2010–2019
Të Vënë në Provë dhe të Tunduar – por të Ndihmuar
Tetor 2015


Të Vënë në Provë dhe të Tunduar – por të Ndihmuar

Ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin si fëmijë të Atit tonë Qiellor gjatë sprovave dhe tundimeve tona.

Gjatë rrjedhës së jetës, ne vihemi në provë dhe tundohemi. Ne gjithashtu kemi mundësinë të ushtrojmë lirinë e zgjedhjes dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Këto të vërteta janë pjesë e planit të mrekullueshëm dhe të përkryer të Atit tonë Qiellor.

Presidenti Xhon Tejlor dha mësim: “E kam dëgjuar Profetin Jozef të thotë, ndërsa u fliste të Dymbëdhjetëve në një rast: ‘Juve do t’ju duhet të kapërceni të gjitha llojet e sprovave. Dhe është tepër e nevojshme që ju të provoheni, ashtu siç ishte për Abrahamin dhe njerëzit e tjerë të Perëndisë, dhe (ai tha se) Perëndia do t’ju vërë në provë, do t’ju marrë e do t’ju sprovojë deri në kufij’”1.

Sapo arrijmë moshën e përgjegjshmërisë, sprovat dhe tundimet janë të gjithanshme. Ndonjëherë ato mund të bëhen barrë të rënda, por ato na japin gjithashtu forcë dhe zhvillim ndërsa i mposhtim me sukses.

Fatmirësisht, këto barrë nuk kanë pse të mbahen vetëm. Alma dha mësim: “Ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”2. Këto fjalë tregojnë se ne kemi përgjegjësinë ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Ajo përgjegjësi mund të vijë nga një thirrje në Kishë, një detyrë ose një miqësi, apo si pjesë e detyrës sonë hyjnore si prindër, bashkëshortë/e ose pjesëtarë të familjes – apo thjesht nga të qenit pjesë e familjes së Perëndisë.

Unë do të ilustroj katër mënyra se si lehtësohen barrët tona ndërkohë që e ndihmojmë njëri-tjetrin.

1. Shpëtimtari tha: “Në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të”3. Për shembull, neve na kërkohet të marrim pjesë rregullisht në tempull, ashtu siç e lejojnë rrethanat tona vetjake. Pjesëmarrja në tempull kërkon sakrifikimin e kohës dhe të burimeve, veçanërisht për ata që duhet të udhëtojnë në një largësi të madhe. Megjithatë, kjo sakrificë mund të konsiderohet pjesë e miljes së parë.

Ne fillojmë të ecim miljen e dytë kur kuptojmë fjalët “gjeni, çoni dhe jepni mësim”4, kur i kërkojmë dhe i përgatitim emrat e paraardhësve tanë për ordinancat e tempullit, kur ndihmojmë për indeksimin, kur shërbejmë si punonjës tempulli dhe kur kërkojmë mënyra për t’i ndihmuar të tjerët të kenë përvoja tempulli kuptimplota.

Kur shërbeja si një I Shtatëdhjetë Zonal, një nga kunjet në këshillin tim bashkërendues mori pjesë në një ekskursion të madh për në tempull. Tempulli ku anëtarët morën pjesë është i vogël dhe fatkeqësisht kishte disa anëtarë të cilët, pavarësisht se bënë udhëtimin e gjatë prej 12 orësh, nuk ishin në gjendje të hynin në tempull për shkak se ishte kaluar kapaciteti i përditshëm.

Pak ditë pas këtij udhëtimi, unë e vizitova këtë kunj dhe e pyeta presidentin nëse mund të bisedoja me disa prej anëtarëve që nuk arritën të merrnin pjesë në tempull atë ditë. Një nga vëllezërit me të cilin u takova më tha: “Elder [Plak], mos u shqetëso. Isha në shtëpinë e Zotit. U ula në një stol në kopsht dhe i përsiata ordinancat në mendjen time. Pastaj m’u dha mundësia të hyja, por në vend të kësaj lashë një vëlla tjetër që të zinte vendin tim, i cili kishte ardhur në tempull për herë të parë që të vulosej me bashkëshorten e tij. Më pas ata patën mundësinë që të merrnin pjesë në dy sesione atë ditë. Zoti më njeh dhe Ai më ka bekuar dhe ne jemi mirë”.

2. Buzëqeshni! Ky veprim i vogël mund t’i ndihmojë ata që janë të shqetësuar ose të rënduar. Gjatë sesionit të priftërisë të kësaj konference të kaluar të përgjithshme të prillit, unë u ula në podium si një nga pesë Autoritetet e Përgjithshme të sapothirrura. Ne ishim ulur atje ku janë ulur tani motrat e presidencave të organizatave ndihmëse. Ndihesha shumë i shqetësuar dhe i tronditur prej thirrjes sime të re.

Kur po këndonim himnin ndërmjetës, ndjeva një përshtypje të fortë se dikush po më shikonte. Mendova me vete: “Ka më shumë se 20.000 njerëz në këtë ndërtesë dhe shumica e tyre janë ulur përballë meje. Natyrisht që dikush po të shikon”.

Ndërsa vazhdova të këndoja, e ndjeva sërish përshtypjen e fortë se dikush po më shikonte. Hodha sytë nga rreshti ku ishin ulur Dymbëdhjetë Apostujt dhe pashë që Presidenti Rasëll M. Nelson ishte kthyer i gjithi në karrigen e tij, duke parë nga vendi ku ishim ulur ne. E kapa vështrimin e tij dhe ai më dha një buzëqeshje të madhe. Ajo buzëqeshje solli paqe në zemrën time të tronditur.

Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti vizitoi delet e Tij të tjera. Ai thirri dhe shuguroi dymbëdhjetë dishepuj dhe me atë autoritet, ata u shërbyen njerëzve. Vetë Zoti Jezu Krisht qëndroi midis tyre. Zoti u kërkoi atyre të gjunjëzoheshin dhe të luteshin. Nuk jam i sigurt nëse të dymbëdhjetë dishepujt e sapothirrur dhe të shuguruar ishin të tronditur prej thirrjes së tyre, por shkrimet e shenjta thonë: “Ndodhi që Jezusi i bekoi, ndërsa ata i luteshin atij; dhe fytyra e tij buzëqeshi mbi ta dhe drita e fytyrës së tij shkëlqeu mbi ta”5. Gjatë konferencës së fundit të përgjithshme, një buzëqeshje i lehtësoi barrët e mia në një mënyrë të menjëhershme dhe të pazakontë.

3. Shprehni ndjenja dhembshurie ndaj të tjerëve. Nëse jeni mbajtës priftërie, ju lutem përdoreni fuqinë tuaj në emër të fëmijëve të Perëndisë, duke u dhënë bekime atyre. Shprehiuni fjalë ngushëlluese dhe qetësuese njerëzve që po vuajnë ose po përjetojnë pikëllime.

4. Guri i qoshes i planit të Perëndisë është Shlyerja e Zotit Jezu Krisht. Të paktën një herë në javë, ne duhet të meditojmë ashtu siç bëri Presidenti Jozef F. Smith mbi “dashurinë e madhe dhe të mrekullueshme të shfaqur nga Ati dhe Biri në ardhjen e Shëlbuesit në botë”6. Të ftuarit e të tjerëve që të vijnë në Kishë dhe ta marrin denjësisht sakramentin do t’u lejojë më shumë fëmijëve të Atit Qiellor të mendojnë mbi Shlyerjen. Dhe nëse nuk jemi të denjë, ne mund të pendohemi. Mbani mend se Biri i Më të Lartit zbriti nën gjithçka dhe mori mbi veten e Tij fyerjet, mëkatet, shkeljet, sëmundjet, dhembjet, vuajtjet dhe vetminë tonë. Shkrimet e shenjta na mësojnë se Krishti “u ngjit lart, sikurse ai zbriti nën gjithçka, në atë që ai i kupton të gjitha gjërat”7.

Nuk ka rëndësi se cilat janë mundimet tona vetjake – nëse ato janë sëmundje ose vetmi e tejzgjatur apo vuajtje e tundimeve dhe e sprovave të kundërshtarit – Bariu i Mirë është atje. Ai na thërret me emër dhe thotë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”8.

Dua të përmbledh katër pikat:

Së pari – bëjeni miljen e dytë.

Së dyti – ju lutem, buzëqeshni. Buzëqeshja juaj do t’i ndihmojë të tjerët.

Së treti – shprehni dhembshuri.

Së katërti – ftojini të tjerët të vijnë në Kishë.

Jap dëshminë time për Shpëtimtarin. Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë dhe Ai jeton. E di se Ai e mbështet, me gjithë forcën dhe fuqinë e Tij, planin e Atit. Unë e di se Presidenti Tomas S. Monson është një profet i gjallë. Ai i mban të gjithë çelësat për të kryer me sukses punën e Perëndisë në tokë. E di se ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin si fëmijë të Atit tonë Qiellor gjatë sprovave dhe tundimeve tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.