2010–2019
Ne do të Lartësohemi së Bashku
Prill 2015


Ne do të Lartësohemi së Bashku

Si gra dhe burra mbajtës të besëlidhjeve, ne kemi nevojë ta ngremë njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin të bëhemi njerëzit që Zoti do që ne të bëhemi.

Përveç bisedave, muzikës dhe lutjeve frymëzuese që përherë na i prekin zemrat tona gjatë konferencës së përgjithshme, më është thënë nga shumë motra se ajo që pëlqejnë më shumë, është të shohin Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve ndërsa dalin nga kjo foltore me shoqet e tyre të përjetshme. Dhe a nuk kënaqemi të gjithë duke i dëgjuar Vëllezërit të shprehin me ëmbëlsi dashurinë e tyre për to?

Pamja
President Boyd K. Packer and his wife, Donna, at the Brigham City Utah Temple cornerstone ceremony, 23 September 2012.

Duke folur për bashkëshorten e tij, Donën, Presidenti Bojd K. Paker tha: “Për shkak të detyrës që mbaj, kam një detyrim solemn për të thënë të vërtetën: Ajo është e përsosur”1.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf and his wife.

“Ajo është drita e jetës sime”,2 tha Presidenti Diter F. Uhtdorf për bashkëshorten e tij, Harietën.

Pamja
President Henry B. Eyring and Sister Eyring at their wedding.

Presidenti Henri B. Ajring, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij, Keithlinit, tha: “Ajo [është] një person që më ka bërë përherë të kem dëshirë të jem më i miri që mund të jem”3.

Pamja
LDS Church President Thomas S. Monson gives his wife, Frances, a kiss at their 60th anniversary celebration, 10/6/2008, at the Lion House. The two met in 1944 and were married in the Salt Lake Temple on Oct. 7, 1948.

Dhe Presidenti Tomas S. Monson, duke folur për Frensisin e tij të dashur, tha: “Ajo ishte dashuria e jetës sime, njeriu im i besuar dhe shoqja ime më e ngushtë. Të them që më mungon, as nuk fillon ta përçojë thellësinë e ndjenjave të mia”4.

Unë gjithashtu dëshiroj të shpreh dashurinë time për shokun tim të dashur, Krejgun. Ai është një dhuratë e çmuar për mua! Duke iu drejtuar bashkëshortit tim, një frazë e dashur dhe e shtrenjtë në bekimin tim patriarkal premton se jeta ime dhe jeta e fëmijëve të mi do të “jenë mirë nën kujdesin e tij”. Është e qartë për mua se Krejgu është përmbushja e atij premtimi. Duke i huazuar fjalët e Mark Tuejnit, unë them se “jeta pa [Krejgun] nuk do të ishte jetë”5. E dua atë me zemër e me shpirt!

Rolet dhe Përgjegjësitë Hyjnore

Sot dëshiroj të nderoj bashkëshortët, etërit, vëllezërit, bijtë dhe ungjit, të cilët e dinë se kush janë, dhe që po bëjnë më të mirën e tyre për të përmbushur rolet e tyre të dhëna nga Perëndia siç përshkruhen në proklamatën mbi familjen, përfshirë kryesimin me drejtësi dhe sigurimin e mbrojtjen e familjeve të tyre. Ju lutem, dijeni se jam shumë e vetëdijshme se temat e atësisë, mëmësisë dhe martesës mund të jenë shqetësuese për disa. E di që disa anëtarë të Kishës mendojnë se shtëpitë e tyre nuk do ta arrijnë asnjëherë atë që ata perceptojnë të jetë idealja. Shumë po lëndohen për shkak të shpërfilljes, abuzimit, varësive dhe traditave e kulturës së gabuar. Nuk i harroj veprimet e burrave apo grave që me paramendim ose edhe në padijeni, kanë sjellë dhembje, vuajtje dhe dëshpërim në shtëpitë e tyre. Por sot po flas për diçka tjetër.

Jam e bindur se një bashkëshort nuk është asnjëherë më ngashënjyes për bashkëshorten e tij sesa kur është duke shërbyer në rolet e tij të dhëna nga Perëndia si një mbajtës i denjë i priftërisë – më e rëndësishmja në shtëpi. I dua dhe i besoj këto fjalë nga Presidenti Paker për bashkëshortët dhe etërit e denjë: “Ju keni fuqinë e priftërisë drejtpërdrejt nga Zoti për të mbrojtur shtëpinë tuaj. Do të ketë kohë kur gjithçka që qëndron si mburojë midis familjes tuaj dhe dinakërisë së kundërshtarit do të jetë ajo fuqi”6.

Udhëheqësit dhe Mësuesit Shpirtërorë në Shtëpi

Nga fillimi i këtij viti mora pjesë në varrimin e një burri të jashtëzakonshëm e të thjeshtë njëkohësisht – xhaxhait të bashkëshortit tim, Doni. Një nga djemtë e xhaxhait Doni, tregoi një përvojë që pati kur ishte fëmijë, pak pasi prindërit e tij kishin blerë shtëpinë e tyre të parë. Për shkak se ishin pesë fëmijë të vegjël për t’u ushqyer dhe veshur, nuk kishte para të mjaftueshme për të rrethuar oborrin. Duke e marrë me seriozitet një nga rolet e tij hyjnore si mbrojtës i familjes së vet, xhaxha Doni nguli disa kunja të vogla të drunjta në tokë, mori pak spango dhe e lidhi atë nga kunji në kunj rreth gjithë oborrit. Më pas i thirri fëmijët pranë vetes. Ai u tregoi atyre kunjat dhe spangon dhe u shpjegoi se, nëse ata do të qëndronin brenda atij gardhi të improvizuar, ata do të ishin të sigurt.

Një ditë mësueset vizitore panë me habi teksa iu afruan shtëpisë dhe panë pesë fëmijë të vegjël duke qëndruar të bindur në buzë të spangos, duke parë me dëshirim topin që kishte kërcyer përtej kufijve të tyre dhe kishte dalë në rrugë. Një nga të vegjlit vrapoi për të marrë babanë e tyre, i cili, në përgjigje, vrapoi dhe e mori sërish topin.

Më vonë në varrim, djali më i madh shprehu i përlotur se gjithçka që kishte shpresuar ndonjëherë në këtë jetë, qe që të ishte si babai i tij i dashur.

Pamja
Sister Burton's son and grandson reading together.

Presidenti Ezra Taft Benson tha:

“O, bashkëshortë dhe etër në Izrael, ju mund të bëni kaq shumë për shpëtimin dhe ekzaltimin e familjeve tuaja! …

Mbajeni mend thirrjen tuaj të shenjtë si një atë në Izrael – thirrjen tuaj më të rëndësishme për kohën dhe përjetësinë – një thirrje nga e cila nuk do të liroheni kurrë.”

Pamja
Sister Burton's son and grandson on a bed together.

“Ju duhet të ndihmoni për të krijuar një shtëpi ku Shpirti i Zotit mund të banojë.”7

Sa të zbatueshme janë sot ato fjalë profetike.

Duhet të jetë e vështirë, të paktën për burrat e besëlidhjes, që të jetojnë në një botë që jo vetëm i përçmon rolet dhe përgjegjësitë e tyre hyjnore, por gjithashtu dërgon mesazhe të rreme rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh një “burrë i vërtetë”. Një mesazh i rremë është: “Gjithçka ka lidhje me mua”. Dhe gjithashtu kemi mesazhin ulës dhe tallës se bashkëshortët dhe etërit nuk nevojiten më. Unë ju lutem që të mos i dëgjoni gënjeshtrat e Satanit! Ai e ka humbur privilegjin e shenjtë të të bërit ndonjëherë një bashkëshort ose atë. Për shkak se ai është ziliqar ndaj atyre që kanë role të shenjta që ai nuk do t’i përmbushë asnjëherë, ai ka për qëllim t’i bëjë “të gjithë njerëzit … të mjeruar sikurse është ai vetë”!8

Ngritja dhe Dhënia e Ndihmës në Rolet tona Plotësuese

Vëllezër dhe motra, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin! Si gra dhe burra mbajtës të besëlidhjeve, ne kemi nevojë ta ngremë njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin të bëhemi njerëzit që Zoti do që ne të bëhemi. Dhe ne duhet të punojmë bashkërisht për ta ngritur brezin e ri dhe për t’i ndihmuar ata ta arrijnë potencialin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme. Ne mund të bëjmë sikurse kanë bërë Plaku Robert D. Hejls dhe bashkëshortja e tij, Meri, dhe të ndjekim fjalën e urtë “Ti më ngri mua dhe unë do të të ngre ty, dhe ne do të lartësohemi së bashku”9.

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”. Kjo është arsyeja përse Ati ynë Qiellor bëri “një ndihmë që i leverdis”10. Fraza ndihmë që i leverdis do të thotë “një ndihmues të përshtatshëm, të denjë ose përgjegjës për të”11. Për shembull, dy duart tona janë të ngjashme me njëra-tjetrën, por jo saktësisht njëlloj. Në fakt, ato janë të kundërta të sakta, por ato e plotësojnë njëra-tjetrën dhe janë të përshtatshme për njëra-tjetrën. Duke punuar së bashku, ato janë më të forta.12

Në një kapitull për familjet, manuali i Kishës përmban këtë pohim: “Tiparet e shpirtrave mashkullorë dhe femërorë janë të tilla që ata plotësojnë njëri-tjetrin”13. Ju lutem vini re se nuk thotë “konkurrojnë me njëri-tjetrin” por “plotësojnë njëri-tjetrin”! Ne jemi këtu për ta ndihmuar, ngritur dhe për të gëzuar me njëri-tjetrin ndërsa përpiqemi të bëhemi vetvetja jonë më e mirë. Motra Barbara B. Smith dha mësim me urtësi: “Ne mund të kemi shumë më tepër lumturi kur ne mund të gëzojmë me sukseset e tjetrit dhe jo vetëm me tonat”14. Kur kërkojmë të “plotësoj[më]” në vend që të “konkurroj[më]”, është shumë më e lehtë ta inkurajojmë njëri-tjetrin!

Kur isha nënë e re me disa fëmijë të vegjël, në fund të ditëve të mbushura me ndërrim pelenash, larje enësh dhe disiplinim, askush nuk e këndonte me më shumë entuziazëm himnin e Fillores “Jam shumë e lumtur kur babi vjen në shtëpi”15. Megjithatë, me trishtim e pranoj se nuk isha përherë e gëzuar kur Krejgu dukej se hynte plot gaz në shtëpi pas një dite pune të vështirë. Ai e përshëndeste përherë secilin prej nesh me një përqafim dhe puthje dhe shumë ditë të vështira e ndonjëherë shkatërruese i kthente në kohë të gëzueshme me babin. Do të doja që të kisha qenë më pak e shqetësuar me listën e pafundme të gjërave që kisha për të bërë ende dhe të isha urtësisht më e përqendruar, sikur bënte ai, në gjërat që kishin më tepër rëndësi. Duhej të kisha ndalur më shpesh dhe të gëzoja kohën e shenjtë me familjen dhe duhej ta kisha falënderuar atë më shpesh që e bekonte jetën tonë!

Le t’i Flasim Shpesh Fjalë të Mira Njëri–Tjetrit

Jo shumë kohë më parë, një motër besnike në Kishë më tregoi një shqetësim të madh për të cilin ishte lutur për shumë kohë. Shqetësimi i saj ishte për disa nga motrat në lagjen e saj. Ajo më tha se si i lëndohej zemra kur vërente se ato ndonjëherë u flisnin pa respekt bashkëshortëve të tyre dhe flisnin pa respekt për ta, madje edhe para fëmijëve të vetë. Më pas ajo më tregoi se si një e re kishte dëshiruar dhe ishte lutur me zell që të gjente e të martohej me një mbajtës të denjë priftërie dhe të ndërtonte një shtëpi të lumtur me të. Ajo ishte rritur në një shtëpi ku mamaja kishte “sunduar kotecin” dhe babi ishte strukur nën kërkesat e mamasë me qëllim që të ruante paqen në shtëpi. Ajo ndjente se kishte një mënyrë më të mirë. Ajo nuk e kishte parë si model në shtëpinë ku u rrit, por ndërsa u lut me zjarr për drejtim, Zoti e bekoi atë për të ditur se si të krijonte një shtëpi me bashkëshortin e saj ku Shpirti do të mirëpritej ngrohtësisht. Kam qenë në atë shtëpi dhe mund të dëshmoj se është një vend i shenjtë!

Motra dhe vëllezër, sa shpesh qëllimisht “i flasim fjalë të mira njëri-tjetrit”?16

Ne duhet ta vëmë në provë veten duke bërë disa pyetje. Me pak përshtatje, këto pyetje mund të gjejnë zbatim për shumë prej nesh, qoftë nëse jemi të martuar ose beqarë, sido që mund të jetë situata jonë familjare.

  1. Kur ishte hera e fundit që unë e lavdërova me sinqeritet shokun/shoqen tim/e, qoftë vetëm ose në prani të fëmijëve tanë?

  2. Kur ishte hera e fundit që e falënderova, i shpreha dashuri ose u përgjërova zellshëm me besim për të në lutje?

  3. Kur ishte hera e fundit që e ndalova veten nga të thënit e diçkaje që e dija se mund të ishte lënduese?

  4. Kur ishte hera e fundit që u shfajësova dhe kërkova falje me përulësi – pa shtuar fjalët “por vetëm sikur të kishe” ose “por vetëm sikur të mos kishe”?

  5. Kur ishte hera e fundit që zgjodha të jem i/e lumtur në vend që të kërkoja të kisha “të drejtë”?

Tani, nëse ndonjë prej këtyre pyetjeve ju bën të ndiheni jo të qetë ose edhe pak fajtorë, kujtoni se Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim se “ndjenja e fajit është për shpirtin tonë ashtu siç është dhembja për trupin tonë – një paralajmërim për rrezikun dhe një mbrojtje nga dëmi shtesë”17.

E ftoj secilin prej nesh t’ia vërë veshin kërkesës së përzemërt të Plakut Xhefri R. Holland: “Vëllezër dhe motra, në këtë kërkim të gjatë e të përjetshëm për të qenë më shumë si Shpëtimtari ynë, u përpjekshim për të qenë burra dhe gra ‘të përsosur’ të paktën në këtë të vetmen mënyrë tani – duke mos fyer me fjalë ose e thënë në një mënyrë më pozitive, duke folur me një gjuhë të re, gjuhën e engjëjve”18.

Ndërsa jam përgatitur për këtë mundësi sot, Shpirti më ka mësuar mua dhe jam zotuar t’i flas fjalë mirësie më shpesh shokut tim të dashur dhe të flas fjalë mirësie për të, që t’i ngre burrat në familjen time dhe të shpreh mirënjohje për mënyrat se si ata i përmbushin rolet e tyre hyjnore dhe plotësuese. Dhe jam zotuar ta ndjek fjalën e urtë “Ti më ngri mua dhe unë do të të ngre ty, dhe ne do të lartësohemi së bashku”.

A do të bashkoheni me mua për të kërkuar ndihmën e Frymës së Shenjtë që të na mësojë se si mund ta ngremë më mirë njëri-tjetrin në rolet tona plotësuese si bijë dhe bija të besëlidhjes të prindërve tanë të dashur qiellorë?

E di se, nëpërmjet fuqisë ndihmuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe besimit tonë tek Ai, ne mund t’ia dalim. Lutem që ne do ta vendosim mirëbesimin tonë tek Ai, që të na ndihmojë të ndihmojmë njëri-tjetrin për të jetuar të lumtur dhe përjetësisht ndërsa lartësohemi së bashku, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Boyd K. Packer, në “Donna Smith Packer Receives Family History Certificate from BYU”, news.byu.edu/archive12-jun-packer.aspx.

  2. Dieter F. Uchtdorf, në Jeffrey R. Holland, “Elder Dieter F. Uchtdorf: On to New Horizons”, Liahona, mars 2005, f. 10.

  3. Henry B. Eyring, në Gerald N. Lund, “Elder Henry B. Eyring: Molded by ‘Defining Influences’”, Liahona, prill 1996, f. 31.

  4. Tomas S. Monson, “Nuk do të të Lë, As Nuk do të të Braktis”, Liahona, nëntor 2013, f. 85.

  5. Mark Twain, Eve’s Diary (1905), f. 107.

  6. Bojd K. Paker, “Fuqia e Priftërisë”, Liahona, maj 2010, f. 9.

  7. Ezra Taft Benson, “To the Fathers in Israel”, Ensign, nëntor 1987, f. 51, 50.

  8. 2 Nefi 2:27.

  9. Shih Robert D. Hales, “Strengthening Families: Our Sacred Duty”, Liahona, korrik 1999, f. 40; shih edhe LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales: ‘Return with Honor’”, Liahona, prill 1995, f. 31.

  10. Zanafilla 2:18.

  11. Zanafilla 2:18, poshtëshënimi b.

  12. Shih Bruce K. Satterfield, “The Family under Siege: The Role of Man and Woman” (paraqitje e dhënë në Javën e Edukimit në Universitetin “Riks”, 7 qershor 2001), f. 4; emp.byui.edu/SATTERFIELDB/PDF/RoleManWoman2.pdf.

  13. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 1.3.1.

  14. Barbara B. Smith, “Hearts So Similar”, Ensign, maj 1982, f. 97.

  15. “Daddy’s Homecoming”, Children’s Songbook, f. 210.

  16. “Let Us Oft Speak Kind Words”, Hymns, nr. 232.

  17. Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 44.

  18. Jeffrey R. Holland, “The Tongue of Angels”, Liahona, maj 2007, f. 18.