2010–2019
Një Model për Paqe
Prill 2016


Një Model për Paqe

Paqja që të gjithë duam kërkon që ne të veprojmë – duke mësuar për Jezu Krishtin, duke i dëgjuar fjalët e Tij dhe duke ecur me Të.

Disa vite më parë, bijës sonë dhe dhëndrit iu kërkua që t’i jepnin mësim së bashku një klase Filloreje me pesë djem katërvjeçarë aktivë. Bija jonë ishte përgjegjëse për mësimin dhe dhëndri ynë përgjegjës për sjelljen, duke bërë më të mirën e tyre që të ruanin një ndjenjë qetësie në mes të rrëmujës së zakonshme, në mënyrë që t’u mësonin fëmijëve parimet e ungjillit.

Gjatë një ore mësimore veçanërisht të vështirë, pas disa paralajmërimeve ndaj një djali të vogël energjik, dhëndri ynë e përcolli katërvjeçarin jashtë klasës. Sapo doli jashtë dhomës, dhe u bë gati t’i fliste djalit të vogël për sjelljen e tij dhe nevojën për të gjetur prindërit e tij, djali i vogël e ndaloi dhëndrin tonë përpara se ai të mund të thoshte një fjalë dhe, me dorën e ngritur lart e me emocion të madh, tha shpejt: “Ndonjëherë – ndonjëherë – është thjesht e vështirë për mua që të mendoj për Jezusin!”

Në udhëtimin tonë nëpër vdekshmëri, sado e lavdishme që mund të jetë vendmbërritja jonë e synuar, dhe sado gjallërues që mund të rezultojë udhëtimi, ne të gjithë do t’u nënshtrohemi sprovave dhe hidhërimit përgjatë udhës. Plaku Jozef B. Uirthlin dha mësim: “Radha në rrotën e vuajtjeve i bie secilit prej nesh. Në një kohë apo tjetër, secili duhet të përjetojë hidhërim. Asnjë nuk është i përjashtuar.”1 “Zoti në urtësinë e Tij nuk mbron asnjë nga hidhërimi ose brenga.”2 Megjithatë, aftësia jonë për të udhëtuar në këtë rrugë në paqe, përgjithësisht, varet nëse edhe ne kemi ose jo një kohë të vështirë për të menduar për Jezusin.

Paqja e mendjes, paqja e ndërgjegjes dhe paqja e zemrës nuk përcaktohen nga aftësia jonë për të shmangur sprovat, hidhërimin ose pikëllimin. Pavarësisht nga lutjet tona të sinqerta, jo çdo stuhi do të ndryshojë drejtim, jo çdo sëmundje do të shërohet, dhe ne mund të mos e kuptojmë plotësisht çdo doktrinë, parim ose praktikë të dhënë mësim nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit. Megjithatë, neve na është premtuar paqe – me një kusht të bashkëngjitur.

Në Ungjillin e Gjonit, Shpëtimtari dha mësim se pavarësisht nga fatkeqësitë e jetës, ne mund të marrim zemër, ne mund të shpresojmë dhe s’kemi përse të frikësohemi, sepse Ai shpalli: “Ta keni paqen në mua3. Besimi në Jezu Krisht dhe sakrificën e Tij shlyese është, dhe përherë do të jetë, parimi i parë i ungjillit dhe themeli mbi të cilin ndërtohet shpresa jonë për “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”4.

Në kërkimin tonë për paqe në mes të sfidave të jetës së përditshme, neve na është thënë një model i thjeshtë për t’i mbajtur mendimet tona të përqendruara te Shpëtimtari, i cili tha: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua. Unë jam Jezu Krishti”5.

Mëso, dëgjo dhe ec – tri hapa me një premtim.

Hapi i Parë: “Mëso nga Unë”

Tek Isaia lexojmë: “Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij’”6.

Me numrin përherë në rritje të tempujve që po ndërtohen nëpër botë, ne mësojmë për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në planin e Atit si krijuesi i kësaj bote, si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, dhe si burimi i paqes sonë.

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Bota mund të jetë një vend sfidues dhe i vështirë ku të jetojmë. … Kur ju dhe unë shkojmë tek shtëpitë e shenjta të Perëndisë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi më shumë në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. Në këtë strehë të shenjtë ne do të gjejmë paqe.”7

Gjatë një detyre nga konferenca e kunjit disa vite më parë, ndërsa shërbeja në Amerikën Jugore, takova një çift që po mbante zi për vdekjen e djalit të tyre të mitur kohët e fundit.

Ishte në një intervistë gjatë vazhdimit të konferencës që u takova për herë të parë me vëllanë Tumiri dhe mësova për humbjen e tij. Ndërsa folëm, ai tregoi se nuk ishte thellësisht i trishtuar vetëm për vdekjen e djalit të tij, por që ishte i dërrmuar edhe nga mendimi se nuk do ta shihte atë kurrë përsëri. Ai shpjegoi se si anëtarë relativisht të rinj të Kishës, ata kishin kursyer para të mjaftueshme për të marrë pjesë në tempull vetëm një herë, përpara lindjes së djalit të tyre të vogël, ku ishin vulosur si çift dhe ishin vulosur edhe me dy vajzat e tyre. Ai më pas përshkroi se si ata kishin kursyer para për një udhëtim tjetër në tempull por akoma nuk kishin qenë në gjendje ta merrnin djalin e tyre të vogël që gjithashtu të vuloseshin me të.

Duke dalluar një keqkuptim të mundshëm, unë i shpjegova se ai vërtet do ta shihte djalin e tij përsëri, nëse qëndronte besnik, sepse ordinanca e vulosjes që e kishte lidhur atë me bashkëshorten dhe vajzat e tij, ishte gjithashtu e mjaftueshme për ta lidhur atë me djalin e vet, i cili kishte lindur në besëlidhje.

I habitur ai pyeti nëse kjo ishte njëmend e vërtetë, dhe kur i pohova se ishte, ai më pas pyeti nëse unë do isha i gatshëm të flisja me bashkëshorten e tij, e cila ishte bërë e pangushëllueshme gjatë dy javëve që kur i vdiq djali.

Pasditen e së dielës, pas konferencës, u takova me motrën Tumiri dhe ia shpjegova edhe asaj këtë doktrinë të lavdishme. Me dhembjen e humbjes së saj ende të fortë, por tani me një grimcë shprese, ajo e mbytur në lot pyeti: “A do të jem vërtet në gjendje ta mbaj në krahët e mi përsëri djalin tim të vogël? A është vërtet i imi përgjithmonë?” Unë e sigurova atë se ndërsa i mbante besëlidhjet e saj, fuqia vulosëse që gjendet në tempull, që vepron për shkak të autoritetit të Jezu Krishtit, me të vërtetë do ta lejojë atë që të jetë sërish me djalin e vet dhe ta mbajë atë në krahë.

Motra Tumiri, ndonëse zemërthyer nga vdekja e djalit, u largua nga takimi ynë me lot mirënjohjeje dhe e mbushur me paqe për shkak të ordinancave të shenjta të tempullit, të bëra të mundura nga Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Çdo herë që e frekuentojmë tempullin – gjithçka që dëgjojmë, bëjmë dhe themi; në çdo ordinancë në të cilën marrim pjesë; dhe në çdo besëlidhje që bëjmë – ne drejtohemi te Jezu Krishti. Ne ndiejmë paqe ndërsa dëgjojmë fjalët e Tij dhe mësojmë nga shembulli i Tij. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Shkoni në shtëpinë e Zotit dhe atje ndiejeni Shpirtin e Tij dhe komunikoni me Të, dhe ju do të njihni një paqe që nuk do ta gjeni tjetërkund”8.

Hapi i Dytë: “Dëgjoji Fjalët e Mia”

Te Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”9. Nga koha e Adamit, duke vazhduar nëpër epoka deri te profeti ynë i tanishëm, Tomas Spenser Monson, Zoti ka folur nëpërmjet përfaqësuesve të Tij të autorizuar. Ata të cilët zgjedhin t’i dëgjojnë dhe t’ua vënë veshin fjalëve të Zotit, siç jepen nëpërmjet profetëve të Tij, do të gjejnë siguri dhe paqe.

Në Librin e Mormonit ne gjejmë shumë shembuj të rëndësisë së ndjekjes së këshillës profetike dhe të qëndruarit me profetin, përfshirë një mësim të mësuar nga vegimi i Lehit për pemën e jetës, që gjendet te 1 Nefi kapitulli 8. Asnjëherë nuk ka qenë më e populluar ndërtesa e gjerë dhe e madhe ose zhurma që vjen nga dritaret e saj të hapura më keqorientuese, më tallëse dhe pështjelluese sesa në kohën tonë. Në këtë fragment ne lexojmë për dy grupe njerëzish dhe përgjigjet e tyre ndaj gërthitjeve nga ndërtesa.

Pamja
Ëndrra e Lehit

Duke filluar me vargun 26, ne lexojmë:

“Edhe unë gjithashtu hodha sytë rreth e qark dhe vura re nga ana tjetër e lumit të ujit një ndërtesë të gjerë dhe të madhe. …

Dhe ishte e mbushur me njerëz … dhe ata ishin duke u tallur dhe duke treguar me gisht drejt atyre që kishin ardhur … dhe po hanin frutin.

Dhe pasi ata kishin shijuar nga fruti, u turpëruan për shkak të atyre që po i përqeshnin; dhe ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën.”10

Te vargu 33 ne lexojmë për të tjerë që kishin një përgjigje të ndryshme për përqeshjen dhe talljen që erdhi nga ndërtesa. Profeti Lehi shpjegon se ata në ndërtesë “na tregonin me gisht, mua dhe gjithashtu të tjerë që po hanin nga fruti; por ne nuk ua vumë veshin”11.

Një ndryshim domethënës midis atyre që u turpëruan, u larguan dhe humbën dhe atyre që nuk ia vunë veshin përqeshjes nga ndërtesa dhe qëndruan me profetin, gjendet në dy fraza: së pari, “pasi ata kishin shijuar” dhe së dyti “të tjerë që po hanin”.

Grupi i parë kishte arritur te pema, qëndroi për një farë kohe me profetin, por vetëm e shijoi frutin. Por duke mos vazhduar që të hanin, ata e lejuan talljen nga ndërtesa që të ndikonte tek ta, duke i larguar nga profeti dhe nëpër shtigje të ndaluara, ku humbën.

Të ndryshëm nga ata që e shijuan dhe u endën ishin ata që u gjendën vazhdimisht duke e ngrënë frutin. Këta individë e shpërfillën trazirën nga ndërtesa, qëndruan me profetin dhe e shijuan sigurinë dhe paqen që i shoqëruan. Zotimi ynë ndaj Zotit dhe shërbëtorëve të Tij nuk mund të jetë një zotim i pjesshëm. Nëse është i tillë, ne e lëmë veten të cenohemi nga ata që kërkojnë ta shkatërrojnë paqen tonë. Ndërsa e dëgjojmë Zotin nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar, ne qëndrojmë në vende të shenjta dhe nuk mund të lëvizemi.

Kundërshtari ofron zgjidhje të shtira që mund të duken sikur sigurojnë përgjigje, por na largojnë edhe më tutje nga paqja që kërkojmë. Ai na ofron një mirazh që duket i ligjshëm dhe i sigurt por përfundimisht, sikurse ndërtesa e gjerë dhe e madhe, do të rrëzohet, duke i shkatërruar të gjithë ata që kërkojnë paqe brenda mureve të saj.

E vërteta gjendet në thjeshtësinë e këngës së Fillores: “Fjal’ të profetit: Mbaj urdhërimet. Të kesh paqe dhe siguri.12

Hapi i Tretë: “Ec në Butësinë e Shpirtit Tim”

Sado larg që mund të endemi nga shtegu, Shpëtimtari na fton që të kthehemi dhe të ecim me Të. Kjo ftesë për të ecur me Jezu Krishtin është një ftesë për ta shoqëruar Atë drejt Gjetsemanit dhe nga Gjetsemani drejt Kalvarisë dhe nga Kalvaria drejt Varrit të Kopshtit. Është një ftesë për të vërejtur dhe për ta zbatuar sakrificën e Tij të madhe shlyese, shtrirja e të cilës është sa individuale edhe e pafundme. Ajo është një ftesë për t’u penduar, për ta përdorur fuqinë e Tij pastruese dhe për t’u mbërthyer pas krahëve të Tij të dashur e të shtrirë. Ajo është një ftesë për të qenë në paqe.

Pamja
Ne ftohemi të ecim me Të.

Ne të gjithë e kemi ndier, në ndonjë kohë të jetës sonë, dhembjen dhe pikëllimin që e shoqëron mëkatin dhe shkeljen, pasi “po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne”13. Megjithatë, “edhe sikur mëkatet [tona] të ishin të kuqe flakë”, kur e zbatojmë Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe ecim me Të nëpërmjet pendimit të sinqertë, “[ato] do të bëhen të bardha si bora”14. Edhe nëse jemi rënduar nga faji, ne do të marrim paqe.

Pamja
Ne ftohemi të pendohemi.

Alma i Riu u detyrua të përballej me mëkatet e tij kur u vizitua nga një engjëll i Zotit. Ai e përshkroi përvojën e tij me këto fjalë:

“Shpirti im qe ngacmuar në shkallën më të lartë dhe brengosur nga të gjitha mëkatet e mia.

… Po, unë pashë se isha rebeluar kundër Perëndisë tim dhe se nuk kisha zbatuar urdhërimet e tij të shenjta.”15

Sado të rënda që ishin mëkatet e tij, dhe në mes të kësaj përvoje të hidhur, ai vazhdon:

“M’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës.

… Thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua.”16

“Dhe kurrë nuk mora një heqje të mëkateve të mia, derisa i thirra për mëshirë Zotit Jezu Krisht. Por vër re, i bëra thirrje atij dhe gjeta paqe për shpirtin tim.17

Sikurse Alma, edhe ne do të gjejmë paqe për shpirtin tonë ndërsa ecim me Jezu Krishtin, pendohemi për mëkatet tona dhe e zbatojmë në jetën tonë fuqinë e Tij shëruese.

Paqja që ne të gjithë duam kërkon më shumë sesa dëshirë. Kërkon që ne të veprojmë – duke mësuar për Të, duke i dëgjuar fjalët e Tij dhe duke ecur me Të. Ne mund të mos e kemi aftësinë për ta kontrolluar gjithçka që ndodh rreth nesh, por ne mund ta kontrollojmë mënyrën se si e zbatojmë modelin për paqe që na i ka dhënë Zoti – një model që e bën të lehtë të mendojmë shpesh për Jezusin.

Pamja
Ne mund ta zbatojmë modelin e Shpëtimtarit.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta”18 dhe se vetëm nëpërmjet Tij, ne mund të marrim paqe të vërtetë në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.