2010–2019
Perëndia Është në Timon
Tetor 2015


Perëndia Është në Timon

Urdhërimet dhe besëlidhjet janë të vërteta dhe doktrina të paçmueshme që gjenden në Anijen e Vjetër Sion, ku Perëndia është në timon.

Në konferencën e përgjithshme të tetorit të kaluar, unë i ftova dëgjuesit të ndiqnin këshillën e Brigam Jangut për të qëndruar në Anijen e Vjetër Sion, e cila është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, dhe që të mbaheshin fort me të dyja duart.1 Që atëherë, jam i lumtur të di se disa nga familjarët e mi dhe të tjerë po dëgjonin dhe më kanë pyetur: “Çfarë ka në anijen e vjetër ku të mund të mbahemi?” I kujtova ata rreth asaj që tha Presidenti Brigam Jang: “Jemi brenda në anijen e vjetër Sion. … [Perëndia] është në timon dhe do të qëndrojë atje. … Ai urdhëron, udhëzon dhe drejton. Nëse njerëzit do të kenë mirëbesim të palëkundur te Perëndia i tyre, kurrë nuk do t’i braktisin besëlidhjet e tyre, as Perëndinë e tyre, Ai do të na udhëheqë siç duhet.”2

Qartësisht, Ati ynë Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht e kanë pajisur Anijen e Vjetër Sion me të vërteta të përjetshme, të thjeshta dhe të qarta, që do të na ndihmojnë të qëndrojmë në drejtimin e duhur përgjatë ujërave të trazuara të jetës së vdekshme. Ja ku janë disa.

Kisha e Jezu Krishtit gjithmonë ka qenë e drejtuar nga apostuj dhe profetë të gjallë. Megjithëse të vdekshëm dhe të nënshtruar ndaj papërsosurive njerëzore, shërbëtorët e Zotit janë të frymëzuar që të na ndihmojnë t’i shmangim pengesat që janë shpirtërisht të rrezikshme, dhe që të na ndihmojnë të kalojmë të sigurt përgjatë vdekshmërisë drejt vendmbërritjes sonë të fundit, përfundimtare, qiellore.

Përgjatë thuajse 40 viteve të shoqërimit nga afër, unë vetë kam qenë një dëshmitar se si frymëzimi i qetë dhe zbulesa e thellë kanë nxitur në veprim profetët dhe apostujt, autoritetet e tjera të përgjithshme dhe udhëheqësit e organizatave ndihmëse. Ndonëse as të përsosur dhe as të pagabueshëm, këta burra dhe gra të mira kanë qenë përsosurisht të përkushtuar ndaj çuarjes përpara të punës së Zotit siç ka drejtuar Ai.

Të jeni të sigurt për këtë: Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë. Kjo është mënyra se si Ai e ka bërë gjithmonë punën e Tij. Në të vërtetë, Shpëtimtari dha mësim: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua”3. Ne nuk mund ta veçojmë Krishtin nga shërbëtorët e Tij. Pa apostujt e Tij të parë, ne nuk do të kishim një rrëfim të dëshmitarëve okularë të shumë prej mësimeve të Tij, të shërbesës së Tij, të vuajtjes së Tij në kopshtin e Gjetsemanit dhe të vdekjes së Tij në kryq. Pa dëshmitë e tyre, ne nuk do të kishim një dëshmim apostolik të varrit të boshatisur dhe të ringjalljes.

Ai i urdhëroi ata apostuj të parë:

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar”4.

Kjo detyrë është ripërtërirë në vetë ditët tona kur Zoti e thirri Jozef Smithin për të rivendosur Kishën, me Apostuj të shuguruar për të shpallur ungjillin e Tij edhe një herë të fundit përpara se Ai të vijë përsëri.

Gjithmonë ka qenë një sfidë për botën që të pranojë profetët dhe apostujt e gjallë, por është kaq thelbësore që ta bëjmë këtë në mënyrë që ta kuptojmë plotësisht Shlyerjen dhe mësimet e Jezu Krishtit dhe të marrim një plotësi të bekimeve të priftërisë të cilat u jepen atyre që Ai ka thirrur.

Shumë njerëz mendojnë se udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës duhet të jenë të përsosur ose pothuajse të përsosur. Ata harrojnë që hiri i Zotit është i mjaftueshëm për të përmbushur punën e Tij nëpërmjet të vdekshmëve. Udhëheqësit tanë kanë qëllimet më të mira, por ndonjëherë ne gabojmë. Kjo nuk është e veçantë për marrëdhëniet në Kishë, përderisa e njëjta gjë ndodh në marrëdhëniet tona midis miqve, fqinjëve, kolegëve të punës dhe madje midis bashkëshortëve dhe në familje.

Të kërkosh për dobësi njerëzore tek të tjerët është mjaft e lehtë. Sidoqoftë, ne bëjmë një gabim të rëndë duke vënë re vetëm natyrën njerëzore të njëri-tjetrit dhe më pas dështojmë ta shohim dorën e Perëndisë duke punuar nëpërmjet atyre që Ai ka thirrur.

Të përqendruarit në mënyrën se si Zoti i frymëzon udhëheqësit e Tij të zgjedhur dhe se si Ai i nxit shenjtorët për të bërë gjëra mbresëlënëse dhe të jashtëzakonshme pavarësisht natyrës së tyre njerëzore, është një mënyrë sipas të cilës ne mbahemi në ungjillin e Jezu Krishtit dhe qëndrojmë të sigurt brenda Anijes së Vjetër Sion.

Një e vërtetë e dytë është doktrina e planit të shpëtimit. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Perëndia i dha Kishës Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe shumë mësime të tjera. Këto përfshijnë një njohuri për planin e shpëtimit, i cili është një hartë se prej nga kemi ardhur, e qëllimit tonë këtu në tokë dhe ku do të shkojmë kur të vdesim. Plani gjithashtu na siguron një këndvështrim të veçantë e të përjetshëm që ne jemi fëmijët shpirtërorë të Perëndisë. Duke kuptuar se kush është Ati ynë Qiellor dhe marrëdhënien tonë me Të dhe me Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, ne do të pranojmë urdhërimet e Tyre dhe do të bëjmë besëlidhje me Ta, të cilat do të na çojnë sërish në praninë e Tyre të përjetshme.

Çdo herë që mbaj në duar një fëmijë të sapolindur, e gjej veten duke menduar: “Kush je ti, vogëlush? Çfarë do të bëhesh ti nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit?”

Ne bëjmë pyetje të ngjashme, të menduara kur dikush që ne duam, vdes: “Ku janë ata? Çfarë po shohin dhe po përjetojnë ata? A vazhdon jeta? Cila do të jetë natyra e marrëdhënieve tona më të dashura në botën e madhe të shpirtrave të të vdekurve?”

Në atë botë, familja jonë ka dy mbesa, Sarën dhe Emilinë, dhe një nip, Nejthanin. Me vdekjen e çdo nipi ose mbese, ne si familje u mbajtëm fort, me të dyja duart, pas të vërtetave të ungjillit. Pyetjet tona morën përgjigje me ngushëllim dhe siguri nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit. Edhe pse na merr malli për nipin e mbesat tona, ne e dimë se ata jetojnë dhe ne e dimë që do t’i shohim ata përsëri. Sa mirënjohës jemi ne për këtë kuptueshmëri shpirtërore në kohë të trazuara vetjake dhe familjare.

Një tjetër e vërtetë kyçe në Kishë është se Ati Qiellor krijoi Adamin dhe Evën për një qëllim fisnik. Ishte detyra e tyre – dhe më pas, detyra e pasardhësve të tyre – që të krijonin trupa të vdekshëm për fëmijët shpirtërorë të Perëndisë që ata të mund të përjetonin vdekshmërinë. Nëpërmjet këtij procesi, Ati Qiellor i dërgon fëmijët e Tij shpirtërorë në tokë që të mësojnë dhe të rriten nëpërmjet përvojave të jetës tokësore. Për shkak se Ai i do fëmijët e Tij, Perëndia dërgon lajmëtarë qiellorë dhe Apostuj për t’i mësuar ata rreth rolit qendror të Jezu Krishtit si Shpëtimtari ynë.

Përmes shekujve, profetët e kanë përmbushur detyrën e tyre kur ata i paralajmëruan njerëzit për rreziqet [që ishin] përpara tyre. Apostujt e Zotit janë në detyrë të vazhdueshme që të vëzhgojnë, paralajmërojnë dhe të kujdesen për të ndihmuar ata që kërkojnë përgjigje për pyetjet e jetës.

Njëzet vite më parë, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve botuan dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Në atë dokument të frymëzuar, ne përfunduam me sa vijon: “Ne paralajmërojmë se individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten/in ose fëmijët apo që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë. Për më tepër, ne paralajmërojmë se shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë.”5

Si Apostuj, ne e ripohojmë përsëri sot këtë paralajmërim solemn. Ju lutemi, mbani mend që urdhërimet dhe besëlidhjet janë të vërteta dhe doktrina të paçmueshme që gjenden në Anijen e Vjetër Sion, ku Perëndia është në timon.

Një tjetër doktrinë e rëndësishme në të cilën duhet të kapemi, është respektimi i ditës së Shabatit. Kjo na ndihmon të mbetemi të panjollë nga bota, na siguron çlodhje fizike dhe na jep secilit prej nesh freskimin shpirtëror të të adhuruarit të Atit dhe të Birit çdo të diel.6 Kur ne kënaqemi në ditën e Shabatit, kjo është një shenjë e dashurisë sonë për Ta.7

Si pjesë e përpjekjeve tona për ta bërë Shabatin një kënaqësi, ne u kemi kërkuar udhëheqësve vendorë dhe anëtarëve të Kishës të kujtojnë se mbledhja e sakramentit është e Zotit dhe duhet themeluar e rrënjosur në mësimet e në Shlyerjen e Tij. Paraqitja e ordinancës së sakramentit është [koha] kur ne rinovojmë besëlidhjet tona dhe rikonfirmojmë dashurinë tonë për Shpëtimtarin, dhe kujtojmë sakrificën dhe Shlyerjen e Tij.

I njëjti shpirt adhurimi duhet të mbushë mbledhjet tona mujore të agjërimit dhe të dëshmive. Kjo mbledhje e sakramentit është që anëtarët të shprehin shkurtimisht mirënjohje, dashuri dhe vlerësim për Atin tonë Qiellor, Jezu Krishtin dhe ungjillin e rivendosur, si dhe të japin dëshmi vetjake për këto gjëra. Mbledhja e agjërimit dhe e dëshmive është një kohë për të ndarë mendime të shkurtra frymëzuese dhe për të dhënë dëshmi solemne. Nuk është koha për të mbajtur një fjalim.

Fëmijët e vegjël duhet të praktikojnë dhënien e dëshmisë së tyre në Fillore dhe me prindërit e tyre në mbledhjet e mbrëmjes familjare derisa ata të kuptojnë domethënien e rëndësishme të një dëshmie.

Theksimi i fundit i bërjes së Shabatit një kënaqësi është një rezultat i drejtpërdrejtë i frymëzimit nga Zoti nëpërmjet udhëheqësve të Kishës. Anëtarët e këshillit të lagjes duhet ta ndihmojnë peshkopatën disa javë përpara, duke rishqyrtuar muzikën dhe temat që janë rekomanduar për çdo mbledhje sakramenti.

Të gjithë prej nesh bekohen kur dita e Shabatit mbushet me dashuri për Zotin në shtëpi dhe në kishë. Kur fëmijëve tanë u jepet mësim sipas mënyrës së Zotit, ata mësojnë të ndiejnë dhe t’i përgjigjen Shpirtit të Tij. Të gjithë ne do të dëshirojmë të marrim pjesë çdo të diel për të marrë sakramentin kur ne ndiejmë Shpirtin e Zotit. Të gjithë, të rinj dhe pleq, të cilët po mbajnë barrë të rënda, do të ndiejnë lartësimin dhe ngushëllimin shpirtëror që vjen nga një ditë Shabati me meditim të përkushtuar për Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Fatmirësisht, Krishti është gjithmonë pranë, duke pritur dhe i gatshëm për të na ndihmuar kur lutemi për ndihmë dhe kur jemi të gatshëm të pendohemi dhe të vijmë tek Ai.

Tani, teksa përsiatim këto pak të vërteta që ekzistojnë përbrenda Anijes së Vjetër Sion, le të rrimë në kuvertë dhe të mbajmë mend që, si përkufizim, anija është një mjet dhe qëllimi i një mjeti është të na çojë në një vendmbërritje.

Vendmbërritja e anijes sonë është plotësia e bekimeve të ungjillit, mbretëria e qiellit, lavdia çelestiale dhe prania e Perëndisë.

Plani i Perëndisë është i qëndrueshëm. Ai është në timon dhe anija e Tij e madhe dhe e fuqishme lundron drejt shpëtimit dhe ekzaltimit. Mbani mend se ne nuk mund të arrijmë aty duke u hedhur jashtë anijes dhe duke u munduar të notojmë atje vetëm.

Ekzaltimi është qëllimi i këtij rrugëtimi të vdekshëm dhe askush nuk arrin aty pa mjetet e ungjillit të Jezu Krishtit: Shlyerjen e Tij, ordinancat dhe doktrinën e parimet drejtuese që gjenden në Kishë.

Është në Kishë ku ne i mësojmë punët e Perëndisë dhe e pranojmë hirin e Zotit Jezu Krisht, i cili na shpëton. Është brenda Kishës që ne krijojmë zotimet dhe besëlidhjet e familjeve të përjetshme të cilat bëhen pasaporta jonë drejt ekzaltimit. Është Kisha e cila fuqizohet nga priftëria për të na shtyrë përmes ujërave të paparashikueshme të vdekshmërisë.

Le të jemi mirënjohës për të bukurën Anijen tonë të Vjetër Sion sepse pa atë do të flakeshim në mëshirë të fatit, të vetmuar dhe të pafuqishëm, të marrë nga rryma pa timon apo rremë, duke u përdredhur nga rrymat e forta të erërave dhe dallgëve të kundërshtarit.

Mbahuni fort, vëllezër e motra dhe lundroni brenda kësaj anijeje të lavdishme, Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, dhe do ta arrijmë vendmbërritjen tonë të përjetshme. Kjo është dëshmia dhe lutja ime për të gjithë ne, në emrin e Atij që mban edhe Anija e Vjetër Sion, madje Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.