2010–2019
“Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”
Tetor 2015


“Nëse Më Doni, Zbatoni Urdhërimet e Mia”

Urdhërimet e Perëndisë janë një shfaqje e dashurisë së Tij për ne dhe bindja ndaj urdhërimeve të Tij është një shprehje e dashurisë sonë për Të.

Kur vajza jonë e madhe, Xheni, solli në shtëpi vajzën e saj të tretë nga spitali, unë shkova në shtëpinë e saj për ta ndihmuar. Pasi e mora vajzën e saj të madhe nga shkolla, ne vendosëm se ajo që Xheni kishte më shumë nevojë, ishte të pushonte. Prandaj, ndihma më e mirë që mund t’i jepja, ishte që ta merrja vajzën e saj Kloin në shtëpi me mua, kështu që mami dhe motra e saj foshnjë të mund të kishin pak qetësi.

E mbërtheva rripin e Kloit në ndenjësen e makinës, lidha vetë rripin tim të sigurimit dhe e nxora makinën nga rrugica përpara garazhit të tyre. Sidoqoftë, përpara se të arrinim në fund të rrugës, Kloi e kishte zbërthyer rripin e ndenjëses së makinës dhe po qëndronte në këmbë, duke parë mbi shpatullat e mia dhe duke më folur! E ndalova makinën në anë të rrugës, dola përjashta dhe e mbërtheva sërish [Kloin] në ndenjësen e makinës.

U nisëm sërish, por kishim përshkuar vetëm një largësi të vogël kur ajo doli përsëri nga ndenjësja e saj. Përsërita të njëjtët hapa, por këtë herë, madje përpara se të hipja në makinë dhe të lidhja vetë rripin tim të sigurimit, Kloi po qëndronte tashmë në këmbë!

E gjeta veten time të ulur në makinë, të parkuar në anë të rrugës, duke bërë një luftë për pushtet me një trevjeçare. Dhe ajo po fitonte!

Përdora çdo ide që mund të më vinte në mendje, që ta bindja atë se të qëndronte e lidhur në ndenjësen e makinës ishte një ide e mirë. Asaj nuk i mbushej mendja! Më në fund vendosa të provoja metodën “nëse/atëherë”.

Unë thashë: “Kloi, nëse do të qëndrosh e mbërthyer në ndenjësen e makinës, atëherë sapo të mbërrijmë te shtëpia e gjyshes, ne mund të luajmë me brumë.”

Asnjë përgjigje.

“Kloi, nëse do të qëndrosh e mbërthyer në ndenjësen tënde, atëherë ne mund të bëjmë bukë kur të mbërrijmë te shtëpia e gjyshes.”

Asnjë përgjigje.

U përpoqa sërish. “Kloi, nëse do të qëndrosh e mbërthyer në ndenjësen tënde, atëherë ne mund të ndalojmë te dyqani për të blerë një ëmbëlsirë!”

Pas tri orvatjesh, e kuptova se kjo ishte një përpjekje e kotë. Ajo ishte e vendosur dhe asnjë sasi “nëse/atëherë” nuk ishte e mjaftueshme që ta bindte atë të qëndronte e lidhur në ndenjësen e saj.

Nuk mund ta kalonim ditën duke qëndruar në anë të rrugës, por doja të isha e bindur ndaj ligjit dhe nuk ishte e sigurt t’i jepja makinës me Kloin që po qëndronte në këmbë. Bëra një lutje të heshtur dhe e dëgjova Shpirtin të pëshpëriste: “Mësoje atë”.

U ktheva përballë saj dhe e hoqa rripin e sigurimit nga trupi në mënyrë që ajo të mund ta shihte atë. Unë thashë: “Kloi, e kam vënë këtë rrip sigurimi sepse do të më mbrojë. Por ti nuk e ke vënë rripin e sigurimit dhe nuk do të jesh e sigurt. Unë do të jem kaq e trishtuar nëse ti lëndohesh.”

Ajo pa nga unë; pothuaj mund ta shikoja mendjen e saj të punonte për të kuptuar atë që sapo thashë ndërsa prisja me ankth përgjigjen e saj. Më në fund, sytë e saj të mëdhenj bojëqielli shndritën dhe ajo tha: “Gjyshe, ti do që unë ta vë rripin tim të sigurimit sepse më do!”

Makina u mbush me Shpirtin ndërsa shpreha dashurinë time për këtë vajzë të vogël të shtrenjtë. Nuk doja ta humbisja atë ndjenjë, por e dija që kisha një mundësi, kështu që dola nga makina dhe e lidha [Kloin] në ndenjësen e makinës. Pastaj e pyeta: “Kloi, të lutem, a do të qëndrosh në ndenjësen e makinës?” Dhe ajo e bëri këtë – gjatë gjithë rrugës deri te dyqani ku do të blinim një ëmbëlsirë! Dhe ajo qëndroi e mbërthyer gjatë gjithë rrugës nga dyqani deri në shtëpinë time, ku ne bëmë bukë dhe luajtëm me brumë për shkak se Kloi nuk e harroi atë që i kisha thënë më parë!

Teksa kthehesha me makinë atë ditë, një shkrim i shenjtë erdhi në mendjen time: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”1. Ne kemi rregulla për t’i mësuar, udhëhequr dhe mbrojtur fëmijët. Përse? Për shkak të dashurisë së madhe që ne kemi për ta. Por derisa Kloi e kuptoi se dëshira ime që ajo të qëndronte e lidhur në mënyrë të sigurt në ndenjësen e makinës ishte për shkak të dashurisë sime për të, ajo nuk ishte e gatshme t’i nënshtrohej asaj që ajo e konsideronte një kufizim. Ajo mendonte se rripi i sigurimit e kufizonte lirinë e saj.

Ashtu si edhe Kloi, ne mund të zgjedhim t’i shohim urdhërimet si kufizime. Me raste, ne mund të ndiejmë se ligjet e Perëndisë i vënë cak lirisë sonë vetjake, na heqin lirinë tonë për të zgjedhur dhe e kufizojnë rritjen tonë. Por, kur ne kërkojmë kuptueshmëri më të madhe, kur ne e lejojmë Atin tonë të na mësojë, ne do të fillojmë të shohim se ligjet e Tij janë një shfaqje e dashurisë së Tij për ne dhe se bindja ndaj ligjeve të Tij është një shprehje e dashurisë sonë për Të.

Nëse ju në mënyrë të figurshme e gjeni veten tuaj të parkuar në anë të rrugës, a mund t’ju sugjeroj disa parime që, nëse ndiqen, do t’ju ndihmojnë të ktheheni të sigurt në “rrugën e besimit dhe bindjes”?2

Së pari, mirëbesojini Perëndisë. Mirëbesoni në planin e Tij të përjetshëm për ju. Secili prej nesh është “një bir apo bijë shpirtërore e prindërve qiellorë”. Dashuria e tyre për ne është e dukshme tek urdhërimet. Urdhërimet janë udhëzime thelbësore që na mësojnë, udhëheqin dhe na mbrojnë ndërsa “fito[jmë] përvojë tokësore”3.

Në “mbretërinë paratokësore” ne e përdorëm lirinë tonë të zgjedhjes për të pranuar planin e Perëndisë4 dhe mësuam se bindja ndaj ligjeve të përjetshme të Perëndisë ishte thelbësore për suksesin tonë në planin e Tij. Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen”5. Nëse i bindemi ligjit, ne i marrim bekimet.

Madje me gjithë gabimet, kundërshtimin dhe të mësuarin që e shoqërojnë përvojën tonë në vdekshmëri, Perëndia kurrë nuk e humbet nga sytë potencialin tonë të përjetshëm, edhe kur ne e bëjmë këtë. Ne mund t’i mirëbesojmë Atij “sepse Perëndia do që fëmijët e Tij të kthehen”6. Dhe Ai e ka siguruar një mënyrë nëpërmjet Shlyerjes së Birit të Tij, Jezu Krishtit. Shlyerja është “thelbi i planit të shpëtimit”7.

Së dyti, mirëbesojini Jezusit. Shprehja përfundimtare e bindjes dhe dashurisë është Shlyerja e Jezu Krishtit. Duke ia nënshtruar Veten e Tij vullnetit të Atit, Ai dha jetën e Tij për ne. Ai tha: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.”8

Jezusi gjithashtu dha mësim:

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”9

Çdo të diel ne kemi mundësinë që të përsiatim dhe të kujtojmë dashurinë e pastër të Shpëtimtarit tonë ndërsa marrim nga simbolet e Shlyerjes së Tij të pafund. Gjatë sakramentit, unë shoh teksa duart dhe krahët zgjaten për të kaluar bukën dhe ujin. Kur e shtrij krahun tim dhe e marr [sakramentin], unë besëlidh se jam e gatshme të marr mbi vete emrin e Tij, ta kujtoj Atë gjithmonë dhe t’i zbatoj urdhërimet e Tij. Dhe Ai premton “se [ne] mund t[a] ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”10.

Së treti, mirëbesojuni pëshpëritjeve të Shpirtit. A e mbani mend gjatë përvojës sime me Kloin se Shpirti më pëshpëriti një shkrim të shenjtë? Është te Gjoni 14:15: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Dhe pasojnë këto vargje të rëndësishme:

“Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,

Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju”11.

Çdo anëtar i denjë i konfirmuar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka të drejtën e shoqërimit të Frymës së Shenjtë. Agjërimi, lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe bindja e përmirësojnë shumë aftësinë tonë për t’i dëgjuar dhe për t’i ndier nxitjet e Shpirtit.

Kur mendja juaj të mbushet me dyshim dhe pështjellim, Ati dhe Biri do të dërgojnë Frymën e Shenjtë që t’ju paralajmërojë dhe t’ju udhëheqë të sigurt përmes rreziqeve të këtij udhëtimi të vdekshëm. Ai do t’ju ndihmojë të kujtoni, do t’ju ngushëllojë dhe do t’ju mbushë “me shpresë dhe dashuri të pastër”12.

Së katërti, mirëbesojini këshillës së profetëve të gjallë. Ati ynë ka siguruar një mënyrë që ne ta dëgjojmë fjalën e Tij dhe ta njohim ligjin e Tij nëpërmjet profetëve të Tij. Zoti shpalli: “Fjala ime … do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi, është njësoj.”13

Kohët e fundit, profetët e gjallë na kanë këshilluar që ta “mbaj[më] mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar”14 dhe të jetojmë ligjin e agjërimit. Bindja ndaj kësaj këshille profetike ka siguruar një mënyrë se si të jemi të bindur ndaj urdhërimit të Perëndisë për ta dashur Atë dhe të afërmin tonë ndërsa e rritim besimin tonë te Jezu Krishti dhe e shtrijmë dorën tonë për t’i dashur dhe për t’u kujdesur për të tjerët.15

Siguria gjendet te ndjekja e fjalës së Zotit nëpërmjet profetëve të Tij. Perëndia i ka thirrur Presidentin Tomas S. Monson, këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues dhe zbulues. Në një botë ku është shtuar frika, pështjellimi, fatkeqësia dhe zemërimi, ne mund të shohim tek ata për të parë se si dishepujt e Jezu Krishtit – të mbushur me dashuri hyjnore – i shikojnë, kërkojnë dhe reagojnë ndaj çështjeve që mund të shkaktojnë përçarje. Ata dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe përgjigjen me dashuri hyjnore, dashurinë e pastër të Jezu Krishtit, dëshmitarë të të cilit ata janë.

Pas përvojës sime me Kloin, unë kërkova në shkrimet e shenjta për vargjet që përmendin urdhërimet dhe dashurinë. Gjeta shumë vargje. Secili prej këtyre vargjeve na kujton se urdhërimet e Tij janë një shfaqje e dashurisë së Tij për ne dhe bindja ndaj urdhërimeve të Tij është një shprehje e dashurisë sonë për Të.

Dëshmoj se, kur ne i mirëbesojmë Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm; i mirëbesojmë Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe ushtrojmë besim te Shlyerja e Tij; u mirëbesojmë pëshpëritjeve të Shpirtit; dhe i mirëbesojmë këshillës së profetëve të gjallë, ne do të largohemi nga cepi i rrugës dhe do të vazhdojmë të sigurt – jo thjesht duke duruar – por duke gjetur gëzim në udhëtimin tonë për në shtëpi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.