2010–2019
Nëpërmjet Syve të Perëndisë
Tetor 2015


Nëpërmjet Syve të Perëndisë

Që t’u shërbejmë të tjerëve me efektshmëri, ne duhet t’i shohim ata nëpërmjet syve të një prindi, nëpërmjet syve të Atit Qiellor.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, faleminderit që më mbështetët dje si anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Është e vështirë që të shpreh se sa shumë do të thotë kjo për mua. Isha veçanërisht mirënjohës për votën mbështetëse të dy grave të jashtëzakonshme në jetën time: bashkëshortes sime, Ruthit, dhe bijës sonë shumë të dashur, Ashlit.

Thirrja ime jep provë të bollshme për vërtetësinë e thënies së Zotit herët në këtë periudhë ungjillore: “Që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës”1. Unë jam një prej atyre të dobëtëve dhe të thjeshtëve. Dekada më parë, kur u thirra të isha peshkopi i një lagjeje në Shtetet e Bashkuara lindore, vëllai im, pak më i madh në moshë se unë dhe shumë më i urtë se unë, më mori në telefon. Ai tha: “Duhet ta dish se Zoti nuk të ka thirrur për shkak të ndonjë gjëje që ke bërë. Në rastin tënd, ndoshta kjo është pavarësisht nga ajo që ke bërë. Zoti të ka thirrur për atë që Ai ka nevojë që të bëjë nëpërmjet teje dhe kjo do të ndodhë vetëm nëse ti e bën atë sipas mënyrës së Tij.” E kuptoj që kjo urtësi nga një vëlla më i madh gjen zbatim edhe më shumë sot.

Diçka e mrekullueshme ndodh në shërbimin e një misionari kur ai ose ajo e kupton se thirrja nuk është rreth atij apo asaj; përkundrazi, ajo është rreth Zotit, veprës së Tij dhe fëmijëve të Atit Qiellor. E ndiej se e njëjta gjë është e vërtetë për një Apostull. Kjo thirrje nuk është rreth meje. Është rreth Zotit, veprës së Tij dhe fëmijëve të Atit Qiellor. Pavarësisht se cila është detyra apo thirrja në Kishë, që të shërbejë me aftësi, një njeri duhet të shërbejë duke e ditur se kujtdo që i shërbejmë “është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, … ka një natyrë dhe destinacion hyjnor”2.

Në profesionin tim të mëparshëm, unë isha një kardiolog i specializuar në insufiçencën dhe transplantimin e zemrës, me shumë pacientë që ishin të sëmurë rëndë. Gruaja ime duke qeshur thotë se ishte një shenjë e keqe paralajmëruese të bëheshe një nga pacientët e mi. Duke e lënë mënjanë shakanë, unë pashë shumë njerëz të vdisnin dhe zhvillova një lloj largësie emocionale kur gjërat nuk shkonin mirë. Në atë mënyrë, zbuteshin ndjenjat e trishtimit dhe të zhgënjimit.

Në vitin 1986 një i ri i quajtur Çad zhvilloi insufiçencë të zemrës dhe mori një transplant zemre. Ai ishte shumë mirë për një dekadë e gjysmë. Çadi bëri gjithçka mundi që të qëndronte i shëndetshëm dhe të jetonte një jetë sa më normale që të ishte e mundur. Ai shërbeu në një mision, punoi dhe ishte një bir i devotshëm ndaj prindërve të tij. Vitet e fundit të jetës së tij, megjithatë, ishin sfiduese dhe ai shtrohej shpesh në spital.

Një mbrëmje ai u soll në pavionin e urgjencës së spitalit me një pushim të plotë të qarkullimit të gjakut në zemër. Bashkëpunëtorët e mi dhe unë punuam për një kohë të gjatë që ta rikthenim qarkullimin e gjakut të tij. Më së fundi, u bë e qartë që Çadi nuk mund të sillej sërish në jetë. I ndërpremë përpjekjet tona të padobishme dhe unë e shpalla atë të vdekur. Edhe pse i trishtuar dhe i zhgënjyer, unë ruajta një qëndrim profesional. Mendova me veten time: “Çadi ka pasur përkujdesje të mirë. Ai ka pasur shumë më tepër vite jete sesa do të kishte pasur pa atë përkujdesje.” Ajo largësi emocionale shpejt u dërrmua kur prindërit e tij erdhën në dhomën e urgjencës dhe e panë birin e tyre të vdekur, të shtrirë në një shtrat. Në atë çast, e pashë Çadin nëpërmjet syve të nënës dhe babait të tij. Pashë shpresat dhe pritshmëritë e mëdha që ata kishin pasur për të, dëshirën që kishin pasur që ai të jetonte veçse pak më gjatë dhe pak më mirë. Duke e kuptuar këtë, fillova të vajtoja. Në një shkëmbim ironik të roleve dhe në një akt mirësie që nuk do ta harroj kurrë, prindërit e Çadit më ngushëlluan mua.

Tani e kuptoj se në Kishë, që t’u shërbejmë të tjerëve me efektshmëri, ne duhet t’i shohim ata nëpërmjet syve të një prindi, nëpërmjet syve të Atit Qiellor. Vetëm atëherë ne mund të fillojmë ta kuptojmë vlerën e vërtetë të një shpirti. Vetëm atëherë ne mund ta ndiejmë dashurinë që Ati Qiellor ka për të gjithë fëmijët e Tij. Vetëm atëherë ne mund ta ndiejmë shqetësimin përkujdesës të Shpëtimtarit për ta. Ne nuk mund ta përmbushim tërësisht detyrimin tonë besëlidhës që të vajtojmë me ata që vajtojnë dhe të ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim, në qoftë se nuk i shohim ata nëpërmjet syve të Perëndisë.3 Ky këndvështrim i zgjeruar do të na i hapë zemrat tona kundrejt zhgënjimeve, frikës dhe hidhërimeve të të tjerëve. Por Ati Qiellor do të na ndihmojë e ngushëllojë, ashtu si prindërit e Çadit më ngushëlluan mua vite më parë. Na duhet të kemi sy që të shohim, veshë që të dëgjojmë dhe zemra që të dimë e ndiejmë, në qoftë se do ta përmbushim shpëtimin për të cilin nxitemi kaq shpesh nga Presidenti Tomas S. Monson.4

Vetëm kur shohim nëpërmjet syve të Atit Qiellor ne mund të mbushemi me “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit”5. Çdo ditë ne duhet t’i lutemi Perëndisë për këtë dashuri. Mormoni këshilloi: “Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij, Jezu Krisht[it]”6.

Me gjithë zemrën time unë dëshiroj të jem një pasues i vërtetë i Jezu Krishtit.7 Unë e dua Atë. Unë e adhuroj Atë. Unë dëshmoj për realitetin e Tij të gjallë. Unë dëshmoj se Ai është i Vajosuri, Mesia. Unë jam dëshmitar i mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë së Tij të pakrahasueshme. Unë ia shtoj dëshminë time dëshmisë së Apostujve të cilët, në vitin 2000, shpallën “që Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. … Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës.”8

Unë dëshmoj se një ditë në vitin 1820, në një korije në pjesën veriore të shtetit të Nju-Jorkut, Zoti i ringjallur iu shfaq, së bashku me Perëndinë, Atin tonë Qiellor, Profetit Jozef Smith, sikurse Jozef Smithi tha se Ata iu shfaqën. Çelësat e priftërisë janë në tokë sot për të bërë të mundur ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese. Unë e di këtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 1:23.

  2. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129; e lexuar nga Presidenti Gordon B. Hinkli si pjesë e mesazhit të tij në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të mbajtur më 23 shtator 1995, në Solt-Lejk-Siti të Jutës.

  3. Shih Mosia 18:8–10.

  4. Shih, për shembull, Thomas S. Monson, “To the Rescue”, Liahona, korrik 2001, f. 57–60; “Përgjegjësia Jonë për t’i Shpëtuar”, Liahona, tetor 2013, f. 4–5. Presidenti Monson i ritheksoi këto koncepte në mesazhin e tij drejtuar Autoriteteve të Përgjithshme më 30 shtator 2015, duke i kujtuar ata që ishin mbledhur, se ai po e ritheksonte mesazhin që ai u dha Autoriteteve të Përgjithshme dhe Të Shtatëdhjetëve Zonalë në mbledhjet e trajnimit në konferencën e përgjithshme të prillit 2009.

  5. Moroni 7:47.

  6. Moroni 7:48.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 18:27–28:

    “Dhe të Dymbëdhjetët do të jenë dishepujt e mi dhe ata do të marrin mbi vete emrin tim; dhe të Dymbëdhjetët janë ata që do të dëshirojnë të marrin mbi vete emrin tim me qëllim të plotë të zemrës.

    Dhe nëse dëshirojnë të marrin mbi vete emrin tim me qëllim të plotë të zemrës, ata thirren për të shkuar në gjithë botën për t’i predikuar ungjillin tim çdo krijese.”

  8. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 3. Duke e cituar këtë dëshmi këtu, në mënyrë të figurshme unë ia shtoj nënshkrimin tim dokumentit, duke dëshmuar po të njëjtën dëshmi të dhënë prej këtyre Apostujve.