2010–2019
Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme
Tetor 2016


Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme

Pendimi është jo vetëm i mundshëm, por edhe i gëzueshëm në saje të Shpëtimtarit tonë.

Të dashur vëllezër e motra të mia, kur isha 12 vjeç, familja ime jetonte në Gëteborg, një qytet bregdetar në Suedinë jugore. Ju kujtoj që ai është qyteti i lindjes së kolegut tonë të dashur Plakut Per G. Malm1, i cili ndërroi jetë këtë verë. Ne e ndiejmë mungesën e tij. Ne jemi mirënjohës për fisnikërinë e tij, shërbimin e tij fisnik dhe për shembullin e familjes së tij absolutisht të adhurueshme. Dhe sigurisht lutemi që bekimet më të pasura të Perëndisë të jenë të tyret.

Pesëdhjetë vjet përpara, ne shkonim në kishë te një shtëpi e madhe e rimodeluar. Një të diel, miku im Stefani2, i vetmi dhjak në degë veç meje, më përshëndeti në kishë me një farë gëzimi. Ne shkuam te hapësira rezervë në sallën kishtare dhe ai nxori nga xhepi i vet një fishekzjarr të madh dhe disa shkrepëse. Me një veprim kuraje rinore, unë e mora fishekzjarrin dhe ndeza fitilin e gjatë gri. Unë doja ta shuaja fitilin përpara se të shpërthente. Por, kur dogja gishtat duke u përpjekur ta shuaja, e lëshova fishekzjarrin. Stefani dhe unë vështronim të tmerruar ndërsa fitili vijonte të digjej.

Fishekzjarri shpërtheu dhe tymra sulfurorë mbushën hapësirën rezervë dhe sallën e kishës. Ne mblodhëm me nxitim mbetjet e shpërndara të fishekzjarrit dhe hapëm dritaret në përpjekje për të larguar kundërmimin, duke shpresuar me naivitet se askush nuk do ta vinte re. Fatmirësisht, askush nuk u dëmtua dhe nuk u bë asnjë dëm.

Kur anëtarët erdhën në mbledhje, ata ndien kundërmimin. Ishte e vështirë të mos e ndieje. Kundërmimi të shpërqendronte nga atmosfera e shenjtë e mbledhjes. Ngaqë kishte aq pak mbajtës të priftërisë Aarone – dhe në atë që mund të përshkruhet vetëm si shkëputje e mendjes – unë e shpërndava sakramentin, por prapë nuk ndihesha i denjë që ta merrja. Kur m’u ofrua tabakaja e sakramentit, unë nuk mora as bukën as ujin. U ndjeva shumë keq. Isha në siklet dhe e dija se ajo që pata bërë, e kishte mërzitur Perëndinë.

Pas kishës, presidenti i degës, Frank Lindbergu, një burrë i moshuar, i shquar, me flokë të thinjur ngjyrë argjendi, më kërkoi të shkoja në zyrën e tij. Pasi u ula, ai më vështroi me mirësi dhe tha se pati vënë re që unë nuk e pata marrë sakramentin. Ai më pyeti përse. Dyshoj se e dinte arsyen. Isha i sigurt se secili e dinte se çfarë kisha bërë. Pasi i tregova, ai më pyeti se si ndihesha. Përmes lotësh, me ndalesa i tregova se më vinte keq dhe se e dija që e pata zhgënjyer Perëndinë.

Presidenti Lindberg hapi një kopje shumë të përdorur të librit Doktrina e Besëlidhje dhe më kërkoi të lexoja disa vargje të nënvizuara. Unë lexova sa më poshtë me zë të lartë:

“Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.

Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato.”3

Nuk do ta harroj kurrë buzëqeshjen zemërdhembshur të Presidentit Lindberg kur ngrita vështrimin pasi pata mbaruar leximin. Me pak emocion, ai më tha se ndjente se do të ishte në rregull që të rifilloja ta merrja sakramentin. Duke u larguar nga zyra e tij, ndieja një gëzim të papërshkrueshëm.

Ky lloj gëzimi është një nga rezultatet që vijnë vetiu prej pendimit. Fjala pendim do të thotë “të perceptosh më pas” dhe nënkupton “ndryshim”4. Në suedisht, fjala është omvänd, që thjesht do të thotë “të kthehesh prapa”.5 Shkrimtari i krishterë, C. S. Ljuis, shkroi mbi nevojën dhe mënyrën për ndryshim. Ai vuri në dukje se pendimi përfshin “rivendosjen përsëri në rrugë të drejtë. Një shumë [matematikore] e gabuar mund të ndreqet”, tha ai, “por vetëm duke u kthyer prapa gjersa të gjesh gabimin e të veprosh nga e para nga ajo pikë, [e gabimit], asnjëherë thjesht duke vazhduar”.6 Ndryshimi i sjelljes sonë dhe rikthimi te “rruga e drejtë” janë pjesë e pendimit, por vetëm pjesë. Pendimi i vërtetë përfshin gjithashtu kthimin e zemrës dhe vullnetit tonë te Perëndia dhe heqjen dorë prej mëkatit.7 Siç shpjegohet tek Ezekieli, të pendohesh është të “largohe[sh] nga mëkati, … [të] krye[sh] atë që është e ndershme dhe e drejtë, … [të] kthe[sh] atë që [ke] vjedhur, … dhe [të] ecë[sh] sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi”8.

Përsëri edhe ky është një përshkrim i paplotë. Ai nuk e përcakton siç duhet fuqinë që e bën të mundur pendimin, sakrificën shlyese të Shpëtimtarit tonë. Pendimi i vërtetë duhet të përfshijë besimin te Zoti Jezu Krisht, besimin se Ai mund të na ndryshojë, besimin se Ai mund të na falë dhe besimin se Ai do të na ndihmojë të shmangim gabime të tjera. Ky lloj besimi e bën Shlyerjen e Tij të efektshme në jetën tonë. Kur “perceptojmë më pas” dhe “kthehemi prapa” me ndihmën e Shpëtimtarit, ne mund të ndiejmë shpresë te premtimet e Tij dhe gëzimin e faljes. Pa Shëlbuesin, shpresa dhe gëzimi i vetvetishëm i pendimit avullojnë dhe pendimi bëhet thjesht një sjellje e mjerë modifikimi. Por duke ushtruar besim tek Ai, ne bëhemi të kthyer tek aftësia dhe gatishmëria e Tij për të falur mëkatin.

Presidenti Bojd K. Paker pohoi premtimet shpresëdhënëse të pendimit në konferencën e tij të fundit të përgjithshme në prill të 2015-ës. Ai e përshkroi fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit për të shëruar në atë që unë e quaj si ajkën e urtësisë së fituar gjatë një gjysmë shekulli shërbimi apostullor. Presidenti Paker tha: “Shlyerja nuk lë as traga as gjurmë. Ajo që ndreq, është e ndrequr. … Ajo vetëm shëron dhe ajo çka shërohet prej saj, mbetet e shëruar”9.

Ai vazhdoi:

“Shlyerja, të cilën mund ta marrë secili prej nesh, nuk mbart asnjë shenjë. Kjo do të thotë që, pavarësisht nga ajo që kemi bërë ose ku kemi qenë apo se si ndodhi diçka, nëse me të vërtetë pendohemi, [Shpëtimtari] na ka premtuar që do të shlyente. Dhe, kur Ai e bëri Shlyerjen, ajo gjë u zgjidh. …

“… Shlyerj[a] … mund të na pastrojë nga çdo njollë, pavarësisht nga sa e vështirë ose për sa kohë apo për sa herë është përsëritur.”10

Shtrirja e Shlyerjes së Shpëtimtarit është e pafundme në gjerësi dhe thellësi për ju dhe për mua. Por ajo kurrë nuk do të vihet me detyrim mbi ne. Sikurse shpjegoi profeti Lehi, pasi jemi “udhëzuar mjaftueshëm” që të “kuptoj[m]ë të mirën nga e keqja”11, ne “[jemi] të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhi[m] robërinë dhe vdekjen”12. Me fjalë të tjera, pendimi është një zgjedhje.

Ne mund – dhe ndonjëherë bëjmë – zgjedhje të ndryshme. Zgjedhje të tilla mund të mos duken të gabuara në vetvete, por na pengojnë të bëhemi vërtet të penduar e kështu ndalin kërkimin tonë për pendim të vërtetë. Për shembull, mund të zgjedhim të fajësojmë të tjerë. Si 12-vjeçar në Gëteborg, unë mund të kisha fajësuar Stefanin. Ishte së pari ai që solli në kishë fishekzjarrin e madh dhe shkrepëset. Por fajësimi i të tjerëve, edhe nëse i justifikuar, na bën të shfajësohemi për sjelljen tonë. Duke vepruar kështu ne ua kalojmë të tjerëve përgjegjësinë për veprimet tona. Kur përgjegjësia u kalohet të tjerëve, ne zvogëlojmë si nevojën edhe aftësinë tonë për të vepruar. Ne e kthejmë veten më shumë në viktima të pafata, sesa në njerëz të aftë për veprim të pavarur.13

Një zgjedhje tjetër që pengon pendimin, është zvogëlimi i gabimeve tona. Në ngjarjen e fishekzjarrit në Gëteborg, askush nuk u dëmtua, nuk u bë as ndonjë dëm i përhershëm dhe mbledhja sidoqoftë u mbajt. Mund të ishte e lehtë të thuhej se nuk kishte arsye për pendesë. Por, zvogëlimi i gabimeve tona, edhe kur nuk duken pasoja të menjëhershme, largon shtysën për ndryshim. Kjo mënyrë të menduari na pengon të shohim se gabimet dhe mëkatet tona kanë pasoja të përjetshme.

Gjithashtu një mënyrë tjetër është të mendosh se mëkatet tona nuk kanë rëndësi ngaqë Perëndia na do pavarësisht nga çfarë bëjmë. Është tunduese t’i besosh asaj që i dha mësim Nehori mashtrues popullit të Zarahemlës: “I gjithë njerëzimi duhet të shpëtohet ditën e fundit dhe se ata nuk duhej të kishin frikë, as të dridheshin, … dhe në fund të gjithë njerëzit do të kishin jetë të përjetshme”14. Por kjo ide joshëse është e gënjeshtërt. Perëndia vërtet na do. Sidoqoftë, ajo që bëjmë ka rëndësi për Të dhe për ne. Ai ka dhënë udhëzime të qarta se si duhet të sillemi. Ne i quajmë urdhërime këto. Miratimi i Tij dhe jeta jonë e përjetshme varen nga sjellja jonë, përfshirë gatishmërinë për të kërkuar me përulësi pendim të vërtetë15.

Për më tepër, ne heqim dorë nga pendimi i vërtetë kur zgjedhim ta ndajmë Perëndinë nga urdhërimet e Tij. Në fund të fundit, nëse sakramenti nuk do të ishte i shenjtë, nuk do të kishte rëndësi që kundërmimi i fishekzjarrit do ta dëmtonte mbledhjen e sakramentit në Gëteborg. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj sjelljeve mëkatare shpërfillëse që minojnë apo zhbëjnë autorësinë e Perëndisë mbi urdhërimet e Tij. Pendimi i vërtetë kërkon ta njohësh natyrën hyjnore të Shpëtimtarit dhe vërtetësinë e punës së Tij në ditët e mëvonshme.

Në vend të justifikimeve, le të zgjedhim pendimin. Nëpërmjet pendimit, ne mund të vijmë në vete, si djali plëngprishës te shëmbëlltyra16, dhe të reflektojmë mbi rëndësinë e përjetshme të veprimeve tona. Kur e kuptojmë se si mëkatet tona mund të ndikojnë te lumturia jonë e përjetshme, jo vetëm pendohemi vërtet, por gjithashtu përpiqemi të bëhemi më të mirë. Kur përballemi me tundim, ka më shumë gjasa ta pyesim veten, me fjalët e Uilliam Shekspirit:

“Çfarë fitoj unë, nëse e marr atë që kërkoj?

Një ëndërr, një frymëmarrje, një çast gëzimi kalimtar.

Kush e blen një minutë qejf me një javë vajtim,

Apo e shet përjetësinë për të marrë një lodër?”17

Nëse ne e kemi humbur nga sytë përjetësinë për hir të një lodre, ne mund të zgjedhim të pendohemi. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne kemi edhe një mundësi. Metaforikisht, ne mund ta këmbejmë lodrën që e blemë së pari, sipas një këshille aq të paarsyeshme, dhe të marrim përsëri shpresën e përjetësisë. Sikurse Shpëtimtari e shpjegoi: “Sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai”18.

Jezu Krishti mund të falë sepse Ai pagoi çmimin për mëkatet tona.19

Shëlbuesi ynë zgjedh të falë për shkak të dhembshurisë, mëshirës dhe dashurisë së Tij të pakrahasueshme.

Shpëtimtari dëshiron që të falë sepse kjo është një nga cilësitë e Tij hyjnore.

Dhe, si Bariu i Mirë që Ai është, Ai është i gëzuar kur ne zgjedhim të pendohemi.20

Edhe kur ndiejmë trishtim sipas Perëndisë për veprimet tona21, kur zgjedhim të pendohemi, ne menjëherë ftojmë Shpëtimtarin në jetën tonë. Sikurse dha mësim Amuleku: “Të vini dhe të mos ngurtësoni më zemrat tuaja; pasi vini re, tani është koha dhe dita e shpëtimit tuaj; dhe prandaj, në qoftë se ju do të pendoheni dhe nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja, plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju”22. Ne mund të ndiejmë trishtim sipas Perëndisë për veprimet tona dhe njëkohësisht ta ndiejmë gëzimin që kemi ndihmën e Shpëtimtarit.

Fakti që ne mund të pendohemi është lajmi i mirë i ungjillit!23 Faji mund të “fshi[het]24. Ne mund të mbushemi me gëzim, të marrim heqje të mëkateve tona dhe të kemi “paqe të ndërgjegjes”25. Ne mund të çlirohemi nga ndjenjat e dëshpërimit dhe zgjedha e mëkatit. Ne mund të mbushemi me dritën e mrekullueshme të Perëndisë dhe të mos “vua[jmë] më”26. Pendimi është jo vetëm i mundshëm, por edhe i gëzueshëm në saje të Shpëtimtarit tonë. Unë kujtoj ende ndjenjat që më përfshinë në zyrën e presidentit të degës pas ngjarjes me fishekzjarrin. Unë e dija se isha falur. Ndjenjat e mia të fajit u zhdukën, gjendja ime e zymtë u largua dhe zemra ime u lehtësua.

Vëllezër dhe motra, ndërsa po e përfundojmë këtë konferencë, unë ju ftoj të ndieni më shumë gëzim në jetën tuaj: gëzim në njohurinë se Shlyerja e Jezu Krishtit është e vërtetë; gëzim në aftësinë, gatishmërinë dhe dëshirën e Shpëtimtarit për të falur; dhe gëzim në zgjedhjen për t’u penduar. Le të ndjekim udhëzimin për të “[marrë] me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit”27. Zgjedhshim të pendohemi, të braktisim mëkatet tona, të kthejmë prapa zemrat dhe vullnetet tona për të ndjekur Shpëtimtarin tonë. Unë dëshmoj për realitetin e Tij të gjallë. Unë jam dëshmitar dhe marrës përsëritës i mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë së Tij të pakrahasueshme. Unë lutem që bekimet shëlbuese të Shlyerjes së Tij të mund të jenë tuajat tani – dhe përsëri dhe përsëri dhe përsëri gjatë gjithë jetës suaj28, sikurse kanë qenë të miat. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Plaku Per Gösta Malm (1948–2016) shërbeu si Autoritet I Përgjithshëm i Shtatëdhjetë nga viti 2010 deri në vdekje. Edhe pse i lindur në Jënkëping, Suedi, ai dhe bashkëshortja e tij, Agneta, e ngritën shtëpinë e tyre në Gëteborg të Suedisë. Në bisedën e tij të mrekullueshme në konferencën e përgjithshme të tetorit 2010, Plaku Malm foli gjithashtu për një kujtim nga Gëteborgu (shih “Prehuni në Shpirtrat Tuaj”, Liahona, nëntor 2010, f. 101–102).

  2. Edhe pse Stefan nuk është emri i vërtetë i mikut tim, ngjarja është treguar me lejen e tij.

  3. Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.

  4. Fjala greke metanoeo fjalë për fjalë do të thotë “‘të perceptosh më pas’ (meta, ‘pas’, në kuptimin ‘ndryshoj’, noeo, ‘të perceptosh’; nous, ‘mendja, vendi i reflektimit moral’)” (shih James Strong, The New Strong’s Expanded Exhaustive Concordance of the Bible [2010], seksioni i fjalorit grek, f. 162).

  5. Përkthimi im i omvänd. Om mund të përkthehet si “prapa”. Vänd mund të përkthehet “të kthehesh”.

  6. C. S. Lewis, The Great Divorce (1946), f. 6. Te parathënia e librit, Ljuisi shkroi se disa përpiqen të bashkojnë qiellin dhe ferrin në vend që të zgjedhin njërin apo tjetrin. Ai thotë se disa nga ne mendojnë se “zhvillimi, apo rregullimi, apo përmirësimi do ta kthejnë disi të ligën në të mirë. … Këtë besim unë e shoh si një gabim shkatërrimtar. … Ne jo vetëm që jetojmë në një botë ku të gjitha rrugët janë rreze të një qarku dhe ku të gjitha, nëse ecet mjaftueshëm gjatë, do të afrohen gradualisht dhe në fund do të puqen te qendra. …

    Unë nuk mendoj se të gjithë ata që zgjedhin rrugë të gabuara do të mbarojnë; por shpëtimi i tyre është te rivendosja prapa te rruga e drejtë. … E keqja mund të zhbëhet, por ajo nuk mund ‘të zhvillohet’ në të mirë. Koha nuk e shëron atë. E keqja duhet të zhbëhet pak nga pak … ndryshe nuk bëhet” (f. 5–6).

  7. Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Pendim”.

  8. Ezekieli 33:14–15.

  9. Dëshmia e Presidentit Bojd K. Paker në mbledhjen e udhëheqjes lidhur me konferencën e përgjithshme të prillit 2015, nuk është botuar e plotë. Këto fraza janë nga shënimet e mia private, mbajtur atëherë.

  10. Bojd K. Paker, “Plani i Lumturisë”, Liahona, maj 2015, f. 28

  11. 2 Nefi 2:5.

  12. 2 Nefi 2:27.

  13. Shih 2 Nefi 2:26.

  14. Alma 1:4. Nehori dhe ndjekësit e tij nuk besonin te pendimi (shih Alma 15:15).

  15. Shih Russell M. Nelson, “Dashuria Hyjnore”, Liahona, shkurt 2003, f. 12–17.

  16. Shih Luka 15:17; shih gjithashtu vargjet 11–24.

  17. William Shakespeare, “The Rape of Lucrece”, vargjet 211–214.

  18. Doktrina e Besëlidhje 18:11.

  19. Shih Isaia 53:5.

  20. Shih Lluka 15:4–7; Doktrina e Besëlidhje 18:10–13.

  21. Pendimi i vërtetë përfshin “pendimin sipas Perëndisë” (2 Korintasve 7:10). Plaku M. Rasëll Ballard na mësoi: “Për ata që kanë dalë nga udha e drejtë, Shpëtimtari ka siguruar një mënyrë kthimi. Por nuk është pa dhembje. Pendimi nuk është i lehtë; ai kërkon kohë – kohë me dhembje!” (“Keeping Covenants,” Ensign, maj 1993, f. 7). Plaku Riçard G. Skot gjithashtu na mësoi: “Ndonjëherë hapat e pendimit janë fillimisht të vështira dhe të dhimbshme” (“Finding Forgiveness”, Ensign, maj 1995, f. 77). Ndërsa dëshpërimi dhe dhembja sipas Perëndisë përfshihen në procesin e pendimit, rezultati përfundimtar është i gëzueshëm kur ndihet falja e mëkatit.

  22. Alma 34:31; theksimi i shtuar.

  23. Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjijtë”.

  24. Enosi 1:6.

  25. Mosia 4:3.

  26. Mosia 27:29.

  27. Isaia 12:3.

  28. Shih Mosia 26:29–30. Ndërkohë që Perëndia premton të falë lirshëm, të mëkatuarit me dashje dhe mbështetja te mëshira e Shpëtimtarit për të lejuar pendim të lehtë është e urrejtshme për Perëndinë (shih Hebrenjve 6:4–6; 10:26–27). Plaku Riçard G. Skot tha: “Lajmi i gëzuar për këdo që dëshiron të çlirohet nga pasojat e zgjedhjeve të dobëta të së kaluarës është se Zoti i sheh dobësitë ndryshe nga mënyra se si e sheh rebelimin. Ndërsa Zoti paralajmëron se rebelimi pa pendesë do të sjellë ndëshkim, kur Zoti flet për dobësitë, flet gjithmonë me mëshirë” (“Fuqia Vetjake Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2013, f. 83).