2010–2019
Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë
Prill 2017


Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë

Perëndia Ati, do që fëmijët e Tij të kthehen sërish në shtëpi, në familje dhe në lavdi.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, gëzohem për mundësinë që kam të jem me ju në fillimin e këtij sesioni të konferencës së përgjithshme. Ju uroj mirëseardhjen me shumë përzemërsi.

Konferenca e përgjithshme ka qenë përherë një kohë mbledhjeje për Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme. Prej një kohe të gjatë ne e kemi tejkaluar mundësinë për t’u mbledhur fizikisht në një vend, por Zoti ka siguruar mënyra që bekimet e konferencës së përgjithshme t’ju prekin pavarësisht se ku jeni. Ndonëse është mbresëlënëse të shohësh mbledhjen e shenjtorëve në këtë Qendër të madhe të Konferencave, ne që qëndrojmë në këtë foltore përherë kemi në sytë e mendjes miliona njerëz, të cilët janë mbledhur me ne anembanë botës për ta parë e dëgjuar konferencën. Shumë prej jush jeni mbledhur me familjet tuaja; disa mund të jenë mbledhur me miq ose bashkanëtarë të Kishës.

Kudo qofshi dhe sido që të jeni duke e dëgjuar zërin tim, ju lutemi dijeni se edhe pse nuk jeni me ne personalisht, ne e ndiejmë se jeni me ne shpirtërisht. Ne shpresojmë që të gjithë ju të ndiheni njësh me ne – që të ndieni fuqinë shpirtërore, e cila vjen sa herë që një grup besimtarësh mblidhet në emrin e Jezu Krishtit.

Jam ndier i nxitur që t’ju flas sot për një lloj tjetër mbledhjeje. Kjo lloj mbledhjeje nuk ndodh vetëm një herë në gjashtë muaj, sikurse konferenca e përgjithshme. Përkundrazi, ajo ka ndodhur vazhdimisht që kaherë në kohën e Rivendosjes së Kishës dhe është përshpejtuar vitet e fundit. I referohem mbledhjes së familjes së Perëndisë.

Për ta përshkruar këtë mbledhje, do të ishte më mirë po ta nisnim qysh para lindjes sonë, përpara asaj që Bibla e quan “fillim” (Zanafilla 1:1). Në atë kohë, ne jetuam me Atin Qiellor si fëmijët e Tij shpirtëror. Kjo është e vërtetë për çdo njeri që ka jetuar ndonjëherë në tokë.

Kuptoni, që emrat “vëlla” e “motër” nuk janë thjesht përshëndetje miqësore ose terma dashamirëse për ne. Ato janë një shprehje e një të vërtete të përjetshme: Perëndia është Ati i drejtpërdrejtë i të gjithë njerëzimit; ne jemi të gjithë pjesë e familjes së Tij të përjetshme. Për shkak se Ai na do me dashurinë e një Ati të përsosur, Ai dëshiron që ne të përparojmë dhe të përmirësohemi e të bëhemi si Ai. Ai shuguroi një plan nëpërmjet të cilit ne do të vinim në tokë, në familje dhe të kishim përvoja që do të na përgatitnin të ktheheshim tek Ai dhe të jetonim sikurse Ai jeton.

Elementi qendror i këtij plani ishte premtimi se Jezu Krishti do ta ofronte Veten si një flijim, për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. Detyra jonë në atë plan është ta pranojmë flijimin e Shpëtimtarit duke iu bindur ligjeve dhe ordinancave të ungjillit. Ju dhe unë e pranuam këtë plan. Në fakt, ne gëzuam për të, edhe pse nënkuptonte që do të largoheshim nga prania e Atit tonë dhe të harronim se çfarë përjetuam atje me Të.

Por ne nuk u dërguam këtu krejtësisht në errësirë. Secilit nga ne iu dha një pjesëz e dritës së Perëndisë, e quajtur “Drita e Krishtit”, për të na ndihmuar të dallojmë midis së mirës dhe së keqes, të drejtës dhe të gabuarës. Kjo është madje arsyeja që ata, të cilët jetojnë me pak ose aspak njohuri rreth planit të Atit prapëseprapë mund ta ndiejnë, në zemrën e tyre, që veprime të caktuara janë të drejta dhe të moralshme ndërkohë që disa të tjera nuk janë.

Ndjesia jonë ndaj së drejtës dhe së gabuarës duket më qartë veçanërisht kur jemi duke rritur fëmijët tanë. Pothuaj te çdo prind është e natyrshme dëshira për t’u mësuar fëmijëve të tij ose të saj virtytet morale. Kjo është pjesë e mrekullisë së planit të Atit Qiellor. Ai dëshiron që fëmijët e Tij të vijnë në tokë, duke ndjekur modelin e përjetshëm të familjeve që ekzistojnë në qiell. Familjet janë njësia organizative bazë e banesave të përjetshme dhe prandaj Ai synon që ata të jenë njësia bazë edhe në tokë. Ndonëse familjet tokësore janë larg përsosurisë, ato u japin mundësinë më të mirë fëmijëve të Perëndisë që të mirëpriten në botë me të vetmen dashuri në tokë që i përafrohet asaj që kemi ndier në qiell – dashurisë prindërore. Familjet janë gjithashtu mënyra më e mirë për të ruajtur dhe për të përçuar virtytet morale dhe parimet e vërteta, që kanë shumë të ngjarë të na udhëheqin sërish në praninë e Perëndisë.

Vetëm një pakicë e vogël e fëmijëve të Perëndisë e marrin gjatë kësaj jete, një kuptueshmëri të plotë të planit të Perëndisë, si dhe qasjen ndaj ordinancave të priftërisë dhe besëlidhjeve që e bëjnë fuqinë shlyese të Shpëtimtarit plotësisht vepruese në jetën tonë. Madje, edhe ata me prindërit më të mirë mund të jetojnë besnikërisht sipas dritës që kanë, por pa dëgjuar kurrë rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij ose pa qenë të ftuar për t’u pagëzuar në emrin e Tij. Kjo ka qenë e vërtetë për miliona nga vëllezërit dhe motrat tona gjatë gjithë historisë së botës.

Disa mund ta konsiderojnë këtë si të padrejtë. Ata madje mund ta marrin atë si një provë që nuk ka asnjë plan, asnjë kërkesë të veçantë për shpëtim – duke menduar se një Perëndi i drejtë e i dashur nuk do të krijonte një plan që është i mundur për një numër kaq të vogël të fëmijëve të Tij. Të tjerë mund të arrijnë në përfundimin se Perëndia duhet ta ketë përcaktuar që përpara se cilin nga fëmijët e Tij do të shpëtojë duke ia bërë të mundur ungjillin atyre, ndërkohë që ata, të cilët nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për ungjillin, thjesht nuk janë “të zgjedhur”.

Por ju dhe unë e dimë, se për shkak të të vërtetave të rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith, plani i Perëndisë është shumë herë më i dashur dhe më i drejtë se aq. Ati ynë Qiellor është i shqetësuar për ta mbledhur dhe për ta bekuar të gjithë familjen e Tij. Megjithëse Ai e di se jo të gjithë prej tyre do zgjedhin që të mblidhen, plani i Tij i jep secilit prej fëmijëve të Tij mundësinë për ta pranuar ose për ta refuzuar ftesën e Tij. Dhe familjet janë në zemër të këtij plani.

Shekuj më parë, profeti Malakia tha se do të vinte një ditë, që Perëndia do të dërgonte Elian që “zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve” (Malakia 4:6).

Kjo profeci ishte kaq e rëndësishme, saqë Shpëtimtari e citoi atë kur vizitoi kontinentin amerikan pas Ringjalljes së Tij (shih 3 Nefi 25:5–6). Dhe kur engjëlli Moroni e vizitoi Profetin Jozef Smith, edhe ai e citoi profecinë rreth Elias dhe zemrave, etërve e bijve (shih Joseph Smith—Historia 1:36–39).

Sot është 1 prill. Pasnesër, 3 prilli shënon 181 vite, që nga dita kur profecia e Malakias u përmbush. Në atë ditë, Elia erdhi vërtet dhe i dha Jozef Smithit fuqinë e priftërisë për të vulosur familjet përjetësisht (shih DeB 110:13–16).

Që nga ajo ditë e deri më sot, interesi për të zbuluar historinë vetjake familjare është rritur dukshëm. Me një ritëm të lartë si kurrë më parë, njerëzit duken se tërhiqen drejt paraardhësve të tyre shumë më tepër sesa thjesht si shkak i një kureshtje rastësore. Në mbarë botën janë ngritur librari gjenealogjike, shoqata dhe teknologji për ta përkrahur këtë interes. Fuqia e internetit për t’i zgjeruar komunikimet i ka mundësuar familjeve që të punojnë së bashku për të bërë kërkime mbi historinë familjare me një ngutje dhe këmbëngulje si rrallëherë.

Përse po ndodh e gjitha kjo? Në mungesë të një termi më të mirë, ne e quajmë atë “shpirti i Elias”. Ne mund ta quajmë po ashtu edhe “përmbushja e profecisë”. Unë jap dëshmi se Elia erdhi me të vërtetë. Zemrat e bijve – juaja dhe e imja – janë kthyer tek etërit tanë, paraardhësit tanë. Afërsia që ju ndieni për paraardhësit tuaj është pjesë e përmbushjes së asaj profecie. Ajo është e ngulitur thellë në qenien tuaj. Por kjo është shumë më tepër sesa thjesht një ADN e trashëguar.

Për shembull, teksa i ndiqni nxitjet për të mësuar rreth historisë suaj familjare, ju mund të zbuloni se një familjar i largët ka disa prej tipareve tuaja të fytyrës ose interesin tuaj për libra apo talentin tuaj për të kënduar. Kjo mund të jetë shumë interesante dhe madje kuptimplote. Por nëse puna juaj ndalet aty, ju do të ndieni se diçka mungon. Kjo ndodh se për të mbledhur dhe bashkuar familjen e Perëndisë kërkohet më shumë sesa thjesht ndjenja dashamirësie. Ajo kërkon besëlidhje të shenjta bashkëngjitur me ordinancat priftërore.

Shumë prej paraardhësve tuaj nuk i morën ato ordinanca. Por Perëndia ka siguruar një mënyrë që t’i marrim. Dhe Perëndia e dinte se ju do të ndienit tërheqje nga dashuria për paraardhësit tuaj dhe se ju do të kishit teknologjinë e nevojshme për t’i gjetur ata. Ai e dinte gjithashtu se ju do të jetonit në një kohë kur mundësia për të hyrë në tempujt e shenjtë, në të cilët mund të kryhen ordinancat, do të ishte më e madhe se kurdoherë në histori. Dhe Ai e dinte se Ai mund t’ju besonte për ta përmbushur këtë punë në emër të paraardhësve tuaj.

Sigurisht, të gjithë ne kemi shumë përgjegjësi të ngutshme dhe të rëndësishme të cilat kanë nevojë për vëmendjen dhe kohën tonë. Të gjithë hasim gjëra që Zoti pret nga ne t’i bëjmë, të cilat duken se i tejkalojnë aftësitë tona. Fatmirësisht, Zoti siguron një mënyrë për secilin nga ne që të fitojmë vetëbesim dhe kënaqësi në gjithë shërbimin tonë, përfshirë shërbimin për historinë familjare. Ne marrim forcë për të bërë atë që Ai na kërkon nëpërmjet besimit tonë, se Shpëtimtari nuk jep asnjë urdhërim “pa përgatitur një udhë për [ne], që [ne] të mund të plotësoj[m]ë gjënë, që ai … urdhëron”(1 Nefi 3:7).

E di nga përvoja ime që kjo është e vërtetë. Shumë vite më parë, kur isha student në universitet, takova një burrë, i cili punonte për një nga kompanitë më të mëdha të kompjuterave në botë. Kjo ndodhi në kohën e fillimit të kompjuterave dhe ashtu rastësisht kompania e tij e kishte dërguar atë t’i shiste kompjutera Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Për aq sa mund të them, ky shitës nuk kishte një besim fetar. Prapëseprapë ai tha me habi dhe çudi, “në këtë kishë ata po bënin atë që e quanin ‘gjenealogji’ duke kërkuar për emra të njerëzve që kanë vdekur, në përpjekje për të gjetur paraardhësit e tyre. Njerëzit, shumica gra, vërtiteshin rreth skedarëve duke kërkuar karta të vogla për informacione”. Nëse më kujtohet mirë, ai tha se zonjat kishin veshur këpucë tenisi në mënyrë që të vraponin pak më shpejt. Burri vazhdoi më tej: “Teksa shihja punën kolosale të asaj që ata po përpiqeshin të bënin, unë kuptova se kisha zbuluar arsyen e shpikjes së kompjuterave”.

Epo, ai kishte pjesërisht të drejtë. Kompjuterat do të bëheshin një pjesë e rëndësishme e së ardhmes për punën e historisë familjare – por jo kompjuterat që po shiste ai. Një udhëheqës i frymëzuar i Kishës zgjodhi të mos i blinte kompjuterat e tij. Kisha duhej të priste për teknologjinë që as që merrej me mend në atë kohë. Por gjatë shumë viteve, që nga ajo kohë, unë kam mësuar që edhe teknologjia më e mirë nuk mund të jetë kurrë një zëvendësuese e zbulesës nga qielli, si ajo që mori udhëheqësi i Kishës. Kjo është një punë shpirtërore dhe Zoti e drejton atë nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë.

Përpara pak javësh, po punoja për historinë time familjare me një këshilltar krah meje dhe një ndihmës tjetër në telefon. Në ekranin e kompjuterit para meje ndodhi një problem, i cili ishte përtej aftësive të mia njerëzore për ta zgjidhur. Pashë dy emra të njerëzve që më ishin dërguar nga çuditë e teknologjisë, të cilët mund të ishin duke pritur për një ordinancë në tempull. Problemi qëndronte se emrat ishin të ndryshëm, por kishte një arsye që të besohej se mund të ishte i njëjti person. Detyra ime ishte të përcaktoja se kush ishte i sakti.

I kërkova këshilltarëve të mi që të ma thoshin. Ata thanë: “Jo, duhet të zgjedhësh ti”. Dhe ata ishin plotësisht të sigurt se unë do ta zbuloja të vërtetën. Kompjuteri, me gjithë fuqinë dhe informacionin e vet ma la mua bekimin që t’ua ngulja sytë atyre emrave në ekran, duke vlerësuar informacionin në dispozicion, duke bërë kërkime të tjera, duke u lutur në heshtje dhe duke zbuluar atë që ishte e vërtetë. Teksa u luta, e dija me siguri se çfarë të bëja – sikurse kam bërë në situata të tjera kur më duhej të mbështetesha te ndihma e qiellit për ta zgjidhur një problem.

Ne nuk e dimë se çfarë shpikjesh të mrekullueshme Perëndia do t’i frymëzojë njerëzit që të krijojnë për të ndihmuar në punën e Tij për mbledhjen e familjes së Tij. Por pavarësisht se çfarë lloj shpikjesh të mrekullueshme mund të ndodhin, përdorimi i tyre do të kërkojë veprimin e Shpirtit tek njerëzit si ju dhe unë. Kjo gjë nuk duhet të na çudisë. Tek e fundit, këta janë bij dhe bija të dashura të Perëndisë. Ai do të dërgojë çdo lloj frymëzimi që nevojitet për t’u dhënë atyre mundësinë që të kthehen tek Ai.

Vitet e fundit, rinia e Kishës i është përgjigjur shpirtit të Elias në një mënyrë frymëzuese. Shumë të rinj sot mbajnë rekomandimin e tyre vetjak të tempullit me përdorim të kufizuar dhe e përdorin shpesh atë. Vaskat e pagëzimit të tempullit janë më të zëna se kurrë; disa tempujve madje u është dashur të rregullojnë programin për strehim ndaj numrit në rritje të të rinjve që marrin pjesë në tempull.

Ka qenë një përjashtim i rrallë por i mirëpritur për rininë që të sjellin emrat e vetë paraardhësve të tyre në tempull. Tani kjo është [bërë] normë dhe shumë shpesh janë vetë të rinjtë që i gjejnë ata paraardhës.

Përveç kësaj, shumë të rinj kanë zbuluar se dhënia e kohës së tyre për kërkime mbi historinë familjare dhe punën në tempull e ka thelluar dëshminë e tyre për planin e shpëtimit. Ajo e ka rritur ndikimin e Shpirtit në jetën e tyre dhe e ka ulur ndikimin e kundërshtarit. Ajo i ka ndihmuar ata të ndihen më afër familjeve të tyre dhe më afër Zotit Jezu Krisht. Ata kanë mësuar se kjo punë nuk shpëton vetëm të vdekurit; ajo na shpëton të gjithë ne (shih DeB 128:18).

Të rinjtë e kanë kuptuar admirueshëm këndvështrimin; tani edhe prindërit e tyre duhet ta kuptojnë atë. Tanimë janë shumë njerëz, të cilët e kanë pranuar pagëzimin në botën e shpirtrave për shkak të punës së bërë nga të rinjtë dhe ata po presin për ordinanca të tjera që vetëm të rriturit mund t’i kryejnë në tempull në këtë botë. Puna për të mbledhur familjen e Atit Qiellor nuk është vetëm për të rinj dhe nuk është vetëm për gjyshër. Është për cilindo. Të gjithë ne jemi mbledhës.

Kjo është puna e brezit tonë, çka apostulli Pal e quajti “plotës[imi i] kohëra[ve]”, kur tha se Perëndia do t’i “sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe” (Efesianëve 1:10). Kjo është bërë e mundur përmes veprës shlyese të Birit të Dashur të Perëndisë, Jezu Krishtit. Për shkak të Tij, anëtarët e familjes sonë “që dikur ishi[n] larg, u afrua[n] me anë të gjakut të Krishtit. Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes” (Efesianëve 2:13–14). Ju e keni ndier këtë, sikurse unë, kur keni përjetuar një rritje të dashurisë teksa keni parë një fotografi të një paraardhësi. Ju e keni ndier atë në tempull, kur një emër në kartë iu është dukur më tepër se një emër dhe nuk mund ta shmangnit ndjesinë se ky person ishte në dijeni për ju dhe e ndiente dashurinë tuaj.

Unë dëshmoj se Perëndia Ati, do që fëmijët e Tij të kthehen sërish në shtëpi, në familje dhe në lavdi. Shpëtimtari jeton. Ai e drejton dhe e bekon këtë punë dhe Ai kujdeset për ne dhe na udhërrëfen. Ai ju falënderon për shërbimin tuaj besnik për të mbledhur familjen e Atit të Tij dhe unë ju premtoj se [do të merrni] ndihmën e frymëzuar që ju e kërkoni dhe keni nevojë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.