. Ai bëri që karriget në klasë të rregulloheshin në formë rrethi. Ai më vuri të ulem në karrigen pranë tij, në të djathtën e tij.

Mund të shihja nga pas shpatullave të tij ndërkohë që jepte mësim. Ai, me raste, shihte poshtë te shënimet e shtypura me kujdes në dosjen e vogël prej lëkure mbi njërin gju dhe te shkrimet e shenjta, të përdorura shumë e të shenjuara, që i kishte të hapura mbi gjurin tjetër. Mund ta kujtoj ngazëllimin teksa ai tregonte historitë e trimërisë nga libri i Danielit dhe dëshminë e tij për Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht.

Do ta kujtoj gjithnjë se si Zoti thërret shoqërues të zgjedhur me kujdes për mbajtësit e tij të priftërisë që po përgatiten.

Peshkopi im kishte këshilltarë të fuqishëm dhe, për arsye që nuk i kuptoja atëherë, ai, më shumë se një herë, më mori mua në telefon në shtëpi dhe më tha: “Hal, kam nevojë të vish me mua si shoqërues që të bëjmë disa vizita”. Një herë, ishte që të më merrte me vete në shtëpinë e një vejushe e cila jetonte vetëm dhe pa ushqim në shtëpi. Rrugës për në shtëpi ai e ndaloi makinën, i hapi shkrimet e shenjta dhe më tha se përse e kishte trajtuar atë vejushë sikur ajo të kishte fuqinë jo vetëm për t’u kujdesur për veten, por sikur do të ishte, në një kohë të ardhshme, në gjendje të ndihmonte njerëz të tjerë.

Një vizitë tjetër ishte te një burrë që kishte munguar gjatë në Kishë. Peshkopi im e ftoi atë të kthehej për të qenë me shenjtorët. E ndjeva dashurinë e tij për dikë që më dukej mua një armik i pakëndshëm dhe i pabindur.

Në një rast tjetër përsëri ne vizituam një shtëpi ku dy vogëlushe u dërguan të na takonin te dera nga prindërit e tyre të alkoolizuar. Vogëlushet thanë nëpërmjet rrjetës së derës se nëna dhe babai i tyre ishin në gjumë. Peshkopi vazhdoi t’u fliste atyre, duke u buzëqeshur e duke i lavdëruar për mirësinë dhe trimërinë e tyre për një kohë që m’u duk 10 minuta ose më shumë. Teksa largoheshim bashkë, ai tha qetësisht: “Kjo ishte një vizitë e mirë. Ato vogëlushe nuk do ta harrojnë kurrë që ne erdhëm.”

Dy nga bekimet që një shoqërues më i vjetër në priftëri mund të japë, janë mirëbesimi dhe një shembull përkujdesjeje. Unë e pashë atë kur djalit tim iu dha një shoqërues për mësimet e shtëpisë që kishte shumë më tepër përvojë në priftëri sesa ai. Shoqëruesi i tij në moshë kishte qenë dy herë president misioni dhe kishte shërbyer në pozicione të tjera udhëheqjeje.

Përpara se të vizitonin një nga familjet që u ishin caktuar, ai udhëheqës me përvojë i priftërisë kërkoi që të bisedonte më parë me birin tim në shtëpinë tonë. Ata më lejuan të dëgjoja. Shoqëruesi i moshuar e hapi me lutje, duke kërkuar ndihmë. Pastaj ai i tha diçka të tillë djalit tim: “Mendoj se duhet të japim një mësim që do t’i tingëllojë kësaj familjeje si një thirrje për pendim. Mendoj se nuk do ta merrnin shumë mirë nga unë. Mendoj se ata do ta merrnin më mirë mesazhin nga ti. Si ndihesh për këtë?”

Më kujtohet tmerri në sytë e tim biri. Ende mund ta ndiej lumturinë e atij çasti kur djali im e pranoi mirëbesimin.

Nuk ishte rastësi që peshkopi e vendosi së bashku atë dyshe. Ishte me anë të përgatitjes së kujdesshme që shoqëruesi i moshuar kishte mësuar rreth ndjenjave të asaj familjeje që ata duhej t’i jepnin mësim pas pak. Ishte me anë të frymëzimit që ai ndjeu se duhej të bënte një hap prapa, t’i mirëbesonte një të riu pa përvojë që t’u bënte thirrje fëmijëve më të moshuar të Perëndisë për pendim dhe siguri.

Nuk e di rrjedhojën e vizitës së tyre, por e di se një peshkop, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke dhe Zoti, po e përgatitnin një djalë që të ishte një burrë i priftërisë dhe një ditë peshkop.

Tani, histori të tilla suksesi në përgatitjen priftërore janë të njohura për ju nga ajo që keni parë dhe ajo që keni përjetuar në vetë jetën tuaj. Ju keni njohur dhe keni qenë peshkopë, shoqërues dhe prindër të tillë. Ju e keni parë dorën e Zotit në përgatitjen tuaj për detyrat e priftërisë, të cilat Ai i dinte se do të shtriheshin përpara jush.

Të gjithë ne në priftëri kemi një detyrim për ta ndihmuar Zotin t’i përgatitë të tjerët. Ka disa gjëra që ne mund të bëjmë që mund të kenë më tepër rëndësi. Madje edhe më të fuqishëm se përdorimi i fjalëve në mësimdhënien e doktrinës nga ne, do të jenë shembujt e të jetuarit të doktrinës.

Në shërbimin tonë priftëror më me epërsi është të ftuarit e njerëzve që të vijnë te Krishti me anë të besimit, pendimit, pagëzimit dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Presidenti Monson, për shembull, ka dhënë predikime që të prekin në zemër mbi gjithë ato doktrina. Por ajo që unë di për atë çka ai bëri me njerëzit e misionarët dhe miqtë e Kishës kur kryesonte mbi misionin në Toronto, më jep shtysë për veprim.

Në përgatitjen priftërore “ma trego si bëhet” ka më tepër vlerë sesa “ma thuaj si bëhet”.

Kjo është arsyeja përse shkrimet e shenjta janë kaq të rëndësishme që të na përgatitin ne në priftëri. Ato janë të mbushura me shembuj. Më duket sikur mund ta shoh Almën duke zbatuar urdhrin e engjëllit dhe më pas duke u kthyer me nxitim për të mësuar njerëzit e ligj në Amonihë që nuk e kishin pranuar atë.4 Mund ta ndiej të ftohtin në qelinë e burgut kur Profetit Jozef iu tha prej Perëndisë që të merrte zemër dhe se për të po tregohej kujdes.5 Me ato pamje nga shkrimi i shenjtë në mendje, ne mund të përgatitemi të bëjmë durim në shërbimin tonë kur ai duket i vështirë.

Një baba ose një peshkop apo një shoqërues më me përvojë për mësimet e shtëpisë, që tregon se ka besim te një mbajtës i ri i priftërisë, mund t’ia ndryshojë jetën atij. Babait tim një herë iu kërkua nga një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve që të shkruante një artikull të shkurtër mbi shkencën dhe fenë. Babai im ishte shkencëtar dhe një mbajtës besnik i priftërisë. Por mund ta kujtoj ende çastin kur ai më la në duar artikullin që kishte shkruar, dhe tha: “Ja, përpara se t’ua dërgoj këtë Të Dymbëdhjetëve, dëshiroj që ti ta lexosh. Ti do ta dish nëse është i drejtë.” Ai ishte 32 vjet më i madh se unë dhe pafundësisht më i urtë e më inteligjent.

Unë forcohem ende prej atij mirëbesimi nga një baba dhe burrë i shkëlqyer priftërie. E dija se mirëbesimi i tij nuk ishte tek unë, por te [fakti] se Perëndia mundej dhe do të më tregonte se çfarë ishte e vërtetë. Ju shoqërues me përvojë mund ta bekoni një mbajtës të ri të priftërisë në përgatitje e sipër, sa herë që ia tregoni atij atë lloj mirëbesimi. Kjo do ta ndihmojë atë të ketë vetë besim tek ajo ndjenjë e butë frymëzimi kur vjen, teksa ai një ditë vendos duart e tij që të vulosë bekimin për të shëruar një fëmijë që mjekët thonë se do të vdesë. Ai mirëbesim më ka ndihmuar më shumë se një herë.

Suksesi ynë në përgatitjen e të tjerëve për priftërinë do të vijë në përpjesëtim të drejtë me atë se sa shumë i duam ata. Ajo do të jetë veçanërisht e vërtetë kur të na duhet t’i korrigjojmë ata. Mendoni për çastin kur një mbajtës i Priftërisë Aarone, ndoshta në tryezën e sakramentit, bën një gabim në kryerjen e një ordinance. Kjo është një çështje serioze. Ndonjëherë gabimi kërkon korrigjim publik me një mundësi fyerjeje, një ndjenjë poshtërimi dhe madje [një ndjenjë] të të qenit i refuzuar.

Ju do ta kujtoni këshillën e Zotit: “Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij”6.

Fjala rritje ka një domethënie të veçantë për përgatitjen e mbajtësve të priftërisë kur ata kanë nevojë për korrigjim. Fjala sugjeron një rritje të një dashurie që ekzistonte tashmë. Fjalët “duke treguar” nënkuptojnë rritjen. Ata prej nesh që po përgatitin mbajtës të priftërisë, me siguri që do t’i shohin të bëjnë gabime. Përpara se të marrin korrigjimin tuaj, ata duhet ta kenë ndier dashurinë tuaj që më parë dhe në mënyrë të qëndrueshme. Ata duhet ta kenë ndier lëvdatën tuaj të çiltër përpara se të pranojnë korrigjimin tuaj.

Vetë Zoti kishte për ata mbajtës të priftërisë më të ulët një konsideratë që e nderon potencialin e tyre dhe vlerën e tyre për Të. Vëruani veshin këtyre fjalëve, të folura nga Gjon Pagëzori kur u rivendos Priftëria Aarone: “Mbi ju, shërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; dhe kjo nuk do të merret më kurrë nga toka, derisa bijtë e Levit t’i ofrojnë përsëri një flijim Zotit në drejtësi”7.

Priftëria Aarone është një shtesë e Priftërisë më të madhe Melkizedeke.8 Si president i të gjithë priftërisë, Presidenti i Kishës kryeson edhe mbi priftërinë përgatitore. Mesazhet e tij gjatë viteve mbi punën për shpëtim i shkojnë përsosurisht për shtat urdhrit për ta çuar ungjillin e pendimit dhe të pagëzimit në jetën e të tjerëve.

Kuorumet e dhjakëve, mësuesve dhe priftërinjve këshillohen rregullisht që ta afrojnë çdo anëtar të kuorumit te Zoti. Presidencat caktojnë anëtarë që të ndihmojnë me besim dhe dashuri. Dhjakët e shpërndajnë sakramentin me nderim dhe me besim se anëtarët do ta ndiejnë ndikimin e Shlyerjes dhe do të zotohen t’i zbatojnë urdhërimet, teksa i marrin ato emblema të shenjta.

Mësuesit dhe priftërinjtë luten me shoqëruesit e tyre që ta përmbushin porosinë për t’u kujdesur për Kishën, një e nga një. Dhe ato dyshe shoqëruese luten së bashku teksa mësojnë për nevojat dhe shpresat e kryetarëve të familjeve. Teksa e bëjnë, ata po përgatiten për ditën e mrekullueshme kur do të kryesojnë si një atë, me besim, në një familje të vetën.

Unë dëshmoj se të gjithë ata që shërbejnë së bashku në priftëri, po përgatitin një popull për ardhjen e Zotit në Kishën e Tij. Perëndia, Ati, jeton. Unë e di – e di – se Jezusi është Krishti dhe se Ai na do. Presidenti Tomas S. Monson është profeti i gjallë i Zotit. Unë dëshmoj për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.