2010–2019
O sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!
Tetor 2016


O sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!

Ne rrethohemi nga një pasuri e tillë mahnitëse e dritës dhe e së vërtetës, saqë pyes veten nëse e vlerësojmë vërtet atë që kemi.

Sa të bekuar jemi që të mblidhemi sërish në këtë konferencë mbarëbotërore nën drejtimin dhe udhëheqjen e profetit dhe Presidentit tonë të dashur, Tomas S. Monsonit. President, ne ju duam dhe ju mbështetim me gjithë zemër!

Gjatë jetës sime profesionale si pilot, mbështetesha shumë te përpikëria dhe besueshmëria e sistemeve kompjuterike, por rrallë m’u desh ta përdorja kompjuterin tim vetjak. Në punën time në zyrë si drejtues, pata ndihmës e sekretarë që më ndihmonin me dashamirësi për detyrat.

Kjo e gjitha ndryshoi në vitin 1994, kur u thirra si Autoritet i Përgjithshëm. Thirrja ime përbëhej nga shumë mundësi të mrekullueshme për të shërbyer, por gjithashtu përfshinte një mori punësh zyrte të Kishës – më shumë nga ç’e kisha menduar ndonjëherë të mundshme.

Për habinë time, mjeti kryesor që t’i qëndroja punës sime në krye, ishte një kompjuter vetjak.

Për herë të parë në jetën time, m’u desh të rrëmoja në këtë botë të çuditshme, të mistershme, të pakuptueshme.

Që nga fillimi, kompjuteri dhe unë nuk ishim tepër miqësorë.

Njerëz të zotë me teknologjinë u përpoqën të më mësonin se si ta përdorja kompjuterin. Me plot kuptimin e fjalës ata qëndruan mbrapa meje, duke u zgjatur mbi supin tim, duke i lëvizur gishtat e tyre me të shpejtë dhe duke luajtur një simfoni goditjesh nëpër tastierë.

“E sheh?” do të thonin ata me krenari. “Ja kështu bëhet.”

Unë nuk e shihja. Ishte një periudhë e vështirë kalimtare.

Lakorja ime e të mësuarit i ngjante më shumë një muri tullash.

U desh një shumicë kohe, përsëritjeje, durimi, një sasi jo e vogël shprese e besimi, shumë sigurim i përsëritur nga bashkëshortja ime dhe shumë litra të një pijeje jokalorike me gaz që do të mbetet pa emër.

Tani, 22 vjet më vonë, unë rrethohem nga teknologjia kompjuterike. Kam një adresë të postës elektronike, një llogari në Twitter dhe një faqe në Facebook. Kam një telefon inteligjent, një kompjuter dore, një kompjuter të lëvizshëm dhe një kamera dixhitale. Dhe, ndërkohë që aftësitë e mia teknologjike mund të mos maten as me ato të një shtatëvjeçari të zakonshëm, për dikë në të shtatëdhjetat, jam goxha mirë.

Por kam vënë re diçka interesante. Sa më i aftë që bëhem me teknologjinë, aq më shumë e marr atë si të mirëqenë.

Gjatë një pjese të madhe të historisë njerëzore, komunikimi ndodhi aq shpejt saç ecte një kalë. Dërgimi i një mesazhi dhe marrja e një përgjigjeje mund të zgjaste ditë ose madje muaj. Sot mesazhet tona udhëtojnë mijëra kilometra në qiell ose mijëra metra nën oqeane për të arritur dikë në anën tjetër të botës dhe, nëse ka ndonjë vonesë prej madje pak sekondash, ne acarohemi e bëhemi të paduruar.

Duket se është natyra njerëzore: kur familjarizohemi më tepër me diçka, madje diçka të mrekullueshme dhe që frymëzon mahnitje, ne e humbasim ndjesinë tonë të mahnitjes dhe e trajtojmë atë si diçka të rëndomtë.

A i Marrim si të Mirëqena të Vërtetat Shpirtërore?

Marrja si të mirëqena e teknologjive dhe e lehtësirave tona bashkëkohore mund të jetë një çështje relativisht e vogël. Por, trishtueshëm, nganjëherë ne mbajmë një qëndrim të ngjashëm kundrejt doktrinës së përjetshme dhe shpirtlartësuese të ungjillit të Jezu Krishtit. Në Kishën e Jezu Krishtit, neve na është dhënë kaq shumë. Rrethohemi nga një pasuri e tillë mahnitëse e dritës dhe e së vërtetës, saqë pyes veten nëse e vlerësojmë vërtet atë që kemi.

Mendoni për ata dishepuj të hershëm, të cilët ecën dhe folën me Shpëtimtarin gjatë shërbesës së Tij tokësore. Përfytyroni falënderimin e nderimin që duhej të kishte vërshuar në zemrat e tyre dhe duhej të kishte mbushur mendjet e tyre kur e panë Atë të ngritur nga varri, kur i ndien plagët në duart e Tij. Jeta e tyre nuk do të ishte më kurrë e njëjta!

Mendoni për shenjtorët e hershëm të kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore, të cilët e njohën Profetin Jozef Smith dhe e dëgjuan të predikonte ungjillin e rivendosur. Përfytyroni se si duhej të ishin ndier që të dinin se veli midis qiellit e tokës ishte larguar sërish, duke lëshuar dritë e dituri mbi këtë botë nga shtëpia jonë çelestiale lart.

Por mbi të gjitha, mendoni se si u ndiet kur për herë të parë ju besuat dhe kuptuat se jeni me të vërtetë fëmijë i Perëndisë; se Jezu Krishti vuajti në mënyrë të vullnetshme për mëkatet tuaja që ju të mund të jeni të pastër përsëri; se fuqia e priftërisë është e vërtetë dhe mund t’ju lidhë me njerëzit tuaj të dashur për kohën e për gjithë përjetësinë; se ka një profet të gjallë në tokë sot. A s’është kjo e mrekullueshme dhe mahnitëse?

Duke marrë parasysh tërë këtë, si mundet vallë të jetë e mundur që ne, nga të gjithë njerëzit, nuk do të jemi të emocionuar për pjesëmarrjen në shërbesat e adhurimit të Kishës sonë? Apo të lodhemi nga leximi i shkrimeve të shenjta? Hamendësoj se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse zemrat tona do ta kishin humbur ndjesinë për të përjetuar mirënjohje dhe mahnitje për dhuratat e shenjta dhe hyjnore që na i ka dhënë Perëndia. Të vërtetat jetëndryshuese janë përpara syve tanë dhe në pëllëmbët e duarve tona, por ne nganjëherë ecim përgjumësh në shtegun e dishepullimit. Shumë shpesh ia lejojmë vetvetes që të na tërhiqet vëmendja prej papërsosurive të bashkanëtarëve tanë, në vend që të ndjekim shembullin e Mësuesit tonë. Ne shkelim në një shteg të shtruar me diamante, por mezi mund t’i dallojmë ato nga guralecët e rëndomtë.

Një Mesazh i Njohur

Kur isha i ri, shokët e mi do të më pyetnin rreth fesë sime. Shpesh do të filloja të shpjegoja ndryshimet, si Fjala e Urtësisë. Herë të tjera do të theksoja ngjashmëritë me fetë e tjera të krishtera. Asnjë prej këtyre nuk do t’iu bënte atyre shumë përshtypje. Por, kur flisja rreth planit të madhërishëm të lumturisë që Ati ynë në Qiell ka për ne si fëmijët e Tij, më kushtonin vëmendje.

Më kujtohet që përpiqesha ta vizatoja planin e shpëtimit në tabelë në një klasë të godinës sonë kishtare në Frankfurt të Gjermanisë. Bëja rrathë që përfaqësonin jetën para lindjes, vdekshmërinë dhe kthimin te Prindërit tanë Qiellorë pas kësaj jete.

Kur isha adoleshent, sa shumë doja që ta shpërndaja këtë mesazh emocionues. Kur i shpjegoja këto parime me vetë fjalët e mia të thjeshta, zemra ime do të pushtohej me mirënjohje për një Perëndi që i do fëmijët e Tij dhe një Shpëtimtar që na shëlboi ne të gjithëve nga vdekja dhe ferri. Isha kaq krenar për këtë mesazh dashurie, gëzimi e shprese.

Disa nga shokët e mi do të thonin se ky mesazh dukej i njohur, edhe pse gjëra të tilla nuk ua kishin mësuar kurrë në edukimin e tyre fetar. Ishte sikur ta kishin ditur gjithmonë se këto gjëra qenë të vërteta, sikur unë thjesht po hidhja dritë mbi diçka që kishte hedhur rrënjë gjithmonë dhe thellësisht në zemrat e tyre.

Ne Kemi Përgjigje!

Besoj se çdo qenie njerëzore mbart në zemrën e vet një formë të pyetjeve thelbësore lidhur me vetë jetën. Nga erdha? Përse jam këtu? Çfarë do të ndodhë pasi të vdes?

Këto lloj pyetjesh janë bërë nga njerëzit që nga agimi i kohës. Filozofët, studiuesit dhe ekspertët i kanë harxhuar jetën dhe pasuritë e tyre duke kërkuar përgjigjet.

Jam mirënjohës që ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit ka përgjigje ndaj pyetjeve më të ndërlikuara në jetë. Këto përgjigje jepen mësim në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ato janë të vërteta, të qarta, të drejtpërdrejta dhe të lehta për t’u kuptuar. Ato janë të frymëzuara dhe ne ua japim mësim trevjeçarëve tanë në klasën e Rrezeve të Diellit.

Vëllezër e motra, ne jemi qenie të përjetshme, pa fillim e pa mbarim. Ne kemi ekzistuar gjithmonë.1 Ne jemi fëmijë të mirëfilltë shpirtërorë të Prindërve Qiellorë të pavdekshëm, hyjnorë dhe të gjithëfuqishëm!

Ne vijmë nga oborret qiellore të Zotit, Perëndisë tonë. Ne jemi të shtëpisë mbretërore të Elohimit, Më të Lartit Perëndi. Ecëm me Të në jetën tonë para lindjes. E dëgjuam Atë të fliste, e dëshmuam madhështinë e Tij, i mësuam udhët e Tij.

Unë dhe ju morëm pjesë në një Këshill të Madh ku Ati ynë i dashur paraqiti planin e Tij për ne – që ne do të vinim në tokë, do të merrnim trupa të vdekshëm, do të mësonim të zgjidhnim midis së mirës e së keqes dhe do të përparonim në mënyra që përndryshe nuk do të ishin të mundura.

Kur kaluam përmes velit dhe hymë në këtë jetë të vdekshme, ne e dinim se nuk do ta kujtonim më jetën e mëparshme. Do të kishte kundërshtim, vështirësi dhe tundim. Por gjithashtu e dinim që marrja e një trupi fizik ishte me rëndësi të pashoqe për ne. O, sa shpresuam se do ta mësonim shpejt që të bënim zgjedhjet e duhura, t’u bënim ballë tundimeve të Satanit dhe më së fundi të ktheheshim te Prindërit tanë të dashur në Qiell.

E dinim se do të mëkatonim dhe do të bënim gabime – ndoshta edhe të rënda. Por e dinim edhe se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, kishte besëlidhur që të vinte në tokë, të jetonte një jetë të pamëkatë dhe ta jepte vullnetarisht jetën e Tij si një flijim të përjetshëm. E dinim që, po t’ia jepnim zemrën tonë Atij, të mirëbesonim tek Ai dhe të përpiqeshim me gjithë energjinë e frymës sonë që të ecnim në shtegun e dishepullimit, ne mund të pastroheshim dhe sërish të hynim në praninë e Atit tonë të dashur në Qiell.

Kështu, me besim në flijimin e Jezu Krishtit, unë dhe ju e pranuam, me vullnetin tonë të lirë, planin e Atit Qiellor.

Kjo është arsyeja pse jemi këtu në këtë planet të bukur, në tokë – sepse Perëndia na e ofroi mundësinë dhe ne zgjodhëm ta pranonim atë. Megjithatë, jeta jonë në vdekshmëri është vetëm e përkohshme dhe do të mbarojë me vdekjen e trupit tonë fizik. Por thelbi i asaj që unë dhe ju jemi, nuk do të shkatërrohet. Shpirtrat tanë do të vazhdojnë të jetojnë e të presin Ringjalljen – një dhuratë pa çmim për të gjithë nga Ati ynë i dashur Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.2 Në Ringjallje, shpirtrat dhe trupat tanë do të ribashkohen, të çliruar nga dhembja dhe të metat fizike.

Pas Ringjalljes, do të ketë një Ditë të Gjykimit. Ndërkohë që të gjithë më së fundi do të shpëtohen e trashëgojnë një mbretëri lavdie, ata që mirëbesojnë në Perëndinë dhe përpiqen t’i ndjekin ligjet dhe ordinancat e Tij, do të trashëgojnë jetë në përjetësitë që janë të papërfytyrueshme nga lavdia dhe mbizotëruese nga madhështia.

Ajo Ditë e Gjykimit do të jetë një ditë e mëshirës dhe e dashurisë – një ditë kur zemrat e thyera shërohen, kur lotët e pikëllimit zëvendësohen nga lotët e mirënjohjes, kur gjithçka do të vihet në rregull.3

Po, do të ketë hidhërim të thellë për shkak të mëkatit. Po, do të ketë keqardhje dhe madje ankth për shkak të gabimeve tona, marrëzisë sonë dhe kokëfortësisë sonë që na bënë të humbasim mundësitë për një të ardhme më të madhërishme.

Por kam vetëbesim se ne jo vetëm që do të jemi të kënaqur me gjykimin e Perëndisë; ne gjithashtu do të mahnitemi dhe pushtohemi nga hiri, mëshira, bujaria dhe dashuria e Tij e pafundme për ne, fëmijët e Tij. Nëse dëshirat dhe veprat tona janë të mira, nëse kemi besim në një Perëndi të gjallë, atëherë ne mund ta presim me dëshirë atë që Moroni e quajti “shufr[a e] këndshme [e] Jehovait të madh, Gjykatësit të Përjetshëm”4.

Pro Tanto Quid Retribuamus

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur, a nuk u mbushet zemra dhe mendja juaj me habitje e mahnitje kur mendoni për planin e madhërishëm të lumturisë që Ati ynë Qiellor e ka përgatitur për ne? A nuk mbushemi me gëzim të patregueshëm kur dimë për të ardhmen e lavdishme që është përgatitur për të gjithë ata që shpresojnë te Zoti?

Nëse nuk e keni ndier kurrë një dashuri dhe gëzim të tillë, unë ju ftoj t’i hetoni, studioni dhe përsiatni të vërtetat e thjeshta por njëkohësisht të thellësishme të ungjillit të rivendosur. “I lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnë në mendjet tuaja.”5 I lini t’ju japin dëshmi për planin hyjnor të shpëtimit.

Nëse i keni ndier këto gjëra më parë, unë ju pyes sot: “A ndiheni kështu tani?”6

Kohët e fundit pata mundësinë të udhëtoj për në Belfast të Irlandës Veriore. Ndërkohë që isha atje, vura re Stemën e Belfastit, e cila përfshin moton: “Pro tanto quid retribuamus” ose “Çfarë do të japim si shkëmbim për kaq shumë që kemi?”7

E ftoj secilin prej nesh që ta marrë në konsideratë këtë pyetje. Çfarë do të japim si shkëmbim për vërshimin e dritës dhe të së vërtetës që Perëndia e ka derdhur mbi ne?

Ati ynë i dashur thjesht kërkon që ne të jetojmë sipas së vërtetës që kemi marrë dhe që ne ta ndjekim shtegun që Ai ka siguruar. Prandaj gjetshim guxim dhe mirëbesim në udhërrëfimin e Shpirtit. Shpërndafshim me fjalë e me vepra me bashkënjerëzit tanë mesazhin e mahnitshëm dhe mbresëlënës të planit të Perëndisë për lumturinë. Qoftë motivi ynë dashuria jonë për Perëndinë dhe për fëmijët e Tij, sepse ata janë vëllezërit e motrat tona. Ky është fillimi i asaj që mund të bëjmë si shkëmbim për kaq shumë.

Një ditë “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë” se udhët e Perëndisë janë të drejta dhe plani i Tij është i përsosur.8 Për ju dhe mua, qoftë ajo ditë sot. Shpallshim me Jakobin e lashtë: “O sa i madh plani i Perëndisë tonë!”9

Për këtë unë dëshmoj, me mirënjohje të thellë ndaj Atit tonë Qiellor, teksa ju lë bekimin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.