2010–2019
Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara
Tetor 2015


Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara

Një largpamësi e bekimeve të pabesueshme të premtuara të Atit tonë duhet të jetë përqendrimi kryesor përpara syve tanë çdo ditë.

A nuk e doni këtë motër në video? Ne e dimë se shumë prej jush, të cilat nuk e kanë pasur mundësinë për të pasur fëmijë të vetët, e kanë kaluar jetën duke i dashur, mësuar dhe bekuar fëmijët. Dhe, o, sa shumë që Ati ynë Qiellor dhe ne, motrat tuaja, ju duam për këtë!

Pamja
E re duke mbajtur një të sapolindur

A nuk e kemi pasur të gjitha ne, duke ju përfshirë ju motra të reja e të dashura të Fillores dhe të Të Rejave, mundësinë për të mbajtur në krahët tona një foshnjë të sapolindur e cila të shikon drejt e në sy? A e kemi kuptuar ndjesinë e shenjtë dhe të shenjtëruar që e rrethon këtë shpirt çelestial, të dërguar së fundi nga Ati ynë në Qiell te trupi i tij i vogël, i pastër dhe i sapokrijuar? Unë rrallëherë kam përjetuar ndjenja kaq shumë të ëmbla, kaq të buta dhe kaq shpirtërore.

Trupat tanë janë dhurata të shenjta nga Ati ynë Qiellor. Ata janë tempuj vetjakë. Teksa i mbajmë ata të pastër dhe të dëlirë, ne mund të jemi të denja për ta ndihmuar Atin tonë Qiellor që të krijojë trupa për fëmijët e Tij të dashur shpirtërorë.

Pamja
President Paker duke folur

Në bisedën e fundit të Presidentit Bojd K. Paker në konferencën e përgjithshme, të cilën mund ta mbani mend si “një biskotë dhe një e puthur”, ai dëshmoi se “urdhërimi për t’u shumëzuar e për të mbushur tokën … është thelbësor … dhe është burimi i lumturisë njerëzore. Nëpërmjet ushtrimit të drejtë të kësaj fuqie [krijuese], ne mund të vijmë pranë Atit tonë në Qiell dhe të përjetojmë një plotësi të gëzimit, madje të qenit perëndi. Fuqia e riprodhimit nuk është një pjesë rastësore e planit; ajo është plani.”

Ai vazhdoi:

“Dashuria e vërtetë kërkon ruajtjen deri pas martesës të ndarjes së atyre ndjenjave që i çelin ato fuqi të shenjta … [duke] shmang[ur] situata ku dëshira fizike mund të jetë fuqia kontrolluese. …

… Lumturia jonë në jetën në vdekshmëri, gëzimi dhe ekzaltimi ynë janë të varur nga mënyra se si u përgjigjemi këtyre dëshirave fizike të vazhdueshme dhe shtrënguese.”1

Motrat e mia të dashura, si të reja edhe jo aq të reja, unë kam ndier një shqetësim të madh teksa e kam përgatitur këtë bisedë. Siç e shprehu Alma i Riu: “Unë dëshiroj nga pjesa më e thellë e zemrës sime, … që ju të … thërrisni në emrin e tij të shenjtë dhe të jeni vigjilent[e], dhe të luteni vazhdimisht, që ju mos të tundoheni mbi atë që mund të duroni, … që të ngrihe[ni] në ditën e fundit”2.

Më vonë, Mormoni gjithashtu dëshmoi se në ditët e Almës, Korihori, anti-Krishti, “predikonte … , duke nxjerrë [nga udha] zemrat e … shumë gra[ve]”3.

Motra, Satani ka ngritur një flamur si të Korihorit në ditët tona me sukses gjithnjë e më të madh. Cilat janë disa prej mjeteve të tij? Novelat romantike joshëse, telenovelat në televizor, gratë e martuara dhe të dashur të së kaluarës që lidhen në median shoqërore dhe pornografia. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshme, të dashura motra! Ne nuk mund të luajmë me shigjetat e zjarrta të Satanit dhe të mos digjemi. Nuk di asgjë që do të na kualifikojë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë më shumë se virtyti.

Shumë njerëz në botën e sotme po kërkojnë për kënaqje të menjëhershme dhe njohuri të menjëhershme në internet. Përkundrazi, ne do të jemi tej mase të bekuara nëse ushtrojmë besim dhe durim dhe shkojmë tek Ati ynë Qiellor, burimi i të gjithë së vërtetës, bashkë me dyshimet tona. Kaq shumë përgjigje dhe sigurime mund të vijnë nëpërmjet kërkimit dhe studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta dhe me lutje të sinqertë e përgjëruese, por nuk ka premtime të tilla në internet. Profeti Jakob dëshmon: “Pasi Shpirti flet të vërtetën dhe nuk gënjen. Prandaj, ai flet për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjëra ashtu siç do të jenë në të vërtetë.”4

Kur ne jemi të përfshirë në shikimin, leximin ose përjetimin e çfarëdo gjëje që është nën standardet e Atit tonë Qiellor, ajo na dobëson. Pavarësisht nga mosha juaj, nëse ajo që shikojmë, lexojmë, dëgjojmë, ose zgjedhim të bëjmë nuk i përmbush standardet e Zotit në broshurën Për Forcën e Rinisë, fikeni, flakeni, griseni dhe përplaseni derën fort.

Pamja
Shpëtimtari në Gjetseman

Asnjëra prej nesh nuk është e përsosur por, kur ne kemi mëkatuar, Presidentit Paker na kujtoi që:

“Premtimi është: ‘Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato’ (DeB 58:42). …

… Shlyerja, të cilën mund ta marrë secili prej nesh, nuk mbart asnjë shenjë. Kjo do të thotë që, pavarësisht nga ajo që kemi bërë ose ku kemi qenë apo se si ndodhi diçka, nëse me të vërtetë pendohemi, Ai na ka premtuar që do të shlyente. Dhe kur Ai e bëri Shlyerjen, ajo gjë u zgjidh. Ka kaq shumë prej nesh që vijnë rrotull pa pushim … me ndjenjën e fajit, duke mos e ditur se si t’i shpëtoni. Ju i shpëtoni asaj duke e pranuar Shlyerjen e Krishtit dhe gjithçka që shkaktonte dhembje në zemër, mund të kthehet në bukuri, dashuri dhe përjetësi.”5

Përveç pendimit, çfarë ndihmash apo mjetesh na janë dhënë për të na ndihmuar të qëndrojmë të pastra dhe të virtytshme? Të gjithë fëmijët e Fillores tonë dhe të rejat e dinë dhe e këndojnë këngën “Scripture Power” [“Fuqia e Shkrimeve”]6. A mund ta përfshijmë edhe “Fuqinë e Lutjes”, “Fuqinë e Tempullit”, “Fuqinë e Besëlidhjeve”, “Fuqinë e Shabatit”, “Fuqinë e Profetit” dhe “Fuqinë e Virtytit”?

Ka gjithashtu premtime të mëdha dhe premtime mbrojtëse të shoqëruara me mbajtjen veshur siç duhet të veshjes sonë të tempullit. Unë kam arritur të ndiej që simbolikisht jam duke veshur rroba mbretërore që më janë dhënë nga Ati im Qiellor. Unë dëshmoj, motra, se kur ne mundohemi t’i veshim veshjet e tempullit siç duhet, Ati ynë e njeh atë si një shenjë të madhe të dashurisë dhe të përkushtimit tonë ndaj Tij. Është një shenjë e besëlidhjeve që kemi bërë me Të, dhe Ai ka premtuar: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim7.

Së fundi unë fola me një mikeshë të vjetër e cila ka kaluar dy divorce për shkak të varësive dhe pabesive të bashkëshortëve të saj. Ajo dhe tre fëmijët e saj kanë vuajtur së tepërmi. Ajo lutej: “Jam përpjekur kaq shumë të jetoj me drejtësi. Përse kam pasur kaq shumë sprova? Çfarë kam bërë gabim? Çfarë do Ati Qiellor që unë të bëj? Unë lutem dhe i lexoj shkrimet e mia të shenjta, i ndihmoj fëmijët e mi dhe shkoj shpesh në tempull.”

Teksa e dëgjoja këtë motër, më vinte të thërrisja me të madhe: “Ti po e bën atë! Ti po bën gjithçka që Ati Qiellor do dhe që shpreson se ti do të bësh!”

Në mënyrë të kuptueshme, shumë janë shprehur që bekimet e premtuara të Atit tonë janë thjesht “tepër larg”, veçanërisht kur jeta jonë është e tejmbushur me sfida. Por Amuleku dha mësim se “kjo jetë është koha … që të përgatite[mi] të takohe[mi] me Perëndinë”8. Nuk është koha për të marrë të gjitha bekimet tona. Presidenti Paker shpjegoi “‘Dhe të gjithë jetuan të lumtur përgjithmonë’ nuk është shkruar kurrë në aktin e dytë. Ai rresht i përket aktit të tretë, kur misteret zgjidhen dhe çdo gjë vihet në rregull.”9 Sidoqoftë, një largpamësi e bekimeve të pabesueshme të premtuara të Atit tonë duhet të jetë përqendrimi kryesor përpara syve tanë çdo ditë – si dhe një vetëdije e “madhësisë së mëshirës së tij të dashur”10 që ne përjetojmë çdo ditë.

Motra, unë nuk e di pse i kemi sprovat e shumta që kemi, por ndjesia ime vetjake është, motra, që shpërblimi është kaq i madh, kaq i përhershëm dhe i përjetshëm, kaq i gëzueshëm dhe përtej kuptueshmërisë tonë saqë në ditën e shpërblimit, ne mund të ndiejmë t’i themi Atit tonë të dashur e të mëshirshëm: “A ishte kjo gjithçka që kërkohej?” Unë besoj se, nëse do të mund ta kujtonim dhe dallonim çdo ditë thellësinë e dashurisë që Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari kanë për ne, ne do të ishim të gatshme të bënim gjithçka që Ata do të kërkonin që të ishim sërish në praninë e Tyre, të rrethuar përjetësisht nga dashuria e Tyre. Çfarë rëndësie do të kenë, motra të dashura, ato që kemi vuajtur këtu, nëse, në fund, ato sprova janë pikërisht gjërat që na kualifikojnë për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin në mbretërinë e Perëndisë me Atin dhe Shpëtimtarin tonë?

Unë dëshmoj se trupat tanë janë dhurata të shenjta nga Ati ynë Qiellor dhe se teksa e mbajmë jetën tonë të pastër dhe të dëlirë nëpërmjet sakrificës shlyese të Shpëtimtarit tonë, dhe e mbajmë përpara nesh çdo ditë largpamësinë e shpërblimeve të premtuara të Atit tonë, ne do të marrim një ditë “gjithçka që Ati [ynë] ka”11. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.