2010–2019
UnëJamnjë Fëmijë i Perëndisë
Prill 2016


Unë Jam një Fëmijë i Perëndisë

Një kuptueshmëri e saktë e trashëgimisë sonë qiellore është thelbësore për ekzaltim.

Doktrina jonë më themelore përfshin njohurinë se ne jemi fëmijë të një Perëndie të gjallë. Kjo është arsyeja përse një nga emrat e Tij më të shenjtë është At – At Qiellor. Kjo doktrinë është dhënë mësim në mënyrë të qartë nga profetët përgjatë epokave:

  • Kur u tundua nga Satani, Moisiu e kundërshtoi atë, duke thënë: “Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë1.

  • Duke iu drejtuar Izraelit, Psalmisti shpalli: “Jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit2.

  • Pali u mësoi athinasve në Kodrën Mars se ata ishin “pasardhës të Perëndisë”3.

  • Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni morën një vegim, ku ata panë Atin dhe Birin, dhe një zë qiellor shpalli se banorët e botëve “janë bij e bija të lindura të Perëndisë4.

  • Në vitin 1995, 15 apostujt dhe profetët e gjallë pohuan: “Të gjitha qeniet njerëzore … janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është bir apo bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë.5

  • Presidenti Tomas S. Monson dëshmoi: “Ne jemi bij dhe bija të një Perëndie të gjallë. … Nuk mund ta kemi sinqerisht këtë bindje pa provuar një sens të ri e të thellë të forcës e të fuqisë.”6

Kjo doktrinë është kaq themelore, kaq shpesh e thënë dhe kaq vetvetiu e thjeshtë, sa mund të duket e zakonshme, kur në të vërtetë është një ndër njohuritë më të jashtëzakonshme që mund të marrim. Një kuptueshmëri e saktë e trashëgimisë sonë qiellore është thelbësore për ekzaltim. Është themelore për të kuptuar planin e lavdishëm të shpëtimit dhe për të ushqyer besim në të parëlindurin e Atit, Jezu Krishtin, dhe në Shlyerjen e Tij të mëshirshme.7 Për më tepër, ajo siguron një nxitje të vazhdueshme që ne t’i bëjmë dhe mbajmë besëlidhjet tona të domosdoshme, të përjetshme.

Me disa përjashtime, çdokush që merr pjesë në këtë mbledhje mund të këndojë pikërisht tani, pa një tekst apo muzikë të shkruar, himnin “Fëmi i Per’ndis’ Jam”8. Ky himn i dashur është një nga këngët e kënduara më shpesh në këtë Kishë. Por pyetja kritike është, “A e dimë me të vërtetë këtë?” A e dimë këtë në mendjen tonë dhe në zemrën tonë dhe në shpirtin tonë? A është origjina jonë qiellore identiteti ynë i parë dhe më i rëndësishmi?

Këtu në tokë, ne e identifikojmë veten tonë në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë vendlindjen tonë, kombësinë tonë dhe gjuhën tonë. Disa madje e identifikojnë veten me anë të profesionit ose interesave të tyre. Këto identitete tokësore nuk janë të gabuara, vetëm nëse ato e zëvendësojnë ose ndërhyjnë me identitetin tonë të përjetshëm – që është ai i të qenit një bir ose bijë e Perëndisë.

Kur vajza jonë më e vogël ishte gjashtë vjeçe dhe në klasë të parë në shkollë, mësuesja u dha fëmijëve një detyrë shkrimi në klasë. Ishte tetor, muaji i Hallouinit, një festë që kremtohet në disa anë të botës. Ndonëse nuk është festa ime më e parapëlqyer, mendoj se mund të ketë disa aspekte të pafajshme dhe shëlbuese të Hallouinit.

Mësuesja u dha nga një fletë letre nxënësve të vegjël. Në krye [të fletës] ishte skicuar figura e një shtrige mitologjike (ju thashë që nuk është festa ime e parapëlqyer), e cila qëndronte mbi një kazan që vlonte. Pyetja që ngrihej në fletë, për të nxitur imagjinatën e fëmijëve dhe për të provuar aftësitë e tyre bazë në të shkruar, ishte: “Ju sapo keni pirë një gotë me pijen e shtrigës. Çfarë të ndodhi ty?” Ju lutem, dijeni se kjo histori nuk po tregohet si një rekomandim për mësuesit.

“Ju sapo keni pirë një gotë me pijen e shtrigës. Çfarë të ndodhi ty?” Me shkrimin e saj më të mirë si fillestare, e vogla jonë shkroi: “Unë do të vdes dhe do të jem në qiell. Do të më pëlqejë aty. Do të më pëlqente shumë sepse është vendi më i mirë për të qenë, ngaqë ti je me Atin tënd Qiellor”. Kjo përgjigje ka gjasa ta ketë habitur mësuesen e saj; sidoqoftë, kur vajza jonë e solli detyrën e plotësuar në shtëpi, ne vumë re se ajo kishte marrë një yll, notën më të lartë.

Në jetën e vërtetë, ne përballemi me vështirësi aktuale, jo të përfytyruara. Ka dhembje – dhembje fizike, emocionale dhe shpirtërore. Ka thyerje të zemrës kur rrethanat janë shumë të ndryshme nga ato që prisnim. Ka padrejtësi kur duket sikur nuk e meritojmë të jemi në atë situatë. Ka zhgënjime kur dikush që ne i mirëbesonim na lë në baltë. Ka probleme shëndetësore dhe financiare që mund të jenë çorientuese. Mund të ketë raste kur ne kemi dyshime për një çështje të doktrinës apo historisë që është përtej kuptueshmërisë sonë të tanishme.

Kur ndodhin gjëra të vështira në jetën tonë, cili është reagimi ynë i menjëhershëm? Është pështjellim ose dyshim apo tërheqje shpirtërore? Është një goditje për besimin tonë? A fajësojmë Perëndinë apo të tjerët për rrethanat tona? Apo reagimi ynë i parë është të kujtojmë se kush jemi ne – se ne jemi fëmijë të një Perëndie të dashur? A lidhet kjo me një mirëbesim absolut se Ai i lejon disa vuajtje tokësore ngaqë e di se do të na bekojnë, ashtu si zjarri i një pastruesi, për t’u bërë si Ai dhe për të fituar trashëgiminë tonë të përjetshme?9

Kohët e fundit, unë isha në një mbledhje me Plakun Xhefri R. Holland. Duke dhënë mësim parimin se jeta në vdekshmëri mund të jetë pikëlluese, por vështirësitë tona kanë një qëllim të përjetshëm – edhe nëse nuk e kuptojmë këtë gjë në atë kohë – Plaku Holland tha: “Ju mund të keni çfarë të doni, ose ju mund të keni diçka më të mirë”.

Pesë muaj më parë, unë dhe bashkëshortja ime, Dajana, shkuam në Afrikë me Plakun Dejvid A. Bednar dhe bashkëshorten e tij. Vendi i gjashtë dhe i fundit që vizituam ishte Liberia. Liberia është një vend madhështor me njerëz fisnikë dhe një histori të pasur, por gjërat nuk kanë qenë të lehta atje. Dekadat e paqëndrueshmërisë politike e kanë përkeqësuar murtajën e varfërisë. Përveç kësaj, sëmundja e frikshme Ebola vrau pothuaj 5.000 njerëz atje gjatë shpërthimit të fundit. Ne ishim grupi i parë i udhëheqësve të Kishës nga jashtë zonës që e vizitonin Monrovian, kryeqytetin, qëkurse Organizata Botërore e Shëndetësisë e deklaroi të sigurt bërjen e kësaj pas krizës së Ebolës.

Një mëngjes të diele të nxehtë dhe të lagësht, ne udhëtuam për te një ndërtesë mbledhjesh të marrë me qira në qendër të qytetit. U përdor çdo karrige e mundshme që ishte në dispozicion, duke pasur në total 3.500 ndenjëse. Numërimi përfundimtar i pjesëmarrësve ishte 4.100 vetë. Pothuaj të gjithë atyre që erdhën, iu desh të udhëtonin në këmbë ose me ndonjë mënyrë të parehatshme të transportit publik; nuk ishte e thjeshtë për shenjtorët që të mblidheshin. Por ata erdhën. Shumica arritën disa orë përpara kohës së caktuar për mbledhjen. Kur hymë në sallë, atmosfera shpirtërore ishte emocionuese! Shenjtorët ishin të përgatitur që të mësoheshin.

Kur një folës citonte një shkrim të shenjtë, anëtarët do ta thoshin vargun me zë të lartë. Nuk kishte rëndësi – shkrim i shenjtë i shkurtër apo i gjatë; e gjithë bashkësia përgjigjej njëzëri. Tani, ne nuk e rekomandojmë këtë medoemos, por me siguri të bënte përshtypje që ata mund ta bënin këtë. Dhe kori – ata ishin të fuqishëm. Me një drejtues kori entuziast dhe një të ri 14-vjeçar në tastierën e pianos, anëtarët kënduan me energji dhe forcë.

Pastaj foli Plaku Bednar. Ky, natyrisht, ishte kulmi i parashikuar i mbledhjes – të dëgjoje një Apostull të jepte mësim dhe të dëshmonte. Në mënyrë të qartë e me një udhëheqje shpirtërore, në mes të fjalëve të tij, Plaku Bednar ndaloi dhe tha: “A e dini [himnin] ‘Sa i Fort një Themel’?”

U duk sikur 4.100 zëra gjëmuan duke u përgjigjur: “PO!”

Më pas ai i pyeti: “A e dini vargun 7?”

Përsëri i gjithë grupi u përgjigj “PO!”

Përshtatja e himnit të fuqishëm, “Sa i Fortë një Themel”, i kënduar nga Kori Mormon i Tabernakullit në 10 vitet e fundit ka përfshirë vargun 7, i cili nuk këndohej shumë më parë. Plaku Bednar udhëzoi: “Le të këndojmë vargjet 1, 2, 3 dhe 7.”

Pa hezitim, drejtuesi i korit u hodh përpjetë dhe shoqëruesi që mbante Priftërinë Aarone filloi menjëherë që t’i luante plot energji akordet hyrëse. Me një nivel bindjeje që unë nuk e kam ndier më parë për një himn të kënduar në bashkësi, ne kënduam vargjet 1, 2 dhe 3. Më pas volumi dhe fuqia shpirtërore u rritën kur të 4.100 zërat kënduan vargun e shtatë dhe shpallën:

Shpirtin që te Jezusi kërkon të pushoj’

armiqve në duar un’ kurr’ s’ua lëshoj’.

Megjith’se skëterra k’të shpirt t’mund do doj’,

un’ kurrë, jo kurrë, un’kurrë, jo kurrë,

un’ kurrë, jo kurrë, jo kurrë s’e harroj!10

Në një nga ngjarjet më të shënuara shpirtërore të jetës sime, mua m’u dha një mësim i madh atë ditë. Ne jetojmë në një botë që mund të na bëjë të harrojmë se kush ne jemi në të vërtetë. Sa më shumë shpërqendrime që na rrethojnë, aq më e lehtë është ta trajtojmë në mënyrë të rastësishme, më pas ta shpërfillim dhe më pas ta harrojmë lidhjen tonë me Perëndinë. Shenjtorët në Liberi kanë pak gjëra materiale, dhe prapëseprapë duket se kanë çdo gjë shpirtërore. Ajo që ne dëshmuam atë ditë në Monrovia ishte një grup bijsh dhe bijash të Perëndisë që e dinin këtë!

Në botën e sotme, pavarësisht se ku jetojmë dhe pavarësisht se cilat janë rrethanat tona, është thelbësore që identiteti ynë kryesor të jetë si një fëmijë i Perëndisë. Të diturit e kësaj do ta lërë besimin tonë të lulëzojë, do të nxitë pendesën tonë të vazhdueshme dhe do të na sigurojë forcë për të qenë të “qëndrueshëm dhe [të] patundur” gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri.11 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Moisiu 1:13; theksimi i shtuar.

  2. Psalmeve 82:6; theksimi i shtuar.

  3. Veprat e Apostujve 17:29; theksimi i shtuar.

  4. Doktrina e Besëlidhje 76:24; theksimi i shtuar.

  5. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës,” Liahona, nëntor 2010, f. 129; theksimi i shtuar.

  6. Tomas S. Monson, “Kanarina me Ngjyrë Gri në Krahët e Tyre”, Liahona, qershor 2010, f. 4; Mesazh i Presidencës së Parë, qershor 2010, f. 1; theksimi i shtuar.

  7. Shih Kolosianëve 1:13–15.

  8. “Fëmi i Per’ndis’ Jam”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58.

  9. Shih Malakia 3:2.

  10. “Sa i Fortë Një Themel”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 6.

  11. Mosia 5:15.