2010–2019
Çmimi i Fuqisë së Priftërisë
Prill 2016


Çmimi i Fuqisë së Priftërisë

A jemi të gatshëm të lutemi, të agjërojmë, të studiojmë, të kërkojmë, të adhurojmë dhe të shërbejmë si burra të Perëndisë, në mënyrë që të mund të kemi fuqinë e priftërisë?

Gjashtë muaj më parë, në konferencën e përgjithshme të tetorit 2015, u fola motrave të Kishës rreth rolit të tyre hyjnor si gra të Perëndisë. Tani dëshiroj t’ju flas ju vëllezër për rolin tuaj hyjnor si burra të Perëndisë. Ndërsa udhëtoj nëpër botë, mahnitem nga forca dhe mirësia e çiltër e burrave dhe djemve të kësaj Kishe. Thjesht nuk ka asnjë mënyrë për t’i numëruar zemrat që keni shëruar dhe jetët që keni ngritur. Ju faleminderit!

Në mesazhin tim në konferencën e kaluar, tregova përvojën time tronditëse shumë vite më parë kur, si një kirurg zemre, nuk isha në gjendje të shpëtoja jetën e dy motrave të vogla. Me leje të atit të tyre, do doja të flisja më shumë rreth asaj familjeje.

Sëmundja e lindur e zemrës i preku të tre fëmijët që i lindën Ruthit dhe Xhimi Hetfilldit. Djali i tyre i parë, Xhimi i Riu, vdiq pa një diagnozë të përcaktuar. U përfshiva në situatën e tyre kur prindërit kërkuan ndihmë për dy vajzat e tyre, Laurel Enin dhe motrën e saj më të vogël, Gei Linin. M’u thye zemra kur të dyja vajzat vdiqën pas operacioneve të tyre.1 Me të drejtë, Ruthi dhe Xhimi ishin të shkatërruar shpirtërisht.

Me kalimin e kohës, mësova se ata ushqyen pakënaqësi të vazhdueshme kundrejt meje dhe Kishës. Për thuajse gjashtë dekada, jam përndjekur nga kjo situatë dhe jam brengosur për familjen Hetfilld. U përpoqa disa herë që të krijoja lidhje me ta, por pa sukses.

Më pas, një natë, majin e kaluar, më zgjuan nga gjumi ato dy vajza të vogla nga ana tjetër e velit. Ndonëse nuk i pashë ose i dëgjova ato me shqisat e mia fizike, e ndjeva praninë e tyre. Shpirtërisht, i dëgjova lutjet e tyre. Mesazhi i tyre ishte i shkurtër dhe i qartë: “Vëllai Nelson, nuk jemi vulosur me asnjë! A mund të na ndihmosh?” Pak pas kësaj, mësova se e ëma e tyre kishte ndërruar jetë, por babai dhe vëllai i tyre më i vogël ishin ende gjallë.

I nxitur nga lutjet e Luarel Enit dhe Gei Linit, u përpoqa përsëri për të krijuar lidhje me babain e tyre, i cili mësova se po jetonte me djalin e tij, Shounin. Këtë herë ata ishin të gatshëm të takoheshin me mua.

Në qershor, me plot kuptimin e fjalës u gjunjëzova para Xhimit, tani 88 vjeç, dhe pata me të një bisedë të hapur. Fola për lutjet e vajzave të tij dhe i thashë atij se do isha i nderuar të kryeja ordinancat vulosëse për familjen e tij. Gjithashtu i shpjegova se do të kërkonte kohë dhe shumë përpjekje nga ana e tij dhe e Shounit që të ishin gati dhe të denjë për të hyrë në tempull, pasi asnjëri nga ata nuk e kishte marrë ndonjëherë dhurimin [indaumentin].

Shpirti i Zotit mund të ndihej fuqishëm gjatë gjithë atij takimi. Dhe kur secili, si Xhimi dhe Shouni e pranuan kërkesën time, u gëzova tej mase! Ata punuan me zell me presidentin e kunjit të tyre, peshkopin, mësuesit e shtëpisë dhe udhëheqësin e misionit të lagjes, si dhe me misionarët e rinj dhe një çift misionarësh në moshë. Dhe më pas, jo shumë kohë më parë, në Tempullin e Pejsënit, Juta, unë pata privilegjin e thellë që të vulosja Ruthin me Xhimin dhe katër fëmijët e tyre me ta. Uendi dhe unë qamë kur morëm pjesë në atë përvojë sublime. Shumë zemra u shëruan atë ditë!

Pamja
Plaku dhe Motra Nelson në tempull me familjen Hetfilld

Tek reflektoja, jam mahnitur nga Xhimi dhe Shouni dhe nga ajo që ata ishin të gatshëm të bënin. Ata janë bërë heronj për mua. Nëse do kisha ndonjë dëshirë në zemër, ajo do të ishte që çdo burrë dhe i ri në këtë Kishë do të tregonte konkretisht kurajën, forcën dhe përulësinë e këtij babai dhe djali. Ata ishin të gatshëm të falnin dhe t’i linin të shkonin dhimbjet dhe zakonet e vjetra. Ata ishin të gatshëm t’i dorëzoheshin udhërrëfimit nga udhëheqësit e tyre të priftërisë, në mënyrë që Shlyerja e Jezu Krishtit të mund t’i pastronte dhe lartësonte ata. Secili ishte i gatshëm të bëhej një burrë që e mban me denjësi priftërinë “sipas urdhërit më të shenjtë të Perëndisë”2.

mbash do të thotë ta përballosh peshën e asaj që po mbartet. Është një mirëbesim i shenjtë të mbash priftërinë, që është fuqia dhe autoriteti i madh i Perëndisë. Mendoni për këtë: priftëria që na jepet neve është pikërisht e njëjta fuqi dhe autoritet nëpërmjet të cilit Perëndia krijoi këtë botë dhe botë të panumërta, e cila qeveris qiejt e tokën dhe lartëson fëmijët e Tij të bindur.3

Kohët e fundit, Uendi dhe unë ishim në një mbledhje ku organisti kishte marrë pozicion dhe ishte gati të luante himnin e hapjes. Sytë e tij ishin te libri i himneve dhe gishtat e tij ishin mbi taste. Ai filloi të shtypte tastet, por nuk u lëshua asnjë tingull. I pëshpërita Uendit: “Nuk është i lidhur me korrentin”. Mendova se diçka e kishte penguar rrymën elektrike që të kalonte në atë organo.

Ndaj, vëllezër, në mënyrë të ngjashme, druaj se ka kaq shumë burra të cilëve u është dhënë autoriteti i priftërisë por që u mungon fuqia e priftërisë ngaqë rryma e energjisë është bllokuar nga mëkate të tilla si përtacia, pandershmëria, krenaria, imoraliteti ose shqetësimi për gjërat e botës.

Druaj se ka kaq shumë mbajtës të priftërisë që kanë bërë pak ose asgjë për ta zhvilluar aftësinë e tyre për të pasur qasje te fuqitë e qiellit. Shqetësohem për të gjithë ata që janë të papastër në mendimet, ndjenjat ose veprimet e tyre apo që i poshtërojnë bashkëshortet ose fëmijët e tyre, duke e ndërprerë në këtë mënyrë fuqinë e priftërisë.

Druaj se shumë burra trishtueshëm ia kanë dorëzuar lirinë e tyre të zgjedhjes kundërshtarit dhe nëpërmjet sjelljes së tyre po thonë: “Shqetësohem më tepër për të kënaqur vetë dëshirat e mia sesa shqetësohem për të mbajtur fuqinë e Shpëtimtarit për t’i bekuar të tjerët”.

Druaj, vëllezër, se disa midis nesh një ditë mund të zgjohen dhe të kuptojnë se çfarë është në të vërtetë fuqia në priftëri dhe të përballen me keqardhjen e thellë se kaluan më tepër kohë duke kërkuar fuqi mbi të tjerët ose fuqi në punë sesa të mësonin ta ushtronin plotësisht fuqinë e Perëndisë.4 Presidenti Xhorxh Albert Smith dha mësim se “ne nuk jemi këtu për t’i shpenzuar më kot orët e kësaj jete dhe për të kaluar më pas në gjendjen e ekzaltimit; por ne jemi këtu për ta kualifikuar veten ditë pas dite për detyrat që Ati ynë pret prej nesh që t’i përmbushim këtej e tutje”5.

Përse ndonjë burrë do t’i humbiste ditët e të ulej me Esaun për të ngrënë bukë dhe supë6 kur atij i ishte besuar mundësia për t’i marrë të gjitha bekimet e Abrahamit?7

Ngutshëm i lutem secilit prej nesh që të jetojë i denjë për privilegjet tona si mbajtës të priftërisë. Do të vijë një ditë që, vetëm ata burra që e kanë marrë priftërinë e tyre me seriozitet, duke kërkuar me zell për të marrë mësim nga Vetë Zoti, do të jenë në gjendje t’i bekojnë, udhërrëfejnë, mbrojnë, forcojnë dhe shërojnë të tjerët. Vetëm një burrë që e ka paguar çmimin për fuqinë e priftërisë, do të jetë në gjendje të sjellë mrekulli tek ata njerëz që i do, dhe do ta mbajë të sigurt martesën dhe familjen e tij, tani dhe gjatë gjithë përjetësisë.

Cili është çmimi për ta zhvilluar një fuqi të tillë priftërie? Apostulli më i vjetër i Shpëtimtarit, Pjetri – po ai Pjetër që bashkë me Jakobin dhe Gjonin i dhanë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit8 – shpalli cilësitë që ne duhet të kërkojmë për t’u “bë[rë] pjestarë të natyrës hyjnore”9.

Pamja
Pjetri, Jakobi dhe Gjoni japin Priftërinë Melkizedeke.

Ai përmendi besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, perëndishmërinë, mirësinë vëllazërore, dashurinë hyjnore dhe zellin.10 Dhe mos harroni përulësinë!11 Ndaj unë pyes, si do ta dinë pjesëtarët e familjes, miqtë dhe kolegët tanë që ju dhe unë po veprojmë për t’i zhvilluar këto dhe të tjera dhurata shpirtërore?12 Sa më shumë të zhvillohen këto cilësi, më e madhe do të jetë fuqia jonë e priftërisë.

Në ç’mënyrë tjetër mund ta rritim fuqinë tonë në priftëri? Ne duhet të lutemi me zemër. Tregimi me mirësjellje i veprimtarive në të shkuarën dhe atyre që do të pasojnë, të cilat përmbyllen me disa kërkesa për bekime, nuk mund të përbëjë llojin e bisedimit me Perëndinë që sjell fuqi duruese. A jeni të gatshëm të luteni për të ditur se si të luteni për më shumë fuqi? Zoti do t’ju mësojë.

A jeni të gatshëm t’i hetoni shkrimet e shenjta dhe të ushqeheni me bollëk me fjalët e Krishtit13 – të studioni me zell në mënyrë që të keni më shumë fuqi? Nëse dëshironi ta shihni gruan tuaj t’i shkrihet zemra, lejojeni atë t’ju gjejë në internet duke studiuar doktrinën e Krishtit14 ose duke lexuar shkrimet tuaja të shenjta!

A jeni të gatshëm të adhuroni rregullisht në tempull? Zotit i pëlqen shumë që ta japë vetë mësimin e Tij në shtëpinë e Tij të shenjtë. Përfytyroni se sa i kënaqur do të ishte Ai nëse ju i kërkoni Atij t’ju mësojë për çelësat, autoritetin dhe fuqinë e priftërisë ndërsa provoni ordinancat e Priftërisë Melkizedeke në tempullin e shenjtë.15 Përfytyrojeni rritjen e fuqisë së priftërisë që mund të jetë e juaja.

A jeni të gatshëm ta ndiqni shembullin e Presidentit Tomas S. Monson të shërbimit ndaj të tjerëve? Për dekada ai ka shkuar larg shtëpisë, duke ndjekur nxitjet e Shpirtit për të arritur në pragun e dikujt dhe për të dëgjuar më pas fjalë të tilla si: “Nga e dije se ishte përvjetori i vdekjes së vajzës sonë?” ose “Nga e dije që ishte ditëlindja ime?” Dhe nëse me të vërtetë dëshironi më shumë fuqi priftërie, ju do ta doni fort dhe do të kujdeseni për gruan tuaj, duke e përqafuar si atë edhe këshillën e saj.

Tani, nëse e gjitha kjo ju tingëllon e tepërt, ju lutem, merrni parasysh se sa ndryshe do të ishin marrëdhëniet tona me gruan, fëmijët dhe kolegët tanë në punë nëse ne do të ishim po aq të shqetësuar rreth fitimit të fuqisë së priftërisë sikurse jemi për të përparuar në punë ose për të rritur bilancin në llogarinë tonë bankare. Nëse do e paraqesim veten me përulësi përpara Zotit dhe do t’i kërkojmë Atij që të na mësojë, Ai do të na tregojë se si ta rritim qasjen tonë te fuqia e Tij.

Në këto ditë të mëvonshme, ne e dimë se do të ketë tërmete në vende të ndryshme.16 Ndoshta një nga ato vende të ndryshme do të jetë në vetë shtëpitë tona, ku mund të ndodhin “tërmete” emocionale, financiare ose shpirtërore. Fuqia e priftërisë mund t’i qetësojë detet dhe t’i shërojë çarjet në tokë. Fuqia e priftërisë gjithashtu mund t’i qetësojë mendjet dhe t’i shërojë çarjet në zemrat e atyre që i duam.

A jemi të gatshëm të lutemi, të agjërojmë, të studiojmë, të kërkojmë, të adhurojmë dhe të shërbejmë si burra të Perëndisë, në mënyrë që të mund ta kemi atë lloj fuqie të priftërisë? Për shkak se dy vajza të vogla ishin kaq të etura për t’u vulosur me familjen e tyre, babai dhe vëllai i tyre ishin të gatshëm ta paguanin çmimin për ta mbajtur Priftërinë e shenjtë Melkizedeke.

Vëllezërit e mi të dashur, neve na është dhënë një mirëbesim i shenjtë – autoriteti i Perëndisë për t’i bekuar të tjerët. Çdonjëri prej nesh u ngrittë si burri që Perëndia ka parashuguruar që ne të jemi – i gatshëm për ta mbajtur me guxim priftërinë e Perëndisë, i etur për të paguar çfarëdo çmimi që kërkohet për ta rritur fuqinë e tij në priftëri. Me atë fuqi, ne mund të ndihmojmë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Kjo është Kisha e Tij, e drejtuar sot nga profeti i Tij, Presidenti Tomas S. Monson, të cilin e dua shumë dhe e mbështet. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.