2010–2019
“Qëndroni në Dashurinë Time”
Tetor 2016


“Qëndroni në Dashurinë Time”

Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë, por çfarë kjo nënkupton për secilin prej nesh varet nga mënyra se si i përgjigjemi dashurisë së Tij.

Bibla na thotë që “Perëndia është dashuri”1. Ai është mishërimi i përsosur i dashurisë dhe ne mbështetemi fortësisht te qëndrueshmëria dhe shtrirja gjithësore e asaj dashurie. Siç është shprehur Presidenti Tomas S. Monson: “Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo dashurinë. Është thjesht gjithmonë atje.”2

Ka mënyra të shumta për ta shprehur dashurinë hyjnore dhe për të folur për të. Një prej termave që e dëgjojmë shpesh sot është që dashuria e Perëndisë është “e pakushtëzuar”. Teksa në një farë kuptimi kjo është e vërtetë, fjala përshkruese e pakushtëzuar nuk shfaqet askund në shkrimin e shenjtë. Përkundrazi, dashuria e Tij përshkruhet në shkrimin e shenjtë si “dashuri[a] e madhe dhe e mrekullueshme”3, “dashuria e përsosur”4, “dashuri[a] shëlbuese”5 dhe “dashuri[a e] përjetshme”6. Këta janë terma më të mirë ngaqë fjala e pakushtëzuar mund të përcjellë përshtypje të gabuara rreth dashurisë hyjnore, të tilla si, Perëndia toleron dhe shfajëson gjithçka që bëjmë pasi dashuria e Tij është e pakushtëzuar, ose të gjithë shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë pasi dashuria e Perëndisë është e pakushtëzuar. Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë, por çfarë kjo nënkupton për secilin prej nesh varet nga mënyra se si i përgjigjemi dashurisë së Tij.

Jezusi tha:

“Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.

Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.”7

Të “qëndro[jmë] në” dashurinë e Shpëtimtarit do të thotë të marrim hirin e Tij dhe të përsosemi prej tij.8 Për ta marrë hirin e Tij, ne duhet të kemi besim në Jezu Krishtin, të pendohemi për mëkatet tona, të pagëzohemi për heqjen e mëkateve, të marrim Frymën e Shenjtë dhe të vazhdojmë në shtegun e bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.9

Perëndia do të na dojë gjithmonë, por Ai nuk mund të na shpëtojë në mëkatet tona.10 Kujtoni fjalët e Amulekut thënë Zizromit, që Shpëtimtari nuk do ta shpëtonte popullin e Tij mëkatet e tyre, por nga mëkatet e tyre11, për arsye se me mëkatin ne jemi të papastër dhe “asgjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e qiellit”12 apo të banojë në praninë e Perëndisë. “Dhe se [Krishti] ka fuqi, që i është dhënë nga Ati, për t[a] shëlbuar [popullin e Tij] nga mëkatet e tyre për shkak të pendimit; prandaj ai dërgoi engjëjt e tij për të shpallur lajmet e kushteve të pendimit, që çojnë në fuqinë e Shëlbuesit, në shpëtimin e shpirtrave të tyre.”13

Nga Libri i Mormonit mësojmë se qëllimi i vuajtjes së Krishtit – shfaqjes përfundimtare të dashurisë së tij – ishte “për të sjellë zemrën e mëshirës, e cila e mund drejtësinë dhe u sjell njerëzve mjete që ata të mund të kenë besim deri në pendim.

Dhe kështu mëshira mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë dhe i rrethon me krahët e sigurisë, ndërsa ai që nuk ushtron besim deri në pendim, qëndron i ekspozuar para tërë ligjit të kërkesave të drejtësisë; prandaj vetëm atij që ka besim deri në pendim do t’i realizohet plani i madh, i përjetshëm i shëlbimit.”14

Pendimi, atëherë, është dhurata e Tij për ne, e blerë me një çmim shumë të shtrenjtë.

Disa njerëz do të arsyetojnë që Perëndia e bekon çdo njeri pa dallim – duke cituar, për shembull, thënien e Jezusit në Predikimin në Mal: “[Perëndia] bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”15. Me të vërtetë Perëndia bën që të bien mbi të gjithë fëmijët e Tij të gjitha bekimet që Ai mundet – të gjitha bekimet që dashuria, ligji, drejtësia dhe mëshira do t’i lejojnë. Dhe Ai na urdhëron të jemi po ashtu bujarë:

“Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin.

Që të mund të jeni fëmijët e Atit tuaj që është në qiell.”16

Megjithëkëtë, bekimet më të mëdha të Perëndisë kushtëzohen nga bindja. Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Buqeta e shndritshme e dashurisë së Perëndisë – përfshirë jetën e përjetshme – përfshin bekime për të cilat ne duhet të kualifikohemi, jo privilegje që duhet t’i presim padenjësisht. Mëkatarët nuk mund ta ndryshojnë vullnetin e Tij sipas vullnetit të tyre dhe të kërkojnë që Ai t’i bekojë ata në mëkat [shih Alma 11:37]. Nëse ata dëshirojnë të gëzojnë çdo gonxhe në buqetën e Tij të bukur, ata duhet të pendohen.”17

Përveçse e bën të penduarin të pafaj dhe të panjollë me premtimin e të qenit i “ngri[tur] në ditën e fundit”18, ka një aspekt të dytë jetik të qëndrimit në dashurinë e Perëndisë. Qëndrimi në dashurinë e Tij do të na aftësojë për ta kuptuar potencialin tonë të plotë, për t’u bërë madje siç është Ai.19 Siç tha Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Por hiri i Perëndisë nuk na rivendos thjesht në gjendjen tonë të mëparshme të pafajshme. … Qëllimi i Tij është shumë më i lartë: Ai dëshiron që bijtë dhe bijat e Tij të bëhen si Ai.”20

Të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë në këtë kuptim do të thotë t’i nënshtrohemi tërësisht vullnetit të Tij. Do të thotë ta pranojmë korrigjimin prej Tij kur nevojitet, “sepse Perëndia ndreq atë që do”21. Do të thotë ta duam njëri-tjetrin dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit ashtu si na ka dashur dhe na ka shërbyer Jezusi.22 Do të thotë të mësojmë “t’i qëndroj[më] ligjit të një mbretërie çelestiale” që të mund “të duroj[më] një lavdi çelestiale”23. Që Ai të jetë në gjendje të na bëjë atë që mund të bëhemi, Ati ynë Qiellor përgjërohet me ne që t’i dëgjojmë “thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe [ta] zhvesh[im] njeriun e natyrshëm dhe [të] bëhe[mi] një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe [të] bëhe[mi] si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”24.

Plaku Dallin H. Ouks vëzhgoi: “Gjykimi i Fundit nuk është vetëm vlerësimi i një shume totale të veprave të mira dhe të liga – i asaj që kemi bërë. Ai është një njohje e efektit përfundimtar të veprave dhe mendimeve tona – i asaj që jemi bërë.25

Historia e Helena Kellerit është njëfarë shëmbëlltyre që sugjeron mënyrën se si dashuria hyjnore mund ta shndërrojë një shpirt të vullnetshëm. Helena u lind në shtetin e Alabamës në Shtetet e Bashkuara në vitin 1880. Kur ishte vetëm 19-muajshe, ajo vuajti nga një sëmundje e padiagnostikuar që e la si të shurdhët ashtu edhe të verbër. Ajo ishte inteligjente tej mase dhe acarohej ndërkohë që përpiqej të kuptonte dhe t’i jepte domethënie mjedisit përreth saj. Kur Helena i ndjente lëvizjet e buzëve të pjesëtarëve të familjes dhe e kuptonte se ata e përdornin gojën për të folur, “ajo shpërthente me tërbim [ngaqë] nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në bashkëbisedim”26. Në kohën kur Helena ishte gjashtëvjeçare, nevoja e saj për të komunikuar dhe acarimi i saj u bë kaq i fortë sa “shpërthimet [e saj] ndodhnin çdo ditë, nganjëherë çdo orë”27.

Prindërit e Helenës punësuan një mësuese për bijën e tyre, një grua të quajtur Ana Salivan. Po ashtu siç kemi te Jezu Krishti dikë që i kupton dobësitë tona,28 Ana ishte ndeshur me vetë paaftësitë dhe vështirësitë e saj të rënda dhe i kuptonte dobësitë e Helenës. Në moshën pesëvjeçare, Ana kishte hasur një sëmundje që shkaktoi gërvishtje të dhimbshme të korneas dhe e la atë kryesisht të verbër. Kur Ana ishte tetë vjeç, i vdiq nëna; babai i saj i braktisi atë dhe vëllanë e saj më të vogël, Xhimin; dhe ata u dërguan te një “shtëpi për të varfrit”, ku kushtet ishin aq të mjerueshme, sa Xhimi vdiq pas vetëm tre muajsh. Nëpërmjet këmbënguljes së vet të paepur, Ana arriti të hynte në Shkollën Perkins për të Verbrit dhe njerëzit me shikim të dëmtuar, ku ajo ia doli mbanë shkëlqyeshëm. Një operacion kirurgjik i dha asaj një shikim të përmirësuar kështu që ajo ishte në gjendje të lexonte materiale të shtypura. Kur babai i Helena Kellerit kontaktoi Shkollën Perkins duke kërkuar që dikush të bëhej mësuese për bijën e tij, u zgjodh Ana Salivani.29

Nuk ishte një përvojë e këndshme në fillim. Helena e “godiste, pickonte dhe shkelmonte mësuesen e saj dhe ia theu një nga dhëmbët. [Ana] më së fundi e fitoi kontrollin duke u vendosur me [Helenën] në një shtëpi të vogël pranë shtëpisë së familjes Keller. Me anë të durimit dhe palëkundshmërisë së vendosur, ajo më së fundi fitoi zemrën dhe mirëbesimin e fëmijës.”30 Në mënyrë të ngjashme, kur arrijmë të mirëbesojmë në vend që ta kundërshtojmë Mësuesin tonë hyjnor, Ai mund të veprojë me ne për të na ndriçuar e lartësuar në një realitet të ri.31

Për ta ndihmuar Helenën që të mësonte fjalë, Ana do t’i germëzonte emrat e sendeve të njohura me gishtin e saj mbi pëllëmbën e dorës së Helenës. “[Helenës] i pëlqente kjo ‘lojë me gishta’, por nuk e kuptoi deri në çastin e famshëm kur [Ana] germëzoi ‘u-j-ë’ ndërsa derdhte ujë me pompë mbi dorën [e Helenës]. [Helena] më vonë shkroi:

“‘Papritur ndjeva një vetëdije të mjegulluar si për diçka të harruar … dhe në njëfarë mënyre m’u zbulua fshehtësia e gjuhës. E dija se ai germëzim “u-j-ë” nënkuptonte gjënë e freskët, të mrekullueshme që po vërshonte në dorën time. Ajo fjalë e gjallë ma zgjoi shpirtin, i dha atij dritë, shpresë, gëzim, e çliroi atë! … Gjithçka kishte një emër dhe secili emër i jepte jetë një mendimi të ri. Kur u kthyem në shtëpi[,] çdo send që e prekja, dukej sikur drithërohej me jetë.’”32

Pamja
Helen Kelleri dhe Ana Salivani

Kur Helena Kelleri u rrit, ajo u bë e mirënjohur për dashurinë e saj për gjuhën, aftësinë e saj si shkrimtare dhe gojëtarinë e saj si folëse në publik.

Në një film që paraqet jetën e Helena Kellerit, prindërit e saj portretizohen si të kënaqur me punën e Ana Salivanit pasi ajo e ka zbutur bijën e tyre të egër deri në atë shkallë, sa Helena të ulej me mirësjellje për darkë, të hante normalisht dhe ta paloste pecetën në fund të ngrënies. Por Ana e dinte se Helena ishte e aftë për shumë, shumë më tepër dhe se ajo kishte për të bërë ndihmesa të rëndësishme.33 Po kështu, ne mund të kënaqemi mjaft me atë që kemi bërë në jetën tonë dhe që ne thjesht jemi ata që jemi, ndërkohë që Shpëtimtari ynë nënkupton një potencial të lavdishëm që ne e kuptojmë vetëm përmes një “pasqyr[e], në mënyrë të errët”34. Secili prej nesh mund të përjetojë ngazëllimin e potencialit hyjnor të shpalosur brenda nesh, shumë i ngjashëm me gëzimin që ndjeu Helena Kelleri kur fjalët morën jetë, duke i dhënë dritë qenies së saj dhe duke e çliruar atë. Secili prej nesh mund ta dojë Perëndinë e t’i shërbejë Atij dhe të fuqizohet për t’i bekuar bashkënjerëzit tanë. “Sikurse është shkruar: ‘Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë’.”35

Le ta marrim parasysh çmimin e dashurisë së paçmuar të Perëndisë. Jezusi zbuloi se që të shlyente për mëkatet tona dhe që të na shëlbonte nga vdekja, si ajo fizike dhe shpirtërore, vuajtja e Tij bëri që Ai vetë, “madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i dilte] gjak nga çdo por dhe të vua[nte] si në trup e në shpirt – dhe të dëshiro[nte] që [Ai] të mos e pi[nte] kupën e hidhur e të mpake[j]”36. Agonia e Tij në Gjetseman dhe në kryq ishte më e madhe nga ç’mund ta duronte çdo njeri i vdekshëm.37 Sidoqoftë, për shkak të dashurisë së Tij për Atin e Tij dhe për ne, Ai duroi dhe, si rrjedhojë, Ai mund të na ofrojë si pavdekësinë, ashtu edhe jetën e përjetshme.

Pamja
Presa e ullinjve

Është thellësisht simbolike që “gjaku [doli] nga çdo por”38 kur Jezusi vuajti në Gjetseman, në vendin e presës së ullinjve. Në kohën e Shpëtimtarit, që të prodhohej vaji i ullirit, ullinjtë fillimisht shtypeshin duke rrotulluar një gur të madh mbi ta. “Pureja” e fituar vendosej në shporta të buta, të thurura lirshëm, të cilat vendoseshin njëra mbi tjetrën. Pesha e tyre shtrydhte vajin e parë dhe më të mirin. Më pas ushtrohej shtypje e shtuar duke vendosur një tra ose kërcu të madh mbi shportat e vëna njëra mbi tjetrën, duke prodhuar më shumë vaj. Më së fundi, për të nxjerrë edhe pikat më të fundit, traut i shtoheshin nga njëra anë gurë si pesha për të krijuar shtypjen më të madhe dërrmuese.39 Dhe po, vaji është i kuq si gjaku kur del jashtë fillimisht.

Pamja
Presa e ullinjve me vaj ulliri

Mendoj rreth tregimit të Mateut për Shpëtimtarin teksa Ai hyri në Gjetseman atë natë vendimtare – që Ai “ filloi të ndjej[ë] trishtim dhe ankth të madh. …

Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ‘Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti’.”40

Më pas, teksa përfytyroj mundimin që u bë edhe më i rëndë, Ai u përgjërua një herë të dytë për lehtësim dhe, më së fundi, ndoshta në kulmin e vuajtjes së Tij, një herë të tretë. Ai e duroi agoninë gjersa drejtësia u kënaq deri në pikën më të fundit.41 Këtë Ai e bëri që të na shëlbonte ju dhe mua.

Ç’dhuratë e paçmuar është dashuria hyjnore! I mbushur me atë dashuri, Jezusi pyet: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”42 Me dhembshuri Ai na siguron sërish: “Vini re, krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj; dhe të bekuar qofshin ata që vijnë tek unë”43.

A nuk do ta doni Atë që ju deshi i pari?44 Atëherë, zbatojini urdhërimet e Tij.45 A nuk do të jeni një mik i Atij që dha jetën e Tij për miqtë e Tij?46 Atëherë zbatojini urdhërimet e Tij.47 A nuk do të qëndroni në dashurinë e Tij dhe ta pranoni gjithçka që Ai ua ofron plot hir? Atëherë zbatojini urdhërimet e Tij.48 Unë lutem që ne vërtet do ta ndiejmë dhe do të qëndrojmë në dashurinë e Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.