2010–2019
Ju Nuk Jeni të Vetëm në Punë
Tetor 2015


Ju Nuk Jeni të Vetëm në Punë

Ndërsa kaloni nga një shërbim i priftërisë tek tjetri, ju do ta shihni se Zoti është në punë bashkë me ju.

Vëllezërit e mi të dashur, ne jemi mirënjohës që Zoti ka thirrur Plakun Ronald A. Rasband, Plakun Geri E. Stivenson dhe Plakun Dejll G. Renland si Apostuj të Zotit Jezu Krisht. Zemrat tona, lutjet tona dhe besimi ynë i mbështetin ata.

Ne e njohim aftësinë e tyre të madhe. Prapëseprapë, atyre do t’u nevojitet sigurim në thirrjet e tyre, sikurse të gjithëve ne, se Zoti është me ta në punën e Tij. Dhjaku më i ri ka nevojë për atë siguri, sikurse ka nevojë edhe prifti i lartë me më shumë përvojë, i cili merr një thirrje të re.

Ajo siguri rritet ndërsa ju arrini të kuptoni se Ai ju thirri nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Nxitja ime është që t’ju ndihmoj të dini se, kur ju e bëni pjesën tuaj, Zoti u shton përpjekjeve tuaja fuqinë e Tij.

Çfarëdo thirrje që marrim në mbretërinë e Zotit, kërkon më tepër sesa gjykimin tonë njerëzor dhe fuqitë tona vetjake. Ato thirrje kërkojnë ndihmë nga Zoti, e cila do të vijë. Edhe dhjaku i ri do të mësojë se është e vërtetë dhe do të vazhdojë të mësojë përgjatë viteve.

Një nga nipërit e mi është këtu sonte, në sesionin e tij të parë të priftërisë. Ai u shugurua dhjak gjashtë ditë më parë. Ai mund të presë që puna e tij e parë e detyrës së priftërisë do të jetë shpërndarja e sakramentit të dielën e ardhshme. Lutja ime është që ai do ta shohë atë çast siç është në të vërtetë.

Ai mund të mendojë se puna e tij për Zotin është që të kalojë tabakanë e sakramentit te njerëzit e ulur në mbledhjen e sakramentit. Por qëllimi i Zotit nuk është thjesht që t’i bëjë njerëzit të marrin bukën dhe ujin. Ai është t’i bëjë ata të mbajnë një besëlidhje që do t’i çojë ata në shtegun drejt jetës së përjetshme. Dhe që të ndodhë kjo, Zoti duhet t’i japë një përvojë shpirtërore personit të cilit dhjaku i jep tabakanë.

E kam parë këtë të ndodhë një herë në një qendër përkujdesjeje, kur një dhjak u përkul përpara për t’ia kaluar tabakanë një gruaje të thinjur. Ajo e pa bukën sikur të ishte e çmuar. Nuk e kam harruar asnjëherë buzëqeshjen e saj kur e mori bukën dhe pastaj u zgjat për të përkëdhelur kokën e dhjakut, duke i thënë me zë pak të lartë: “O, faleminderit!”

Ai dhjak po bënte thjesht detyrën e tij të priftërisë. Prapëseprapë, Zoti atëherë e shumëfishoi veprimin e dhjakut. Ishte e dukshme që motra e kujtoi Shpëtimtarin ndërsa shprehu mirënjohje të sinqertë për shërbimin e dhjakut. Ajo u sigurua, ndërsa ai i shërbeu sakramentin, se ajo do ta kishte Shpirtin me vete. Ajo nuk ishte e vetme atë ditë në qendrën e përkujdesjes. As dhjaku nuk ishte i vetëm në shërbimin e tij të thjeshtë.

Një mësues i ri në Priftërinë Aarone mund të mos e mendojë se, ndërsa shkon të japë mësim në një familje, ai është një bashkëpunëtor me Zotin në punën e Tij. Ende më kujtohet dëshmia e thjeshtë e një shoku të ri të mësimit të shtëpisë, i cili erdhi në shtëpinë tonë. Shpirti m’i pohoi fjalët e tij dhe ia pohoi edhe familjes sime. Ai mund të mos e kujtojë atë ditë, por unë e kujtoj.

Zoti do t’i lartësojë sërish përpjekjet e një të riu kur ai thirret për t’u bërë prift. Pagëzimi i parë që ai kryen, për shembull, mund të jetë i një të riu që ai nuk e njeh. Ai mund të shqetësohet nëse do të thotë fjalët e duhura dhe a do ta kryejë ordinancën siç duhet.

Por Zoti, shërbëtor i të cilit ai është, do ta lartësojë thirrjen e tij. Personi që ai pagëzon, ka zgjedhur të ecë në shtegun drejt jetës së përjetshme. Zoti do ta bëjë pjesën e Tij më të madhe. Ai e bëri atë për mua një herë kur djali që pagëzova, me lot që i rridhnin në fytyrë, më tha në vesh: “Jam i pastër. Jam i pastër.”

Ndërsa kaloni nga një shërbim i priftërisë tek tjetri, ju do ta shihni se Zoti është në punë bashkë me ju. Këtë e mësova nga takimi me një president të kuorumit të pleqve në një konferencë kunji vite më parë. Në konferencë u paraqitën më shumë se 40 emra të burrave që do të merrnin Priftërinë Melkizedeke.

Presidenti i kunjit u përkul tek unë dhe më pëshpëriti: “Këta burra ishin që të gjithë pleq të ardhshëm më pak aktivë”. Me habi e pyeta presidentin se cili ishte programi i tij për t’i shpëtuar këta burra.

Ai tregoi me gisht nga një i ri në fund të godinës kishtare. Ai tha: “Ja tek është. Shumë nga këta burra janë kthyer sërish për shkak të atij presidenti të kuorumit të pleqve.” Ai ishte në rreshtin e prapmë, i veshur thjesht, me këmbët të shtrira e të kryqëzuara, me këpucët me qafë të ngrëna nga përdorimi.

I kërkova presidentit të kunjit të më njihte me të pas mbledhjes. Kur u takuam, i thashë të riut se isha i befasuar nga ajo që ai kishte bërë, dhe e pyeta se si ia doli. Ai ngriti shpatullat. Dukej qartë që ai nuk mendonte se kishte ndonjë meritë.

Më pas tha butësisht: “E njoh çdo djalë joaktiv në këtë qytet. Shumë prej tyre kanë kamionçina. Edhe unë kam një kamionçinë. Unë e laj kamionçinën time atje ku ata lajnë të tyren. Me kalimin e kohës, ata bëhen miqtë e mi.

Më pas pres derisa diçka të shkojë keq në jetën e tyre. Ndodh përherë. Ata më tregojnë për këtë. I dëgjoj dhe nuk gjej gabime. Pastaj, kur ata thonë: ‘Diçka nuk shkon në jetën time. Duhet të ketë patjetër diçka më të mirë se kjo’, unë u them atyre se çfarë u mungon dhe ku mund ta gjejnë atë. Ndonjëherë ata më besojnë dhe, kur e bëjnë, i marr me vete.”

Ju mund ta shihni përse ai ishte i thjeshtë. Ishte i tillë pasi e dinte se kishte bërë pjesën e tij të vogël dhe Zoti po bënte pjesën tjetër. Ishte Zoti që i kishte prekur zemrat e atyre burrave gjatë shqetësimeve të tyre. Ishte Zoti që u dha atyre ndjenjën se duhet të ketë diçka më të mirë për ta dhe shpresën se ata mund ta gjenin atë.

I riu, i cili – sikurse ju – ishte një shërbëtor i Zotit, thjesht besonte se, nëse ai bënte pjesën e tij të vogël, Zoti do t’i ndihmonte ata burra përgjatë shtegut drejt shtëpisë dhe drejt lumturisë që vetëm Ai mund t’ua jepte atyre. Ky burrë gjithashtu e dinte se Zoti e kishte thirrur atë si president të kuorumit të pleqve sepse ai do të bënte pjesën e tij.

Do të ketë kohë gjatë shërbimit tuaj kur nuk do të keni suksesin e shquar e të dukshëm të atij presidenti të ri të kuorumit të pleqve. Kjo është koha kur juve do t’ju duhet të keni mirëbesim se Zoti, duke e ditur se do ta bëni pjesën tuaj në punë, ju thirri nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Pasja e besimit te thirrja nga shërbëtorët e Zotit ishte vendimtare në shërbimin misionar të stërgjyshit tim Henri Ajring.

Ai u pagëzua më 11 mars 1855, në Sent-Luis, Misuri. Erastus Snou e shuguroi atë në detyrën e priftit pak pas kësaj. Presidenti i Kunjit Sent-Luis, Xhon H. Hart, e thirri atë për të shërbyer një mision në kombin Çeroki më 6 tetor.1 Ai u shugurua plak më 11 tetor. Ai u largua me kalë për në Misionin Çeroki më 24 tetor. Ai ishte 20 vjeç dhe një i kthyer në besim prej vetëm shtatë muajsh.

Nëse ndonjë mbajtës priftërie kishte arsye për t’u ndier i pakualifikuar ose i papërgatitur, ai ishte Henri Ajringu. Arsyeja e vetme pse ai mundi të kishte guximin për të shkuar, ishte se ai e dinte në zemrën e tij që Perëndia e kishte thirrur atë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Ajo ishte burimi i guximit të tij. Ajo duhet të jetë burimi i guximit tonë për të ngulmuar, cilatdo qofshin thirrjet tona në priftëri.

Pasi Plaku Ajring kishte shërbyer për tri vite të vështira dhe me vdekjen e presidentit të misionit, Henri u propozua dhe u mbështet si president i misionit në një mbledhje të mbajtur më 6 tetor 1858. Ai u habit dhe u shtang siç do të shtangej një dhjak i ri. Ai shkroi: “Ishte fare e papritur për mua të thirresha në atë detyrë me përgjegjësi, por, duke qenë vullneti i vëllezërve, unë e pranova me gëzim, duke ndier në të njëjtën kohë dobësinë time të madhe dhe mungesën e përvojës”2.

Henri Ajring, tani si president misioni, udhëtoi drejt kombeve Çeroki, Krik dhe Çokto në vitin 1859. Nëpërmjet përpjekjeve të tij, Zoti “i shtoi”, siç tha Henri, “shumë anëtarë të rinj kishës”. Ai organizoi dy degë por vuri re se “shumë pak ishin aktivë në kauzë”3.

Një vit më vonë, Henri u përball me realitetin e vështirë se udhëheqësit politikë midis njerëzve të cilëve ai po u shërbente, nuk i lejuan më misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme që të bënin punën e tyre. Ndërsa përsiati mbi atë që duhej të bënte, ai kujtoi udhëzimin nga presidenti i tij i mëparshëm i misionit, që i tregoi se duhej ta zgjaste misionin e tij deri në vitin 1859.4

Në tetor të atij viti, Henri i shkroi Presidentit Brigam Jang për drejtim, por ai nuk mori përgjigje për pyetjen e tij. Henri shënoi: “Duke mos marrë asnjë lajm nga Presidenca e Kishës, i bëra thirrje Zotit në lutje, duke i kërkuar që të më bënte të ditur mendjen dhe vullnetin e Tij lidhur me qëndrimin tim më gjatë apo vajtjen në Sion”.

Ai vazhdoi: “Ëndrra në vijim m’u dha si përgjigje ndaj lutjes sime. Ëndërrova sikur arrita në Qytet [Solt-Lejk] dhe menjëherë shkova në zyrën e [Presidentit Brigam] Jang, ku e gjeta atë. Unë i thashë atij: ‘[President] Jang, jam larguar nga misioni im, kam ardhur vullnetarisht, por nëse ka diçka të gabuar në këtë, jam i gatshëm të kthehem dhe ta përfundoj misionin tim’. [Në ëndërr profeti] iu përgjigj: ‘Ti ke qëndruar aq sa duhet. Gjithçka është në rregull.’”

Henri shkroi në ditarin e tij: “Duke pasur më parë ëndrra, të cilat u përmbushën me plot kuptimin e fjalës, unë pata besim se kjo gjithashtu do të plotësohej dhe si pasojë fillova menjëherë të përgatitesha për të udhëtuar”.

Ai mbërriti në Solt-Lejk-Siti më 29 gusht 1860, duke ecur më këmbë pjesën më të madhe të rrugës. Dy ditë më vonë, ai shkoi në zyrën e Presidentit Brigam Jang.5

Henri e përshkroi përvojën me këto fjalë: “U takova me [Presidentin] Jang, i cili [më] priti shumë dashamirësisht. I thashë atij: ‘[President] Jang kam ardhur pa më dërguar dikush, nëse kam vepruar gabim, jam i gatshëm të kthehem dhe ta përfundoj misionin tim’. [Brigam Jangu] u përgjigj: ‘Gjithçka është në rregull. Kemi qenë duke të të pritur.’”

Henri përshkroi gëzimin e tij, duke thënë: “Në këtë mënyrë, ëndrra ime u përmbush me plot kuptimin e fjalës”6.

Gëzimi i tij erdhi nga një pohim se Zoti ishte duke punuar me të dhe duke e vigjiluar atë. Ai mësoi atë që është e vërtetë për të gjithë ne – se shërbëtorët e Zotit frymëzohen për ta ditur vullnetin e Zotit. Dhe Henri Ajringu kishte vërtetuar atë që edhe unë e di: se profeti, si president i priftërisë, frymëzohet nga Perëndia për të vigjiluar mbi shërbëtorët e Zotit dhe për t’u kujdesur për ta dhe për t’i thirrur ata.

Cilado qoftë thirrja juaj në priftëri, ju nganjëherë mund të keni ndier se Ati Qiellor nuk di gjë për ju. Ju mund të luteni për të ditur vullnetin e Tij dhe, me dëshirën e sinqertë për të bërë çfarëdo gjëje që Ai ju kërkon të bëni, ju do të merrni një përgjigje.

Ati Qiellor do t’ju lejojë të ndieni se Ai ju njeh, se Ai e vlerëson shërbimin tuaj dhe se ju po bëheni të denjë për përshëndetjen nga Zoti, që dëshironi kaq shumë ta dëgjoni: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”7.

Është lutja ime që çdo mbajtës i priftërisë do të japë ndihmë me besim që të shpëtojë çdo shpirt për të cilin ai është përgjegjës. Perëndia do t’ia shtojë fuqinë e Tij përpjekjeve të shërbëtorit të Tij. Zemrat e njerëzve do të preken për të bërë zgjedhje që do t’i çojnë ata në shtegun e ungjillit drejt lumturisë dhe larg pikëllimit.

Është lutja ime gjithashtu që çdo mbajtës i priftërisë do ta ndiejë kujdesin e dashur dhe vigjilues të Atit Qiellor, të Shpëtimtarit dhe të profetit të Perëndisë në thirrjen e tij në priftëri.

Ju jap dëshminë time të veçantë se ne jemi në shërbim të Zotit të ringjallur Jezu Krisht. Unë dëshmoj se Ai ju ka thirrur juve dhe mua në shërbimin e Tij duke i ditur aftësitë tona dhe ndihmën që do të na duhet. Ai do t’i bekojë përpjekjet tona përtej pritshmërive tona më të dashura, kur japim gjithçka nga vetja në shërbim të Tij. Unë dëshmoj se profeti i Perëndisë, i cili është presidenti i të gjithë priftërisë në tokë, frymëzohet nga Perëndia.

Jam mirënjohës për shembujt e mbajtësve besnikë të priftërisë kudo. Ati Qiellor dhe Shpëtimtari janë mirënjohës që ju bëni pjesën tuaj. Ata ju njohin, Ata kujdesen për ju dhe Ata ju duan. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “Minutes of the Conference”, St. Louis Luminary, 13 tetor 1855, f. 187.

  2. Letër e Henry Eyring-ut drejtuar Brigham Young-ut, 7 tetor 1858, Brigham Young Office Files, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  3. Raport i Henry Eyring-ut për Church Historian’s Office, gusht 1860, Missionary Reports, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  4. Shih Letër e Henry Eyring-ut drejtuar Brigham Young-ut, 9 tetor 1859, Brigham Young Office Files, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  5. Shih President’s Office Journals, 31 gusht 1860, vëll. D, f. 137, Brigham Young Office Files, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  6. Kujtime të Henry Eyring-ut, 1896, dorëshkrim i daktilografuar, f. 27–28, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  7. Mateu 25:23.