2010–2019
Ardhtë Mbretëria Jote
Prill 2015


Ardhtë Mbretëria Jote

Mendimi i ardhjes së Tij ma emocionon shpirtin. Do të jetë marramendëse! Qëllimi e madhështia, gjerësia e mrekullia do ta kapërcejnë çdo gjë që sytë njerëzorë e kanë parë ose përjetuar ndonjëherëë.

Teksa po këndonim, u emocionova shumë nga mendimi që pikërisht në këtë çast qindra mijëra, ndoshta miliona, shenjtorë besimtarë në më shumë se 150 vende, në mënyrë mahnitëse në 75 gjuhë të ndryshme1, së bashku ishim duke i ngritur zërat tanë kundrejt Perëndisë, duke kënduar:

Eja, Mbret i Mbret’ve!

Ty t’kemi pritur gjat’,

Shërim në krahët ke,

Njer’zit për t’çliruar.2

“Eja, Mbret i Mbret’ve!”3 Ne jemi një familje shumë e madhe mbarëbotërore e besimtarëve, dishepuj të Zotit Jezu Krishtit.

Ne kemi marrë mbi vete emrin e Tij dhe çdo javë, ndërsa marrim sakramentin, ne zotohemi që do ta kujtojmë Atë dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Ne jemi larg prej të qenit të përsosur, por nuk jemi rastësorë në besimin tonë. Ne besojmë tek Ai. Ne e adhurojmë Atë. Ne e ndjekim Atë. Ne e duam Atë thellësisht. Kauza e tij është kauza më e madhërishme në të gjithë botën.

Ne jetojmë, vëllezër e motra, në ditët që paraprijnë Ardhjen e Dytë të Zotit, një kohë e pritur gjatë prej besimtarëve përmes epokave. Ne jetojmë në ditët e luftërave dhe të zhurmave të luftërave, në ditët e fatkeqësive natyrore, në ditët kur bota ngatërrohet prej pështjellimit e rrëmujës.

Por ne gjithashtu jetojmë në kohën e lavdishme të Rivendosjes, kur ungjilli po çohet në mbarë botën – një kohë kur Zoti ka premtuar se Ai “do të ngre[jë] … një popull të kulluar”4 dhe do ta armatosë “me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë”5.

Ne ngazëllehemi në këto ditë dhe lutemi që do të jemi në gjendje t’i përballojmë me guxim sprovat dhe pasiguritë tona. Vështirësitë e disa njerëzve janë më të rënda sesa të të tjerëve, por askush nuk është i paprekshëm. Plaku Nil A. Maksuell dikur më tha: “Nëse gjithçka po shkon në mënyrë të përsosur për ty pikërisht tani, thjesht prit”.

Edhe pse Zoti na siguron herë pas here që ne “nuk duhet të ke[mi] frikë”6, ruajtja e një këndvështrimi të qartë dhe të shikuarit përtej kësaj bote, nuk janë gjithmonë të lehta kur gjendemi mes sprovave.

Presidenti Tomas S. Monson më dha një mësim të rëndësishëm rreth mbajtjes së një këndvështrimi të përjetshëm.

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, teksa udhëtoja me tren në Zvicër me Presidentin Monson, e pyeta rreth përgjegjësive të tij të rënda. Përgjigjja e tij ma forcoi besimin tim. “Në Presidencën e Parë”, tha ai, “ne bëjmë gjithçka mundemi për ta çuar këtë punë përpara. Por kjo është puna e Zotit dhe Ai e drejton atë. Ai është në timon. Ne mahnitemi teksa e shohim Atë të hapë dyert që ne nuk mund t’i hapim, dhe të kryejë mrekullitë që mezi mund t’i përfytyrojmë.”7

Vëllezër e motra, të shikuarit dhe të besuarit e mrekullive të Zotit në vendosjen e mbretërisë së Tij në tokë mund të na ndihmojë të shohim e të besojmë se dora e Zotit është duke vepruar në vetë jetën tonë gjithashtu.

Zoti shpalli: “Unë jam në gjendje ta bëj punën time”8. Secili prej nesh përpiqet të bëjë pjesën e tij, por Ai është arkitekti i madhërishëm. Nën drejtimin e Atit të Tij, Ai e krijoi këtë botë. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij; dhe pa të nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.”9 Kur jemi syhapur e vigjilentë shpirtërisht, ne e shohim dorën e Tij përmes botës dhe e shohim dorën e Tij në vetë jetën tonë personale.

Më lejoni të tregoj një shembull.

Në vitin 1831, me vetëm 600 anëtarë të Kishës, Zoti shpalli: “Çelësat e mbretërisë së Perëndisë i jepen njeriut në tokë dhe që atje do të përhapet ungjilli deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali, do të përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën”10.

Profeti Nefi parashikoi se në kohën tonë do të ishin “të pakt[ë]” anëtarët e Kishës kur të krahasoheshin me popullsinë e tokës, por që ata do të ishin “mbi të gjithë faqen e tokës”11.

Tre shembuj të bukur të dorës së Zotit në ngritjen e mbretërisë së Tij janë tempujt e njoftuar sot nga Presidenti Monson. Vetëm pak dekada më parë, kush mund të kishte përfytyruar tempuj në Haiti, Tajlandë dhe në Bregun e Fildishtë?

Vendndodhja e një tempulli nuk është një vendim i volitshëm gjeografik. Vjen me anë të zbulesës nga Zoti dhënë profetit të Tij, duke bërë të ditur një punë të madhërishme që është për t’u bërë dhe duke vënë në dukje drejtësinë e shenjtorëve, të cilët do ta çmojnë si thesar dhe do të kujdesen për shtëpinë e Tij përgjatë brezave.12

Pamja
Thomas S. Monson of the Quorum of the Twelve Apostles, visiting Haiti. On April 17, 1983 he dedicated Haiti for the preaching of the gospel and also dedicated a site for the first meetinghouse to be built in Haiti. It was the first visit to the island by a member of the Quorum of the Twelve. (Ensign Aug. 1983, p. 79; Church News, May 22, 1983, p. 4)
Pamja
A group of Missionaries with Elder Andersen

Gruaja ime, Kathi, dhe unë vizituam Haitin veç dy vjet më parë. Lart mbi malin që vështron mbi Port-o-Prensin, ne u bashkuam me shenjtorë haitianë për të përkujtuar përkushtimin e vendit nga Plaku Tomas S. Monson i atëhershëm, vetëm 30 vjet më parë. Askush prej nesh nuk do ta harrojë ndonjëherë tërmetin rrënues në Haiti të vitit 2010. Me anëtarë besnikë dhe një grup guximtar të misionarëve, i përbërë pothuajse tërësisht nga haitianë, Kisha në këtë komb ishullor ka vazhduar të rritet dhe të forcohet. Më lartësohet besimi kur përfytyroj këta shenjtorë të drejtë të Perëndisë, të veshur në të bardha, duke pasur fuqinë e priftërisë së shenjtë për t’i drejtuar dhe për të kryer ordinancat e shenjta në shtëpinë e Zotit.

Pamja
Sathit and Juthamas Kaivaivatana of Bangkok Thailand.
Pamja
President Kaivaivatana and other members of the Thailand Bangkok Thailand North Stake leadership..

Kush mund të përfytyronte një shtëpi të Zotit në qytetin e bukur të Bangkokut? Të krishterët janë vetëm një përqind e këtij vendi kryesisht budist. Sikurse në Haiti, ne gjithashtu gjejmë në Bangkok që Zoti i ka mbledhur të zgjedhurit e tokës. Kur ishim atje vetëm disa muaj më parë, ne u takuam me Satit e Xhutamat Kaivaivatanat dhe me fëmijët e tyre të përkushtuar. Satiti u bashkua me Kishën kur ishte 17 vjeç dhe shërbeu një mision në tokën e tij amtare. Më vonë ai u takua me Xhutamatin në institutin fetar dhe ata u vulosën në Tempullin e Manilës në Filipine. Në vitin 1993, çifti Kaivaivatana u godit nga një kamion, shoferin e të cilit e kishte zënë gjumi dhe Satiti u paralizua nga mesi e poshtë. Besimi i tyre nuk është lëkundur kurrë. Satiti është një mësues i admiruar në Shkollën Ndërkombëtare në Bangkok. Ai shërben si presidenti i Kunjit Verior të Bangkokut në Tajlandë. Ne i shohim mrekullitë e Perëndisë në punën e Tij dhe në vetë jetën tonë personale.

Pamja
Couples in the Ivory Coast

Mrekullia e Kishës në Bregun e Fildishtë nuk mund të tregohet pa emrat e dy çifteve: Filip e Analis Asard dhe Lysien e Agat Afue. Ata u bashkuan me Kishën si çifte të reja, të martuara në Europë, një në Gjermani dhe një në Francë. Në vitet 1980, Filipi dhe Lysieni u ndien të tërhequr përsëri nga vendi i tyre amtar afrikan për qëllimin e ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë. Për Motrën Asard, që është gjermane, ta linte familjen e saj dhe ta lejonte Vëllanë Asard të linte punën si një inxhinier i suksesshëm mekanik, kërkonte besim të pazakontë. Të dy çiftet u takuan me njëri-tjetrin për herë të parë në Bregun e Fildishtë dhe filluan një Shkollë të së Dielës. Kjo ishte 30 vjet më parë. Tani ka tetë kunje dhe 27.000 anëtarë në këtë vend të bukur afrikan. Çifti Afue vazhdon të shërbejë me fisnikëri, ashtu sikurse bën çifti Asard, të cilët kohët e fundit përfunduan një mision në Tempullin e Akras në Gana.

A mund ta shihni dorën e Perëndisë duke e çuar përpara punën e Tij? A mund ta shihni dorën e Perëndisë në jetën e misionarëve në Haiti ose të çiftit Kaivaivatana në Tajlandë? A mund ta shihni dorën e Perëndisë në jetën e çifteve Asard dhe Afue? A mund ta shihni dorën e Perëndisë në vetë jetën tuaj?

“Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë … përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka.”13

Mrekullitë e Perëndisë nuk po ndodhin vetëm në Haiti, Tajlandë apo Bregun e Fildishtë. Hidheni vështrimin përreth.14 “Perëndia kujdeset për të gjithë njerëzit, … po, ai numëron njerëzit e tij dhe … mëshir[ra e tij] është mbi [të] gjithë tokën.”15

Nganjëherë mund ta shohim dorën e Zotit në jetën e të tjerëve, por pyetim veten: “Si mund ta shoh unë më qartësisht dorën e Tij në vetë jetën time?”

Shpëtimtari tha:

“Mos dyshoni”16.

“Mos ki[ni] frikë.”17

“Asnjë … [harabel] nuk bie përtokë pa [dijeninë] e Atit tuaj. …

Mos kini frikë, … [sepse] ju vleni më tepër se shumë harabela.”18

A ju kujtohet i riu, i cili i tha profetit Eliseu, ndërkohë që ishin të rrethuar nga armiqtë: “Oh, ç’do të bëjmë?”19

Eliseu u përgjigj:

“Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta”.

Pastaj Eliseu u lut … : ‘O Zot, … hap[i] sytë e tij që të mund të shohë’. Atëherë Zoti [vërtet] ia hapi sytë të riut dhe [vërtet] ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta.”20

Kur i zbatoni urdhërimet dhe luteni me besim që ta shihni dorën e Zotit në jetën tuaj, unë ju premtoj se Ai do t’i hapë sytë tuaj shpirtërorë edhe më shumë dhe ju do të shihni më qartësisht se nuk jeni të vetëm.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se ne duhet “[të qëndrojmë] me vendosmëri në besimin e asaj që do të vijë”21. Çfarë do të vijë? Shpëtimtari tha:

“Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.”22

Ne të gjithë sapo kënduam: “Eja, Mbret i Mbret’ve”.

Besimi ynë rritet kur e presim me dëshirë ditën e lavdishme të kthimit të Shpëtimtarit në tokë. Mendimi i ardhjes së Tij ma emocionon shpirtin. Do të jetë marramendëse! Qëllimi e madhështia, gjerësia e mrekullia do ta kapërcejnë çdo gjë që sytë njerëzorë e kanë parë ose përjetuar ndonjëherë.

Në atë ditë, Ai nuk do të vijë i “mbështjellë me pelena, [i] shtrirë në një grazhd”23, por do të shfaqet “në retë e qiellit, [i] mbuluar me fuqi dhe lavdi të madhe, me gjithë engjëjt e shenjtë”24. Ne do ta dëgjojmë “zë[rin e] kryeengjëlli[t] dhe … borinë e Perëndisë”25. Dielli dhe hëna do të shndërrohen dhe “yjet do të flaken nga vendet e tyre”26. Ju dhe unë, ose ata që na ndjekin, “shenjtorët … nga [çdo anë] e dheut”27, “do të gjallërohen dhe rrëmbehen lart për ta takuar atë”28 dhe ata që kanë vdekur në drejtësi, gjithashtu do të “rrëmbehen lart për ta takuar atë në mes të … qiellit”29.

Më pas, një përvojë në dukje e pamundur: “Gjithë mishi”, thotë Zoti, “do të më shohë së bashku”30. Si do të ndodhë ajo? Ne nuk e dimë. Por unë dëshmoj se do të ndodhë – pikërisht siç u profetizua. Ne do të biem në gjunjë me nderim “dhe Zoti do ta lëshojë zërin e tij dhe gjithë fundet e dheut do ta dëgjojnë atë”31. “Ai do të jetë … sikurse zëri i shumë ujërave dhe sikurse zëri i një bubullime të madhe.”32 “[Atëherë] Zoti, … Shpëtimtari, do të rrijë më këmbë mes popullit të tij.”33

Do të ketë takime të paharrueshme të engjëjve të qiellit dhe të shenjtorëve në tokë.34 Por akoma më e rëndësishme, sikurse shpall Isaia: “Të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë”35 dhe Ai “do të mbretërojë mbi gjithë mishin”36.

Në atë ditë skeptikët do të jenë të heshtur, “sepse çdo vesh do ta dëgjojë … dhe çdo gju do të përkulet e çdo gjuhë do të rrëfejë”37 se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.

Sot është Pashkë. Ne ngazëllehemi me të krishterët anembanë botës në Ringjalljen e Tij të lavdishme dhe në vetë ringjalljen tonë të premtuar. U përgatitshim për ardhjen e Tij duke i përsëritur këto ngjarje të lavdishme herë pas here në vetë mendjen tonë dhe me njerëzit që i duam dhe lutja e Tij qoftë lutja jonë: “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.”38 Unë dëshmoj se Ai jeton. “Eja, Mbret i Mbret’ve.” Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ndërkohë që konferenca e përgjithshme në përgjithësi përkthehet në 94 gjuhë, jo të gjitha gjuhët transmetohen drejtpërsëdrejti, as nuk transmetohen të gjitha sesionet. Për sesionin e pasdites të së dielës, të kësaj konference të përgjithshme, u transmetuan drejtpërsëdrejti 75 gjuhë.

  2. “Come, O Thou King of Kings” [“Eja, Mbret i Mbret’ve”], Hymns, nr. 59.

  3. Të martën, më 31 mars 2015, zyra e Presidencës së Parë më dërgoi një mesazh elektronik duke më shpjeguar që unë do të flisja të dielën pasdite më 5 prill, menjëherë pas himnit të kënduar nga gjithë të pranishmit “Come, O Thou King of Kings” [“Eja, Mbret i Mbret’ve”]. Teksti i këtij himni madhështor të Rivendosjes, i shkruar nga Parli P. Prati, është një lutje e përulur drejtuar Shpëtimtarit për t’u kthyer në tokë. Ai e mishëronte mesazhin e bisedës sime të konferencës ndoshta më fuqishëm sesa ndonjë himn tjetër që ne këndojmë. U preka thellësisht nga domethënia e shenjtorëve besimtarë kudo, të mbledhur së bashku në të dielën e Pashkës, duke i ngritur zërat e tyre drejt Perëndisë dhe njëzëri duke kënduar “Eja, Mbret i Mbret’ve! Ty t’kemi pritur gjat’”. Duke e kuptuar se unë personalisht nuk kisha bërë asnjë ndërhyrje në përzgjedhjen e muzikës për konferencën e përgjithshme, pyeta veten nëse ata njerëz, përgjegjës për muzikën, e kishin lexuar bisedën time të titulluar “Ardhtë Mbretëria Jote” dhe më pas e kishin zgjedhur këtë himn rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Më vonë mësova se drejtuesit e Korit të Tabernakullit ia kishin rekomanduar himnin Presidencës së Parë që në fillim të marsit, javë përpara dërgimit të bisedës sime te Presidenca e Parë për përkthim. Hera e fundit që ai himn “Come, O Thou King of Kings” [“Eja, Mbret i Mbret’ve”], u këndua si një himn prej të gjithë të pranishmëve në konferencën e përgjithshme, ishte në tetor të vitit 2002. Ne secili përpiqemi të bëjmë pjesën tonë, por Ai është arkitekti i madhërishëm.

  4. Doktrina e Besëlidhje 100:16.

  5. 1 Nefi 14:14.

  6. Doktrina e Besëlidhje 10:55.

  7. Përvojë vetjake, maj 1997.

  8. 2 Nefi 27:20.

  9. Gjoni 1:3.

  10. Doktrina e Besëlidhje 65:2.

  11. 1 Nefi 14:12.

  12. Në vjeshtën e vitit 2001, teksa jetoja në Brazil, në mënyrë entuziaste i tregova Presidentit Xhejms E. Faust, të Presidencës së Parë, shumë fakte mbresëlënëse rreth shenjtorëve që jetonin në qytetin e Kuritibës, duke shpresuar që ai do t’ia jepte informacionin Presidentit Gordon B. Hinkli. Presidenti Faust më ndali në mes të fjalisë. “Nil”, tha ai, “ne nuk i japim mendim Presidentit. Vendimi se ku do të ngrihet një tempull është midis Zotit dhe profetit të Tij.” Tempulli i Kuritibës në Brazil u përkushtua në vitin 2008.

  13. Doktrina e Besëlidhje 59:21.

  14. Një prej mrekullive të dorës së Zotit është përhapja e mbretërisë së Tij përmes Shteteve të Bashkuara në qytete të mëdha e të vogla në çdo shtet. Ja një shembull. Në maj të vitit 2006, u caktova në një konferencë kunji në Dentën të Teksasit. Qëndrova në shtëpinë e presidentit të kunjit, Presidentit Von A Endrus. Motra Endrus më tregoi për Kishën e hershme në Dentën, duke filluar me prindërit e saj, Xhon dhe Margaret Porterin. Pati vetëm një Shkollë të së Dielës në fillim. Por çifti Porter e ndau ungjillin me familjen Regsdejll, të cilët e ndanë më pas me familjet Nobëll dhe Martino. Misionarët, sigurisht, e shtuan ndihmesën e tyre të rëndësishme. Shumë familje u bashkuan me Kishën. Të tjera familje nga perëndimi u vendosën në Dentën. Sot, atje ku ishte një degë e vogël, ka tani katër kunje dhe një prej bijve të familjes Martino, Plaku Xhejms B. Martino, që u bashkua me Kishën kur ishte 17 vjeç, shërben si një Autoritet i Përgjithshëm i Kishës.

  15. Alma 26:37.

  16. Mateu 21:21.

  17. Marku 5:36.

  18. Mateu 10:29, 31.

  19. 2 Mbretërve 6:15.

  20. 2 Mbretërve 6:16–17.

  21. Mosia 4:11.

  22. Mateu 6:9–10; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 65:6.

  23. Lluka 2:12.

  24. Doktrina e Besëlidhje 45:44.

  25. 1 Thesalonikasve 4:16.

  26. Doktrina e Besëlidhje 133:49.

  27. Doktrina e Besëlidhje 45:46.

  28. Doktrina e Besëlidhje 88:96.

  29. Doktrina e Besëlidhje 88:97.

  30. Doktrina e Besëlidhje 101:23.

  31. Doktrina e Besëlidhje 45:49.

  32. Doktrina e Besëlidhje 133:22.

  33. Doktrina e Besëlidhje 133:25.

  34. Shih Moisiu 7:63.

  35. Isaia 52:10.

  36. Doktrina e Besëlidhje 133:25.

  37. Doktrina e Besëlidhje 88:104.

  38. Mateu 6:10.