2010–2019
“Kushdo që i Pranon Ata, më Pranon Mua”
Prill 2016


“Kushdo që i Pranon Ata, më Pranon Mua”

Fëmijët sot e gjejnë veten në trajta shumë të ndryshme dhe të ndërlikuara të familjes. Ne kemi nevojë që t’i shtrijmë dorën atyre që ndihen të vetmuar, të lënë prapa, ose jashtë gardhit.

Perëndia i do fëmijët. Ai i do të gjithë fëmijët. Shpëtimtari tha: “I lini fëmijët e vegjël … të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve”1.

Fëmijët sot e gjejnë veten në trajta shumë të ndryshme dhe të ndërlikuara të familjes.

Për shembull, sot në Shtetet e Bashkuara jetojnë dy herë më shumë fëmijë vetëm me një prind se sa 50 vite më parë.2 Dhe ka shumë familje që janë më pak të bashkuara në dashurinë e tyre për Perëndinë dhe më pak të gatshme për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.

Në këtë pështjellim shpirtëror në rritje, ungjilli i rivendosur do të vazhdojë të mbajë standardin, idealin, modelin e Zotit.

“Fëmijët kanë të drejtën të linden nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës. …

Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. … Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit [dhe] për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë.”3

Ne i falënderojmë shumë prindër të mirë kudo në botë, të të gjitha besimeve, të cilët kujdesen me dashuri për fëmijët e tyre. Dhe ne jemi shumë mirënjohës për familjet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilat janë të rrethuara nga kujdesi i një ati dhe një nëne të kthyer në besim te Shpëtimtari, të cilët janë vulosur me autoritetin e priftërisë, dhe që po mësojnë në familjen e tyre ta duan dhe t’i mirëbesojnë Atit të tyre Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.

Lutje për Rininë

Lutja ime sot është për qindra mijëra fëmijë, të rinj dhe të rinj në moshë madhore, të cilët nuk vijnë, prej këtyre familjeve, le të themi, “ideale”. Nuk flas vetëm për të rinjtë që kanë përjetuar vdekjen, divorcin apo besimin e pakësuar të prindërve të tyre, por edhe për dhjetëra mijëra të rinj dhe të reja prej ngado në botë që e përqafojnë ungjillin pa një nënë ose baba që vjen në Kishë me ta.4

Këta shenjtorë të rinj të ditëve të mëvonshme hyjnë në Kishë me besim të madh. Ata shpresojnë që në të ardhmen të krijojnë familjen ideale në vetë jetën e tyre.5 Me kalimin e kohës, ata bëhen një pjesë e rëndësishme e forcës sonë misionare, e të rinjve të drejtë dhe e atyre që gjunjëzohen në një altar për të filluar vetë familjen e tyre.

Ndjeshmëria

Ne do të vazhdojmë të japim mësim modelin e Zotit për familjen, por tani me milionat e anëtarëve dhe shumëllojshmërinë që kemi me fëmijët e Kishës, ne duhet të jemi edhe më të kujdesshëm e më të ndjeshëm. Ka raste që kultura dhe mënyra e të folurit në Kishën tonë janë unike. Fëmijët e Fillores nuk do të pushojnë së kënduari “Familjet Mund t’Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”,6 por kur ata këndojnë “jam kaq i lumtur kur babi vjen në shtëpi”7 ose “me nënën dhe babanë që udhën më tregojnë”,8 jo të gjithë fëmijët do të këndojnë rreth familjeve të tyre.

Mikesha jonë, Beti, tregoi një përvojë që pati në kishë kur ishte 10 vjeçe. Ajo tha: “Mësuesja jonë po shpjegonte një mësim rreth martesës në tempull. Ajo më pyeti veçanërisht mua, ‘Beti, prindërit e tu nuk janë të martuar në tempull, apo jo?’ [Mësuesja dhe pjesa tjetër e klasës] e dinin përgjigjen”. Mësuesja e vazhdoi shpjegimin dhe Beti përfytyroi më të keqen [sikur nuk kishte më shpresë për të ose familjen e saj]. Beti tha: “Kalova shumë net duke qarë. Kur pata probleme me zemrën dy vite më vonë dhe mendova se do të vdisja, më kapi paniku, duke menduar se do të isha vetëm përgjithmonë.”

Miku im Lifi vinte në kishë vetëm. Një herë, kur ishte në Fillore, atij iu kërkua të jepte një bisedë të shkurtër. Ai nuk e kishte as mamin as babin në kishë që të qëndronin përkrah tij dhe ta ndihmonin nëse harronte atë që duhej të thoshte. Lifi ishte i tmerruar. Në vend që ta linte veten të turpërohej, ai qëndroi larg kishës për disa muaj.

“Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre …

Dhe [tha se] kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.”9

Zemra Besuese dhe Dhunti Shpirtërore

Këta fëmijë dhe të rinj janë bekuar me zemra besuese dhe dhunti shpirtërore. Lifi më tha: “E dija mirë në fshehtësinë e mendjes sime se Perëndia ishte Ati im dhe se Ai më njihte dhe më donte.”

Mikesha jonë, Veronika tha: “Ndërsa mësoja parimet e ungjillit dhe studioja Librin e Mormonit, më dukej sikur po kujtoja gjërat që tashmë i dija, por që i kisha harruar.”

Mikesha jonë Zuleika vjen nga Alegreti në Brazil. Megjithëse në familjen e saj nuk ishin besimtarë, në moshën 12-vjeçare, Zuleika filloi të lexonte Biblën dhe të shkonte në kisha vendore, duke kërkuar të dinte më shumë për Perëndinë. Me lejen ngurruese të prindërve të saj, ajo studioi me misionarët, mori një dëshmi dhe u pagëzua. Zuleika më tha: “Gjatë diskutimeve, mua m’u tregua një fotografi e Tempullit të Solt-Lejkut dhe më thanë për ordinancat vulosëse. Që prej atij momenti, unë pata dëshirën që një ditë të hyja në shtëpinë e Zotit dhe të kisha një familje të përjetshme.”

Ndonëse situata e një fëmije në tokë mund të mos jetë ideale, ADN-ja shpirtërore e një fëmije është e përsosur, sepse identiteti i vërtetë është një bir apo bijë e Perëndisë.

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Ndihmojini fëmijët e Perëndisë ta kuptojnë atë që është e çiltër dhe e rëndësishme në këtë jetë. Ndihmojini ata të zhvillojnë forcën për të zgjedhur shtigje që do t’i mbajnë ata të mbrojtur në udhën drejt jetës së përjetshme.”10 Le t’i hapim krahët dhe zemrat tona pak më shumë. Këta të rinj kanë nevojë për kohën tonë dhe dëshminë tonë.

Brendoni, i cili u bashkua me Kishën në Kolorado kur ishte në shkollë të mesme, më tregoi për ata që ia shtrinë dorën si përpara edhe pas pagëzimit të tij. Ai tha: “Isha në shtëpitë e familjeve që e jetonin ungjillin. Kjo më tregoi një standard që e ndjeva se mund ta kisha në vetë familjen time.”

Veronika, e lindur në Hollandë, frekuentonte të njëjtën shkollë me vajzën time, Kristenin, kur ne jetonim në Gjermani. Veronika vërejti: “Studentët që ishin anëtarë të Kishës kishin një dritë përreth tyre. Arrita të kuptoj se drita vinte nga besimi i tyre në Jezu Krisht dhe të jetuarit e mësimeve të Tij.”

Miku im Maksi u pagëzua në moshën tetë vjeç. Babai i tij nuk ishte anëtar i asnjë kishe dhe Maksi mund të shkonte në kishë ose jo.

Kur ishte adoleshent, pasi nuk mori pjesë për disa muaj, Maksi pati ndjesinë se duhej të kthehej në kishë dhe një mëngjes të diele vendosi të kthehej. Por vendosmëria e tij u dobësua ndërsa iu afrua derës kryesore të kishës; pati një shtrëngim në stomak.

Atje, duke qëndruar te dera, ishte peshkopi i ri. Maksi nuk e njihte atë dhe ishte i sigurt se as peshkopi nuk e njihte Maksin. Teksa Maksi u afrua, fytyra e peshkopit u lumturua dhe ai i zgjati dorën dhe i tha: “Maks, sa mirë që po të shoh!”

“Kur i foli ato fjalë”, tha Maksi, “më mbuloi një ndjenjë e ngrohtë dhe e dija se kisha bërë gjënë e duhur”11.

Të diturit e emrit të dikujt mund të sjellë një ndryshim.

“Dhe [Jezusi] urdhëroi që të silleshin fëmijët e tyre të vegjël tek [ai]. …

Dhe … ai i mori [ata], një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta.

Dhe pasi e bëri këtë gjë, ai qau përsëri.”12

Të Rinj Ende të Papagëzuar

Me kërkesën e prindërve, shumë të rinj që e duan ungjillin presin me vite derisa të pagëzohen.

Prindërit e Emilis, u divorcuan kur ajo ishte e vogël dhe ajo nuk mori leje për t’u pagëzuar derisa mbushi 15 vjeç. Mikesha jonë Emili flet plot gjallëri për një udhëheqëse të Të Rejave që “gjithmonë i zgjaste dorën dhe e ndihmonte për ta forcuar dëshminë [e saj]”13.

Koltoni dhe Prestoni janë adoleshentë që jetojnë në Juta. Prindërit e tyre janë të divorcuar dhe ata nuk kanë marrë leje për t’u pagëzuar. Edhe pse nuk mund ta kalojnë sakramentin, ata e sjellin bukën çdo javë. Edhe pse nuk mund të hyjnë në tempull për të bërë pagëzime me të rinjtë kur lagjja e tyre shkon në tempull, të dy vëllezërit gjejnë emra të familjes te dera ngjitur me qendrën e historisë familjare. Faktori që ndikon më shumë për ta ndihmuar rininë tonë të ndihet e përfshirë janë të rinjtë e tjerë të drejtë.

Plaku Jozef B. Sengoba

E mbyll me shembullin e një miku të ri, dikë që ne e takuam disa javë më parë ndërsa po vizitonim Misionin e Lukasës në Zambia.

Pamja
Jozef Sengoba kur ishte djalë i vogël

Plaku Jozef Sengoba është nga Uganda. Babai i tij vdiq kur ai ishte shtatë vjeç. Kur ishte nëntë vjeç, duke qenë se nëna dhe të afërmit e tij nuk ishin në gjendje të kujdeseshin për të, ai duhej të kujdesej vetë për veten e tij. Në moshën 12-vjeçare, ai u takua me misionarët dhe u pagëzua.

Jozefi më tregoi për ditën e tij të parë në kishë: “Pas mbledhjes së sakramentit, mendova se ishte koha të shkoja në shtëpi, por misionarët më njohën me Xhoshua Ualusimbin. Xhoshua më tha se ai do të ishte shoku im dhe më zgjati Children’s Songbook [Librin e Këngëve të Fëmijëve] që të mos shkoja duarbosh në klasën e Fillores. Në Fillore, Xhoshua vendosi një karrige tepër pranë së tijës. Presidentja e Fillores më ftoi që të dilja përpara klasës dhe i kërkoi Fillores që të këndonte për mua ‘Fëmijë i Per’ndis’ Jam’. U ndieva shumë i veçantë”.

Presidenti i degës e çoi Jozefin te familja Pier Mungoza dhe ajo u bë shtëpia e tij për katër vitet e ardhshme.

Pamja
PleqtëXhoshua Ualusimbi dhe Jozef Sengoba

Tetë vite më vonë kur Plaku Jozef Sengoba filloi misionin e tij, për çudinë e tij trajnuesi ishte Plaku Xhoshua Ualusimbi, djali që e bëri atë të ndihej kaq i mirëpritur në ditën e parë në Fillore. Dhe presidenti i tij i misionit? Ai është Presidenti Lif Erikson, djali i vogël i cili qëndroi larg Fillores sepse ishte i tmerruar të jepte një bisedë. Perëndia i do fëmijët e Tij.

Pamja
Plaku Jozef Sengoba dhe Presidenti Lif Erikson

Fëmijët Erdhën Duke Vrapuar

Kur unë dhe gruaja ime Kethi ishim në Afrikë disa javë më parë, ne vizituam Mbuji-Majin, në Republikën Demokratike të Kongos. Për shkak se godina kishtare nuk ishte mjaft e madhe për të 2.000 anëtarët, ne u mblodhëm përjashta nën mbulesa të mëdha plastike të mbështetura nga shkopinj bambuje. Kur filloi mbledhja, ne mund të shikonim dyzina fëmijësh që po na vështronin, duke u kacavjerrë te shufrat jashtë gardhit prej metali që rrethonte pronën. Kethi pëshpëriti me qetësi: “Nil, a nuk mendon se duhet t’i ftosh fëmijët të hyjnë brenda?” Iu afrova Presidentit Kalonji të Distriktit që ishte në podium dhe e pyeta nëse do t’i ftonte fëmijët jashtë gardhit që të vinin e të bashkoheshin me ne.

Pamja
Plaku Andersen në Republikën Demokratike të Kongos
Pamja
Fëmijë jashtë gardhit
Pamja
Fëmijë që ftohen të hyjnë brenda

Për çudinë time, me ftesë të Presidentit Kalonji, fëmijët jo vetëm që erdhën, por erdhën duke vrapuar – më shumë se 50, ndoshta 100 – disa me veshje të leckosura dhe këmbëzbathur, por të gjithë me buzëqeshje të bukura dhe fytyra të emocionuara.

U preka thellë nga kjo përvojë dhe e pashë atë si një simbol të nevojës sonë për t’i shtrirë dorën të rinjve që ndihen të vetmuar, të lënë prapa, ose jashtë gardhit. Le të mendojmë për ta, le t’i mirëpresim ata, le t’i përqafojmë ata dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për ta forcuar dashurinë e tyre për Shpëtimtarin. Jezusi tha: “Ai që e pranon një fëmijë … si ky në emrin tim, më pranon mua.”14 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 19:14.

  2. Shih “Family Structure”, Child Trends DataBank (dhjetor 2015), shtojca 1, faqja 9, childtrends.org/databank.

  3. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129, paragrafët 7 dhe 6.

  4. Dua të falënderoj personalisht dhjetëra mijëra nëna të drejta, shumë prej të cilave janë nëna të vetme, që me kurajë marrin përgjegjësinë kryesore të forcimit shpirtëror të fëmijëve të tyre. Mikesha jonë, Shelli, nga Kanadaja tha për nënën e saj:

    “Misionarët trokitën në derën e prindërve të mi pesë vjet përpara se të lindesha. Prindërit e mi morën disa mësime dhe më pas babai ynë nuk pati më interes. Nëna ime vazhdoi t’i merrte mësimet dhe dëshironte të pagëzohej. Për pesë vjet nëna ime shkonte në kishë si një joanëtare dhe pastaj, tre muaj pas lindjes sime, ajo qe në gjendje të pagëzohej.

    Nëna ime kurrë nuk ka rënë në sy apo nuk ka qenë në pozita të larta udhëheqjeje. Ajo ka një dëshmi shumë të thjeshtë, të këndshme dhe të qëndrueshme … dhe jeton çdo ditë e vërtetë ndaj asaj që ajo beson. Ky shembull i qetë, i thjeshtë gjithmonë më ka mbajtur afër Zotit dhe Kishës.”

  5. Miku ynë, Rendall, më tha: “M’u mësua dhe e dija se isha një bir i prindërve qiellorë dhe njohuria e identitetit dhe natyrës sime të vërtetë më dha shpresë se nuk kisha nevojë të ndiqja të njëjtin drejtim të prindërve të mi, të cilët i adhuroja, por nuk doja t’i kopjoja. I mirëbesova asaj që më ishte mësuar nga Fillorja, Shkolla e së Diellës, të Rinjtë dhe mësuesit e tjerë. Në lagje dhe tek të afërmit e mi pashë shembuj të familjeve besnike e të lumtura, dhe i mirëbesova Atit Qiellor, duke e ditur se nëse qëndroja besnik, Ai do të më ndihmonte të kisha një familje të tillë.”

  6. “Familjet Mund t’Jen’ Bashk’ Përgjithmon”, Himnet, f. 195.

  7. “Daddy’s Homecoming”, Children’s Songbook, f. 210.

  8. “Love Is Spoken Here”, Children’s Songbook, f. 190–191.

  9. Mateu 18:2, 5.

  10. Tomas S. Monson, “Mësoni prej Meje”, Liahona, mars 2016, f. 6; Mesazh i Presidencës së Parë, mars 2016, f. 2.

  11. Shih Max H. Molgard, Inviting the Spirit into Our Lives (1993), f. 99.

  12. 3 Nefi 17:11, 21–22.

  13. Emilia, megjithëse pa prindër aktivë, foli me dashuri për gjyshërit, ungjit dhe hallat e tezet, dhe të tjerët që i “zëvendësuan” prindërit e saj. Duke folur për një udhëheqëse të Të Rejave në Miçigan, ajo tha: “Fëmijët e saj ishin rritur dhe ajo i dha rëndësi faktit që ta bënte secilën prej të rejave të ndiheshin sikur të ishin vetë vajzat e saj. … Buzëqeshja e saj mund ta ngrohte zemrën tënde në ditët më të vështira. … E vura si synimin tim që të ndiqja udhëheqjen e saj dhe të isha një ‘Motra Molnar’ për ata fëmijë që mund të ndihen ‘ndryshe’ ‘të lënë jashtë’ ose ‘të përjashtuar’”.

  14. Mateu 18:5.