2010–2019
Duke Qëndruar me Udhëheqësit e Kishës
Prill 2016


Duke Qëndruar me Udhëheqësit e Kishës

A jeni duke qëndruar me udhëheqësit e Kishës në një botë të errët në mënyrë që ju të mund ta përhapni Dritën e Krishtit?

Ne i shprehim një mirëseardhje të ngrohtë Autoriteteve të Përgjithshme, Të Shtatëdhjetëve Zonalë të sapothirrur dhe presidencës së përgjithshme të mrekullueshme, të re të Fillores. Dhe me vlerësimin më të thellë, i falënderojmë ata që janë liruar nga thirrjet. Ne ju duam, çdonjërin.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne sapo kemi marrë pjesë në një përvojë tepër të bekuar ndërsa kemi ngritur duart tona lart për të mbështetur profetët, shikuesit e zbuluesit dhe udhëheqësit e drejtuesit e tjerë të përgjithshëm të thirrur nga Perëndia pikërisht në këto ditë. Asnjëherë nuk e kam marrë lehtë ose të rastësishme mundësinë e mbështetjes dhe të qenit i udhërrëfyer nga shërbëtorët e Zotit. Dhe duke qenë se kam pak muaj në thirrjen time të re si një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, jam i përulur nga vota juaj mbështetëse dhe mirëbesimi juaj. E ruaj si thesar gatishmërinë tuaj për të qëndruar me mua dhe me të gjithë këta udhëheqës të mrekullueshëm.

Fill pasi u mbështeta tetorin e kaluar, udhëtova në Pakistan ku më ishte caktuar një detyrë dhe, ndërsa isha atje, takova shenjtorët e mahnitshëm dhe të përkushtuar në atë vend. Ata janë të paktë në numër por të mëdhenj në shpirt. Pak përpara se të kthehesha në shtëpi, mora pusullën në vijim nga vëllai Shakel Arshad, një anëtar i dashur që e pata takuar gjatë vizitës sime: “Faleminderit, Plaku Rasband, që erdhët në Pakistan. Dua t’ju them se ne … anëtarët e Kishës … ju mbështetim dhe ju duam. [Jemi] kaq me fat që ju ishit këtu dhe dëgjuam nga ju. Ishte tamam një ditë e çmuar në jetën e familjes sime që takuam një Apostull.”1

Takimi me shenjtorë si vëllai Arshad ishte një përvojë pushtuese dhe e përulur dhe, duke përdorur fjalët e tij, “një ditë e çmuar” edhe për mua.

Në janar, udhëheqësit e Kishës morën pjesë në një transmetim Ballë për Ballë me rininë dhe udhëheqësit e prindërit e tyre nga e gjithë bota. Transmetimi u dha drejtpërdrejt nëpërmjet internetit në shumë vendndodhje, në 146 vende; disa vendndodhje kishin dëgjues të shumtë në godinat kishtare, dhe të tjerat ishin një shtëpi e vetme me një të ri që e shihte. Në total, iu bashkuan qindra mijëra.

Pamja
Ballë për Ballë me Plakun Rasband, Motrën Oskarson dhe Vëllain Ouen

Duke iu drejtuar dëgjuesve të shumtë në numër, Motra Boni Oskarson, presidente e përgjithshme e Të Rejave; Vëllai Stiven W. Ouen, president i përgjithshëm i Të Rinjve dhe unë – të mbështetur nga të ftuarit tanë të rinj, muzikantë dhe të tjerë – iu përgjigjëm pyetjeve të bëra nga rinia jonë.

Pamja
Tema e Aktiviteteve të Përbashkëta për 2016-ën

Qëllimi ynë ishte t’u prezantonim temën e Aktiviteteve të Përbashkëta për 2016-ën, “Shkoni Përpara me një Vendosmëri në Krisht”, nga 2 Nefi, ku thuhet: “Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”2

Duke lexuar qindra nga pyetjet e bëra nga rinia jonë, çfarë mësuam? Ne mësuam se rinia jonë e do Zotin, i mbështet udhëheqësit e tyre dhe dëshiron që pyetjet e tyre të marrin përgjigje! Pyetjet janë një tregues i një dëshire të mëtejshme për të mësuar, për t’ia shtuar dëshmive tona ato të vërteta tashmë të ditura dhe për t’u përgatitur më mirë për të “shk[uar] përpara me një vendosmëri në Krisht”.

Rivendosja e ungjillit nisi me të riun, Jozef Smith, që bëri një pyetje. Shumë nga mësimet e Shpëtimtarit në shërbesën e Tij nisën me një pyetje. Mbajeni mend pyetjen e Tij drejtuar Pjetrit: “Kush thoni se jam unë?”3 Dhe përgjigjja e Pjetrit ishte: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”4. Ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin të gjejë përgjigjet e Atit Qiellor nëpërmjet udhërrëfimit të Shpirtit.

Në atë transmetim, unë u thashë të rinjve:

“Udhëheqësit e kësaj Kishe nuk është se s’janë në dijeni për problemet tuaja, për shqetësimet tuaja dhe për sfidat tuaja.

Ne kemi fëmijë. Ne kemi nipër e mbesa. Ne shpesh mblidhemi me rininë në të gjithë botën. Dhe ne po lutemi për ju, ne po flasim për ju në vendet më të shenjta dhe ju duam.”5

Dua të ndaj një nga shumë e shumë përgjigje që morëm nga ajo ngjarje.

Liza nga Grand Preri, Alberta, Kanada, shkroi: “Kjo ngjarje Ballë për Ballë ishte e mrekullueshme. Çfarë force për dëshminë time dhe bindjet e mia për ungjillin. Jemi kaq të bekuar që kemi udhëheqës të frymëzuar të cilët janë thirrur për të shërbyer në pozicione kaq shumë të ndryshme.”6

Lizi, nga Plezënt Grouv, Juta, shkroi në një postim të mëparshëm: “Jam mirënjohëse për besimin tim vetjak dhe mundësinë për të mbështetur një profet të Perëndisë dhe burrat e gratë që shërbejnë me të”7.

Sot ne kemi mbështetur udhëheqës të cilët, nëpërmjet frymëzimit hyjnor, janë thirrur për të na mësuar e udhërrëfyer dhe që janë duke na bërë thirrje që të ruhemi nga rreziqet që hasim çdo ditë – nga respektimi i shkujdesur i ditës së Shabatit, deri te kërcënimet ndaj familjes, ndaj sulmeve për lirinë fetare dhe madje deri ndaj debatit për zbulesën e ditëve të mëvonshme. Vëllezër dhe motra, a jemi duke e dëgjuar këshillën e tyre?

Shumë herë në konferenca, mbledhjet e sakramentit dhe Fillore, ne kemi kënduar fjalët e ëmbla: “Tregom’, drejtom’, pran’ ti më rri”8. Çfarë nënkuptojnë ato fjalë për ju? Kush ju vjen në mendje kur mendoni për to? A e keni ndier ndikimin e udhëheqësve të drejtë, atyre dishepujve të Jezu Krishtit, të cilët në të kaluarën dhe sot vazhdojnë ta prekin jetën tuaj, të cilët ecin në shtegun e Zotit me ju? Ata mund të jenë fare pranë shtëpisë suaj. Ata mund të jenë në bashkësitë tuaja vendore ose duke folur nga foltorja në konferencën e përgjithshme. Këta dishepuj e ndajnë me ne bekimin e të pasurit të një dëshmie për Zotin Jezu Krisht, udhëheqësin e kësaj Kishe, pikërisht udhëheqësin e shpirtrave tanë, i cili ka premtuar: “Merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe unë do t’ju qëndroj përkrah”9.

Më kujtohet Presidenti Tomas S. Monson tek ndante historinë kur ishte ftuar në shtëpinë e presidentit të kunjit të tij Pol C. Çajlld, për t’u përgatitur për përparimin drejt Priftërisë Melkizedeke. Çfarë bekimi i veçantë për Presidentin Çajlld, i cili në atë kohë nuk e dinte se po i jepte mësim një djali të ri të Priftërisë Aarone, që një ditë do të bëhej profeti i Perëndisë.10

Kam pasur vetë çastet e mia të të mësuarit nga profeti ynë i dashur, Presidenti Monson. Nuk ka dyshim në mendjen time ose në zemrën time se ai është profeti i Zotit në tokë; kam qenë një marrës i përulur ndërsa ai ka marrë zbulesë dhe ka vepruar sipas saj. Ai na ka mësuar ta shtrijmë dorën, ta mbrojmë njëri-tjetrin, ta shpëtojmë njëri-tjetrin. Kështu u dha mësim në Ujërat e Mormonit. Ata që “dëshironi[n] … të quhe[shin] populli i tij” ishin të gatshëm “të mbani[n] barrat e njëri-tjetrit”, “të vajtoni[n] me ata që vajtojnë” dhe “të qëndroni[n] si dëshmitarë të Perëndisë”11.

Sot unë qëndroj si një dëshmitar i Perëndisë, Atit të Amshuar dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Unë e di se Shpëtimtari ynë jeton dhe na do, dhe i drejton shërbëtorët e Tij, ju dhe mua, për t’i përmbushur qëllimet e Tij të mëdha në këtë tokë.12

Teksa ecim përpara, duke zgjedhur që të ndjekim këshillën dhe paralajmërimet e udhëheqësve tanë, ne zgjedhim të ndjekim Zotin ndërsa bota po shkon në drejtim tjetër. Ne zgjedhim të mbahemi fort te shufra e hekurt, të jemi shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të jemi në detyrën e Zotit dhe të mbushemi “me një gëzim jashtëzakonisht të madh”13.

Pyetja që ngrihet në ditët e sotme është e qartë: “A jeni duke qëndruar me udhëheqësit e Kishës në një botë të errët në mënyrë që ju të mund ta përhapni Dritën e Krishtit?”

Marrëdhëniet me udhëheqësit janë kaq të rëndësishme dhe domethënëse. Pavarësisht se në çfarë moshe mund të jenë udhëheqësit, sa afër ose larg, ose kur mund ta kenë prekur jetën tonë, ndikimi i tyre pasqyron fjalët e poetit amerikan Eduin Markham, i cili tha këtë:

Ekziston një fat që na bën vëllezër:

[Askush] s’e bën rrugën i vetëm:

Gjithçka që bëjmë në jetën e të tjerëve

Kthehet në jetën tonë.14

Shakel Arshad, miku im në Pakistan, shprehu mbështetjen e tij për mua, vëllanë dhe mikun e tij. Po kështu edhe shumë prej jush. Kur shtrijmë dorën për ta ngritur njëri-tjetrin, ne i vërtetojmë ato fjalë të fuqishme: “[Askush] s’e bën rrugën i vetëm”.

Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për Shpëtimtarin tonë, Zotin tonë, Jezu Krishtin. Një nga historitë nga shkrimet e shenjta që përherë më ka emocionuar shpirtërisht, është kur Jezu Krishti eci mbi ujë për të takuar dishepujt e Tij që po udhëtonin me një barkë në Detin e Galilesë. Ata ishin udhëheqës të sapothirrur, si shumë nga ne në podium sot. Historia është shënuar te Mateu:

“Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.

Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.

Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën … dhe filluan të bërtasin nga frika;

por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ‘Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!’”15

Pjetri e dëgjoi atë thirrje të mrekullueshme nxitjeje nga Zoti.

“Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ‘Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra’.

Dhe [Jezusi] tha: ‘Eja!’”16

Tepër i guximshëm. Pjetri ishte peshkatar, dhe i njihte rreziqet e detit. Megjithatë, ai ishte zotuar që ta ndiqte Jezusin – natën ose ditën, në një barkë ose në tokë të thatë.

Mund ta përfytyroj Pjetrin që kapërceu nga barka, duke mos pritur për një ftesë të dytë, dhe nisi të ecte mbi ujë. Në të vërtetë, shkrimi i shenjtë thotë: “[Ai] eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi”17. Ndërsa era rritej në fuqi e forcë dhe ndërsa dallgët vorbullonin rrotull këmbëve të tij, Pjetri “kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ‘O Zot, shpëtomë!’

Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri”18.

Një mësim kaq i fuqishëm. Zoti qe atje për të, ashtu siç Ai është atje për ju dhe për mua. Ai e shtriu dorën e Tij dhe e tërhoqi Pjetrin drejt Vetes dhe drejt sigurisë.

Kam pasur nevojë për Shpëtimtarin dhe shpëtimin nga dora e Tij kaq shumë herë. Kam nevojë për Të tani si kurrë më parë, ashtu siç ka secili nga ju. Me raste kam pasur besim për të kapërcyer nga barka, e thënë në mënyrë figurative, në vende të panjohura, vetëm për të kuptuar se nuk mund t’ia dilja i vetëm.

Siç diskutuam gjatë ngjarjes Ballë për Ballë, Zoti shpesh e shtrin dorën drejt nesh nëpërmjet familjeve dhe udhëheqësve tanë, duke na ftuar që të vijmë tek Ai – ashtu siç Ai e shtriu dorën për të shpëtuar Pjetrin.

Edhe ju do të keni shumë çaste vetjake për t’iu përgjigjur ftesave të shpeshta për të “[ardhur] te Krishti”19. A nuk është ky qëllimi i kësaj jete në vdekshmëri? Thirrja mund të jetë që të vijmë për të shpëtuar një pjesëtar të familjes; që të vijmë për të shërbyer në një mision; që të kthehemi në Kishë; që të vijmë në tempullin e shenjtë dhe, siç kemi dëgjuar së fundi nga rinia jonë e mrekullueshme në ngjarjen Ballë për Ballë, ejani, ju lutem, më ndihmoni t’i përgjigjem pyetjes sime. Në kohën e duhur, secili nga ne do ta dëgjojë thirrjen “Eja në shtëpi”.

Lutem që ne do ta shtrijmë dorën – do ta shtrijmë dorën dhe do ta kapim dorën e Shpëtimtarit që po e zgjat për ne, shpesh nëpërmjet udhëheqësve të Tij të thirrur në mënyrë hyjnore dhe pjesëtarëve të familjes sonë – dhe do ta dëgjojmë thirrjen e Tij për të ardhur.

Unë e di se Jezu Krishti jeton; e dua Atë, dhe e di me gjithë zemrën time se Ai e do secilin nga ne. Ai është Shembulli ynë i madh dhe udhëheqësi hyjnor i të gjithë fëmijëve të Atit tonë. Për këtë jap dëshminë time solemne, në emrin e Jezu Krishtit, amen.