2010–2019
Dëshira e Sinqertë e Shpirtit
Tetor 2016


Dëshira e Sinqertë e Shpirtit

Çdo çast i një lutjeje të çmuar mund të jetë kohë e shenjtë e kaluar me Atin tonë, në emrin e Birit, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Në përleshjet e vdekshmërisë, ne nuk lihemi kurrë vetëm për ta kryer punën tonë, për të luftuar në betejat tona, për t’u përballur me fatkeqësinë apo pyetjet pa përgjigje. Jezu Krishti dha mësim me një shëmbëlltyrë “se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur”.  Ai tregoi për një gjykatës i cili nuk kishte nderim për Perëndinë dhe nuk kishte respekt për njeri. Vazhdimisht, një e ve shkonte tek ai, duke iu lutur që t’i jepte të drejtën përpara kundërshtarit të saj. Për pak kohë, gjykatësi nuk i ofroi asnjë ndihmë. Por, si pasojë e përgjërimit të saj besnik e të pandërprerë, gjykatësi më në fund, mendoi: “Duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë”.

Pastaj, Jezusi shpjegoi:

Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë … ?

Unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti.”

Dhe më pas, Zoti bën këtë pyetje: “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?”1

Lutja është thelbësore për zhvillimin e besimit. Kur Zoti të vijë përsëri, a do të gjejë Ai një popull që di si të lutet me besim dhe që është i përgatitur për të marrë shpëtim? “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”2Ne jemi fëmijët e një Ati të dashur Qiellor dhe mund të gëzojmë një kanal vetjak e të drejtpërdrejt komunikimi me Të kur lutemi “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht”3e më pas veprojmë në përputhje me përgjigjet që marrim nga nxitjet e Frymës së Shenjtë. Me besim ne lutemi, dëgjojmë dhe bindemi që ne të mund të mësojmë të bëhemi një me Atin dhe Birin.4

Një lutje me besim e hap udhën për të marrë bekime të lavdishme të dërguara nga qielli. Shpëtimtari dha mësim:

“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.

Sepse kush lyp, merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.”5.

Nëse presim të marrim, ne duhet të lypim, të kërkojmë e të trokasim. Në kërkimin e tij për të vërtetën, Jozef Smithi lexoi nga shkrimet e shenjta: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”.6 Në përgjigje të lutjes së tij me besim, qiejt u hapën. Perëndia, Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, zbritën me lavdi dhe i folën Jozef Smithit, duke nisur periudhën e plotësisë së kohërave. Për ne, shërimi mrekullibërës, mbrojtja e fuqishme, dija hyjnore, falja çliruese dhe paqja e çmuar janë disa nga përgjigjet që na vijnë kur ne e shprehim “dëshir[ën] e sinqertë të shpirtit”7 me besim.

Ne i lutemi Atit tonë, në emrin e Jezu Krishtit, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, duke i përfshirë kështu të tri anëtarët e Kreut-Perëndi në shqiptimet tona.

Ne i lutemi Atit tonë Qiellor dhe vetëm Atij sepse Ai është “Perëndi në qiell, i cili është i pafundëm dhe i përjetshëm, …  formuesi i qiellit e i tokës dhe i gjithë gjërave që janë në to”. Si Krijuesi ynë, Ai dha urdhërimet që ne “duhej ta doni[m] atë dhe t’i shërbeni[m] atij, të vetmit Perëndi të gjallë e të vërtetë, dhe se ai duhej të ishte e vetmja qenie që [ne] duhej ta adhuroni[m]”.8

Ndërsa i luteni Atit Qiellor me besim: “ai do t’ju ngushëllojë në pikëllimet tuaja, … [dhe ju mund të] ushqeh[e]ni me bollëk me dashurinë e tij”9. Presidenti Henri B. Ajring tregoi se lutjet e të atit gjatë një beteje të humbur me kancerin, ia mësuan atij marrëdhënien thellësisht vetjake midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij:

“Kur dhembja u bë e fortë, ne e gjetëm atë në mëngjes të gjunjëzuar pranë shtratit. Ai kishte qenë tepër i pafuqishëm për t’u kthyer në shtrat. Na tha se kishte qenë duke u lutur për ta pyetur Atin Qiellor se përse duhej të vuante kaq shumë kur ishte përpjekur gjithnjë të ishte i mirë. Ai tha se i erdhi një përgjigje dashamirëse: ‘Perëndisë i duhen bij trima’.

Dhe kështu ai luftoi deri në fund, duke mirëbesuar se Perëndia e donte, e dëgjonte dhe do ta lartësonte. Ai ishte i bekuar që e kishte ditur që herët dhe që nuk e kishte harruar kurrë se një Perëndi i dashur është aq afër sa një lutje”10.

Ne lutemi në emrin e Jezu Krishtit sepse shpëtimi ynë është në Krisht dhe “nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”.11 Ne vijmë tek Ati, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit12 sepse Ai është Avokati ynë me Atin dhe Ai e mbron njëmend çështjen tonë.13 Ai vuajti, u gjakos dhe vdiq për t’i dhënë lavdi Atit të Tij dhe lutja e tij mëshirëplote në emrin tonë ia hap udhën secilit prej nesh që të marrë paqe në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë. Ai nuk do që ne të vuajmë më gjatë apo të durojmë më tepër sprova nga sa nevojitet. Ai do që t’i drejtohemi Atij dhe ta lejojmë Atë të na i lehtësojë barrët, të na i shërojë zemrat dhe të na i pastrojë shpirtrat nëpërmjet fuqisë së Tij pastruese. Ne nuk duam kurrë që ta përdorim emrin e Tij kot me fjalë mekanike e të përsëritura. Lutjet e sinqerta, të ofruara në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, janë një shprehje e dashurisë sonë të përkushtuar, mirënjohjes sonë të përjetshme dhe dëshirës së patundur për t’u lutur siç u lut Ai, për të vepruar siç veproi Ai dhe për t’u bërë siç është Ai.

Ne lutemi me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë sepse “ai që kërkon në Shpirt, kërkon sipas vullnetit të Perëndisë”.14 Kur lutemi me besim, Fryma e Shenjtë mund t’i udhërrëfejë mendimet tona në mënyrë që fjalët tona të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. “Mos kërkoni që të mund ta shpenzoni atë mbi epshet tuaja, por kërkoni me besim të patundur, se nuk do të bini në tundim, por, se do t’i shërbeni Perëndisë së vërtetë dhe të gjallë.”15

“Është me rëndësi jo vetëm që të dimë si të lutemi, por është po aq me rëndësi që ne të dimë se si ta marrim përgjigjen për lutjen tonë, të jemi dallues, të jemi syçelë, të jemi në gjendje ta shohim me pamje të qartë e ta kuptojmë me synim të qartë vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë lidhur me ne.”16

Presidenti Ajring tregoi: “Unë kam marrë përgjigje për lutjet. Ato përgjigje ishin më të qartat kur asaj që unë doja i mbyllej goja nga një nevojë mbisunduese për të ditur se ç’dëshironte Perëndia. Është në atë kohë që përgjigjja nga një Atë i dashur Qiellor mund t’i thuhet mendjes nga zëri i qetë e i vogël dhe që mund të shkruhet në zemër.”17

Pamja
Krishti me Apostujt
Pamja
Krishti në Gjetseman

Teksa Shpëtimtari hyri në Kopshtin e Gjetsemanit, shpirti i Tij ishte jashtëzakonisht i hidhëruar, madje deri në vdekje. Në agoninë e Vet, të vetmit të cilit mund t’i drejtohej, ishte Ati i Tij. Ai u përgjërua: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë.” Por Ai shtoi: “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”.18 Ndonëse pa mëkat, Shpëtimtari u thirr për të “vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”, përfshirë sëmundjet dhe lëngatat e popullit të Tij. “[Ai] vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij.”19 Tri herë Ai u lut: “At[ë], u bëftë vullneti yt!”20 Kupa nuk u largua. Në lutje të përulur e besnike, Ai u forcua që të shkonte përpara e ta përmbushte misionin e Tij hyjnor për t’u përgatitur për shpëtimin tonë, që ne të mund të pendoheshim, besonim, bindeshim, dhe të mund t’i merrnim bekimet e përjetësisë.

Pamja
Krishti duke u lutur në Gjetseman

Përgjigjet që marrim në lutje mund të mos jenë ato që dëshirojmë. Por në kohë mundimesh, lutjet tona bëhen një litar shpëtimi me dashuri e mëshirë të dhembshur. Në përgjërimin tonë, ne mund të forcohemi që të shkojmë përpara e të përmbushim gjithçka për të cilën jemi shuguruar. Shenjtorëve të Tij, që po jetojnë në kohë të rrezikshme, Zoti u thotë: “Zemrat tuaja duhet të ngushëllohen … ; sepse gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”.21

Qoftë nëse lutemi më vete, me familjet tona, në kishë, në tempull ose kudo qofshim; qoftë nëse lutemi me zemër të thyer e shpirt të penduar duke kërkuar falje, urtësi qiellore, ose thjesht forcë për të duruar, ne lutemi gjithnjë me zemrat plot, të hapura vazhdimisht përpara Perëndisë për mirëqenien tonë dhe mirëqenien e atyre rreth e përqark nesh. Dëshirat e sinqerta të shprehura në një frymë mirënjohjeje për bekime të bollshme dhe mirënjohje për mësimet e jetës na rrënjosin në zemër besim të patundur në Krisht, “një ndriçim … të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”.22

Lutja është dhuratë nga Perëndia. Ne kurrë nuk kemi pse të ndihemi të humbur apo vetëm. Unë dëshmoj se çdo çast i një lutjeje të çmuar mund të jetë kohë e shenjtë e kaluar me Atin tonë, në emrin e Birit, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.