2010–2019
Dhurata Udhërrëfyese e një Fëmije
Prill 2016


Dhurata Udhërrëfyese e një Fëmije

Si i mësojmë fëmijët tanë që të heqin dorë nga ndikimet e botës dhe ta mirëbesojnë Shpirtin?

Një baba i ri me të vërtetë po mbytej. Ai, dy fëmijët e tij dhe vjehrri i tij kishin shkuar për një shëtitje përreth një liqeni. Ata rrethoheshin nga male madhështore të mbuluara me pisha dhe qielli ishte blu, i mbushur me re të buta, të bardha, që jepnin bukuri dhe qetësi. Kur fëmijët filluan të ndienin vapë e lodhje, dy burrat vendosën t’i vinin fëmijët mbi shpinat e tyre dhe ta përshkonin me not largësinë e shkurtër deri në anën tjetër të liqenit.

Dukej e lehtë – deri në çastin kur babai filloi të ndiente se po tërhiqej poshtë, gjithçka filloi të bëhej kaq e rëndë. Uji e shtyu drejt fundit të liqenit dhe një ndjenjë dëshpëruese e pushtoi atë. Si do të vazhdonte të qëndronte në sipërfaqe të ujit – dhe ta bënte këtë gjë me bijën e tij të vogël, të shtrenjtë, mbi shpinën e vet?

Zëri i tij u zhduk në largësi teksa thërriste; vjehrri i tij ishte shumë larg për t’iu përgjigjur një lutjeje të dëshpëruar për ndihmë. U ndie i vetmuar dhe i pashpresë.

A mund ta përfytyroni që të ndiheni aq të vetmuar sa u ndie ai, të paaftë për të arritur diçka ku të mbaheni dhe duke u ndeshur me një gjendje të dëshpëruar për jetën tuaj dhe fëmijën tuaj? Fatkeqësisht, ne të gjithë përjetojmë njëfarë shkalle të kësaj ndjenje kur jemi në gjendjet ku dëshpërimisht kemi nevojë të gjejmë ndihmë me qëllim që të mbijetojmë dhe t’i shpëtojmë njerëzit që i duam.

Gati në panik, ai e kuptoi se këpucët e tij, të mbushura plot ujë, po e tërhiqnin poshtë. Ndërkohë që po mundohej të qëndronte në sipërfaqe, ai filloi të përpiqej që t’i hiqte këpucët e rënda prej këmbëve të tij. Por ishte sikur ato mbaheshin të puthitura fort. Lidhëset ishin fryrë nga uji, duke e bërë lidhjen edhe më të fortë.

Në atë që mund të ketë qenë çasti i fundit i dëshpërimit, ai ia doli mbanë t’i hiqte këpucët nga këmbët dhe më së fundi këpucët e larguan peshën e tyre, me të shpejtë duke rënë në fundin e liqenit. I çliruar nga pesha e rëndë që kishte qenë duke e tërhequr poshtë, ai menjëherë e lëvizi lart veten dhe bijën e tij. Tashmë mund të notonte përpara, duke lëvizur drejt sigurisë në anën tjetër të liqenit.

Me raste ne të gjithë mund të ndihemi sikur po mbytemi. Jeta mund të jetë e rëndë. Ne jetojmë në “një botë të zhurmshme dhe plot lëvizje. … Nëse nuk jemi të kujdesshëm, gjërat e kësaj bote mund të zënë vendin e gjërave të Shpirtit.”1

Si e ndjekim shembullin e këtij babai dhe heqim dorë nga një pjesë e peshës së botës të cilën e mbartim, me qëllim që të mund t’i mbajmë mbi ujë kokat e fëmijëve tanë dhe vetë mendjet tona të shqetësuara? Si mundemi, sikurse na këshilloi Pali, ta “hedh[im] tej çdo barrë”2? Si mund t’i përgatitim fëmijët tanë për ditën kur nuk mund të mbahen më tek ne dhe dëshmitë tona – kur të jenë ata që do të jenë duke notuar?

Një përgjigje vjen kur ne e dallojmë këtë burim hyjnor force. Është një burim shpesh i nënvleftësuar, por mund të përdoret çdo ditë për ta lehtësuar barrën tonë dhe për t’i udhërrëfyer fëmijët tanë të shtrenjtë. Ai burim është dhurata udhërrëfyese e Frymës së Shenjtë.

Në moshën tetëvjeçare, fëmijët mund të përjetojnë pagëzimin. Ata mësojnë për një besëlidhje me Perëndinë dhe e bëjnë atë. Njerëzit që i duan, i rrethojnë ata teksa zhyten në ujë dhe dalin nga vaska me një ndjenjë gëzimi të madh. Më pas ata marrin dhuratën e papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë, një dhuratë që mund t’i udhërrëfejë vazhdimisht kur jetojnë të denjë për atë bekim.

Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Thjeshtësia e [konfirmimit] mund të bëjë që të mos e vëmë re domethënien e saj. Këto katër fjalë – ‘Merre Frymën e Shenjtë’ – nuk janë një shqiptim pasiv; përkundrazi, ato përbëjnë një urdhër priftërie – një këshillim autoritar për të vepruar dhe jo thjesht që të detyrohemi të veprojmë.”3

Fëmijët kanë një dëshirë të natyrshme për të bërë mirë dhe për të qenë të mirë. Ne mund ta ndiejmë pafajësinë e tyre, pastërtinë e tyre. Ata gjithashtu kanë një ndjeshmëri të madhe kundrejt zërit të qetë, të ulët.

Pamja
Duke u shërbyer fëmijëve nefitë

Te 3 Nefi 26, Shpëtimtari na e tregoi aftësinë shpirtërore të fëmijëve:

“Ai i zgjidhi gjuhët e tyre dhe ata u thanë etërve të tyre gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme, madje edhe më të mëdha se ato që ai u zbuloi njerëzve. …

… Ata panë dhe dëgjuan këta fëmijë; po, madje edhe foshnjat hapën gojën dhe shqiptuan gjëra të mrekullueshme.”4

Si e rritim ne si prindër aftësinë shpirtërore të të vegjëlve tanë? Si i mësojmë të heqin dorë nga ndikimet e botës dhe ta mirëbesojnë Shpirtin kur nuk jemi me ta dhe ata janë të vetëm në ujërat e thella të jetës së tyre?

Më lejoni të ndaj me ju disa ide.

Së pari, ne mund t’i bëjmë fëmijët tanë ta kuptojnë kur po e dëgjojnë dhe ndiejnë Shpirtin. Le të kthehemi pas në kohë te Dhiata e Vjetër për të parë se si Eli e bëri pikërisht këtë gjë për Samuelin.

Samueli i vogël dëgjoi dy herë një zë dhe vrapoi tek Eli dhe i tha: “Ja ku jam”.

“Unë nuk të kam thirrur”, u përgjigj Eli.

Por “Samueli nuk e njihte akoma Zotin, dhe fjala e tij nuk i ishte shfaqur akoma”.

Por herën e tretë, Eli e kuptoi se Zoti e kishte thirrur Samuelin dhe i tha Samuelit të thoshte: “Folë, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon”5.

Samueli po fillonte të ndiente, të dallonte dhe të dëgjonte zërin e Zotit. Por ky djalë i vogël nuk filloi të kuptonte derisa Eli e ndihmoi ta bënte këtë dallim. Dhe ngaqë u mësua, Samueli mundi të bëhej më i njohur me zërin e qetë, të ulët.

Së dyti, ne mund t’i përgatitim shtëpitë tona dhe fëmijët tanë që ta ndiejnë zërin e qetë, të vogël. “Shumë mësues të gjuhëve të huaja besojnë se fëmijët e mësojnë një gjuhë më mirë në ‘programet me zhytje’, në të cilat rrethohen nga folës të tjerë të gjuhës dhe u kërkohet që ta flasin atë vetë. Ata nuk mësojnë thjesht të thonë fjalë, por të flasin rrjedhshëm dhe madje të mendojnë në gjuhën e re. Mjedisi [më i mirë] i ‘zhytjes’ për një arsimim shpirtëror është në shtëpi, ku parimet shpirtërore mund të formojnë bazën për të jetuarin e përditshëm.”6

“Do t’ua ngulitësh bijve të tu [fjalët e Zotit], do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.”7 Të zhyturit e familjeve tona brenda Shpirtit do t’i mbajë zemrat e fëmijëve tanë të hapura ndaj ndikimit të Tij.

Së treti, ne mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë të kuptojnë se si Shpirti u flet atyre. Jozef Smithi dha mësim: “Nëse Ai vjen te një fëmijë i vogël, Ai do t’ia përshtatë veten e Tij gjuhës dhe aftësisë së një fëmije të vogël”8. Një nënë zbuloi se ngaqë fëmijët mësojnë në mënyra të ndryshme – disa mësojnë nëpërmjet shikimit, dëgjimit, prekjes ose të ndierit – sa më shumë që i vëzhgonte fëmijët e saj, aq më shumë e kuptonte që Fryma e Shenjtë po u jepte mësim fëmijëve të saj në mënyra se si mund të mësonin më mirë.9

Një nënë tjetër tregoi një përvojë se si i ndihmoi fëmijët e saj të mësonin që ta dallonin Shpirtin. “Nganjëherë”, shkroi ajo, “[fëmijët] nuk e kuptojnë se një mendim i përsëritur, një ndjenjë ngushëllimi pasi ata qajnë apo të kujtuarit e diçkaje pikërisht në kohën e duhur, që të gjitha janë mënyra se si Fryma e Shenjtë komunikon [me ta].” Ajo vazhdon: “Po i mësoj [fëmijët] e mi që të përqendrohen te mënyra se si ndihen [dhe të veprojnë sipas saj]”10.

Të ndierit dhe të dalluarit e Shpirtit do të sjellin aftësi shpirtërore në jetën e fëmijëve tanë dhe zëri që arrijnë ta njohin, do t’iu bëhet atyre gjithnjë e më i qartë. Do të bëhet sikurse tha Plaku Riçard G. Skot: “Kur fitoni përvojë dhe arrini sukses duke u udhëhequr nga Shpirti, bindja juaj e brendshme te mbresat që ju mund t’i ndieni, bëhet më e sigurt sesa vartësia juaj ndaj asaj që shihni ose dëgjoni”11.

Nuk duhet të kemi frikë teksa i shohim fëmijët tanë të hyjnë në ujërat e jetës, sepse i kemi ndihmuar që ta heqin nga vetja peshën e botës. I kemi mësuar të jetojnë për dhuratën udhërrëfyese të Shpirtit. Kjo dhuratë do të vazhdojë ta lehtësojë peshën që mbajnë dhe do t’i udhëheqë ata që të kthehen drejt shtëpisë së tyre qiellore, në qoftë se jetojnë për të dhe i ndjekin nxitjet e saj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Joseph B. Wirthlin, “The Unspeakable Gift”, Liahona, maj 2003, f. 27.

  2. Shih Hebrenjve 12:1.

  3. Dejvid A. Bednar, “Merrni Frymën e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2010, f. 95.

  4. 3 Nefi 26:14, 16.

  5. Shih 1 Samuelit 3:4–10.

  6. C. Terry dhe Susan L. Warner, “Helping Children Hear the Still, Small Voice”, Tambuli, gusht 1994, f. 27.

  7. Ligji i Përtërirë 6:7.

  8. Joseph Smith, në History of the Church, 3:392.

  9. Shih Merrilee Browne Boyack, “Helping Children Recognize the Holy Ghost”, Liahona, dhjetor 2013, f. 10–12.

  10. Irinna Danielson, “How to Answer the Toughest ‘Whys’ of Life”, 30 tetor 2015, lds.org/blog.

  11. Richard G. Scott, “Të Fitosh Udhëheqje Shprtërore”, Liahona, nëntor 2009, f. 7.