2010–2019
Zbulimi i Hyjnisë Brenda Nesh
Tetor 2015


Zbulimi i Hyjnisë Brenda Nesh

Ne vijmë në këtë tokë për të ushqyer farat e natyrës hyjnore që është brenda nesh.

Motra, ne ju duam! Unë dëshmoj se jeta është një dhuratë. Perëndia ka një plan për secilën prej nesh dhe qëllimi ynë individual filloi shumë përpara se të vinim në këtë tokë.

Kohët e fundit kam arritur ta dalloj mrekullinë e lindjes së një foshnjeje në vdekshmëri si një pjesë të planit të Zotit. Çdonjëra prej nesh u zhvillua fizikisht brenda barkut të nënës sonë, ndërkohë që mbështeteshim për shumë muaj te trupi i saj që ta mbante trupin tonë. Megjithatë, më së fundi, procesi i lindjes – dramatik si për nënën dhe fëmijën – na veçoi.

Pamja
I porsalindur

Ndërkohë që një foshnjë shfaqet në këtë botë, ndryshimi i temperaturës e i dritës dhe çlirimi i papritur i shtypjes në kraharorin e saj, e nxitin foshnjën të thithë ajër për frymëmarrjen e saj të parë. Ato mushkëri të vogla papritur mbushen me ajër përherë të parë, organet nxiten të veprojnë dhe foshnja fillon të marrë frymë. Ndërsa kordoni i kërthizës shtrëngohet, ajo linjë jete midis nënës dhe foshnjës shkëputet përgjithmonë dhe jeta e foshnjës në tokë fillon.

Jobi tha: “Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë”1.

Ne vijmë në këtë botë “duke ndjekur shtegun e reve të lavdisë”2. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” na mëson që secili prej nesh “është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” dhe “secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor”3. Ati Qiellor ndan bujarisht një pjesë të hyjnisë së Tij me ne. Ajo natyrë hyjnore vjen si një dhuratë prej Tij, me një dashuri që vetëm një prind mund ta ndiejë.

Ne vijmë në këtë tokë për të ushqyer farat e natyrës hyjnore që është brenda nesh.

Ne e Dimë Përse

Ilejn Kenën, një ish-presidente e përgjithshme e Të Rejave, tha: “Ka dy ditë të rëndësishme në jetën e një gruaje: Dita kur ajo lindet dhe dita kur ajo zbulon përse u lind”4.

Ne e dimë përse. Ne kemi ardhur në këtë tokë që të ndihmojmë për të ngritur mbretërinë e Tij dhe që të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Me çdo frymë që marrim, ne përpiqemi ta ndjekim Atë. Natyra hyjnore brenda secilës prej nesh përpunohet dhe lartësohet nga përpjekja që bëjmë për t’iu afruar më shumë Atit dhe Birit të Tij.

Natyra jonë hyjnore nuk ka lidhje me arritjet tona vetjake, pozitën që arrijmë, numrin e maratonave që vrapojmë apo popullaritetin dhe vetëvlerësimin tonë. Natyra jonë hyjnore vjen nga Perëndia. Ajo u përcaktua në një ekzistencë që e parapriu lindjen tonë dhe do të vazhdojë deri në përjetësi.

Ne na Duan

Ne njëjtësohemi me natyrën tonë hyjnore kur e ndiejmë dhe e japim dashurinë e Atit tonë në Qiell. Ne kemi lirinë e zgjedhjes për ta ushqyer atë shpirtërisht, për ta lejuar atë të lulëzojë dhe për ta ndihmuar atë të rritet. Pjetri tha se ne na jepen “premtimet e çmueshme” që të “bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore”5. Kur e kuptojmë se cilat jemi – bijat e Perëndisë – ne fillojmë t’i ndiejmë ato premtime të çmueshme.

Të shikuarit jashtë përmes një dritareje, jo thjesht të shikuarit në pasqyrë, do të na lejojë ta shohim vetveten si bijat e Tij. Natyrisht, ne kthehemi tek Ai në lutje dhe jemi të etura t’i lexojmë fjalët e Tij dhe të bëjmë vullnetin e Tij. Ne jemi në gjendje ta fitojmë ndjenjën e vlerës vetjake nga Ai që është lart, jo nga bota përreth nesh apo nga njerëzit në Facebook ose Instagram.

Nëse e vini ndonjëherë në dyshim atë shkëndijë të hyjnisë brenda jush, bini në gjunjë në lutje dhe pyeteni Atin Qiellor: “A jam me të vërtetë bija Jote dhe a më do Ti mua?” Plaku M. Rasëll Ballard tha: “Një nga mesazhet më të ëmbla që Shpirti do të përçojë, është mënyra se si ndihet Zoti rreth jush”6.

Ne jemi bijat e Tij. Pali tha: “Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë”7. Shpesh kënga e parë e Fillores që mësojmë, është “Fëmi i Per’ndis’ Jam”8. Tani është koha që ta marrim atë frazë të dashur “fëmi i Per’ndis’ jam” dhe t’i shtojmë fjalët “Atëherë, çfarë?” Ne mund të bëjmë madje pyetje të tilla si këto: “Çfarë do të bëj që ta jetoj jetën time si një fëmijë i Perëndisë?” “Si mund ta zhvilloj natyrën hyjnore që është brenda meje?”

Presidenti Diter F. Uhtdorf tha: “Perëndia ju dërgoi këtu që të përgatiteni për një të ardhme më të madhërishme se çfarëdo gjë që mund ta përfytyroni”9. Ajo e ardhme, ditë pas dite, gjallërohet kur ju bëni më shumë sesa thjesht të ekzistoni; vjen kur ju e jetoni jetën tuaj për ta mbushur madhësinë e krijimit tuaj. Kjo e fton Zotin në jetën tuaj dhe ju filloni ta lejoni vullnetin e Tij të bëhet i juaji.

Ne Mësojmë për Shkak të Natyrës Sonë Hyjnore

Natyra hyjnore na zhvillon brenda vetes dëshirën për t’i ditur vetë këto të vërteta të përjetshme.

Një e re, e quajtur Emi, kohët e fundit ma dha këtë mësim kur shkroi: “Është e vështirë të jesh një adoleshente në këto kohë. Shtegu po bëhet më i ngushtë. Satani po përpiqet me të vërtetë. Është ose e drejtë, ose e gabuar; nuk ka asgjë të ndërmjetme.”

Ajo vazhdoi: “Shoqëria e mirë nganjëherë është e vështirë për t’u gjetur. Edhe kur mendon se ke shoqe të ngushta që nuk do të të lënë kurrë, kjo gjë mund të ndryshojë për çfarëdo arsye. Kjo është arsyeja përse jam kaq e lumtur që kam një familje, Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë, të cilët mund të jenë shoqëruesit e mi kurdoherë që gjërat me shoqërinë nuk shkojnë mirë.”

Emi vazhdoi të thotë: “Një natë u shqetësova. I thashë motrës sime që nuk dija se çfarë të bëja.”

Më vonë atë natë motra e saj i dërgoi një mesazh me celular dhe citoi Plakun Xhefri R. Holland kur ai tha: “Mos hiqni dorë. … Mos u dorëzoni. Vazhdoni të ecni. Vazhdoni të përpiqeni. Ka ndihmë dhe lumturi përpara jush. … Gjithçka do të jetë në rregull në fund. Mirëbesojini Perëndisë dhe besoni në gjërat e mira që do të vijnë.”10

Emi shpjegoi: “Më kujtohet që e lexova atë dhe thjesht u luta që të ndieja dashuri nga Perëndia, në qoftë se Ai me të vërtetë ishte atje për mua”.

Ajo tha: “Menjëherë sapo pyeta dhe besova se Ai ishte atje, unë ndjeva ndjenjën më të mahnitshme, të lumtur e të dashur. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë. E dija se Ai ishte atje dhe se Ai më donte mua.”

Ngaqë ti je fëmija i Tij, Ai e di se kush mund të bëhesh. Ai i njeh druajtjet e tua dhe ëndrrat e tua. Ai gëzohet për potencialin tënd. Ai pret që ti të vish tek Ai në lutje. Ngaqë je fëmija i Tij, ti jo vetëm që ke nevojë për Të, por edhe Ai ka nevojë për ty. Ato që ulen përreth teje tani në këtë mbledhje, kanë nevojë për ty. Bota ka nevojë për ty dhe natyra jote hyjnore të lejon të jesh dishepulle e mirëbesuar e Tij për të gjithë fëmijët e Tij. Kur fillojmë ta shohim hyjninë brenda nesh, ne mund ta shohim atë tek të tjerët.

Ne Shërbejmë për Shkak të Natyrës Sonë Hyjnore

Natyra hyjnore zhvillon brenda nesh dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve.

Pamja
Nëna me fëmijën gjatë zisë së bukës në Etiopi

Kohët e fundit, Sherën Jubenk, drejtoresha e Shërbimeve Humanitare dhe e LDS Charities, tregoi për një përvojë të treguar nga Plaku Glen L. Pejs. Pati thatësirë gjerësisht të përhapur dhe uri të tejskajshme në Etiopi në mesin e viteve 1980. Për të siguruar ndihmë, qendra ngrënieje me ujë dhe ushqime u krijuan për ata që mund të arrinin tek ato. Një plak, i cili po vuante nga uria, po ecte nëpër një udhë të gjatë që të arrinte te një qendër ngrënieje. Ai po kalonte pranë një fshati kur dëgjoi të qarën e një foshnjeje. Kërkoi derisa e gjeti foshnjën të ulur përtokë, pranë nënës së tij të vdekur. Pasi e mori foshnjën në krahë, burri vazhdoi të ecte për 40 kilometra deri te qendra e ngrënies. Kur mbërriti, fjalët e tij të para nuk ishin “Kam uri” apo “Më ndihmoni”. Ato ishin: “Çfarë mund të bëhet për këtë foshnjë?”11

Natyra hyjnore brenda nesh e ndez dëshirën tonë për t’iu afruar të tjerëve dhe na nxit të veprojmë. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë që të gjejmë forcën për ta bërë këtë gjë. A mund të na bënte Zoti pyetjen: “Çfarë mund të bëhet për këtë bijë, këtë bir, këtë baba ose këtë mik?”

Është nëpërmjet pëshpëritjeve të Shpirtit që natyra hyjnore e një njeriu dyshues, pas përpjekjes për të marrë frymë, gjen paqen që të marrë frymë sërish.

Kur profeti flet, fjalët e tij ndikojnë te natyra jonë hyjnore dhe na japin forcë për ta ndjekur atë.

Marrja e sakramentit çdo javë i jep shpresë hyjnisë brenda nesh dhe ne e kujtojmë Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin.

Ju premtoj se, kur përpiqeni ta zbuloni thellësinë e natyrës hyjnore që gjendet brenda jush, ju do të filloni ta lartësoni më tej dhuratën tuaj të çmuar. Jua rrëfeftë ajo udhën që të bëheni bija të Tij, duke ecur në shtegun e kthimit tek Ai – atje ku ne do të “kthehe[mi] tek ai Perëndi që [na] dha … frymë”12. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Jobit 33:4.

  2. “Ode: Intimations of Immortality from Recollections of Early Childhood”, The Complete Poetical Works of William Wordsworth (1924), f. 359.

  3. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  4. Elaine Cannon, në “‘Let Me Soar,’ Women Counseled”, Church News, 17 tetor 1981, f. 3.

  5. 2 Pjetër 1:4.

  6. M. Russell Ballard, “Women of Righteousness”, Liahona, dhjetor 2002, f. 42.

  7. Romakëve 8:16.

  8. Shih “Fëmij’ i Per’ndis’ Jam”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58.

  9. Diter F. Uhtdorf, “Të Jetuarit e Ungjillit Plot Gëzim”, Liahona, nëntor 2014, f. 121.

  10. Jeffrey R. Holland, “An High Priest of Good Things to Come”, Liahona, janar 2000, f. 45.

  11. Shih Glenn L. Pace, “Infinite Needs and Finite Resources”, Tambuli, mars 1995, f. 18–19.

  12. 2 Nefi 9:26.