2010–2019
Një Verë me Teto Rozën
Tetor 2015


Një Verë me Teto Rozën

Teksa udhëtoni përgjatë shtegut tuaj të shkëlqyer të dishepullimit, unë lutem që besimi do ta forcojë çdo hap tuajin përgjatë udhës suaj.

Motrat e mia të dashura dhe mikeshat e mia të shtrenjta, unë jam i gëzuar që jam me ju dhe jam mirënjohës të jem në praninë e profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson. President, ne ju duam. Ne trishtohemi nga humbja e tre miqve tanë të shtrenjtë dhe Apostujve të vërtetë të Zotit. Na merr malli për Presidentin Paker, Plakun Peri dhe Plakun Skot; ne i duam ata. Lutemi për familjet dhe miqtë e tyre.

Gjithmonë mezi e pres këtë sesion të konferencës – muzika e bukur dhe këshillat prej motrave tona të frymëzuara e sjellin Shpirtin së tepërmi. Unë jam një njeri më i mirë pasi ndodhem në shoqërinë tuaj.

Teksa përsiata se çfarë duhej t’ju thosha juve sot, mendimet e mia u drejtuan te mënyra se si dha mësim Shpëtimtari. Është interesante se si Ai ishte në gjendje t’i jepte mësim të vërtetat më të madhërishme duke përdorur histori të thjeshta. Shëmbëlltyrat e Tij i ftonin dishepujt e Tij që të përvetësonin të vërteta jo thjesht me mendjen e tyre, por gjithashtu me zemrat e tyre dhe t’i lidhnin parimet e përjetshme me jetën e tyre të përditshme.1 Presidenti ynë i dashur, Presidenti Monson, gjithashtu është një mjeshtër i mësimdhënies me anë të përvojave vetjake që e prekin zemrën.2

Sot, unë do ta jap mesazhin time duke i shprehur mendimet dhe ndjenjat e mia në formën e një historie. Ju ftoj të dëgjoni nëpërmjet Shpirtit. Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë ta gjeni mesazhin për ju në këtë shëmbëlltyrë.

Teto Roza

Historia është rreth një vajze të quajtur Eva. Ka dy gjëra të rëndësishme që duhet t’i dini rreth Evës. Njëra është që ajo ishte 11 vjeçe në këtë histori. Dhe tjetra është që ajo tërësisht, në mënyrë kategorike, nuk donte të shkonte e të jetonte me teton e saj, Rozën. Në asnjë mënyrë. Aspak.

Por nëna e Evës do të bënte një operacion që kërkonte një kohë të gjatë shërimi. Prandaj prindërit e Evës po e dërgonin atë ta kalonte verën me teto Rozën.

Në mendjen e Evës kishte një mijë arsye përse kjo ishte një ide e keqe. Një arsye do të thoshte që të ishte larg nga nëna e saj. Do të thoshte edhe që ajo do të largohej nga familja dhe shoqet e saj. Dhe përveç këtyre, ajo as që e njihte teto Rozën. Ajo ndihej kaq rehat, faleminderit shumë, pikërisht atje ku ishte.

Por asnjë masë kundërshtimi apo shtrembërim i syve nuk mundi ta ndryshonte vendimin. Kështu, Eva e bëri gati valixhen dhe ndërmori me makinë, me babanë e saj, udhën e gjatë drejt shtëpisë së teto Rozës.

Që nga çasti kur Eva vuri këmbë në shtëpi, e pati zët atë.

Gjithçka ishte kaq e vjetruar! Çdo pëllëmbë ishte e mbushur me libra të vjetër, shishe me ngjyra të çuditshme dhe kuti plastike nga të cilat derdheshin rruaza, fjongo dhe kopsa.

Teto Roza jetonte vetëm atje; ajo nuk ishte martuar kurrë. Banorja tjetër e vetme ishte një mace bojë gri, së cilës i pëlqente të gjente pikën më të lartë në çdo dhomë dhe të ulej atje, duke i ngulur sytë si një tigër i uritur te gjithçka poshtë.

Edhe vetë shtëpia dukej e vetmuar. Ishte jashtë në fshat, ku shtëpitë janë larg prej njëra-tjetrës. Asnjë njeri i moshës së Evës nuk jetonte brenda rrezes së një kilometri larg. Kjo e bëri Evën të ndihej e vetmuar gjithashtu.

Në fillim ajo nuk i kushtoi shumë vëmendje teto Rozës. Më së shumti mendonte rreth nënës së saj. Nganjëherë do të rrinte e zgjuar natën, duke u lutur me tërë shpirtin e saj që nëna të ishte mirë. Dhe, edhe pse nuk ndodhi menjëherë, Eva filloi të ndiente se Perëndia po kujdesej për nënën e saj.

Më së fundi erdhi lajmi që operacioni doli me sukses dhe tani gjithë çfarë kishte ngelur për Evën të bënte, ishte që të duronte deri në fund të verës. Por, oh, sa e urrente ajo të duruarin!

Tani me mendjen të qetësuar për nënën, Eva filloi ta vinte re teto Rozën pak më shumë. Ajo ishte një grua trupmadhe – gjithçka rreth saj ishte e madhe: zëri i saj, buzëqeshja e saj, natyra e saj. S’e kishte të lehtë të lëvizte përreth, por ajo gjithmonë këndonte dhe qeshte teksa punonte dhe tingulli i të qeshurës së saj e mbushte shtëpinë. Çdo natë ajo ulej në divanin e saj tepër të butë, nxirrte shkrimet e shenjta dhe lexonte me zë. Dhe teksa lexonte, nganjëherë bënte komente si: “Oh, ai nuk duhej ta kishte bërë atë!” ose “Çfarë nuk do të jepja që të kisha qenë atje!” apo “A nuk është kjo gjëja më e bukur që ke dëgjuar ndonjëherë!” Dhe çdo mbrëmje, kur ato të dyja binin në gjunjë pranë shtratit të Evës për t’u lutur, teto Roza do të thoshte lutjet më të bukura, duke e falënderuar Atin e saj Qiellor për harabelat ngjyrë blu dhe pemët e bredhave, për perëndimet e diellit dhe yjet, dhe për “mrekullinë e të qenit gjallë”. I dukej Evës sikur Roza e njihte Perëndinë si një mik.

Me kalimin e kohës, Eva bëri një zbulim habitës: teto Roza ishte ndoshta njeriu më i lumtur që ajo kishte njohur ndonjëherë!

Por si ishte e mundur kjo?

Ç’gjëra kishte ajo për të qenë e lumtur?

Ajo s’ishte martuar kurrë, nuk kishte fëmijë, s’kishte askënd që t’i bënte shoqëri përveç asaj maceje të pakëndshme dhe ajo e kishte të vështirë të bënte gjëra të thjeshta, si të lidhte këpucët dhe të ngjiste shkallët.

Kur shkonte në qytet, ajo vishte kapela të mëdha, me ngjyra të ndezura, që të vinin në siklet. Por njerëzit nuk talleshin me të. Përkundrazi, ata mblidheshin rreth saj, donin të flisnin me të. Roza kishte qenë mësuese shkolle dhe nuk ishte e pazakontë për studentët e saj të dikurshëm – tani të rritur dhe vetë me fëmijë – të ndaleshin dhe të bisedonin me të. E falënderonin që kishte pasur një ndikim të mirë në jetën e tyre. Ata qeshnin shpesh. Nganjëherë ata edhe qanë.

Teksa vera vazhdonte, Eva kaloi gjithnjë e më shumë kohë me Rozën. Ato shkuan në shëtitje të gjata dhe Eva mësoi të dallonte harabelat nga trishtilat. Ajo mblodhi manaferra të egra dhe bëri marmelatë prej portokalli. Ajo mësoi rreth stër-stër-gjyshes së saj, e cila u largua nga vendlindja e saj e dashur, lundroi përmes oqeanit dhe eci përmes rrafshinave që të ishte me shenjtorët.

Shpejt Eva bëri një zbulesë tjetër befasuese: jo vetëm që teto Roza ishte një prej njerëzve më të lumtur që ajo njihte, por Eva vetë ishte më e lumtur kurdoherë që ishte pranë saj.

Ditët e verës po kalonin tashmë edhe më shpejt. Përpara se Eva ta kuptonte, teto Roza tha se shpejt do të ishte koha që Eva të kthehej në shtëpi. Edhe pse Eva e kishte pritur me shumë dëshirë atë çast që nga dita që mbërriti, ajo nuk ishte mjaft e sigurt se si të ndihej për këtë tani. Ajo e kuptoi se me të vërtetë do ta merrte malli për këtë shtëpi të çuditshme, të vjetër, me macen e kapardisur dhe teton e saj të dashur, Rozën.

Ditën përpara se të mbërrinte babai i saj për ta marrë, Eva bëri pyetjen për të cilën e kishte vrarë mendjen për disa javë: “Teto Roza, përse je kaq e lumtur?”

Teto Roza e pa me kujdes dhe më pas e drejtoi atë te një pikturë që varej në dhomën e ndenjjes. Ajo kishte qenë një dhuratë nga një mik i talentuar, i dashur.

“Çfarë sheh atje?” pyeti ajo.

Pamja
Vajzë pioniere duke lodruar

Eva e kishte vënë re pikturën më parë, por ajo nuk e kishte parë me të vërtetë nga afër. Një vajzë e veshur si një pioniere duke lodruar përgjatë një shtegu të ndritshëm blu. Bari dhe pemët ishin me një ngjyrë jeshile plot gjallëri. Eva tha: “Është një pikturë e një vajze. Duket sikur ajo po lodron.”

“Po, është një vajzë pioniere duke lodruar e lumtur përgjatë shtegut”, tha teto Roza. “Përfytyroj se kishte shumë ditë të zymta dhe të frikshme për pionierët. Jeta e tyre ishte kaq e vështirë – ne as që mund ta përfytyrojmë. Por në këtë pikturë, gjithçka është plot shkëlqim e shpresë. Kjo vajzë sjell pranverë në hapat e saj dhe ajo po shkon përpara dhe duke u ngjitur lart.”

Eva ishte e heshtur, kështu që teto Roza vazhdoi: “Ka shumë që nuk shkon siç duhet në jetë, prandaj kushdo mund ta çojë vetveten në një gjendje pesimizmi dhe në një rrëmujë melankolie. Por unë njoh njerëz të cilët, edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, përqendrohen te mrekullitë dhe çuditë e jetës. Këta njerëz janë njerëzit më të lumtur që njoh.”

“Por”, tha Eva, “ti nuk mund të lëvizësh thjesht një çelës dhe të shkosh nga gjendja e trishtuar në të lumtur.”

“Jo, ndoshta jo”, buzëqeshi butësisht teto Roza, “por Perëndia nuk na krijoi që të jemi të trishtuar. Ai na krijoi që të kemi gëzim!3 Prandaj, nëse kemi mirëbesim tek Ai, Ai do të na ndihmojë t’i vëmë re gjërat e mira, të shkëlqyera dhe shpresëdhënëse të jetës. Dhe sigurisht, bota do të bëhet më e shkëlqyer. Jo, nuk ndodh menjëherë, por ndershmërisht, sa gjëra të mira ndodhin menjëherë? Më duket mua se gjërat më të mira, si buka apo marmelata prej portokalli, të bëra vetë në shtëpi, kërkojnë durim e punë.”

Eva mendoi rreth kësaj për një çast dhe tha: “Mbase nuk është kaq e thjeshtë për njerëzit që nuk e kanë gjithçka të përsosur në jetën e tyre”.

“E dashur Eva, me të vërtetë mendon se jeta ime është e përsosur?” Teto Roza u ul me Evën në divanin tepër të butë. “Ishte një kohë kur unë e kisha humbur kaq shumë kurajën, sa nuk dëshiroja të vazhdoja.”

“Ti?” pyeti Eva.

Teto Roza pohoi me kokë. “Kishte kaq shumë gjëra që i dëshiroja për jetën time.” Teksa fliste, një trishtim hyri në zërin e saj, të cilin Eva nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë. “Shumica e tyre nuk ndodhën kurrë. Pata ligështime njëri pas tjetrit. Një ditë e kuptova se nuk do të ishte kurrë sipas mënyrës për të cilën kisha shpresuar. Ajo ishte një ditë e dëshpëruar. Isha gati të dorëzohesha dhe të isha e mjeruar.”

“Po çfarë bëre?”

“Asgjë për njëfarë kohe. Isha thjesht e inatosur. Isha si një bishë me të gjithë njerëzit rreth meje.” Atëherë ajo qeshi pak, por nuk ishte e qeshura e saj e zakonshme, e madhe, që mbushte tërë dhomën. “‘Kjo s’është e drejtë’ ishte kënga që këndoja herë pas here në mendjen time. Por më së fundi zbulova diçka që ma ndryshoi tërë jetën time.”

“Çfarë ishte?”

“Besimi”, buzëqeshi teto Roza. “Zbulova besimin. Dhe besimi çoi drejt shpresës. Dhe besimi e shpresa më dhanë vetëbesimin se një ditë gjithçka do të kishte kuptim, se, për shkak të Shpëtimtarit, të gjitha gjërat e gabuara do të rregulloheshin. Pas kësaj, unë pashë që shtegu përpara meje nuk ishte aq i frikshëm dhe aq i pluhurosur, sa ç’e kisha menduar. Fillova të vija re ngjyrat blu të ndritshme, të gjelbrat gjallëruese e të kuqet flakëruese dhe mora vendim se kisha një zgjedhje – mund të varja kokën e të tërhiqja këmbët në rrugën e pluhurosur të keqardhjes për veten, ose mund të kisha pak besim, të vishja një fustan me ngjyra të ndritshme, të vishja këpucët e vallëzimit dhe të lodroja nëpër shtegun e jetës, duke kënduar përgjatë udhës.” Tashmë zëri i saj po lodronte përgjatë, sikurse vajza në pikturë.

Teto Roza u zgjat drejt fundit të tavolinës dhe i mori në prehër shkrimet e saj të shenjta, të vjetruara nga përdorimi. “Nuk mendoj se e kisha depresionin si një sëmundje mjekësore – nuk jam e sigurt se mund ta shërosh vetveten nga ajo sëmundje. Por jam e sigurt që e bëra veten time të isha e mjeruar! Po, unë pata disa ditë të zymta, por gjithë mërzitja dhe shqetësimi im nuk do të sillnin asnjë ndryshim – vetëm po i bënin gjërat më keq. Besimi te Shpëtimtari më mësoi se, pavarësisht nga ajo që ndodhi në të shkuarën, historia ime mund të kishte një përfundim të lumtur.”

“Si e di këtë?” pyeti Eva.

Teto Roza e ktheu një faqe në Biblën e saj dhe tha: “Thuhet pikërisht këtu:

‘Perëndi[a] … do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.

Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.’”4

Teto Roza vështroi Evën. Buzëqeshja e saj ishte e gjerë teksa pëshpëriti, me një dridhje të lehtë në zërin e saj: “A nuk është kjo gjëja më e bukur që ke dëgjuar ndonjëherë?”

Me të vërtetë tingëllonte bukur, mendoi Eva.

Teto Roza ktheu disa faqe dhe i tregoi Evës një shkrim të shenjtë për ta lexuar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”5.

“Me një të ardhme të tillë të lavdishme”, tha teto Roza, “përse të gëlltitesh nga gjërat e së shkuarës apo të tanishmes që nuk shkojnë tamam sipas mënyrës që i planifikuam?”

Eva rrudhosi vetullat. “Por prit një çast”, tha ajo. “A po thua që të qenit të lumtur do të thotë të shohim drejt lumturisë në të ardhmen? A është e gjithë lumturia jonë në përjetësinë? Nuk mund të ndodhë një pjesë e saj tani?”

“Oh, sigurisht që mund të ndodhë!” thirri teto Roza. “Fëmijë e dashur, e tanishmja është pjesë e përjetësisë. Nuk fillon vetëm pasi të vdesim! Besimi dhe shpresa do të t’i hapin sytë drejt lumturisë që vendoset përpara teje.

Di një poezi që thotë: ‘E Përhershmja – përbëhet nga Të Tanishmet’6. Nuk doja që e përhershmja ime të përbëhej nga ‘Të Tanishme’ të errëta dhe të frikshme. Dhe nuk doja të jetoja në zymtësinë e një bunkeri, duke kërcëllitur dhëmbët, duke mbyllur sytë dhe duke duruar plot mëri deri në mbarimin e hidhur. Besimi më dha shpresën që më nevojitej për të jetuar plot gëzim tani!”

“Po çfarë bëre atëherë?” pyeti Eva.

“Ushtrova besim në premtimet e Perëndisë duke e mbushur jetën time me gjëra kuptimplote. Shkova në shkollë. Mora arsimim. Ai më çoi drejt një karriere që e desha.”

Eva mendoi rreth kësaj për një çast dhe tha: “Por sigurisht, të qenit e zënë me punë nuk është çfarë të bëri të lumtur. Ka plot njerëz të zënë me punë që nuk janë të lumtur.”

“Si është e mundur të jesh kaq e mençur për një vajzë kaq të re?” pyeti teto Roza. “Ke tërësisht të drejtë. Dhe shumica e atyre njerëzve të zënë me punë, që nuk janë të lumtur, kanë harruar pikërisht gjënë që ka më shumë rëndësi në tërë botën – gjënë që Jezusi tha se është thelbi i ungjillit të Tij.”

“Dhe cila është ajo?” pyeti Eva.

“Është dashuria – dashuria e pastër e Krishtit”, tha Roza. “Siç e sheh, gjithçka tjetër në ungjill – gjithë urdhërimet dhe këshillat në shkrimet e shenjta që na thonë se çfarë duhet e nevojitet të bëjmë dhe nuk do të bëjmë – çojnë drejt lumturisë. Kur e duam Perëndinë, ne duam t’i shërbejmë Atij. Ne duam të jemi si Ai. Kur i duam të afërmit tanë, ne nuk mendojmë aq shumë për vetë problemet tona dhe i ndihmojmë të tjerët që të zgjidhin problemet e tyre.”7

“Dhe kjo është ajo që na bën të lumtur?” pyeti Eva.

Teto Roza pohoi me kokë dhe buzëqeshi, sytë duke iu mbushur me lot. “Po, e dashura ime. Kjo është gjëja që na bën të lumtur.”

Kurrë më Njësoj

Të nesërmen Eva e përqafoi teton e saj, Rozën, dhe e falënderoi për gjithçka që kishte bërë. Ajo u kthye në shtëpi te familja e saj dhe shoqet e saj, dhe shtëpia e saj, dhe fqinjët e saj.

Por ajo nuk ishte më kurrë njësoj.

Teksa Eva rritej, i mendoi shpesh fjalët e tetos së saj, Rozës. Eva më së fundi u martua, rriti fëmijë dhe jetoi një jetë të gjatë e të mrekullueshme.

Dhe një ditë, ndërsa qëndronte në vetë shtëpinë e saj, duke admiruar një pikturë të një vajze me veshje pioniereje, duke lodruar nëpër shtegun e ndritshëm blu, ajo e kuptoi se në një farë mënyre kishte arritur në të njëjtën moshë që tetoja e saj, Roza, ishte gjatë asaj vere mbresëlënëse.

Pamja
Vajzë pioniere duke lodruar

Kur e kuptoi këtë, ajo ndjeu një lutje të veçantë të shtohej brenda zemrës së saj. Dhe Eva u ndie mirënjohëse për jetën e saj, për familjen e saj, për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe për atë verë shumë kohë më parë kur teto Roza8 i dha mësim rreth besimit, shpresës dhe dashurisë9.

Një Bekim

Motrat e mia të dashura, mikeshat e mia të shtrenjta në Krishtin, unë shpresoj dhe lutem që diçka në këtë histori e ka prekur zemrën tuaj dhe e ka frymëzuar shpirtin tuaj. Unë e di se Perëndia jeton dhe se Ai e do secilën dhe çdonjërën prej jush.

Teksa udhëtoni përgjatë shtegut tuaj të shkëlqyer të dishepullimit, unë lutem që shpresa do t’i hapë sytë tuaj drejt lavdive që Ati Qiellor i ka ruajtur për ju; ai besim do ta forcojë çdo hap tuajin përgjatë udhës suaj; dhe ajo dashuri për Perëndinë dhe gjithë fëmijët e Tij do të na i mbushë zemrat tona. Si Apostull i Zotit, e lë këtë si dëshminë dhe bekimin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih, për shembull, Mateu 13:24–30; 18:23–35; 20:1–16; 22:1–14; 25; Lluka 10:25–37; 15:11–32.

  2. Shih, për shembull, Tomas S. Monson, “Të Udhëhequr në Mënyrë të Sigurt Drejt Shtëpisë”, Liahona, nëntor 2014, f. 67–69; “Dashuria – Thelbi i Ungjillit”, Liahona, maj 2014, f. 91–94; “Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Liahona, nëntor 2013, f. 121–124; “Bindja Sjell Bekime”, Liahona, maj 2013, f. 89–92.

  3. Shih 2 Nefi 2:25.

  4. Zbulesa 21:3–4.

  5. 1 Korintasve 2:9.

  6. “Forever—is composed of Nows”, në Final Harvest: Emily Dickinson’s Poems, përzgj. Thomas H. Johnson (1961), f. 158; shih edhe poetryfoundation.org/poem/182912.

  7. Shih Lluka 9:24.

  8. “Shpesh gjembat shpues prodhojnë trëndafila të butë” (Ovid, Epistulae ex Ponto, libri 2, seksioni 2, vargu 34; “Saepe creat molles aspera spina rosas”).

  9. Shih Moroni 7:42.