2010–2019
Fuqia e Perëndishmërisë
Prill 2016


Fuqia e Perëndishmërisë

Çdo tempull është shtëpia e shenjtë dhe e shenjtëruar e Perëndisë, dhe aty secili nga ne mund t’i mësojë dhe t’i njohë fuqitë e perëndishmërisë.

Vetëm pak muaj përpara vdekjes, Profeti Jozef Smith u takua me Dymbëdhjetë Apostujt për të folur për nevojat më të mëdha me të cilat Kisha po përballej në atë kohë tepër të vështirë. Ai u tha atyre: “Neve na duhet tempulli më shumë se gjithçka tjetër”1. Sigurisht, sot në këto kohë të vështira, secilit nga ne dhe familjeve tona u duhet tempulli më shumë se gjithçka tjetër.

Gjatë përkushtimit të një tempulli të kohëve të fundit, u ngazëlleva nga e gjithë përvoja. Më pëlqeu shumë shtëpia e hapur, përshëndetja e shumë prej vizitorëve që erdhën për ta parë tempullin; kremtimi kulturor me energjinë dhe emocionin e të rinjve; të pasuar nga sesionet e mrekullueshme të përkushtimit. Shpirti ishte i ëmbël. Shumë njerëz u bekuan. Dhe më pas mëngjesin pasues, bashkëshortja ime dhe unë hymë në vaskën e pagëzimit për të marrë pjesë në pagëzimet për disa nga vetë paraardhësit tanë. Ndërsa ngrita dorën për të filluar ordinancën, thuajse u mposhta nga fuqia e Shpirtit. E kuptova sërish se fuqia e vërtetë e tempullit është tek ordinancat.

Siç Zoti ka zbuluar, plotësia e Priftërisë Melkizedeke gjendet në tempull dhe ordinancat e tij, “sepse në të shugurohen çelësat e priftërisë së shenjtë; që ju të merrni nder dhe lavdi”2. “Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.”3 Ky premtim është për ju dhe për familjen tuaj.

Përgjegjësia jonë është të “[marrim]” atë që ofron Ati ynë.4 “Sepse atij që pranon, do t’i jepet më me bollëk, madje fuqi”:5 fuqi për të marrë gjithçka që Ai mundet dhe do të na japë – tani dhe përjetësisht;6 fuqi për t’u bërë bij dhe bija të Perëndisë7, për të njohur “fuqitë e qiellit”8, për të folur në emër të Tij9 dhe për të marrë “fuqi[në] e Shpirtit [të Tij]”10. Këto fuqi vihen në dispozicion të secilit nga ne në mënyrë vetjake nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit.

Nefi e pa kohën tonë në vegimin e tij të madh: “Unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe11.

Kohët e fundit pata privilegjin të isha në një shtëpi të hapur në tempull me Presidentin Rasëll M. Nelson dhe familjen e tij ndërsa ai i mblodhi ata rreth altarit të vulosjes dhe u shpjegoi atyre se gjithçka që ne bëjmë në Kishë – çdo mbledhje, veprimtari, mësim dhe shërbim – është për ta përgatitur secilin nga ne për të ardhur në tempull dhe për t’u gjunjëzuar në altar që të marrim të gjitha bekimet e premtuara të Atit për përjetësinë.12

Ndërsa i ndiejmë bekimet e tempullit në vetë jetën tonë, zemrat tona kthehen te familjet tona, si të gjallë edhe të vdekur.

Së fundi, isha dëshmitar i një familjeje prej tre brezash që morën pjesë së bashku në pagëzime për paraardhësit e tyre. Madje edhe gjyshja mori pjesë – ndonëse kishte pak ankth për t’u futur vetë nën ujë. Ndërsa doli nga uji dhe përqafoi të shoqin, ajo pati lot gëzimi. Më pas gjyshi dhe babai pagëzuan njëri-tjetrin dhe shumë nga nipërit dhe mbesat. Çfarë gëzimi më të madh mund të përjetojë një familje së bashku? Çdo tempull ka një kohë përparësie për familjet që t’ju lejojë si familje të planifikoni kohën në pagëzimore.

Pak pas vdekjes së tij, Presidenti Jozef F. Smith mori vegimin për shëlbimin e të vdekurve. Ai dha mësim se ata të cilët janë në botën e shpirtrave janë të varur plotësisht nga ordinancat që ne marrim në emër të tyre. Shkrimi i shenjtë thotë: “Të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë”13. Ne i marrim ordinancat në emër të tyre, por ata bëhen dhe mbahen përgjegjës për çdo besëlidhje që lidhet me secilën ordinancë. Me siguri, në tempull veli është i hollë për ne dhe pjesërisht i plotë për ata.

Atëherë, cila është përgjegjësia jonë vetjake për t’u përfshirë në këtë punë, si përfaqësues dhe si punonjës? Profeti Jozef Smith u dha mësim shenjtorëve në vitin 1840 se “duhet të bëhet përpjekje e konsiderueshme dhe do të duhen mjete – dhe meqë puna [për të ndërtuar tempullin] duhet të shpejtohet në drejtësi, është me vend për shenjtorët që të peshojnë rëndësinë e këtyre gjërave, në mendjet e tyre, … dhe pastaj të ndërmarrin hapa të atillë si është e nevojshme për t’i përmbushur ato; dhe duke u armatosur me kurajë, të vendosin që të bëjnë gjithçka që munden dhe të ndihen aq shumë të interesuar sikur gjithë puna të varej vetëm prej tyre”14.

Në librin e Zbulesës lexojmë:

“Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?

… Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.”15

A nuk mund t’i shihni me sytë e mendjes tuaj ata të cilët shërbejnë në tempull sot?

Ka më shumë se 120.000 punonjës për ordinancat në 150 tempuj që funksionojnë anekënd botës. Prapëseprapë ka mundësi që edhe më shumë njerëz ta kenë këtë përvojë të ëmbël. Kur Presidenti Gordon B. Hinkli e njoftoi konceptin e shumë tempujve më të vegjël në të gjithë botën, ai dha mësim se “të gjithë punonjësit e tempullit do të ishin njerëz nga zona, që do të shërbenin në pozicione të tjera në lagjet dhe kunjet e tyre”16. Normalisht, punonjësit thirren për të shërbyer dy deri në tre vjet, me mundësinë e zgjatjes më tej të thirrjes. Nuk synohet që pasi të thirreni, ju do të qëndroni aq gjatë sa të jeni në gjendje. Shumë punonjës me shërbim të gjatë e mbartin dashurinë e tyre për tempullin me vete ndërsa lirohen nga thirrja dhe u lejojnë të tjerëve, punonjësve të rinj që të shërbejnë.

Pothuaj 100 vite më parë, Apostulli Xhon A. Uidtso dha mësim: “Ne kemi nevojë për më shumë punonjës që ta përmbushin [këtë] punë të mrekullueshme. … Kemi nevojë për më shumë të kthyer në besim për punën në tempull, përfshirë të rinj e të moshuar. … Ka ardhur koha, … në këtë lëvizje të re në tempull, që t’i sjellim në shërbim aktiv të gjithë njerëzit, të të gjitha moshave. … Puna në tempull është … po me aq shumë dobi për të rinjtë dhe aktivët, saç është për të moshuarit, të cilët i kanë lënë pas vetes shumë nga barrët e jetës. I riu ka nevojë të ketë vendin e tij në tempull madje më shumë se babai i tij dhe gjyshi i tij, të cilët janë të patundur nga një jetë me përvoja; dhe e reja që sapo po e nis jetën, ka nevojë për shpirtin, ndikimin dhe drejtimin që vjen nga pjesëmarrja në ordinancat e tempullit.”17

Në shumë tempuj, presidentët e tempujve po i mirëpresin misionarët e sapothirrur dhe që kanë marrë dhurimin [indaumentin], të rinjtë dhe të rejat, që të shërbejnë vetëm për një kohë të shkurtër si punonjës ordinancash përpara se të shkojnë në QTM. Këta të rinj nuk bekohen vetëm që shërbejnë, por “ata e rritin bukurinë dhe shpirtin për të gjithë ata që shërbejnë në tempull”18.

U kërkova disa të rinjve dhe të rejave që kanë shërbyer si punonjës ordinancash para dhe pas misioneve të tyre që të ndajnë ndjenjat vetjake. Ata përdorën fraza si të mëposhtmet për ta përshkruar përvojën e tyre në tempull:

Kur shërbej në tempull…

  • Kam “ndjenjën e të qenit më pranë Atit tim dhe Shpëtimtarit”;

  • Ndiej “paqe dhe lumturi të plotë”;

  • Kam ndjenjën e “të qenit në shtëpi”;

  • Marr “shenjtëri, fuqi dhe forcë”;

  • E ndiej “rëndësinë e besëlidhjeve të mia të shenjta”;

  • “Tempulli është bërë pjesë e imja”;

  • “Atyre të cilëve u shërbejmë, janë pranë gjatë ordinancave”;

  • “Ai më jep forcën për t’i mposhtur tundimet” dhe

  • “Tempulli e ka ndryshuar jetën time përgjithmonë.”19

Shërbimi në tempull është një përvojë e pasur dhe e fuqishme për njerëzit e të gjitha moshave. Madje disa çifte të sapomartuara po shërbejnë së bashku. Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Shërbimi në tempull … është një veprimtari madhështore për një familje”20. Si punonjës ordinancash, përveç marrjes së ordinancave për paraardhësit tuaj, ju gjithashtu mund të kryeni ordinancat për ta.

Siç Presidenti Uillford Udraf tha:

“Çfarë thirrje më të madhe mund të ketë çdo burrë [ose grua] në faqen e tokës sesa të mbajë në duart e tij [apo të saj] fuqi dhe autoritet për të shkuar përpara dhe për të administruar në ordinancat e shpëtimit? …

… Ju bëheni një mjet në duart e Perëndisë për shpëtimin e atij shpirti. Nuk ka asgjë që i është dhënë fëmijëve të njerëzve që të jetë e barabartë me këtë.”21

Ai gjithashtu tha:

“Pëshpëritjet e ëmbla të Shpirtit të Shenjtë do [t’ju] jepen [juve] dhe thesaret e Qiellit, ndërveprimi me engjëjt, do të shtohen hera-herës”22.

“Kjo ia vlen për të gjithë ju ose unë mund të sakrifikoj [gjatë] pak viteve që kemi për të kaluar këtu në mish.”23

Presidenti Tomas S. Monson kohët e fundit na kujtoi se “bekimet e tempullit janë të paçmuara”24. “Nuk ka sakrificë tepër të madhe.”25

Ejani në tempull. Ejani shpesh. Ejani me familjen tuaj dhe për ta. Ejani, dhe ndihmojini të tjerët të vijnë gjithashtu.

“Cilët janë këta që janë veshur me … të bardha?” Vëllezërit e motrat e mia, ju jeni ata – ju që keni marrë ordinancat e tempullit, që i keni mbajtur besëlidhjet tuaja madje me sakrificë; ju që po i ndihmoni familjet tuaja të gjejnë bekimet e shërbimit në tempull dhe që i keni ndihmuar të tjerët përgjatë udhës. Faleminderit për shërbimin tuaj. Unë dëshmoj se çdo tempull është shtëpia e shenjtë dhe e shenjtëruar e Perëndisë, dhe se aty secili nga ne mund t’i mësojë dhe t’i njohë fuqitë e perëndishmërisë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.