2010–2019
Kati i Katërt, Dera e Fundit
Tetor 2016


Kati i Katërt, Dera e Fundit

Perëndia “është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë [me zell]”, prandaj na nevojitet të vazhdojmë të trokasim. Motra, mos hiqni dorë. Kërkojeni Perëndinë me gjithë zemrën tuaj.

Motrat e mia të dashura, mikeshat e mia, sa të bekuar jemi që të mblidhemi sërish në këtë konferencë mbarëbotërore nën drejtimin dhe udhëheqjen e profetit dhe Presidentit tonë të dashur, Tomas S. Monsonit. President, ne ju duam dhe ju mbështetim! E dimë se ju i doni motrat e Kishës.

Më pëlqen shumë të marr pjesë në këtë sesion të mrekullueshëm të konferencës së përgjithshme kushtuar motrave të Kishës.

Motra, kur ju shoh, nuk mund të mos mendoj për gratë që kanë qenë kaq ndikuese në jetën time: gjyshen dhe nënën time, të cilat ishin të parat që e pranuan ftesën për të ardhur dhe për të parë se çfarë qëllimi ka Kisha.1 Gruan time të dashur, Harietën, me të cilën rashë në dashuri që herën e parë që e pashë. Nënën e Harietës, e cila u bashkua me Kishën jo shumë kohë pas vdekjes së burrit të saj nga kanceri. Më pas motrën time, bijën time, mbesën time dhe stërmbesën time – të gjitha këto secila kanë qenë një ndikim përmirësues për mua. Ato me të vërtetë i sjellin ngazëllim jetës sime. Më frymëzojnë të bëhem një burrë më i mirë dhe një udhëheqës më i ndjeshëm i Kishës. Sa e ndryshme do të ishte jeta ime pa to!

Ndoshta gjëja që më përul më shumë, është të di se i njëjti ndikim përsëritet miliona herë anembanë Kishës nëpërmjet aftësive, talenteve, zgjuarsisë dhe dëshmisë së grave që kanë besim si ju.

Tani, disa prej jush mund të mos ndihen të denja për një lavdërim kaq të lartë. Mund të mendoni se jeni tepër të parëndësishme sa të keni një ndikim domethënës tek të tjerët. Ndoshta ju as që e merrni parasysh veten tuaj si një “grua me besim” pasi nganjëherë ndesheni me dyshim ose frikë.

Sot, dëshiroj t’i flas kujtdo që është ndier ndonjëherë në këtë mënyrë – dhe kjo ndoshta na përfshin të gjithëve në një kohë apo ndonjë tjetër. Dëshiroj të flas për besimin – çfarë është, çfarë mund të bëjë e mund të mos bëjë dhe çfarë duhet të bëjmë ne për ta aktivizuar fuqinë e besimit në jetën tonë.

Çfarë Është Besimi

Besimi është një bindje e fortë rreth diçkaje që besojmë – një bindje kaq e fortë sa na nxit të bëjmë gjëra që përndryshe mund të mos i bënim. “Besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.”2

Ndërkohë që kjo ka kuptim për njerëzit besues, ajo është shpesh pështjelluese për mosbesuesit. Ata tundin kokën e pyetin: “Si mund të jetë dikush i sigurt për gjërat që nuk mund t’i shohë?” Për ta kjo është provë e paarsyeshmërisë së fesë.

Ajo që nuk arrijnë ta kuptojnë, është se ka më shumë mënyra për të parë sesa me sytë tanë, më shumë mënyra për të ndier sesa me duart tona, më shumë mënyra për të dëgjuar sesa me veshët tanë.

Është diçka e ngjashme me përvojën e një vajze të vogël, e cila po shëtiste me gjyshen e saj. Kënga e zogjve ishte e lavdishme për vajzën e vogël dhe ajo ia vinte në dukje çdo tingull gjyshes së saj.

“A e dëgjon atë?” pyeste vajza e vogël herë pas here. Por gjyshja e saj e kishte humbur dëgjimin dhe nuk mund t’i dallonte tingujt.

Më së fundi, gjyshja u ul në gjunjë dhe tha: “Më vjen keq, shpirt. Nuk para dëgjoj mirë nga veshët.”

E pezmatuar, vajza e vogël ia vuri duart në fytyrë gjyshes, e vështroi me vëmendje drejt e në sy dhe tha: “Gjyshe, dëgjo më me vëmendje!”

Ka mësime në këtë tregim si për mosbesuesin edhe për besimtarin. Thjesht ngaqë s’mund ta dëgjojmë diçka, nuk do të thotë që s’ka asgjë për të dëgjuar. Dy njerëz mund të dëgjojnë të njëjtin mesazh ose të lexojnë të njëjtin shkrim të shenjtë dhe njëri mund ta ndiejë dëshmimin e Shpirtit ndërkohë që tjetri nuk e ndien.

Nga ana tjetër, në përpjekjet tona për t’i ndihmuar njerëzit tanë të dashur që të kenë një përvojë të zërit të Shpirtit dhe të bukurisë së shumtë, të përjetshme dhe të thellë të ungjillit të Jezu Krishtit, t’u themi atyre që të “dëgjojnë më me vëmendje” mund të mos jetë mënyra më e dobishme.

Ndoshta këshilla më e mirë – për këdo që dëshiron ta shtojë besimin – është që të dëgjojë në mënyrë të ndryshme. Apostulli Pal na nxit ta kërkojmë zërin që i flet shpirtit tonë, jo thjesht veshëve tanë. Ai dha mësim: “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht”3. Ose ndoshta duhet të marrim parasysh fjalët e Princit të Vogël të Sen-Ekzuperisë, i cili tha: “Njeriu sheh siç duhet vetëm me zemër. Çdo gjë thelbësore është e padukshme për sytë.”4

Fuqia dhe Kufizimet e Besimit

Nganjëherë nuk është e lehtë të zhvillojmë besim në gjëra shpirtërore ndërkohë që jetojmë në një botë materiale. Por ia vlen përpjekja pasi fuqia e besimit në jetën tonë mund të jetë e thellë. Shkrimet e shenjta na mësojnë se nëpërmjet besimit botët u ndërtuan, ujërat u ndanë, të vdekurit u ringjallën dhe lumenjtë e malet u lëvizën nga vendi i tyre.5

Prapëseprapë disa mund të pyesin: “Nëse besimi është kaq i fuqishëm, përse nuk mund të marr përgjigje ndaj një lutjeje të përzemërt? Mua nuk më duhet që të ndahet një det apo të lëvizet një mal. Thjesht më duhet që të më hiqet sëmundja ose që prindërit e mi ta falin njëri-tjetrin apo që një bashkëshort i përjetshëm të shfaqet te pragu i derës sime me një buqetë lulesh në njërën dorë dhe një unazë fejese në dorën tjetër. Përse besimi im nuk mund ta përmbushë atë?”

Besimi është i fuqishëm dhe shpesh përfundon në mrekulli. Por, pavarësisht se sa shumë besim kemi, ka dy gjëra që besimi nuk mund t’i bëjë. Së pari, ai nuk mund ta dhunojë lirinë e zgjedhjes së dikujt tjetër.

Një grua u lut për vite që bija e saj e larguar nga ungjilli të kthehej në tufën e Krishtit dhe u ndie e shkurajuar që lutjet e saj në dukje nuk kishin marrë përgjigje. Kjo ishte veçanërisht e dhimbshme kur dëgjonte histori të fëmijëve të tjerë plëngprishës që ishin penduar për largimet e tyre.

Problemi nuk ishte një mungesë lutjesh apo një mangësi e besimit. Ajo kishte nevojë vetëm të kuptonte se, sado e dhimbshme që mund të jetë për Atin tonë në Qiell, Ai nuk do ta detyrojë dikë që të zgjedhë shtegun e drejtësisë. Perëndia nuk i detyroi vetë fëmijët e Tij që ta ndiqnin Atë në botën para lindjes. Sa më pak do të na detyrojë Ai tani ndërkohë që udhëtojmë përmes kësaj jete në vdekshmëri?

Perëndia do të ftojë, bindë. Perëndia do të afrohet në mënyrë të palodhur me dashuri, frymëzim dhe inkurajim. Por Perëndia kurrë nuk do të detyrojë – kjo do ta zhvlerësonte planin e Tij të madhërishëm për rritjen tonë të përjetshme.

Gjëja e dytë që besimi nuk mund ta bëjë, është t’ia detyrojë vullnetin tonë Perëndisë. Ne nuk mund ta detyrojmë Perëndinë që të pajtohet me dëshirat tona – pavarësisht sa të drejtë mendojmë se jemi apo sa me sinqeritet lutemi. Merrni parasysh përvojën e Palit, i cili iu përgjërua Zotit shumë herë për lehtësim prej një sprove vetjake – të cilën e quajti “një gjëmb në mish”. Por ai nuk ishte vullneti i Perëndisë. Përfundimisht Pali e kuptoi se sprova e tij ishte një bekim dhe e falënderoi Perëndinë që nuk iu përgjigj lutjeve të tij sipas mënyrës që kishte shpresuar ai.6

Mirëbesimi dhe Besimi

Jo, qëllimi i besimit nuk është që ta ndryshojë vullnetin e Perëndisë, por që të na fuqizojë të veprojmë sipas vullnetit të Perëndisë. Besimi është mirëbesim – mirëbesim se Perëndia e sheh atë që ne nuk mund ta shohim dhe se Ai e di atë që ne nuk e dimë.7 Nganjëherë, mirëbesimi në largpamësinë dhe gjykimin tonë nuk është i mjaftueshëm.

E mësova këtë gjë si pilot i linjës ajrore në ditët kur më duhej të fluturoja përmes mjegullës ose reve të dendura dhe mund të shihja vetëm pak metra larg. Më duhej të mbështetesha te mjetet që më tregonin se ku isha dhe për ku po drejtohesha. Më duhej të dëgjoja zërin e kontrolluesit të qarkullimit ajror. Më duhej të ndiqja udhërrëfimin e dikujt me informacion më të saktë se ai që kisha unë. Dikë që nuk mund ta shihja, por të cilin kisha mësuar ta mirëbesoja. Dikë që mund të shihte atë që nuk mund ta shihja unë. Më duhej të mirëbesoja dhe të veproja sipas atij informacioni që të arrija i sigurt në vendmbërritjen time.

Besim do të thotë që ne mirëbesojmë jo vetëm në urtësinë e Perëndisë, por që ne mirëbesojmë edhe në dashurinë e Tij. Do të thotë që të mirëbesojmë se Perëndia na do në mënyrë të përsosur, se gjithçka që Ai bën – çdo bekim që Ai jep dhe çdo bekim që Ai, për njëfarë kohe, e refuzon – është për lumturinë tonë të përjetshme.8

Kur e kemi këtë lloj besimi, edhe pse mund të mos e kuptojmë përse ndodhin gjëra të caktuara ose përse lutje të caktuara nuk marrin përgjigje, ne mund të dimë se më së fundi gjithçka do të ketë kuptim. “Të gjitha gjëra[t] [do të] bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë.”9

Gjithçka do të bëhet siç duhet. Gjithçka do të jetë mirë.

Mund të jemi të sigurt që përgjigjet do të vijnë dhe mund të kemi vetëbesim se jo vetëm që do të jemi të kënaqur me përgjigjet, por do të pushtohemi nga hiri, mëshira, bujaria dhe dashuria që Ati ynë Qiellor ka për ne, fëmijët e Tij.

Vetëm Vazhdoni të Trokitni

Deri atëherë, ne ecim nëpërmjet çfarëdo besimi që kemi10, duke u përpjekur gjithmonë që ta shtojmë besimin tonë. Nganjëherë kjo nuk është një përpjekje e lehtë. Ata që janë të padurueshëm, të pazotuar ose të pakujdesshëm, mund të gjejnë që besimi është i pakapshëm. Ata që e humbasin shpejt kurajën ose u tërhiqet vëmendja, vështirë se mund ta përjetojnë atë. Besimi u vjen atyre që janë të përulur, të zellshëm, të durueshëm.

U vjen atyre që e paguajnë çmimin e besnikërisë.

Kjo e vërtetë ilustrohet në përvojën e dy misionarëve të rinj që shërbenin në Europë, në një zonë ku kishte pak pagëzime të të kthyerve në besim. Hamendësoj se do të kishte qenë e kuptueshme për ta që të mendonin se ajo që bënin, nuk do të sillte ndonjë ndryshim të madh.

Por këta dy misionarë patën besim dhe ishin të zotuar. Patën mendimin që, nëse askush nuk do ta dëgjonte mesazhin e tyre, nuk do të ishte për shkak se ata nuk kishin bërë përpjekjen e tyre më të mirë.

Një ditë patën ndjenjën që t’u drejtoheshin banorëve të një godine katërkatëshe të mirëmbajtur apartamentesh. Ata filluan në katin e parë dhe trokitën në secilën derë, duke paraqitur mesazhin e tyre shpëtues rreth Jezu Krishtit dhe Rivendosjes së Kishës së Tij.

Pamja
Ndërtesa e apartamentit të fëmijërisë së Motrës Uhtdorf

Askush në katin e parë nuk do t’i dëgjonte.

Sa e lehtë do të kishte qenë të thonin: “U përpoqëm. Le të ndalemi këtu. Le të shkojmë e ta provojmë te një godinë tjetër.”

Por këta dy misionarë kishin besim e ishin të gatshëm të punonin dhe kështu trokitën në çdo derë në katin e dytë.

Sërish, askush nuk do të dëgjonte.

Në katin e tretë ishte njësoj. Dhe kështu ishte në të katërtin – domethënë, derisa trokitën në derën e fundit të katit të katërt.

Kur ajo derë u hap, një vajzë e vogël u buzëqeshi dhe i pyeti nëse mund të prisnin ndërkohë që ajo fliste me nënën e saj.

Nëna e saj ishte vetëm 36-vjeçare, e kishte humbur bashkëshortin e saj kohët e fundit dhe nuk kishte dëshirë të fliste me misionarët mormonë. Prandaj i tha bijës së vet që t’u thoshte të largoheshin.

Por e bija iu përgjërua. Këta të rinj qenë kaq të këndshëm, tha ajo. Dhe do të duheshin vetëm pak minuta.

Kështu, me ngurrim, nëna ra dakord. Misionarët e dhanë mesazhin e tyre dhe i dhanë nënës një libër për ta lexuar – Librin e Mormonit.

Pasi u larguan ata, nëna vendosi se duhej të lexonte të paktën disa faqe.

Ajo e mbaroi të gjithë librin brenda pak ditësh.

Pamja
Familja e Motrës Uhtdorf me misionarët

Jo shumë kohë më pas, kjo familje e mrekullueshme me vetëm një prind hyri në ujërat e pagëzimit.

Kur familja e vogël frekuentoi degën e tyre vendore në Frankfurt të Gjermanisë, një dhjak i ri e vuri re bukurinë e njërës prej bijave dhe mendoi me vete: “Këta misionarët po bëjnë punë të shkëlqyer!”

Emri i atij dhjaku të ri ishte Diter Uhtdorf. Dhe ajo vajzë e vogël magjepsëse – ajo që i ishte përgjëruar nënës që t’i dëgjonte misionarët – ka emrin e bukur Harieta. Atë e duan të gjithë njerëzit që e takojnë teksa më shoqëron në udhëtimet e mia. Ajo ka bekuar jetën e shumë njerëzve nëpërmjet dashurisë së saj për ungjillin dhe personalitetit të saj shndritës. Ajo është me të vërtetë drita e jetës sime.

Pamja
Motra Uhtdorf duke folur në Norvegji

Sa shpesh më është lartësuar zemra në mirënjohje për dy misionarët që nuk ndaluan te kati i parë! Sa shpesh më gufon zemra me mirënjohje për besimin dhe punën e tyre. Sa shpesh kam dhënë falënderim që ata vazhduan të ecnin – madje deri te kati i katërt, dera e fundit.

Do t’ju Çelet

Gjatë kërkimit tonë për besim durues, gjatë përpjekjes sonë për t’u lidhur me Perëndinë dhe qëllimet e Tij, kujtofshim premtimin e Zotit: “Trokitni dhe do t’ju çelet”11.

A do të heqim dorë pasi të trokasim në një apo dy dyer? Një apo dy kate?

Apo do të vazhdojmë të kërkojmë derisa të kemi arritur te kati i katërt, dera e fundit?

Perëndia “është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë [me zell]”12, por ai shpërblim zakonisht nuk është prapa derës së parë. Prandaj na nevojitet të vazhdojmë të trokasim. Motra, mos hiqni dorë. Kërkojeni Perëndinë me gjithë zemrën tuaj. Ushtroni besim. Ecni me drejtësi.

Ju premtoj që, nëse do ta bëni këtë – madje deri te kati i katërt, dera e fundit – ju do të merrni përgjigjet që kërkoni. Do të gjeni besim. Dhe një ditë ju do të mbusheni me dritën që shkëlqen “gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”13.

Motrat e mia të dashura në Krishtin, Perëndia është i vërtetë.

Ai jeton.

Ai ju do.

Ai ju njeh.

Ai ju kupton.

Ai i di përgjërimet e heshtura të zemrës suaj.

Ai nuk ju ka braktisur.

Ai nuk do t’ju lërë pas dore.

Është dëshmia dhe bekimi im apostolik për secilën prej jush se ju do ta ndieni vetë në zemrën e mendjen tuaj këtë të vërtetë fisnike. Jetoni me besim, mikesha të dashura, motra të dashura dhe “Zoti, Perëndia ynë, [do t’ju] bë[jë] njëmijë herë më të shumt[a] dhe [do t’ju] bekoj[ë] ashtu si ju ka premtuar!”14

Ju lë besimin tim, bindjen time dhe sigurinë e dëshminë time të palëkundshme se kjo është vepra e Perëndisë. Në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë të dashur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.