2010–2019
Kudo që Dy a Tre Janë Bashkuar
Prill 2016


Kudo që Dy a Tre Janë Bashkuar

Nëse dëgjoni me Shpirtin, ju do ta gjeni zemrën tuaj të bëhet më e ndjeshme, besimin tuaj të forcohet dhe aftësinë tuaj për ta dashur Zotin të shtohet.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju uroj mirëseardhjen në Konferencën e Përgjithshme Vjetore të 186-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Gëzohem të jem me ju dhe ju uroj ngrohtësisht mirëseardhjen.

Jam mirënjohës që keni ardhur në konferencë për të ndier frymëzim nga qielli dhe për t’u ndier më pranë Atit tonë Qiellor dhe Zotit Jezu Krisht.

Të bashkuar në këtë mbledhje, e cila shtrihet anembanë botës, janë miliona dishepuj të Jezu Krishtit të cilët janë nën besëlidhjen që gjithmonë ta kujtojnë Atë dhe t’i shërbejnë Atij. Me anë të mrekullisë së teknologjisë moderne zhduket ndarja për shkak të kohës dhe largësive të mëdha. Ne mblidhemi sikur të jemi të gjithë së bashku në një sallë të madhe.

Por edhe më e rëndësishme sesa mbledhja jonë së bashku është Personi në emrin e të cilit ne mblidhemi. Zoti premtoi se, edhe me numrin e madh të dishepujve të Tij në tokë sot, Ai do të jetë pranë secilit prej nesh. Ai i tha grupit të Tij të vogël të dishepujve në vitin 1829: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them … kudo që dy a tre janë mbledhur së bashku në emrin tim, … vini re, atje do të jem unë në mes tyre – madje kështu siç jam unë në mes jush” (DeB 6:32).

Tani, duke qenë më shumë se një ose dy, një numër i madh i dishepujve të Tij janë mbledhur në këtë konferencë dhe, siç u premtua, Zoti është në mesin tonë. Ngaqë Ai është një qenie e ringjallur dhe e përlëvduar, Ai nuk është në mënyrë fizike në çdo vend ku mblidhen shenjtorët. Por, nëpërmjet fuqisë së Shpirtit, ne mund ta ndiejmë se Ai është këtu me ne sot.

Ku dhe kur e ndiejmë afërsinë e Shpëtimtarit varet nga secili prej nesh. Ai dha këtë udhëzim:

“Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, miqtë e mi, unë ua lë këto thënie që t’i përsiatni në zemrat tuaja, me këtë urdhërim që ju jap, që ju të më thërrisni ndërsa jam pranë –

M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet” (DeB 88:62–63).

Njoh të paktën dy njerëz që po dëgjojnë sot, të cilët e dëshirojnë atë bekim me gjithë zemër. Ata do të përpiqen plot dëshirë që të vijnë më pranë Zotit gjatë kësaj konference. Ata secili më shkruan – letrat e tyre mbërritën në zyrën time në të njëjtën javë – duke u përgjëruar për të njëjtën lloj ndihme.

Që të dy janë të kthyer në besimin në Kishë dhe më parë kanë pasur dëshmi të qarta për dashurinë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të botës. Ata e dinin se Profeti Jozef Smith e organizoi Kishën me anë të zbulesës së drejtpërdrejtë nga Perëndia dhe se çelësat e priftërisë së shenjtë u rivendosën. Secili ndjeu dëshmi që çelësat janë në vendin e tyre në Kishë sot. Ata ma dhanë dëshminë e tyre solemne në letrat e tyre.

Prapëseprapë, që të dy ndien hidhërim se ndjenjat e dashurisë për Zotin dhe dashuria e Tij për ta po pakësoheshin. Ata që të dy dëshironin, me gjithë zemër, që unë t’i ndihmoja të rifitonin gëzimin dhe ndjenjën se i donin, që e kishin pasur kur erdhën në mbretërinë e Perëndisë. Që të dy shprehën frikën se, në qoftë se nuk mund t’i rifitonin plotësisht ato ndjenja të dashurisë për Shpëtimtarin dhe Kishën e Tij, sprovat dhe vështirësitë që i hasnin, më së fundi do ta mposhtnin besimin e tyre.

Ata nuk janë të vetëm në shqetësimin e tyre, as nuk është sprova e tyre një sprovë e re. Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari na dha shëmbëlltyrën e farës dhe të mbjellësit. Fara ishte fjala e Perëndisë. Mbjellësi ishte Zoti. Mbijetimi i farës dhe rritja e saj varej nga gjendja e tokës. Ju i mbani mend fjalët e Tij:

“Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.

Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;

por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë.

Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.

Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.

Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë” (Mateu 13:4–9).

Sërish, fara është fjala e Perëndisë. Toka është zemra e njeriut që e merr farën.

Ne të gjithë kemi shumë gjëra të përbashkëta me njerëzit e mrekullueshëm që më shkruan për ndihmë dhe sigurim sërish. Ne të gjithë kemi pasur fara, ose fjalën e Perëndisë, të mbjella në zemrat tona në njëfarë kohe. Për disa njerëz, ishte në fëmijëri kur prindërit tanë na ftuan të pagëzoheshim dhe të konfirmoheshim nga ata që kishin autoritetin. Të tjerëve prej nesh iu dha mësim nga shërbëtorët e thirrur të Perëndisë. Secili e ndjeu se fara ishte e mirë, madje e ndiem fryrjen në zemrat tona dhe përjetuam gëzim teksa zemrat dhe mendjet tona dukej se po zgjeroheshin.

Ne të gjithë e kemi pasur besimin tonë të vënë në provë nëpërmjet bekimeve të çmuara që u vonuan, sulmeve të ashpra të atyre që donin ta shkatërronin besimin tonë, tundimeve për të mëkatuar dhe interesave egoiste që i pakësuan përpjekjet tona për t’i përpunuar dhe zbutur thellësitë shpirtërore të zemrave tona.

Ata që trishtohen nga humbja e gëzimit që e patën dikur, janë të bekuarit. Disa njerëz nuk e kuptojnë vyshkjen e besimit brenda vetes së tyre. Satani është i zgjuar. Ai u thotë atyre që i dëshiron të jenë të mjeruar, se gëzimi që e ndienin dikur, është vetëmashtrim fëmijëror.

Sot mesazhi im për ne të gjithë është se do të ketë një mundësi të çmuar në dy ditët e ardhshme për të zgjedhur që t’i kemi zemrat tona të bëhen më të ndjeshme, për ta marrë dhe për ta ushqyer farën. Fara është fjala e Perëndisë dhe do të derdhet mbi të gjithë ne që dëgjojmë, shohim dhe lexojmë punimet e kësaj konference. Muzika, bisedat dhe dëshmitë janë përgatitur nga shërbëtorë të Perëndisë, të cilët kanë kërkuar plot zell që Fryma e Shenjtë t’i udhërrëfejë në përgatitjen e tyre. Ata janë lutur më shumë dhe me më tepër përulësi teksa janë afruar ditët e konferencës.

Ata janë lutur që të kenë fuqinë për t’ju dhënë kurajë juve që të bëni zgjedhjet, të cilat do të krijojnë në zemrën tuaj një tokë më pjellore për fjalën e mirë të Perëndisë që të rritet dhe të jetë e frytshme. Nëse dëgjoni me Shpirtin, ju do ta gjeni zemrën tuaj të bëhet më e ndjeshme, besimin tuaj të forcohet dhe aftësinë tuaj për ta dashur Zotin të shtohet.

Zgjedhja juaj për t’u lutur me qëllim të plotë të zemrës do ta ndryshojë përvojën tuaj në sesionet e konferencës dhe në ditët e muajt që pasojnë.

Shumë prej jush kanë filluar tashmë. Në fillim të këtij sesioni, ju bëtë më shumë sesa të dëgjonit lutjen; ju ia shtuat besimin tuaj kërkesës që ne do të gëzojmë bekimin e pasjes së Frymës së Shenjtë të derdhur mbi ne. Teksa e shtuat lutjen tuaj të heshtur në emrin e Jezu Krishtit, ju u tërhoqët më pranë Tij. Kjo është konferenca e Tij. Vetëm Fryma e Shenjtë mund të sjellë bekimet që Zoti i dëshiron për ne. Në dashurinë e Tij për ne, Ai ka premtuar se mund të ndiejmë që:

“Dhe çfarëdo që ata do të flasin kur nxiten nga Fryma e Shenjtë, do të jetë shkrim i shenjtë, do të jetë vullneti i Zotit, do të jetë mendja e Zotit, do të jetë fjala e Zotit, do të jetë zëri i Zotit dhe fuqia e Perëndisë për shpëtim.

Vini re, ky është premtimi i Zotit për ju, O ju shërbëtorët e mi.

Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah; dhe ju do të jepni dëshmi për mua, madje Jezu Krishtin, që jam Biri i Perëndisë së gjallë, që isha, që jam dhe që do të vij” (DeB 68:4–6).

Ju mund të luteni dhe ta shtoni besimin tuaj çdo herë që një shërbëtor i Perëndisë i afrohet foltores, që premtimi i Zotit te Doktrina e Besëlidhje seksioni 50 të përmbushet:

“Në të vërtetë unë ju them, ai që shugurohet prej meje dhe dërgohet për të predikuar fjalën e së vërtetës me anë të Ngushëlluesit, në Shpirtin e së vërtetës, a e predikon atë me anë të Shpirtit të së vërtetës apo me ndonjë mënyrë tjetër?

Dhe nëse është me anë të ndonjë mënyre tjetër, nuk është prej Perëndisë.

Dhe përsëri, ai që e pranon fjalën e së vërtetës, a e bën këtë me anë të Shpirtit të së vërtetës apo me ndonjë mënyrë tjetër?

Nëse është ndonjë mënyrë tjetër, nuk është prej Perëndisë.

Prandaj, cila është arsyeja që ju nuk mund të kuptoni e të dini se ai që e pranon fjalën me anë të Shpirtit të së vërtetës, e pranon atë siç predikohet nga Shpirti i së vërtetës?

Si rrjedhim, ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku” (DeB 50:17–22).

Ju mund të luteni ndërkohë që kori po fillon të këndojë. Dirigjenti i korit, organistët dhe pjesëtarët e korit janë lutur dhe janë ushtruar me një lutje në zemrat e tyre dhe me besim se muzika e fjalët do t’i bëjnë më të ndjeshme zemrat dhe do ta lartësojnë fuqinë e tyre për ta ngritur besimin e të tjerëve. Ata do të këndojnë për Zotin sikur të ishin përpara Tij dhe do ta dinë se Ati ynë Qiellor i dëgjon me po aq siguri sa Ai i dëgjon lutjet e tyre vetjake. Së bashku ata kanë punuar me dashuri që ta bëjnë të vërtetë premtimin e Shpëtimtarit dhënë Ema Smithit: “Sepse shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre” (DeB 25:12).

Nëse jo vetëm dëgjoni, por edhe luteni ndërkohë që ata këndojnë, lutja juaj dhe lutjet e tyre do të marrin përgjigje me një bekim mbi kokën tuaj si edhe mbi kokat e tyre. Ju do ta ndieni bekimin e dashurisë dhe të miratimit të Shpëtimtarit. Të gjithë që bashkohen në atë përlëvdim, do ta ndiejnë të rritet dashurinë e tyre për Të.

Ju mund të zgjidhni të luteni ndërkohë që një folës ose një folëse duket se po i afrohet përfundimit të mesazhit të tij ose të saj. Ai ose ajo do të jetë duke iu lutur Atit brenda vetes që Fryma e Shenjtë t’i japë atij ose asaj fjalët e dëshmisë që do t’i lartësojnë zemrat, shpresat dhe vendosmërinë e dëgjuesve për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin dhe për t’i zbatuar urdhërimet që Ai na i ka dhënë.

Dëshmia nuk do të jetë një thënie e një mesazhi. Do të jetë një pohim i një të vërtete që Shpirti mund ta përçojë në zemrat e atyre që do të jenë duke u lutur për ndihmë, për drejtim hyjnor dhe për të marrë dashurinë e pastër të Krishtit.

Dëshmi e vërtetë do t’iu jepet folësve. Fjalët e tyre do të jenë të pakta, por ato do të përçohen në zemrën e dëgjuesit të përulur, i cili ka ardhur në konferencë i etur për fjalën e mirë të Perëndisë.

E di nga përvoja ime se çfarë mund të bëjë besimi i njerëzve të mirë që të sjellë fjalë nga Shpirti në përfundim të një predikimi. Shumë herë, dikush më ka thënë pas dëshmisë sime: “Si e dinit se çfarë kisha nevojë ta dëgjoja kaq shumë?” Kam mësuar të mos habitem kur nuk mund të kujtoj se i thashë fjalët. Unë i thashë fjalët e dëshmisë, por Zoti ishte atje, duke m’i dhënë ato në atë çast. Premtimi që Zoti do të na japë fjalë pikërisht në çastin e duhur, gjen zbatim veçanërisht për dëshminë (shih DeB 24:6). Dëgjojini me vëmendje dëshmitë e dhëna në këtë konferencë – ju do të ndiheni më pranë Zotit.

Mund ta ndieni se po vij te çasti kur do ta përfundoj me një dëshmi të së vërtetës mesazhin që jam përpjekur ta përçoj. Lutjet tuaja do të më ndihmojnë që të më jepen fjalë dëshmie, të cilat mund ta ndihmojnë dikë që mezi pret për një përgjigje ndaj pyetjeve të tij ose të saj.

Ju lë dëshminë time të sigurt se Ati ynë Qiellor, i madhi Elohim, na do dhe na njeh, secilin prej nesh. Nën drejtimin e Tij, Biri i Tij, Jehova, ishte Krijuesi. Unë dëshmoj se Jezusi i Nazaretit u lind të ishte Biri i Perëndisë. Ai shëroi të sëmurët, u dha shikim të verbërve dhe ngriti njerëz prej së vdekuri. Ai e pagoi çmimin e gjithë mëkateve të secilit prej fëmijëve të Atit Qiellor të lindur në vdekshmëri. Ai i këputi lidhjet e vdekjes për të gjithë teksa u ngrit nga varri atë të diel të parë të Pashkës. Ai jeton sot, një Perëndi – i ringjallur dhe i lavdishëm.

Kjo është e vetmja Kishë e vërtetë dhe Ai është guri kryesor i qoshes së saj. Tomas S. Monsoni është profeti i Tij për të gjithë botën. Profetët dhe apostujt që do t’i dëgjoni në këtë konferencë, flasin për Zotin. Ata janë shërbëtorët e Tij, të autorizuar për të vepruar për Të. Ai shkon përpara shërbëtorëve të Tij në botë. Unë e di këtë. Dhe kështu dëshmoj në emrin e Tij, madje emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.