2010–2019
Nuk Ka Gëzim më të Madh sesa të Dimë që Ata e Dinë
Tetor 2016


Nuk Ka Gëzim më të Madh sesa të Dimë që Ata e Dinë

Nuk e di në ka ndonjë gjë në këtë botë që mund të sjellë më shumë lumturi e gëzim sesa të dimë që fëmijët tanë e njohin Shpëtimtarin.

Vëllezër dhe motra, kohët e fundit kam përsiatur këtë pyetje: “Nëse gjithçka që fëmijët tuaj do të dinin për ungjillin, do të vinte nga ju – si burimi i tyre i vetëm – sa njohuri do të kishin ata?” Kjo pyetje gjen zbatim për të gjithë ata që i duan, i edukojnë dhe ushtrojnë ndikim te fëmijët.

A ka ndonjë dhuratë më të madhe që ne mund t’u japim fëmijëve tanë sesa një kujtim të rrënjosur thellë në zemrat e tyre që ne e dimë se Shëlbuesi ynë jeton? A e dinë ata se ne e dimë? Dhe më me rëndësi, a kanë arritur ata vetë ta dinë se Ai jeton?

Kur isha djalosh, për nënën time, unë isha fëmija më i prapë për ta rritur. Unë kisha një tepri energjie. Nëna ime më thotë se frika e saj më e madhe ishte se unë nuk do t’ia dilja ta arrija moshën e rritur. Thjesht isha tepër aktiv.

Më kujtohet kur isha djalë i vogël, i ulur me familjen tonë në një mbledhje të veçantë sakramenti. Nëna ime sapo kishte marrë një komplet të ri të shkrimeve të shenjta. Ky komplet i ri i bashkonte të gjitha veprat standarde në një botim të bashkëlidhur dhe pikërisht në qendër kishte letra me vija për mbajtjen e shënimeve.

Gjatë mbledhjes, unë i kërkova nëse mund t’i mbaja shkrimet e saj të shenjta. Me shpresën për të nxitur nderimin tek unë, ajo m’i vendosi te ndenjësja. Ndërsa i këqyra shkrimet e saj të shenjta, vura re se ajo kishte shkruar një qëllim personal në seksionin e shënimeve. Për t’ju dhënë kontekstin prapa qëllimit të saj, më duhet t’ju them se unë jam fëmija i dytë nga gjashtë fëmijë dhe emrin e kam Bret. Nëna ime kishte shkruar me të kuqe vetëm një qëllim: “Durim me Bretin!”

Si provë të mëtejshme për t’ju ndihmuar të kuptoni sfidën që prindërit e mi hasën në rritjen e familjes sonë, më lejoni t’ju tregoj për leximin tonë familjar të shkrimeve të shenjta. Çdo mëngjes, nëna ime na e lexonte Librin e Mormonit gjatë vaktit të mëngjesit. Gjatë kësaj kohe, unë dhe vëllai im më i madh, Dejvi, do të rrinim ulur pa zhurmë, por pa nderim. Për të qenë plotësisht të hapur, ne nuk dëgjonim. Ne lexonim tekstin në kutitë e drithërave.

Më në fund, një mëngjes, vendosa të përballesha haptazi me nënën time. Unë bërtita: “Nënë, përse po na e bën këtë? Përse po e lexon Librin e Mormonit çdo mëngjes?” Më pas lëshova një deklaratë që ndihem i turpëruar ta pranoj. Në fakt, nuk më besohet që e thashë me të vërtetë atë. Unë i thashë: “Nënë, unë nuk po dëgjoj!”

Përgjigjja e saj e dashur qe një çast vendimtar në jetën time. Ajo tha: “Bir, unë isha në një mbledhje ku Presidenti Marion G. Romni dha mësim për bekimet nga leximi i shkrimeve të shenjta. Gjatë kësaj mbledhjeje, unë mora një premtim që, nëse do t’ua lexoja Librin e Mormonit fëmijëve të mi çdo mëngjes, unë nuk do t’i humbja ata.” Pastaj më pa drejt e në sy dhe, me një vendosmëri absolute, tha: “Dhe unë nuk do të të humbas ty!”

Fjalët e saj më therën në zemër. Pavarësisht nga papërsosuritë e mia, unë ia vleja të shpëtohesha! Ajo më mësoi të vërtetën e përjetshme që unë jam një bir i një Ati të dashur Qiellor. Unë mësova se, pavarësisht nga rrethana, unë kisha vlerë. Ky qe një çast i përsosur për një djalë të vogël të papërsosur.

Unë jam përjetësisht mirënjohës për nënën time engjëllore dhe për të gjithë engjëjt që i duan fëmijët përsosurisht, pavarësisht nga papërsosuritë e tyre. Unë besoj në mënyrë të patundur se të gjitha motrat – unë do t’i quaj ato “engjëj” – janë nëna në Sion, qoftë nëse janë apo jo të martuara apo lindin fëmijë gjatë kësaj përvojë tokësore.

Vite me parë Presidenca e Parë shpalli: “Mëmësia është pranë hyjnueshmërisë. Ajo përbën shërbimin më të lartë, më të shenjtë që njerëzimi mund të bëjë. Mëmësia e vendos atë që e nderon thirrjen dhe shërbimin e saj të shenjtë, krah engjëjve.”1

Unë jam mirënjohës për engjëjt anembanë Kishës që ia shpallin me guxim dhe dashuri të vërtetën e përjetshme fëmijëve të Atit Qiellor.

Unë jam mirënjohës për dhuratën e Librit të Mormonit. Unë e di se ai është i vërtetë! Ai përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Unë nuk di të ketë ndonjë që po e lexon me zell Librin e Mormonit çdo ditë me qëllim të vërtetë dhe me besim në Krishtin, që ta ketë humbur dëshminë e vet dhe të jetë larguar. Premtimi profetik i Moronit përmban në vetvete çelësin për të ditur të vërtetën e të gjitha gjërave – përfshirë pasjen e aftësisë për t’i dalluar dhe shmangur mashtrimet e kundërshtarit. (Shih Moroni 10:4–5.)

Unë jam gjithashtu mirënjohës për një Atë të dashur Qiellor dhe për Birin e Tij, Jezu Krishtin. Shpëtimtari dha shembullin e përsosur të mënyrës se si të jetojmë në një botë të papërsosur dhe të padrejtë. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjoni 4:19). Dashuria e Tij për ne është e pamatshme. Ai është miku ynë më i vërtetë. Atij djersa “[iu] bë si gjak i mpiksur” për ju dhe gjithashtu për mua (Lluka 22:44). Ai i fali ata, të cilët në dukje nuk mund të faleshin. Ai i deshi ata, për të cilët nuk mund të kishe dashuri. Ai bëri atë që asnjë i vdekshëm nuk mund ta bënte: Ai siguroi një Shlyerje për të kapërcyer shkeljet, dhembjet dhe sëmundjet e të gjithë njerëzimit.

Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të jetojmë duke pasur premtimin se, pavarësisht se cilat mund të jenë vështirësitë tona, ne mund të kemi përherë shpresë në Atë “që është i fuqishëm të shpëtojë” (2 Nefi 31:19). Për shkak të Shlyerjes së Tij, ne mund të kemi gëzim, paqe, lumturi dhe jetë të përjetshme.

Presidenti Bojd K. Paker shpalli: “Me përjashtim të atyre pak njerëzve që i bashkohen humbjes së përjetshme, nuk ka asnjë zakon, asnjë varësi, asnjë rebelim, asnjë shkelje, asnjë braktisje, asnjë krim që bën përjashtim nga premtimi i faljes së plotë. Ai është premtimi i shlyerjes së Krishtit.”2

Një prej ngjarjeve më të mrekullueshme në historinë njerëzore është vizita shërbestare e Shpëtimtarit te banorët e lashtë të Amerikës. Përfytyroni në mendjen tuaj se si do të ishte po të kishit qenë atje. Teksa kam përsiatur përkujdesjen e Tij të dashur e të dhembshur për atë grup shenjtorësh të mbledhur tek tempulli, kam reflektuar për fëmijët [tanë] individualisht, të cilët unë i dua më shumë se vetë jetën. Jam përpjekur ta parafytyroj mënyrën se si do të ndihesha t’i shihja të vegjlit tanë, të dëshmoja personalisht Shpëtimtarin teksa e ftonte secilin fëmijë që të vinte tek Ai, të dëshmoja krahët e shtrirë të Shpëtimtarit, të isha i pranishëm teksa secili fëmijë, një nga një, të ndiente butësisht gjurmët në duart e Tij dhe në këmbët e Tij dhe pastaj ta shihja secilin prej tyre të ngrihej dhe të jepte dëshmi se Ai jeton! (Shih 3 Nefi 11:14–17; shih edhe 17:21; 18:25.) T’i shihja fëmijët tanë të ktheheshin e të thoshin: “Mami, Babi, është Ai, [Shpëtimari]!”

Pamja
Shpëtimtari me fëmijët

Nuk e di në ka ndonjë gjë në këtë botë që mund të sjellë më shumë lumturi e gëzim sesa të dimë që fëmijët tanë e njohin Shpëtimtarin, të dimë që ata e dinë “se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”. Ajo është arsyeja përse, si anëtarë të Kishës, “ne predikojmë për Krishtin” dhe ne dëshmojmë për Krishtin (2 Nefi 25:26).

  • Ajo është arsyeja përse ne lutemi me fëmijët tanë çdo ditë.

  • Ajo është arsyeja përse ne i lexojmë shkrimet e shenjta me ta çdo ditë.

  • Ajo është arsyeja përse ne i mësojmë ata t’u shërbejnë të tjerëve, në mënyrë që ata të mund të kenë bekimet e gjetjes së vetes kur e humbasin veten në shërbim të të tjerëve (shih Marku 8:35; Mosia 2:17).

Kur ia përkushtojmë veten këtyre modeleve të thjeshta të dishepullimit, ne i fuqizojmë fëmijët tanë me dashurinë e Shpëtimtarit [për ta] dhe me udhërrëfim e mbrojtje hyjnore, teksa përballen me erërat e egra të kundërshtarit.

Ungjilli me të vërtetë ka të bëjë me individin. Ai ka të bëjë me një dele të humbur (shih Lluka 15:3–7); ka të bëjë me një grua samaritane te pusi (shih Gjoni 4:5–30); ka të bëjë me një djalë plëngprishës (shih Lluka 15:11–32).

Dhe Ai ka të bëjë me një djalë të vogël që mund të pretendojë se nuk po dëgjon.

Ka të bëjë me atë që çdonjëri prej nesh – sado i papërsosur të mund të jetë – të bëhet një me Shpëtimtarin ashtu si Ai është një me Atin e Tij (shih Gjoni 17:21).

Unë dëshmoj se ne kemi një Atë të dashur Qiellor, që na njeh me emër! Dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i gjallë i Perëndisë së gjallë. Ai është i Vetëmlinduri dhe Avokati ynë me Atin. Unë dëshmoj më tej se shpëtimi vjen në emrin e Tij dhe nëpërmjet emrit të Tij – dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Është lutja ime që ne do t’i përkushtojmë zemrat tona dhe duart tona për të ndihmuar të gjithë fëmijët e Atit Qiellor që ta njohin Atë dhe ta ndiejnë dashurinë e Tij. Teksa e bëjmë atë, Ai na premton gëzim dhe lumturi të përjetshme në këtë botë dhe në botën që do të vijë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Message of the First Presidency”, në Conference Report, tetor 1942, f. 12–13; lexuar nga Presidenti J. Reuben Clark Jr.

  2. Boyd K. Packer, “The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 20.